JANAR
Viti 2017 nisi me spastrim në Kuvendin e Shqipërisë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ndërpreu mandatet dy deputetëve të qarkut Vlorë, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri si të prekur nga ligji që kishin votuar vetë, atë të dekriminalizimit. Pikërisht në janar, nisën procedurat për ngritjen e dy organeve të reja më të rëndësishme të drejtësisë: Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor. Pakkush do ta priste atë fillim janari, se i gjithë viti 2017 nuk do të mjaftonte që këto organe të plotësoheshin e të fillonin punën.
Fundi i janarit nxori të sipërfaqe krisjen e madhe të Ilir Metës me Edi Ramës. LSI nisi akuzat e para të drejtpërdrejta ndaj policisë dhe Saimir Tahirit si të lidhur me krimin. PS aktivizoi zëvendëskryeministrin Peleshi për të thënë se koalicioni ishte ende në këmbë dhe funksiononte, por 30 janari do të sillte një provë më të madhe se qetësia dhe dashuria kishte mbaruar.
Edi Rama shkarkoi ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjanin, i cili prej kohësh ishte një gur në këpucë që i vriste këmbën gjatë qeverisjes, që ditën e parë që i ishte bashkuar ekzekutivit. Përpara këtij vendimi të pa negociueshëm të Ramës, Ilir Meta propozoi Petrit Vasilin si ministër të drejtësisë. LSI, akoma në qeveri dhe që drejtonte 4 ministri, nxori Luan Ramën për të thënë një të pavërtetë, siç do të rezultonte më vonë.
SHKURT
Por Ministri i qeverisë, Lefter Koka nuk e la makijazhin partiak të mbulonte krisjen. Ai tha se policia kishte filluar të sulmonte LSI-në në qarkun e Durrësit. Akuzave për polici të implikuar në trafikun e drogës, ku bashkua edhe Vangjel Tavo në Gjirokastër, por PS sërish, përmes Bledi Çuçit i quajti emocionale.
Edhe pse i akuzuar, Saimir Tahiri vijonte detyrën në krye të ministrisë së brendshme, dhe po ashtu edhe punën si kryetar i PS-së së Tiranës.
Në 18 shkurt, Partia Demokratike dhe aleatët e saj përshkallëzuan presionin opozitar, duke ngritur përpara kryeministrisë “Çadrën e Lirisë”, çadër proteste e cila qëndroi për 90 ditë në bulevard. Kërkesa e Lulzim Bashës ishin qeveri teknike. PD kërcënonte se nuk do të hynte në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër dhe kërkoi shtyrjen e datës së parashikuar për zgjedhje, 18 qershorin, më qëllim që qeveria teknike të kryente reformë zgjedhore. Por Edi Rama nuk u lëkund ditët e para. Shpejt socialistët mbinë në çdo ekran televiziv, ku të dilte qartë mesazhi se Berisha e Basha kishin vetëm një frikë, vettingun, dhe donin ta bllokonin atë duke mbrojtur gjyqtarët killera.
Ndërkombëtarët nuk e përkrahën aventurën bojkotuese të Lulzim Bashës. Dy eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan i bënë thirrje opozitës të thyente bojkotin e të votonte komisionet e vettingut. Ilir Meta, edhe pse në marrëdhënie të tendosura, vijonte takimet me Edi Ramën. Ai hëngri një darkë me të, në kryeministri, teksa poshtë dritares opozita vijonte protestën, duke refuzuar ftesën e Bashës për qeveri teknike.
MARS
Kuvendi i vijonte punimet pa opozitën. Në çadër PD organizonte të enjten e saj parlamentare. Edi Rama u përpoq njëkohësisht të mbajë ngrohtë LSI-së, duke thënë se aleanca e majtë është i vetmi opsion për reformimin e vendit, ndërsa çdo alternative tjetër, sipas kryeministrit është kthim mbrapa.
Teksa zgjedhjet po afroheshin, mazhoranca kërkoi dialog, por Basha nuk u tërhoq nga pozicioni i tij. Pavarësisht se në publik shfaqej i qetë dhe jo nën presion nga çadra e opozitës, veprimet e 11 marsit vërtetuan të kundërtën. Rama i kërkoi dorëheqjen ministrit të cilin e kishte quajtur me të suksesshmin e tij, edhe pse ishte më i sulmuari. Saimir Tahiri rezistoi, por Rama e kishte marrë vendimin.
Për të mos e dorëzuar Tahirin përpara publikut, Rama lëvizi edhe 3 ministrat të tjerë paralelisht. Shumë u përfol se koka e Tahirit ishte kërkuar nga Ilir Meta dhe nga ndërkombëtarët. Faktet do të tregonin më pas se kjo lëvizje nuk kishte kënaqur as Metën e as Bashën. Në këto kushte, Rama ashpërsoi gjuhën. Me Metën nuk kishte ende asnjë të sigurt. Retorika ishte ashpërsuar, por përpjekjet vijonin. Në 20 mars, Rama mblidhi kongresin e PS-së.
Muajt në vijim treguan se Rama pati të drejtë për rezultatin, që pak kush e besonte, por toleroi datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Por përpara zgjedhjeve, socialistët kishin një tjetër sfidë përpara. Zgjedhjen e Presidentit. Nuk e kryenin dot pa LSI-në, për të cilën fushata kishte filluar ethshëm. Ruci nuk i kurseu presionet.
PRILL
Kjo nuk e pengoi Ramën, që në dy prill, në mbledhjen e asamblesë së PS-së, të përsëriste ftesën për koalicion për LSI-në. Në të njëjtën ditë tha se zgjedhjet nuk do të shtyhen. Dy ditë më pas, Meta do t’i lëkundte të gjithë. Edi Rama nuk e mirëpriti këtë ofertë të Metës. Madje shtoi se zgjedhjet mund të bëheshin edhe pa opozitën. Në 7 prill, Rama sërisht përsëriti ftesën për dialog, duke i lënë Bashës vetëm 3 ditë kohë, por koha tregoi se ultimatumi nuk do të funksiononte dhe se shumë të tjerë do të viheshin më pas pa sukses.
Në 10 prill, PD nuk u regjistruar në zgjedhje, edhe pse ishte afati i fundit ligjor. Një ditë më pas, PS dhe LSI i ngritën pa opozitën komisionet e vettingut, duke lënë bosh emrat e PD-së e duke shtuar të tyret. Prapë vettingu nuk ishte zhbllokuar, por kjo shërbeu që PS dhe LSI të demonstronin vullnetin se e donin reformën në drejtësi. Ndërkohë, afati për zgjedhjen e presidentit të ri po afrohej, dhe PS e LSI duhej të dakordësoheshin, por ishin ende larg. Akoma LSI nuk i kishte thënë “po” ftesës së Ramës për të rinovuar koalicionin. Rama e përsëriti sërisht ftesën në 13 prill.
Disa takime vijuan mes palëve, por pa rezultat të dukshëm. Rama e Meta nuk ranë dakord për koalicionin e as për presidentin, por në 19 prill, të dy i kërkuan KQZ-së të shtyjë afatin për regjistrimin e koalicioneve, për sa kohë klima politike në vend ishte kaq e nderë dhe e tensionuar. Në këto kushte, tre raundet e para për zgjedhjen e presidentit u dogjën, ku palët nuk propozuan asnjë emër për president.
Ambasadorët e SHBA dhe BE, të aktivizuar herë pas here, shtuan përpjekjet e tyre. Në 25 prill mbërritën në Tiranë në një mision të pasuksesshëm negocimi, dy zyrtarët e BE-së, McAllister dhe Fleckenstein. Pakta e Brukselit ofronte shtyrjen e datës së zgjedhjeve, qeveri teknike dhe disa drejtues institucionesh në favor të opozitës, me kusht që të votonte vettingun. Por PD nuk e pranoi, duke kërkuar largimin paraprak të Edi Ramës. Pas dështimit të Brukselit, PS vuri përpara një zgjedhjeje të detyruar LSI-në. Në seancë plenare, Gramoz Ruci i kërkoi Ilir Metës të vendosë për çështjen e presidentit pasi koha nuk priste më. Menjëherë PS mblodhi firmat dhe propozoi Ilir Metën president, duke i njohur meritën e të qenit vazhdimisht mbi palët.
Në 28 prill Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi Ilir Metën president të Republikës së Shqipërisë, në raundin e katërt të votimit, me 86 vota pro dhe 2 kundër.
Pas zgjedhjes së Metës president, u ngrit pikëpyetja nëse kjo ishte një goditje e dy zogjve me një gur nga ana e Ramës. Edhe kishte shpëtuar nga zgjedhjet e parakohshme, edhe kishte dëmtuar LSI-në duke i hequr figurën qendrore nga aktiviteti politik. Por Meta zgjodhi një taktikë tjetër. Dorëzoi postet në parti, dhe kryetar i LSI-së u zgjodh Petrit Vasili. Por fushatën e drejtoi vetë Ilir Meta, i cili e motivoi praninë e tij në mitingje si një tur falënderues me anëtarësinë.
MAJ
Në anën tjetër, Basha vijonte të ishte në çadër. Bujar Nishani i uli për herë të dytë palët në tryezën e Presidenti por pa sukses. Edhe këtu Rama ofroi paketën Mc Allister, por Basha nuk pranoi. Në tension e sipër Rama u tërhoq nga zgjedhjet e pjesshme në Kavajë, duke shmangur një përplasje civile të mundshme. Basha e konsideroi këtë fitore të opozitës, duke thënë se siç nuk pati zgjedhje në Kavajë në 7 maj, nuk do të kishte as në 18 qershor.
Ditët në vijim do të ishin një kolazh dritëhijesh ende të pa zbardhura se kush po toleronte e kush do të refuzonte. Paketa “McAllister” u rikthye në tryezë nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shetetit, Hoyt Brian Yee i cili mbërriti në Tiranë në datën 15 maj. Metodat shtëngruese të diplomatit amerikan janë të panjohura, por pas largimit të tij negociatat rifilluan. Mbrëmjen e 17 majit Rama dhe Basha u ulën së bashku. Se çfarë u tha në ato orë negociatash kokë më kokë mes të dyve, herë me të tjerë e herë vetëm, pakkush di ta thotë. Orët e para të 18 majit sollën tymin e bardhë që pritej prej 6 muajsh. Ky shtrëngim duarsh do të ngelet gjatë në memorien e ndjekësve të politikës, si momenti i një çlirimi të madh nga frikërat e të papriturave, por edhe si buzëqeshje fasade të një të panjohure që mbase Rama apo Basha do ta rrëfejnë në librat e tyre autobiografikë, nëse do të kenë të tillë.
Kush fitoi më shumë nga marrëveshja politike e 18 majit? Opozita do të hynte në zgjedhje. Ajo do të merrte zëvendëskryeministrin, 6 ministra teknikë dhe 5 drejtorë, kryetarin e KQZ-së dhe Avokati i Popullit. Zgjedhjet do të shtyheshin me një javë, për tu mbajtur në 25 qershor. Marrëveshja pati edhe një kapitull post zgjedhor, ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore, dakordësi e cila ende nuk ka dalë në sipërfaqe, e që pritet që 2018 të na i tregojë.
Një ditë më pas, PD hoqi çadrën nga Bulevardi pas 90 ditësh protestë. Parlamenti, me një seancë të jashtëzakonshme ju nënshtrua marrëveshjes politike, duke shkelur Kushtetutën me vendimet e tij. Edhe presidenti, mbylli njërin sy e dekretoi datën e re të zgjedhjeve. KQZ po ashtu pranoi mbi marrëveshjen politike e në shkelje të ligjit regjistrimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, teksa në mënyrë të paarsyeshme nuk u lejuan krijimet e koalicioneve.
QERSHOR
Tashmë nuk kishte asnjë dilemë. PD i mblodhi aleatët brenda listës së saj, ndërsa PS e LSI dolën të vetme. Shpatat u nxorën. Rama gjeti simbolin e timonit dhe tepsisë, duke fajësuar LSI-në si përgjegjëse për ato punë që qeveria nuk i kishte bërë mirë. Rama kërkoi të qeveriste si parti e vetme.
Meta, edhe pse i zgjedhur president, i vendosur nën presionin e ekzistencën dhe mbijetesës së partisë së tij, u rikthye në krye të fushatës. Ai i lejoi vetes retorikën tejet të fortë ndaj Edi Ramës. LSI u vendos nën presion edhe nga PD e cila e quajti një SHPK të falimentuar, ndërsa Rama dhe Basha në kulmin e fushatës e quajtën shushunjë.
Disa simpatizantë të LSI-së u plagosën apo u përfshinë në konflikte, dhe në një moment, Meta bëri këtë deklaratë të fortë. Dita e 25 qershorit do të ishte përgjithësisht e qetë. PS arriti të marrë e vetme timonin, me 74 mandate si asnjëherë më parë, LSI mori vetëm 19 mandate, ndërsa PD doli edhe më dobët se në 2013, duke marrë vetëm 43 mandate. PDIU, e cila nuk mundi të fuste në parlament kryetarin Shpëtim Idrizi.
Pas daljes në opozitë, LSI ndryshoi kryetarin. Vasili dha dorëheqjen dhe në krye u vendos Monika Kryemadhi, duke shënuar të parën kryetare femër të një partie në Shqipëri, parti e cila pas 8 vjetësh në pushtet, do të provonte shijen e hidhur të opozitës. Ky rezultat do të ishte për Lulzim Bashën fillimi i telasheve të brendshme.
KORRIK
Në 3 korrik, Edi Rama në takimin e parë të triumfit me skuadrën zgjedhore, i bëri thirrje presidentit të zgjedhur, Ilir Meta të reflektojë dhe të mos e njollosë institucionin e presidencës, pasi ishte zgjedhur me votat e socialistëve. Dhe Meta nuk do ta zhgënjente. Vapa do të ikte me zgjedhjet. Meta u betua si president përpara socialistëve e demokratëve, dhe u vendos në krye të shtet, format të cilin e ruajti me ekuilibër duke mbajtur distancë edhe me partinë e tij të paktën publikisht.
Fundviti do t'i gjente marrëdhëniet me Ramën të riparuara, të paktën institucionalisht. Meta do të rrinte larg retorikës së ashpër të bashkëshortes së tij në ngarkim të Ramës. Vetë Edi Rama nisi punën për të shfaqur vizionin e tij në qeverinë të cilën e kishte siç e kishte dëshiruar: të gjithën për vete. Ai shpalli Koalicionin me njerëzit.
GUSHT
Në 27 gusht, Rama shpalli kabinetin e tij të dytë. Me një kabinet të reduktuar me 6 ministri më pak, Rama la jashtë qeverisë Saimir Tahirin. Tahiri asnjëherë nuk e tha, por gjuha e trupit tregonte një njeri të zhgënjyer, e të zemëruar. Kjo do të ishte prova e parë e nxjerrjes së tij jashtë krahut të ngrohet të Ramës.
SHTATOR
Në 9 shtator u konstituua legjislatura e 9-të parlamentare, ku drejtimi ju besua Gramoz Rucit, e më pas qeveria e re u betua në 13 shtator në presidencë
TETOR
Në dy tetor Donald Lu do të prishte qetësinë e të gjithëve dhe punët që Edi Ramës po i shkonin vaj. Kambanat binin për qeverinë dhe ministrin e ri të brendshëm, Fatmir Xhafaj. Rama reagoi menjëherë. Sfida e Donald Lu nuk do të ishte telashi i vetëm i Ramës gjatë tetorit. Në Itali u arrestua banda e Moisi Habilajt, kushëri i largët i ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri. PD për më shumë se një vit e kishte akuzuar Tahirin se kishte mbështetur Habilajt dhe ju kishte dhënë makinën e tij Audi, AA 003 GB për të trafikuar drogë.
Publikimi dosjes së Habilajve dhe përgjimeve ku trafikantët në biseda mes njëri-tjetrit përmendnin Saimir Tahirin, do të ndryshonin rrjedhë. Në 17 tetor, Edi Rama do t’i jepte duart Tahirit, duke thënë se PS mund të kishte edhe drurë të shtrembër, ndaj ishte i hapur që drejtësia të bënte punën e saj.
Tre ditë pasi ishin arrestuar Habilajt, me një lëvizje surprizë, në 19 tetor Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e Tahirit në Parlament.
Përsëri Rama ishte i hapur për drejtësinë. Mëngjesin e 20 tetorit u mblodh këshilli i mandateve, ku socialistët, pas një takimi paraprak me Edi Ramën, ndryshuan pllakë e nuk pranuan arrestimin e Tahirit, duke e quajtur kërkesën e prokurorisë farsë. Se çfarë e bëri Ramën të ndryshonte pllakë nuk mund të thuhet me saktësi. Në përfundim, PS nuk dha konsensus për arrestim por vetëm për kontroll banese e bllokim pasaporte ndaj Saimir Tahirit. Në 25 tetor kuvendi konfirmoi këtë vendim të socialistëve ndërsa Rama bëri lëvizjet e tij.
NËNTOR
Në 3 nëntor, një biznesmen 25 vjeçar i cili më parë kishte bashkëpunuar me Tahirin, do të kapej në Elbasan me 800 mijë euro cash në makinë, dhe me dy patenta lundrimi të ish ministrit Saimir Tahiri. Kjo lidhje do të përbënte një kauzë për opozitën e cila thotë se paratë ishin të Tahirit dhe ishin fituar nga trafiku i drogës. Ngjarja është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila e ka bashkuar dosjen me atë të Tahirit. Gjykata në fjalë në mes të dhjetorit i bllokoi Tahirit pasaportën. Fati politik i Saimir Tahirit dhe raportimi me drejtësinë ngelet i paqartë. Ai është në kuotat më të ulëta se asnjëherë brenda partisë së tij dhe politikës.
DHJETOR
Zgjedhja e kryeprokurorit të ri do t’i përplaste sërish palët. Rama kërkoi një pakt kombëtar me Bashën për hir të integrimit, por nuk u pranua.
Në 18 dhjetor PS zgjodhi Arta Markun Prokurore të Përgjithshme të përkohshme, mes këtij kaosi. Tymueset, flakadanët, përplasja fizike dhe kjo sjellje e pazakontë e Monika Kryemadhit do të jenë pamjet më epike të këtij viti. 2017 u mbyll me një pikëpyetje të madhe: A është ende gjallë marrëveshja politike e 18 majit? Çfarë ende nuk kemi parë nata e gjatë e 18 majit mes Ramës dhe Bashës?
2018 e pret Ramën me një sfidë konkrete: do t’i japë apo jo Brukseli dritën jeshile në qershor? A do të hapë Bashkimi Evropian negociatat me Shqipërinë? Për të marrë një “Po” Rama është i gatshëm të bëjë gjithçka, të shtrijë përsëri dorën e bashkëpunimit dhe t’i japë prova Brukselit. Po opozita, a do të eci në këtë kurs, apo do t’ja vështirësojë sfidën Ramës?
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com