Në seancën për rastin e Belinda Ballukut, SPAK kërkoi që të lihet në fuqi masa për pezullimin e saj nga detyra. Prokurori Dritan Prençi parashtroi argumentet e SPAK duke theksuar që në fillim se ndryshe nga çfarë pretendon Këshilli i Ministrave, nuk ka një konflikt kompetencash mes GJKKO dhe Qeverisë. Prokurori Dritan Prençi theksoi se Kryeministri nuk ka legjitimitet për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në këtë rast, pasi nuk është subjekt i procedimit penal dhe nuk i janë cenuar kompetencat kushtetuese. Sipas SPAK, nuk ekziston asnjë konflikt kompetencash që të justifikojë aktivizimin e Kushtetueses.
SPAK nënvizoi se masat e sigurisë janë masa personale, kompetencë ekskluzive e gjykatës, dhe se ato janë të ankimueshme vetëm përmes rrugëve shkallëve të tjera të gjyqësorit.Pra, sipas SPAK në Kushtetuese mund të shkonte vetë Balluku vetëm pasi të kishte ezauruar ankimin në Apelin e GJKKO-së dhe rekursin në Gjykatën e Lartë.
Kërkesa e Kryeministrit, sipas SPAK, nuk lidhet me mbrojtjen e kompetencave institucionale, por synon të ndërhyjë në një proces penal në zhvillim, gjë që bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve.
Sa i takon pretendimeve të qeverisë se Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra pa autorizim nga Kuvendi, pasi gëzon imunitetin e deputetit, SPAK tha se qeveria po tenton të barazojë funksionin legjislativ të deputetit me funksionin ekzekutiv të ministrit. Mandati i deputetit dhe detyra e ministrit, sipas SPAK, nuk krijojnë një status të vetëm juridik.
“Shprehemi se në këtë çështje pala kërkuese, Kryeministri, nuk legjitimohet si subjekt ankimues për të aktivizuar Kushtetuesen, pasi kërkuesi nuk është subjekt i procedimit penal, dhe nuk i janë cenuar kompetencat. Nuk konstatohet ekzistenca e një konflikti kompetencash, dhe për pasojë nuk ka arsye për të ngritur një çështje në nivel kushtetues.
GJKKO ushtron të drejtën e saj, ndërsa Kryeministri ka si bazë Kushtetutën, kemi dy marrëdhënie të ndryshme dhe nuk mund të pretendohet për konflikt kompetencash. Kushtetuesja e ka trajtuar këtë çështje duke argumentuar se çdo pushte ka kompetencat veta. Asnjë institucion nuk mund të ndërhyjë në vendime që burojnë nga kompetencat e tij. Mosmarrëveshja e pretenduar nuk lind mes pushteteve që ushtrojnë të njëjtën sferë kompetencash.
SPAK vlerëson se kërkesa e kryeministrit nuk lidhet me kompetencat e pushteteve pasi masat e sigurisë janë personale. Masat e sigurisë janë kompetenca ekskluzive të gjykatës dhe janë të ankimueshme dhe mund të ndiqen në shkallët e tjera.
SPAK vlerëson se kërkuesi nuk ka një interes personal për ta shtruar këtë çështje. Kërkuesi nuk mund të përdorë këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal, pasi ndjekja penal janë kompetencë të Gjykatës dhe nuk mund të ndërhyhet nga ekzekutivi
Kushtetuesja ka theksuar se mbrojtja kushtetuese kërkohet vetëm pasi përfundojnë procedurat gjyqësorë dhe se gjykimi i hershëm do krijonte gjykim paralel. Nuk ka pengesë procedurale apo rrezik të pakthyeshëm që të justifikojë ndërhyrjen e kushtetuese.
Pretendimi se pezullimi i Ballukut ka penguar kompetencat e kryeministrit, nuk qëndron masa ndalues e prek vetëm individin dhe nuk ndalon funksionin e institucionit. Masa ka natyrë të përkohshme dhe është e nevojshme për të siguruar vijimin e hetimit penal. SPAK vlerëson se kërkesa nuk duhet të pranohet dhe duhet ti hapë rrugë funksionit normal të sistemit gjyqësor. Lidhur me pretendimin për shkelje të imunitetit të deputetit, ky pretendim është i pabazë, kërkuesi tenton të barazojë funksionin legjislativ të deputetit me funksionin ekzekutiv të ministrit. Kushtetuta nuk e parashikon, mandati i deputetit dhe ministrit nuk krijojnë një status të vetëm juridik”, tha prokurori i SPAK.
Lajmi kryesor:
Mbyllet seanca në Kushtetuese/ Qeveria: Balluku gëzon imunitetin e deputetit, s'mund të pezullohet! SPAK: Rikthimi në detyrë dëmtoi hetimet











