TIRANE-Nesër do të nisë zbatimin ligji special anti-KÇK-së (lexo ketu) me strukturën e OFL-së (Operacioni Forca e Ligjit). Kryeministri Edi Rama prezantoi sot nga reparti RENEA paketën dhe si do të nisë dhe zbatohet akti normativ me fokus sekuestrimin e pasurisë së kriminelëve dhe terroristëve. Procesi mbi vërtetimin e dyshimeve për një pasuri mbyllet në harkun kohor të 30 ditëve. Gjithcka do të nisë me një formular që struktura e re do u dërgojë kriminelëve brenda apo jashtë burgut për të justifikuar pasurinë. Më pas ky formular i dërgohet SPAK-ut që duhet të shprehet për 15 ditë dhe po kaq gjykatës. Pra cikli, pa llogaritur apelin në hapin e parë mbyllet brenda muajit.

Por cfarë ndodh kur lindin dyshime mbi vendimin e gjykatës? Për këtë kryeministri u shpreh se shteti (Propozon ministria e Drejtësisë vendos KLP ose KLGJ) mund të kërkojë pezullimin e gjyqtarëve nga detyra dhe fillimin e hetimeve për ata. Megjithatë ai paralajmëroi edhe pjesën tjetër, që i ka nxjerrë jashtë venttingu, kur tha se ashtu si kriminelët tani, edhe ata një ditë do të përgjigjen për gjithçka që kanë. Përveç atyre që janë në burg apo hetim, në sitën e anti-KÇK-së do të jenë edhe ata që u akuzuan dhe gjykata, sipas tij e korruptuar i liroi dhe u ktheu pasurinë.

Por ku do të shkojë kjo pasuri? Për këtë kryeministri ishte i qartë, kur tha se do të shkojë në favor të policisë, për rritje rrogash dhe modernizim. Gjithashtu edhe makinat e blinduara të kriminelëve, për të cilat Rama tha se nuk meritojnë të hipin as mbi gomar, pasi e fyejnë (Lexo ketu fjalen e plote te Edi Rames). Operacioni Forca e Ligjit është Njësia Speciale që pas 6 muajsh trajnim të specializuar dhe stërvitje, nesër do të dalë në terren për të zbatuar në bashkëpunim me SPAK-un, Ligjin Special të sapo miratuar për masat pasurore ndaj personave të dënuar ose akuzuar për krim të organizuar (lexo këtu aktin normativ dhe 10 risitë). Akti Normativ sot u përshëndet edhe nga SHBA dhe BE (lexo këtu).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:39
Rama sulmon gjyqtaren që liroi Endrit Doklen: Pa zemër, por me xhep! Nesër do të përgjigjen edhe ata si kriminelët (VIDEO)

E ndërsa foli për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, kryeministri Edi Rama në mënyrë indirekte sulmoi edhe gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha që pak javë më parë me një vendim i hoqi dënimin përjetë Endrit Dokles, anëtar i bandës së Durrësit dhe e liroi në shërbim prove.

"Persona me dënim të përjetshëm dalin për të punuar në komunitet. Më vjen mirë që ndërkohë që na duhet të gjithëve, ju të parëve, por edhe ne të vuajmë fyerjet dhe lëndimet nga vendimet e gjykatësve sikur ishte rasti i fundit i gjyqtares pa tru, pa sy, pa veshë dhe zemër por vetëm me xhep që kanë sjellë lirime monstrash. Ndërkohë që sot jemi të vetëdijshëm që do të vuajnë akoma se janë akoma gjyqtarë dhe prokurorë që e dinë se nuk do ta kalojnë vettingun dhe jetojnë nën togën e zezë sikur të ishte dita e fundit e pazarit të madh të gjësë së gjallë, me moton "kap ca të kapësh".

Edhe për ta kjo paketë ka një ilaç. Edhe ata, edhe këtë ua them juve këtu, do të përgjigjen në mos sot nesër, pasi një lloj si sot erdhi koha të përgjigjen të fortët dhe të paprekshmit e këtij vendi për të gjitha pasuritë e tyre, do të vijë edhe për ata. Vetingu nuk është gjykatë apo prokurori dhe nuk ka për detyrë të ndëshkojë ata që kanë vënë pasuri marramendëse duke e përdorur cekicin për të thyer kafkën e drejtësisë, por është vetëm faza kur ndahet i njomi me të thatin dhe faza kur ata që nuk justifikojnë pasurinë largohen dhe ata që dalin të pastër si anëtarët e SPAK-ut dhe nga nesër janë sistemi i ri që do u kërkojnë subjekteve të ligjit të provojnë ata burimin e pasurisë së tyre jo më të stërmundohet gjithë policia, por ta provojnë vetë. Në shumicën e herëve janë kriminelë dhe jo gjykatës" tha Rama.

Ora 11:54
'Pasuria e krimit'! Rama: Do rrisim rrogat për efektivët! Ata s'meritojnë të ecin as mbi gomar, makinat e blinduara i merr policia (VIDEO)

Me pasurinë që do i sekuestrohet krimit do të shpërblehen policët me rritje rrogash, do të ndërtohet akademia e sigurisë, ndërsa edhe mjetet e tyre do i kalojnë policisë, tha Rama. "Dhe me pasuritë e tyre ne do të rrisim në radhë të parë rrogat tuaja, do të shërbejnë si burim për të shpërblyer punën tuaj, mbështetje për fëmijët e policëve të vrarë, do të mbështesim akademinë e sigurisë. Dhe me mjetet e tyre motorike ne do të shtojmë kapacitet motorike të policisë së shtetit, paketa anti-KCK parashikon jo vetëm kaq, por edhe bllokimin e lëvizjes për jashtë shtetit, jashtë njësisë së tyre administrative, jo të nisen me autokolona makina luksoze dhe të shkojnë të nxjerrin pushkë në Himarë apo Dhërmi në mes të sezonit. Paketa parashikon mos marrjen pjesë të tyre apo familjarëve të tyre në tendera, heqjen e të gjitha licencave që disponojnë. Këta ruajnë me polici private, këta nuk do të gëzojnë më asnjë licencë që kanë. Këta kanë radio ndërlidhje, mjete ndricimi të posacme, sisteme videosh dhe survejimesh. Nuk do i gëzojnë apo të provojnë se i kanë blerë duke shitur patate, domate apo rroba të përdoruara te gabi, po e provuan ti gëzojnë" deklaroi ai. Rama sulmoi kriminelët që lëviznin me makina të blinduara kur u shpreh se "Ata nuk meritojnë të ecin as mbi gomar, jo dhe më tek makinat e blinduara se e fyejnë gomarin".

Ora 11:49
Vendime të korruptuara nga gjyqësori? Rama: Brenda 3 ditëve kërkojmë pezullimin e tyre (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ligji special i ka gjetur ilaçin edhe prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, por si do të ndodhë kjo? Kreu i ekzekutivit shpjegoi se kur shteti do të konstatojë vendime korruptive, brenda 3 ditëve kërkon pezullimin e gjyqtarëve nga detyra dhe fillimin e hetimeve për ata (Propozon ministria e Drejtësisë vendos KLP ose KLGJ). Megjithatë ai paralajmëroi edhe pjesën tjetër, kur tha se ashtu si kriminelët tani, edhe ata që janë nxjerrë nga vettingu një ditë do të përgjigjen për gjithçka.

"E fundit që kam është për gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që godasin shtetin pas shpine, që për cdo rast kur ne shteti që do të konstatojmë vendime si ato që kemi parë në vijim paketa kërkon brenda 3 ditëve pezullimin e tyre nga detyra dhe fillimin e hetimeve për ata. Ata janë bashkë, dhe unë ju siguroj që ne jemi bashkë për t'i bërë ata bashkë atje ku e kanë vendin të dyja palët, ju siguroj. Të gjithë ju mund të keni shumë rezerva dhe kritika. Anëtarëve të OFL u them se ju keni në dorë të bëni një investim të madh dhe të shtoni kreditë e larta të policisë së shtetit dhe të vendit tonë në sytë e miqve tanë" tha Rama.

Ora 11:43
Rama tregon si do të nisë verifikimi i kriminelëve nga SPAK-u: Për 30 ditë lamtumirë pasuri (VIDEO)

E ndërsa nesër do të fillojë zbatimi i ligjit special kundër kriminelëve, kryeministri Rama ka dhënë edhe detajet si do të nisë punë. Ai tha se personave që janë identifikuar nga policia me pasuri të dyshimtë do u dërgohet një formular që duhet ta plotësojnë brenda 48 orëve si e justifikojnë pasurinë, që më pas i dërgohet SPAK-ut, që duhet të shprehet për 15 ditë dhe po kaq gjykata dhe më pas lamtumirë pasuri. Pra brenda një muaji mbyllet procesi për të dhënë një vendim në lidhje me një pasuri të dyshimtë. 

"Nga nesër një letër do u drejtohet këtyre subjekteve dhe brenda 48 orëve do u kërkohet të plotësojnë kërkesat e formularit për burimin e pasurisë së tyre dhe pastaj formulari do të shkojë te SPAK-u dhe nga SPAK- u në gjykatë dhe ata do të duhet të vijnë para gjykatësit dhe të tregojnë sa fort kanë punuar tokën dhe sa shumë ullinj dhe portokalle kanë mbledhur, sa shumë vite kanë bërë roje natën në objekte, sa shumë janë lodhur dhe stërmundur në fasoneri, sa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda apo jashtë vendit, nëse duan ti mbajnë ato pasuri, për ndryshe gjithcka që kanë sot, nesër do të jetë pronë e shtetit dhe në radhë të parë e policisë së shtetit. Kjo nuk do të vijojë si ato proceset ku në fund persona me burgim të përjetshëm dalin për të punuar në komunitet, por kjo ka afate. 48 orë formulari, deri në 15 ditë SPAK, deri në 15 ditë gjykata dhe pastaj lamtumirë prona e juaj, jo e imja, por e të gjithëve që e gëzojnë ata" deklaroi ai.

Ora 11:42
Rama: Anti-KÇK-ja, sprovë për SPAK-un, ndryshim historik, do ua bëjmë atdheun ferr kriminelëve (VIDEO)

Të gjithë ata që në 30 vitet e demokracisë kanë vendosur pasuri të paligjshme do të kalojnë në filtrin e ligjit special. Kreu i qeverisë u shpreh se do u bëjmë jetën dhe atdheun ferr të gjithë kriminelëve. Ky ligj, tha më tej Rama, do të jetë sprovë për SPAK-un.

"Sot është një moment i vecantë dhe jam i bindur që është një pikë me një rëndësi të atillë që do të shënojë një nivel të ri, jo vetëm të përballjes me krimin, por edhe të autoritetit dhe të respektit të publikut të policisë së shtetit dhe vetë shtetit. Një kohë ekstreme, kërkon masa ekstreme thotë një shprehje dhe besoj që është vendi për ta përsëritur në këtë kohë dhe moment, kur jemi bërë gati për një përballje ekstreme me krimin e organizuar dhe kur është ekstreme koha për t'i dhënë një përgjigje dërrrmuese, jo vetëm krimit, por edhe të gjithë atyre ushqejnë mosbesimin te angazhimi ynë për të luftuar deri në fund. Mund të thuhen plotë gjëra në një analizë të gjatë për policinë dhe për të gjithë përpjekjen tonë të këtyre viteve.

Nuk mund të kritikohemi kurrë për ndërmarrjen e reformave, që nuk u imagjinuan për dekada dhe për t'i cuar përpara punët në një terren të vështirë. Jemi këtu për të përshëndetur OFL-në dhe për ta nxitur edhe uruar që të ketë sukses në një mision që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin dhe që fillon nesër. Nesër dmth, nesër ditën e hënë dhe jo në të ardhmen. Ne i kemi në dispozicion një instrument jashtëzakonisht të fortë në duart e shtetit në duart e policisë dhe OFL-së, ligji special për marrjen e të gjitha masave të nevojshme pasurore ndaj atyre që në 30 vite janë dënuar apo akuzuar për krim të organizuar terrorizëm, krime të rënda dhe sot ne kemi një garanci më shumë SPAK-un.

SPAK-u tanimë është formuar dhe kjo është sprova e parë për vetë SPAK-un dhe duke pasur një besim absolut te ata që janë bërthama e këtij institucioni të sapo lindur por të përgatitur për një kohë të gjatë, si ai i vettingut, kam shumë besim se jemi në kohën e duhur dhe në vendin e duhur dhe kemi forcat e duhura për një ndryshim historik. Duhet t'ua bëjmë të parehatshëm atdheun kriminelëve. Nuk mund të jetë sheshi i ndërtimit për vilat dhe bizneset e tyre, që nuk burojnë nga puna, por edhe nga gjaku i komisarëve dhe policëve të vrarë në 30 vite. Nuk mund të jetë platforma e ekspozimit të muskujve në club-e apo hapësira publike, duhet të jetë ferri i tyre" tha Rama.

Ora 11:26
Rama: Në sitën e anti-KÇK-së edhe ata që u akuzuan dhe gjykata e korruptuar i liroi dhe u ktheu pasurinë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se subjekt i ligjit special do të jenë edhe ata persona që janë akuzuar dhe gjykata e korruptuar i ka liruar dhe madje u ka kthyer pasurinë.

"Të personave që nuk meritojnë të hipin edhe mbi një gomar se e fyejnë gomarin dhe jo më mbi makina të blinduara. E dinë edhe policët që sa shumë herë subjekte të këtij ligji janë arrestuar, janë çuar përpara gjykatave dhe i kanë nxjerrë gjuhën të gjithë sakrificave dhe të gjithë besimit në shtet duke dalë të lirë pa u hyrë gjemb në këmbë edhe këta janë subjekt të ligjit. Jo vetëm ata që janë dënuar, por edhe ata që janë akuzuar për këto krime që parashikon ligji dhe nesër të paraqesin provat e pasurisë së tyre.

Edhe ato pak asete që janë sekuestruar u janë kthyer autorëve nga sirtarët e gjykatave të korruptuara dhe autorët me mjetet e rikthyera apo lartësia e kateve të vilave të tyre u kanë përqeshur ju që dilni nga shtëpia në mëngjes dhe përqafoni familjen sikur të ishte hera e fundit. Shkoni në operacioni që asnjëherë fundi nuk dihet edhe pse në të shumtën e herëve ia dilni ju dhe jo ata. Por ktheni kokën pas dhe kujtoni miqtë tuaj që i keni pasur në resht dhe sot nuk janë më me ne, për arsye të këtyre që sot gëzojnë pasuri të bëra deri edhe me gjakun e shokëve tuaj" tha Rama. 

Ora 11:12
Lleshaj: Me asetet që do i sekuestrojmë krimit do modernizojmë policinë e shtetit (VIDEO)

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi se një pjesë e aseteve të krimit që do të sekuestrohen do të vihen në dispozicion të policisë në funksion të modernizimit. "Shkatërrimi i këtij niveli biznesni është nevojë e dorës së parë. Miratimi i paketës shënon përshkallëzimin e panjohur, shënjestra do të jetë pasuria e krijuar nga krimi i organizuar. Shkatërrimi i burimit ekonomik dhe financiar që mban gjallë krimin, këtij modeli të shëmtuar dhe të rrezikshëm që gjeneron krime të rënda, josh shumë të rinj në rrugë të gabuar. Operacioni do të zhvillohet në bashkëpunim me SPAK dhe partnerët në një kuadër të përcaktuar ligjor. Objekt do të jenë pasuritë e deklaruara apo të fshehura.

Paketa nuk i jep autoritet të ri policisë, por detyra të reja dhe instrumete për arritjen e qëllimit madhor kundër krimit. Policia ka mbajtur me përkushtim shumë barrë të rëndë, janë përballuar dhe goditur, edhe kanë pësuar dhe sot përfaqësojnë një ndër institucionet më të besueshme. Suksesi i këtij operacioni do të jetë i garantuar. Një pjesë e aseteve do të vihen në dispozicion të policisë në funksion të modernizimit dhe personelit. Për politikën, korrigjoni shënjestrën, policia nuk mund të jetë tabelë. Për kriminelët, u them tërhiquni nga rruga e krimit për të shpëtuar familjen, kthjellohuni dhe kuptoni se keni përgjegjësi për ata që vijnë pas jush. Është thjeshtë cështje kohe, udhëtimi kriminal do të ndërpritet keq, në mos sot nesër, por nesër do të jetë vonë" tha ai.

Ora 11:09
Lufta kundër KÇK-së, Veliu mesazh kriminelëve: Përgatituni të jepni llogari, do ju gjejmë (VIDEO)

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka prezantuar sot paketën anti-KÇK, që do të zbresë nesër në terren. "Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, SPAK dhe Byrosë së Hetimit. Nga Janari ka hyrë në fuqi akti normativ për gjurmimin e pasurive. Njësia do të jetë në varësi të drejtorit të përgjithshëm. Punonjësit janë të kualifikuar dhe të përzgjedhur me kujdes.

Një pjesë e tyre lëviznin lirshëm dhe gëzojnë pasuri marramendëse. Kjo histori nuk mund të vijojë më kështu, duhet ta provojnë që pronat, mjetet dhe llogaritë kanë pasuri të paligjshme. Do të duhet ta provojnë ata burimin e paligjshëm të pasurisë së tyre. Rrethi është zgjedhur edhe te familjarët që bëjnë mbulesa për të humbur gjurmët. Të përgatiten se do të japin llogari. Paratë do të shkojnë në favor të shtetit. Për të përmbushjen e këtij prioriteti jemi të përgatitur për luftën me cdo lloj çmimi. Do ua bëjmë të parehatshëm atdheun kriminelëve" tha ai.

Ora 11:05
Me makina të blinduara dhe 'gatitu' për nesër, këta janë superpolicët përballë kriminelëve (FOTO)