Tetë protestues janë shoqëruar nga Policia e Shtetit deri në orën 17:30 pas sulmeve me vezë, domate e gurë ndaj efektivëve. Policia thotë se ata nuk i janë bindur thirrjes që të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit dhe kanë vijuar me veprimet e dhunshme ndaj policëve.
“Në zbatim të ligjit dhe në përmbushje të detyrës, Policia e Shtetit hartoi planin e masave për garantimin e perimetrit të sigurisë, si dhe të rendit e sigurisë gjatë tubimit të paralajmëruar nëpërmjet mediave dhe rrjeteve sociale, që u mbajt para Kuvendit të Shqipërisë ditën e sotme. Gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë shtyrë dhe goditur me vezë, domate, gurë dhe sende të tjera punonjësit e Policisë të planëzuar në shërbim.
Punonjësit e Policisë, në zbatim të ligjit për tubimet, u kanë bërë thirrje, nëpërmjet megafonit, këtyre shtetasve që të mos vijonin veprimet e kundërligjshme ndaj punonjësve të Policisë dhe të zbatonin urdhrat e ligjshëm të Policisë, që të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit të Shqipërisë dhe të mos bllokonin rrugën. Këto urdhra nuk janë zbatuar nga disa prej pjesëmarrësve në tubim.
Në këto kushte, punonjësit e Policisë, në zbatim të procedurave standarde të punës, me qëllim neutralizimin e veprimeve të dhunshme të disa prej pjesëmarrësve në tubim, kanë përdorur spraj individual policor dhe, në vijim të veprimeve, kanë shoqëruar, deri në orën 17:30, tetë persona që kryenin veprime të dhunshme.
Shërbimet e Policisë po kryejnë detyrën me korrektësi dhe profesionalizëm, për të garantuar rendin, sigurinë dhe ushtrimin e së drejtës së çdo qytetari për të protestuar paqësisht.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për pjesëmarrësit në tubim që të respektojnë ligjin dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, pasi çdo veprim i kundërligjshëm do të trajtohet në përputhje me ligjin”, njofton Policia.
Lajmi kryesor:
Dështon protesta kombëtare e Berishës, as 20 mbështetës nuk i përgjigjen thirrjes! Paradite, demokratët e flamingot sulme me vezë e gurë policisë, 8 të shoqëruar (PAMJET ME DRON)







