/ATSH/.- Iniciativa e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për krijimin e një fondi të pavarur në mbështetje të kompanive të reja dhe që synon rritje të teknologjisë së informacionit dhe inovacionit, synon që brenda 5 vitesh të krijojë rreth 11 mijë vende të reja të punës.
Kjo iniciativë pritet që deri në fillim të vitit të ardhshëm të fillojë të funksionalizohet. Qeveria e Kosovës do të ndajë një fond investiv prej 2 milionë euro. Kjo shumë do të përputhet me një fond shtesë prej 2 milionë euro nga donatorët dhe pastaj do të nxisë 2 milionë euro investime nga sektori privat.
Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, kjo shumë në total prej 6 milionë euro do të nxiste investime nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe diaspora, ndërsa fondi do t'u ofrojë qasje në financim kompanive të reja dhe në rritje të TIK-ut në vend dhe atyre nga jashtë.
Në prezantimin e qëllimit të kësaj iniciative, ministri Stavileci tha sot se ky fond synon të nxisë investimet e përbashkëta me investitorët privat, që pastaj do të nxiste edhe interesimin e institucioneve ndërkombëtare financiare për të krijuar një fond të pavarur investiv për sektorin e TIK-ut, përkrahjen e inovacionit dhe rritjen e sektorit.
Sipas Stavilecit, përmes zhvillimit të sektorit të teknologjisë informative dhe inovacionit, mund të bëhet edhe një kthesë sa i përket numrit të të punësuarve.
Stavileci qartësoi se projektet investive që do të mbështeten, do të kenë tre kritere elementare që janë punësimi, edukimi dhe inovacioni.
Sipas ministrit Stavileci, me investimet që do të bëhen, në vitin e tretë do të jetë i vetë-qëndrueshëm.
Ai beson se deri në fund të këtij viti, apo fillim të vitit të ardhshëm, të bëhet funksionalizimi i fondit.
Fondi të cilin MZHE e ka konceptuar do të mbështesë një model të një partneriteti publiko-privat, ku fondet publike do të bëhen bashkë me ato të donatorëve dhe të sektorit privat.
Menaxhimi i fondit parashikohet të bëhet nga një menaxher i specializuar privat, pa ndikim nga qeveria, i cili sipas MZHE-së, do ti jepte kredibilitetin Fondit dhe do të mundësonte investimin e mjeteve shtesë nga donatorët dhe fondet investive.