Subashi: Mandati i "Seserit"
jo në Gjykatën Kushtetuese

Subashi: Mandati i "Seserit"<br />jo në Gjykatën Kushtetuese
TIRANE- Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi gjatë një interviste për gazetën "Shqiptarja.com" na ka komentuar komplet procedurën se si zgjidhet zëvednësuesi i një ligjëvënësi në momentin që dorëhiqet.
Znj. Subashi, mandanti i deputetes së Partisë Socialiste po debatohet shumë kohët e fundit, jo vetëm nga ana procedurale por edhe si një debat politik. Si anëtare e KQZ, a mendoni se dhe KQZ-ja ka shkelur ligjin, duke i dhënë Gjon Bardhit mandatin ndërsa ka një të tillë si kryetar bashkie?
Më datën 6.1.2013 Parlamenti i Shqipërisë njoftoi KQZ-në se Znj.Rudina Seseri ka dhënë dorhëqje nga mandati i deputetit dhe kërkohet zevendesimi i këtij mandati me kandidatin e rradhës nga lista e kandidatëve, të miratuar nga KQZ, për zgjedhjet e 29 Qershorit 2009. KQZ bazuar në nenin 164 të Kodit Zgjedhor, vendosi dhënien e mandatit të deputetit z.Gjon Bardhi. Gjatë kësaj vendimarje, para KQZ kandidati z. Gjon Bardhi paraqiti kërkesën e tij për dorëheqje nga mandati i deputetit, sepse ai mban detyrën e Kryetarit të Bashkisë Fushë -Krujë, mandat, të cilin ai e fitoi në zgjedhjet vendore të 8 Majit 2011. KQZ, në dijeni të kërkesës së kandidatit për dorëheqje, vlerësoi se kjo kërkesë duhet të drejtohej në Këshillin e Rregullores dhe mandateve të Kuvendit,si institucioni kompetent për shqyrtimin e dorëheqjes së mandateve. Këtë e përcakton neni 164,pika 1 të Kodit Zgjedhor, në të cilën thuhet : "...deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati". Mbi këtë bazë KQZ, zbatoi ligjin, i cili po në këtë dispozitë thotë se "mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës të së njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Pikë për pikë, këtë ligj ka zbatuar KQZ, në vendimarjen e saj të datës 13.1.2013, duke dhënë i mandatin e deputetit z.Gjon Bardhi. Këtë vendimarrje KQZ ia bëri të ditur Parlamentit dhe e botoi në gazetën zyrtare, siç parashikohet në Kodin Zgjedhor. Me të gjitha sa shpjegova më sipër, KQZ në këtë rast nuk ka shkelur ligjin, por e ka zbatuar me përpikmëri atë.
Po për debatin politik ...
Jam në dijeni të debateve politike që prej kohësh bëhen për këtë mandat. Preteksti është gjetur në faktin që z.Bardhi mban mandatin e Kryetarit të Bashkisë Fushë Krujë. Në të vërtetë personi mban mandatin e kryetarit të bashkise apo të komunes nuk mund të kandidojë, apo të zgjidhet deputet, sipas nenit 69 të Kushtetutës. Në fakt në momentin që z.Bardhi ka kandiduar për deputet nuk e ka mbajtur këtë post, në qershor 2009. Pas përfundimit të zgjedhjeve ai nuk fitoi mandat nga renditja që ai kishte në listë. Deri në këtë moment gjithçka ishte korrekte. Ai dhe shumë të tjerë që janë në listat e kandidatëve për deputetë, në rast zëvendësimesh, siç është rasti, nuk mund të pengohen të marrin detyra, për shkak se gjenden në listë kandidatësh. Detyra që ka z. Bardhi nuk ka përbërë pengesë, fakti që ai ka qenë në listë për kandidat për deputet. Në këtë nen të Kushtetutës, në pikën 1 gërma "d", thuhet se nuk mund të kandidojnë, e as të zgjidhen deputetë kryetarët e bashkive. Pra duhet të dallojmë dy momente: Momenti i parë që nuk mund të kandidojë për deputet në se ka këtë detyrë, që në momentin e miratimit të listës ishte korrekte dhe momenti i dytë nuk mund të zgjidhet deputet. I gjithë problemi juridiko-formal është se për çdo ndryshim që ndodh me kandidatët pas miratimit të listës, pas formatimit të Kuvendit që del nga zgjedhjet, çndodh me kandidatet që mbeten në listë për zevendesime? Asnjë dispozitë në Kushtetutë, por edhe në Kodin Zgjedhor nuk ka. Ata, pra kandidatët do të mbeten në listë edhe sikur pas këtij momenti, të kenë marrë një detyrë të re e cila bie ndesh me mandatin e mundshëm të deputetit. Në gjykimin tim, askujt nuk mund ti mohohet e drejta për një punë të zgjedhur prej tij, për faktin se është apo mbetet kandidat për një detyrë tjetër. Kjo do të përbënte shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Përcaktimi i nenit 69, i Kushtetutës se nuk mund të kandidoje dhe as të zgjidhet deputet pa hequr dorë nga detyra, është një dispozitë, e cila së pari bën fjalë për momentin kur miratohet lista e kandidateve, 40 ditë para ditës së zgjedhjeve, së dyti ky percaktim i pozitës së kandidatit për shkak të listës, pas përfundimit të zgjedhjeve as që ka përbërë shqetësim për asnjë forcë politike, së paku prej gati dy vitesh, kur dihej që z.Gjon Bardhi, por ndoshta dhe të tjerë, janë kandidatë dhe ushtrojnë funksione në papërputhshmëri me të qenit kandidat për deputet. Kodi Zgjedhor nuk ka asnjë dispozitë ndalimi dhe është e llogjikshme se një personalitet që mbetet kandidat për deputet të mos ketë mundësi të punojë në funksione të larta shtetërore. Madje për asnjë mundësi ligjore, teknike dhe praktike nuk mund të ndryshojë lista e kandidateve. Gjithsesi ky është një gjykim i imi, sepse siç e thashë asnjë ligj nuk e pengon marrjen e një detyre; heqja dorë nga disa funksione kur kandidon ka një qëllim tjetër që lidhet me barazine e zhvillimit të një procesi zgjedhor. Problemi qëndron në momentin që nga statusi i kandidatit, të kthehet në një status tjetër në statusin e deputetit dhe këtu fillon papajtueshmëria me detyrën që mban. Më tej, neni 71, pika 2, të Kushtetutës thotë se mandati i deputetit mbaron, ose është i pavlefshem kur....vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenin 69, të Kushtetutes. Pra, rast më të paster nuk mund te gjesh. Ky përcaktim nuk ka asnjë ekuivok për diskutim. Z.Gjon Bardhi është zgjedhur Kryetar i Bashkise Fushë Krujë dhe ky funksion është i papajtueshëm me mandatin e deputetit, prandaj mandati i tij si deputet është i pavlefshëm dhe për rrjedhojë e kësaj pavlefshmërie, mandati tij është i mbaruar. Sot, Z.Gjon Bardhi ka detyrën e Kryetarit të Bashkisë Fushë Krujë dhe mandatin e deputetit, ky mandat i fundit është në papajtueshmëri, si i tillë, sipas nenit 71, pika 2, të Kushtetutës ,mandati i deputetit mbaron. Ky shqyrtim nuk bëhet nga KQZ, sepse Kodi Zgjedhor nuk ja ka dhënë këtë të drejtë, por ky shqyrtim i përket Komisionit përkatës parlamentar, parashikuar nq nenin 13, tq Rregullares sq Parlamentit. Neni 164, të Kodit Zgjedhor, që bën fjalë për ndërprerjen e madatit dhe zëvendësimin e tij, nuk i ka dhënë rol aktiv KQZ-së për hetime në lidhje me mandatet zëvendësues. E gjithë veprimtaria verifikuese e KQZ-së, në kapitujt e kandidimit dhe të shpërndarjes e dhënies së mandateve të deputeteve lidhet vetëm me periudhen para zgjedhore dhe për nga rendesia këto vendimarje të KQZ-së kanë edhe votimin e cilësuar. Zëvendësimi i mandatit është një vendimarrje e detyruar në procedurë, duke ndjekur listën e kandidatëve vijues të listës të së njëjtës parti politike dhe në zonen zgjedhore përkatëse.
Shkurt si procedohet në të tilla raste?
Por edhe në një aspekt tjetër duhet qartësuar vullneti i ligjvënësit, pikërisht me pikën 2, të nenit 164, të Kodit Zgjedhor. Atë që thashë më sipër, përmendet në këtë dispozitë sërisht, që KQZ merr vendim për dhënien e mandatit të radhës në listën e kandidatëve. Vendimi i njoftohet kandidatit si dhe botohet në fletoren zyrtare. Nga ky njoftim nëse kandidati nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listes,sipas procedurës të parashikuar në pikën 1 të listës. Vetëm me këtë procedurë, Kuvendi ka të gjithë mjetin ligjor për të njoftuar KQZ-në për vakancën dhe për të bërë zëvendësimin e deputetit të PS-së. E bindur në aftësitë e mija juridike për këtë çështje, në mënyrë absolute nuk jemi para pengesave juridike për zgjidhjen e këtij problemi. Juridikisht zgjidhja është e pastër si kristal, por prej kohësh kamuflohet sjellja politike, me një mjergull mediatik, sikur ka probleme me ligjin, pse jo edhe pa dhimbje të cenohen specialistë se nuk kane zbatuar ligjin, se nuk njohin ligjin e ç'të dalë përpara.
Pse nuk pranohet dorëheqja e bërë nga z.Gjon Bardhi? Pse nuk vlerësohet refuzimi i betimit prej tij për shkak të dorëheqjes?
Z.Gjon Bardhi nuk po kërkon të marrë mandatin e deputetit, rast i cili mund të të lejonte diskutim. Z.Bardhi kërkon të mos e ushtrojë këtë funksion të deputetit. Ndaj edhe në gjykimin tim përbën non sens, ky diskutim. Aq më shumë që neni 71, pikat "a"dhe "b" të Kushtetutës thotë: Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur: a)kur ai nuk bën betimin, b)kur heq dorë nga mandati. Janë mjaftueshëm të dy këto elementë që janë prezent në këtë çështje. Për çdo lloj argumenti tjetër, mandati i z. Gjon Bardhi ka mbaruar dhe meqenëse më pyesni për shkelje të ligji, me keqardhje konstatoj se është shkeluar afati 30 ditor për të njoftuar KQZ-në, për vendin vakant dhe zëvendësimin e tij sipas nenit 164, të Kodit Zgjedhor.
A duhet ti drejtohemi gjykatave?
E thashë, prej kohësh për çështje zgjedhore, kamuflohet situata politike, me çështjet juridike. Jam e bindur se çështja nuk ka objekt për t'u shqyrtuar në Gjykaten Kushtetuese e aq më pak në Kolegjin Zgjedhor. Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor janë krejtësisht të qartë në gjykimin tim.
Partia Demokratike ka hedhur idenë e zhvillimit të zgjedhjeve në Fushë Krujë. A është ligjore?
Zgjedhje në Bashkinë e Fushë Krujës? Pse? Vetëm nëse jep dorëheqje Z.Gjon Bardhi, në dijeninë time nuk e ka bërë dorëheqjen.
Riformatimi i KQZ-së. Është hedhur ideja për riformatim në të gjitha nivelet pra KQZ, KZAZ. Sipas jush, kush është zgjidhja më e mirë për tu ndërtuar KQZ?
Është një nga rekomandimet e ODIHR, në raportin e tij për zgjedhjet e 8 Majit 2011. Ky rekomandim erdhi sigurisht pas një analize të hollësishme që i bëri punës dhe vendimarjes së KQZ-së për zgjedhjet. Madje edhe pa këtë rekomandim përbërja e KQZ-së prej një kohe të gjatë nuk justifikon standartin që i kërkohet një institucioni arbitër. Një situatë diskriminuese për ato që janë të propozuar nga opozita, ishte para zgjedhjeve të vitit 2011, unë i kam bërë prezent shumë kohë para zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve jo vetëm diskriminuese e fyese, por edhe penguese në punë, dhe vazhdon ende. Zgjidhja, sigurisht do të vijë nga politika, por për një gjë jam e bindur, cilado qoftë formula e përbërjes së KQZ-së, e rëndësishme mbetet integriteti profesional i atyre që marrin përsipër këtë detyrë mjaft të vështirë, nga më të veshtirat do ta vlerësoja.
Numërimi elektronik. Kërkesa e PS për numërimin elektronik sa ëhstë i mundshëm për tu aplikuar menjëherë në zgjedhjet e ardhshme dha sa e penngon manipulimin?
Numurimi elektronik përbën një mbështetje teknologjike zgjedhore, por nuk mendoj se është gjithçka. Manipulimet nuk i bën makineria, manipulimet i bëjnë vullnetet njerëzore. Makinat drejtohen nga njerzit, por nuk është vetëm numërimi i gjithë manupulimi zgjedhor. Me që më thoni teorikisht për manipulimin zgjedhor, numërimi është një pjesë e tij. Sigurisht që në zgjedhjet e ardhshme, nëse ky sistem do të përfshihet në Kod, do të aplikohet, por duhet thënë se koha është elementi i rëndësishëm në realizimin e këtij projekti.
(Intervista eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë