Reformat, negociatat dhe hapi i radhës drejt BE-së ishin në qendër të takimit të së enjtes në Tiranë mes Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali dhe raporterit europian për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder

Spiropali e cilësoi Schiederin si një mbështetës të procesit të zgjerimit dhe, në veçanti, të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në një reagim në rrjetet sociale, ministrja bëri të ditur se në takim u shkëmbyen vlerësime për ecurinë e deritanishme të negociatave dhe për reformat e thelluara, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore.

Sipas Spiropalit, diskutimi u përqendrua edhe te arritja sa më shpejt e piketave të ndërmjetme, të njohura si IBAR, të cilat konsiderohen vendimtare për hapjen e rrugës drejt mbylljes së kapitujve të negociatave.

Ministrja theksoi se ky proces pritet ta çojë Shqipërinë në vitin 2026 në një fazë të re të integrimit europian, më konkrete dhe më të matshme, në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Eurodeputeti Andreas Schieder po viziton Shqipërinë në kuadër të një misioni faktmbledhës përpara prezantimit të draft-raportit vjetor për Shqipërinë në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian.

Postimi i plotë i Ministres Spiropali në rrjete sociale

"Prita në një takim sa miqësor aq edhe përmbajtësor, Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, një zë i rëndësishëm dhe mbështetës i procesit të zgjerimit dhe në veçanti i anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Diskutuam mbi rolin e veçantë të Parlamentit Europian në monitorimin e negociatave të anëtarësimit, rëndësinë e raportit të ardhshëm për Shqipërinë në konsolidimin e perceptimit pozitiv mbi progresin e arritur dhe në orientimin e hapave të mëtejshëm të procesit. Bashkëndamë vlerësime për ecurinë e deritanishme të negociatave, për reformat e thelluara në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, si dhe për angazhimin e palëkundur e të vazhduar të politikës sonë të jashtme me atë të BE-së si dhe në përafrimin e vazhdueshëm me vlerat, politikat dhe qëndrimet e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, u ndalëm edhe tek perspektiva e arritjes sa më parë të piketave të ndërmjetme (IBAR), si një moment vendimtar që do t'i hapë rrugën procesit të mbylljes së kapitujve, duke e vendosur Shqipërinë në 2026-ën në një fazë të re, edhe më konkrete dhe më të matshme në rrugën drejt anëtarësimit"