Të gjitha vendimet e mbledhjes së qeverisë

V E N D I M 

PËR

PËRCAKTIMIN E MËNYRËS E TË KRITEREVE TË PËRZGJEDHJES SË OPERATORIT QË DO TË NDËRTOJË SISTEMIN QENDROR TË MONITORIMIT ON-LINE (SQMO) DHE TË AUTORITETIT PËRGJEGJËS PËR ZHVILLIMIN E PROCEDURAVE TË PËRZGJEDHJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 48, pika 2, dhe 70, pika 12,  të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:


I.    DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1.    Operatori, që ndërton Sistemin Qendror të Monitorimit On-line (SQMO) të lojërave të fatit, kryen edhe procesin e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tij duke garantuar procesin e monitorimit on-line të të dhënave që do të përdoren nga AMLF-ja. Operatori merr vlerën e investimit nga tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojrave të fatit për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e sistemit.

2.    Operatori duhet të garantojë mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e sistemit nga çdo defekt në Sistemin Qendror të Monitorimit On-line. 

II.    PROCEDURA E HAPJES SË GARËS PËR PËRZGJEDHJEN E OPERATORIT

1. Autoriteti publik, që shpall hapjen e garës për përzgjedhjen e operatorit që do të ndërtojë SQMO-në, është Ministria e Financave, referuar më poshtë autoriteti përgjegjës, e cila e shpall atë jo më vonë se 45 (dyzet e pesë) ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

2.    Ministria e Financave miraton kriteret e vlerësimit të garës, dokumentet standarde të procedurës konkurruese, strukturën e Komisionit të Ngritjes së Sistemit Qendror të Monitorimit On-line të lojërave të fatit.
 
3.    Në dokumentet standarde të procedurës konkurruese jepet informacion që ka lidhje me objektin  dhe llojin e procedurës konkurruese, përfshirë informacione të përgjithshme dhe specifike.

    Informacioni i përgjithshëm përmban:
 
- njoftimin e shpalljes së procedurës konkurruese;
- udhëzimet për kandidatët/ofertuesit;
- kriteret e përgjithshme të kualifikimit/pjesëmarrjes;
- formularin për deklarimin e konfliktit të interesit;
- përshkrimin e projektit;
- njoftimin e skualifikimit të ofertuesve/kandidatëve;
- ankesa;
- njoftimin e fituesit;
- kushtet e përgjithshme dhe kushtet e veçanta të kontratës.

    Informacioni specifik përmban: 

- propozimin teknik;
- propozimin financiar.

4. Komisioni i Ngritjes së Sistemit Qendror të Monitorimit On-line të lojërave të fatit përbëhet nga 7 anëtarë, ku një përfaqësues do të jetë nga AMLF-ja dhe një përfaqësues nga AKSHI. Komisioni është përgjegjës për:

-    hartimin dhe dërgimin e njoftimit për publikim;
-    hartimin e dokumenteve të procedurës konkurruese dhe mbledhjen e të gjitha materiale të nevojshme që u bashkëlidhen atyre, përfshirë hartimin e kritereve të veçanta për kualifikim dhe përgatitjen e termave të referencës etj.;
-    hartimin dhe administrimin e të gjitha procesverbaleve për dokumentet e procedurës konkurruese dhe çdo dokumenti tjetër që lidhet me procedurat e përcaktimit të fituesit, përfshirë edhe procesverbalet e mbledhjeve, kur është rasti;
-    llogaritjen e çmimit të shitjes së dokumenteve të procedurës konkurruese që u jepet operatorëve me kërkesën e tyre, kur është rasti;
-    vlerësimin dhe shqyrtimin e propozimeve të paraqitura, si dhe çdo procedurë tjetër në lidhje me shpalljen e operatorit fitues për ngritjen e këtij sistemi.

5. Autoriteti publikon njoftimin për konkurrim për ndërtimin e sistemit në të paktën një gazetë të huaj me qarkullim ndërkombëtar në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, si dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike. Afati për paraqitjen e ofertave është jo më pak se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga data në të cilën është botuar formulari për njoftimin e kontratës në Buletinin e Njoftimeve Publike.

6. Njoftimi duhet të përmbajë:

-    vendin, datën dhe orën e paraqitjes së propozimit për këtë procedurë;
-    gjuhën e paraqitjes së propozimit;
-    mënyrën e paraqitjes së propozimit;
-    vendin, orën dhe datën e shqyrtimit të propozimit.

7. Çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendas ose të huaj, pas shpalljes së ftesës për konkurrim nga autoriteti përgjegjës ka të drejtë të aplikojë pranë kësaj strukture për të paraqitur propozimin e tij.

8. Propozimi shoqërohet me dokumentet e mëposhtme:

-    Statutin dhe aktin e themelimit të personit juridik apo personave juridikë, pjesëmarrës në një bashkim shoqërish;
-    vetëdeklarimin se shoqëria nuk është në proces falimentimi apo likuidimi;
-    deklaratën për burimin e kapitalit që do të investohet për ndërtimin e sistemit SQMO;
-    dokumente që provojnë eksperienca të ngjashme në ndërtimin e sistemeve qendrore të monitorimit on-line të lojërave të fatit në Shqipëri ose në një nga vendet evropiane;
-    vërtetimin se ka personel të kualifikuar për ndërtimin e sistemeve të ngjashme, të vërtetuara me dokumentacionin përkatës;
-    planbiznesin për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemit SQMO.
 
9.    Propozimi duhet të përmbajë gjithashtu çdo informacion tjetër që mund t’i kërkohet aplikantit në dokumentet e procedurës së konkurrimit apo nga komisioni, të cilat do të gjykohen të nevojshme për veprimtarinë që do të ushtrohet. Propozimi duhet të paraqitet në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe angleze.

10. Çdo propozues, që kërkon sqarime rreth udhëzimeve, kritereve kualifikuese ose për ndonjë kërkesë tjetër të përcaktuar, i drejtohet me shkrim Ministrisë e Financave brenda 10 (dhjetë ditëve) nga data e shpalljes së procedurës konkurruese në Buletninin e Njoftimeve Publike. Përtej këtij afati, kërkesa për sqarim nuk do të pranohet. Komisioni i Ngritjes së Sistemit të Monitorimit On-line të lojërave të fatit merr në shqyrtim kërkesën dhe  përgjigjet brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e paraqitjes së saj.
 

III.    KRITERET KUALIFIKUESE DHE VLERËSUESE PËR  PËRZGJEDHJEN E OPERATORIT QË DO TË NDËRTOJË SISTEMIN QENDROR TË MONITORIMIT ON-LINE (SQMO)

1.    Kriteret administrativo-ligjore që duhet të përmbushë çdo kandidat/ofertues për t’u kualifikuar në procedurat e vlerësimit janë, si më poshë vijon:
 
-    Të mos jetë në proces falimentimi dhe kapitalet e tij të mos jenë në proces ekzekutimi nga përmbaruesit;
-    Të mos jetë subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe të mos ketë një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata ose të mos ketë një marrëveshje me kreditorët, ose ndonjë procedurë tjetër të ngjashme;
-    Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale;
-    Të ketë përmbushur detyrimet për pagimin e tatimeve në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës;
-    Të ketë përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.
  Kandidati/ofertuesi i huaj duhet të vërtetojë se i plotëson të gjitha kërkesat e renditura më sipër. Nëse dokumentet e sipërpërmendura nuk i lëshohen në shtetin e origjinës, atëherë kandidati/ofertuesi lejohet t'i paraqesë ato në formën e deklaratave me shkrim, nën përgjegjësinë e tij të plotë. Çdo e dhënë e deklaruar dhe që rezulton e rremë përbën një kusht të mjaftueshëm për të skualifikuar aplikantin. 
  Sipas rastit, Komisioni i Ngritjes së Sistemit të Monitorimit On-line të lojërave të fatit nëse ka dyshime, mund  të kryejë verifikime nëse këto vërtetime lëshohen apo jo nga institucionet përkatëse në vendin e origjinës dhe në rast se konstaton zyrtarisht se në shtetin e origjinës ekziston një institucion i cili mund të lëshojë një vërtetim të tillë të paraqitur nga aplikanti i huaj në formën e vetëdeklarimit, atëherë Komisioni do ta quajë të pavlefshëm dokumentin vetëdeklarues të paraqitur dhe aplikanti për këtë shkak skualifikohet. Në rastet e verifikimit të vërtetësisë së vetëdeklarimeve të aplikuesve të huaj, afati i vlerësimit i parashikuar shtyhet derisa ky verifikim të përfundojë.
  Dokumentet e paraqitura duhet të jenë origjinale, fotokopje të noterizuara ose në një formë tjetër në të cilën ato lëshohen nga organi kompetent, si dhe me apostil, në rastin kur bëhet fjalë për dokumente të lëshuara nga autoritete apo institucione të një shteti tjetër. Kriteret e përcaktuara më lart duhet të vërtetohen nëpërmjet dokumenteve të lëshuara jo më parë se tre muaj nga dita e dorëzimit të aplikimit. 

  Dokumentet e paraqitura nga çdo aplikant i huaj, të lëshuara nga një vend i ndryshëm nga ai i Republikës së Shqipërisë, duhet të jenë të legalizuara ose të mbajnë vulën apostile në përputhje me ligjin nr.9060, datë 8.5.2003. Në rastin e aplikantit të huaj, përveç dokumenteve të tjera të kërkuara duhet të paraqitet edhe certifikata e rezidencës, e lëshuar nga shteti ku ka rezidencën aplikanti. 

2.    Kriteret teknike që duhet të përmbushë çdo kandidat/ofertues janë, si më poshë vijon:

a)    Operatori ekonomik duhet të vërtetojë me të paktën një referencë të një projekti të ngjashëm, të zhvilluar dhe të realizuar me sukses, të lëshuar nga një ent publik/privat. 
b)    Operatori ekonomik dhe/ose nënkontraktori/ët e tij duhet të kenë përfunduar me sukses projektin e përcaktuar në referencat përkatëse. 
c)    Operatori ekonomik dhe/ose nënkontraktori/ët e tij duhet të provojnë se kanë eksperiencë të ngjashme për të paktën 3 (tre) vite pune dhe për të paktën 1 (një) ose më shumë projekte të ngjashme në industrinë e lojërave të fatit. 
ç)     Operatori ekonomik, në emër të tij dhe/ose nënkontraktorit/ëve të tij, duhet të dorëzojë listën e mëposhtme të certifikimeve apo deklaratave: 

-    software-in e përdorur apo që propozohet të përdoret; 
-    listën dhe versionet e hardware-it të përdorur apo të propozuar për t’u përdorur; 
-    modele të licencave, të dhënat e kodit në burim dhe certifikimet (nëse ka); 
-    çdo standard apo certifikim të njohur ndërkombëtarisht (p.sh. ISO etj);
-    kualifikimet dhe eksperiencën e stafit kryesor;
-    çdo dokument tjetër mbështetës apo që vlerësohet si i nevojshëm.

3.    Kriteret financiare që duhet të përmbushë çdo kandidat/ofertues janë, si më poshë vijon:

Operatori ekonomik duhet të paraqesë:

-    kopje të vërtetuara të bilanceve financiare të të paktën 3 (tri) viteve të fundit, të miratuara nga autoritetet zyrtare përkatëse, sipas përcaktimit të bërë në legjislacionin e vendit të origjinës;
-    kopje të deklaratës së xhiros vjetore e të raporteve financiare të audituara për të paktën 3 (tri) vitet e fundit financiare, të certifikuara nga një auditues i jashtëm.
 
4.    Kriteret për vlerësim që duhet të përmbushë çdo kandidat/ofertues janë:

Kriteret e përgjithshme, në bazë të të cilave bëhet vlerësimi i ofertës dhe metodologjia e përllogaritjes janë të njëjta për të gjithë ofertat. Metodologjia e vlerësimit bazohet në parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit. Komisioni vlerëson ofertat teknike dhe financiare në bazë të këtyre kritereve:

a)    Ekspertiza profesionale, 0-300 pikë (30%);
b)    Propozimi teknik, 0-400 pikë (40%), nga të cilat: 
 
-  zgjidhja teknike, 265 pikë (26.5%); 
-  jetëgjatësia e implementimit të projektit, 100 pikë (10%);
-  vlerësimi i riskut, 35 pikë (3.5%).
 
c)    Propozimi financiar, 0-300 pikë (30%).
 
Institucioni përgjegjës për shqyrtimin e dokumenteve të konkurrimit publikon metodologjinë e vlerësimit dhe krahasimit të kandidatëve/ofertuesve për pëzgjedhjen e fituesit.
Kostot e organizimit të procedurave konkurruese, shpenzimet për mbulimin e kostove për procedurat e publikimit e hartimit të dokumentacionit përballohen nga kandidati/ofertuesi fitues.

IV.    PËRZGJEDHJA E SUBJEKTIT/OPERATORIT

1.    Përzgjedhja e subjektit, që do të ndërtojë SQMO-në, bëhet nga autoriteti përgjegjës në përputhje me kriteret e vlerësimit, të përcaktuara në këtë vendim dhe në dokumentet e procedurës konkurruese të bëra publike.

2.    Anëtarët e Komisionit të Ngritjes së Sistemit të Monitorimit On-line të lojërave të fatit duhet të vetëdeklarojnë, nën përgjegjësinë tyre, se pjesëmarrja në këtë komision nuk përbën shkak për lindjen e një konflikti interesi me subjektet pjesëmarrëse në konkurim. Për mosdeklarim zbatohen masat e parashikuara në ligjin nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Anëtarët e Komisionit kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së çdo propozimi.
 
3. Komisioni i Ngritjes së Sistemit të Monitorimit On-line të lojërave të fatit vlerëson brenda 30 (tridhjetë) ditëve punë nga dita e hapjes së propozimeve të paraqitura. Nëse propozimi plotëson të gjitha kërkesat për dorëzimin e dokumentacionit të përcaktuara në dokumentet e procedurës konkurruese, komisioni deklaron listën e propozueseve që kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe që kalojnë në fazën e vlerësimit të propozimeve. Vetëm propozimet që përmbajnë të gjitha dokumentet kualifikuese të parashikuara në dokumentet e procedurës konkurruese do të kualifikohen.

4.    Kryetari i Komisionit, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së vendimit nga ky komision për pranimin apo refuzimin e propozimit, njofton të gjithë propozuesit për këtë vendim. Njoftimi mbi këtë vendim bëhet publik edhe ne faqen zyrtare të Ministrisë së Financave.

5. Çdo propozues pjesëmarrës në garë mund të kërkojë rishikim administrativ të procesit të konkurrimit kur gjykon se vendimi i institucionit përgjegjës është marrë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Propozuesit kanë të drejtë të ankimojnë vendimin e Komisionit për refuzimin e propozimit pranë Ministrisë së Financave brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e shpalljes së njoftimit në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave. Me marrjen e ankesës me shkrim, komisioni pezullon vazhdimin e procedurës derisa ankesa të jetë shqyrtuar plotësisht, përfshirë edhe nxjerrjen e një vendimi përpara përfundimit të afatit kohor. Komisioni i Ngritjes së Sistemit të Monitorimit) On-line të lojërave të fatit, brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e paraqitjes së ankesës, përfundon shqyrtimin administrativ dhe njofton ankuesin për vendimin e marrë.
 
6. Kur propozuesi i renditur i pari në listë nuk vazhdon procedurat për lidhjen e kontratës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e shpalljes së tij fitues, skualifikohet dhe shpallet fitues konkurrenti i renditur i dyti sipas listës së miratuar.

7.    Në rast se edhe konkurrenti i dytë nuk vazhdon procedurën për lidhjen e kontratës, autoriteti përgjegjës urdhëron përsëritjen e garës.

8.    Që të vazhdojë procesi i përzgjedhje së operatorit fitues për ndërtimin e sistemit të monitorimit on-line të sistemit të lojërave të fatit, duhet të pranohet  të paktën 1 (një) ofertë e vlefshme, në rast të kundërt autoriteti përgjegjës anulon vazhdimin e garës dhe fillon një procedurë të re konkurruese.

V. NJOFTIMI I FITUESIT/ LIDHJA E KONTRATËS

1.    Me miratimin e listës së pjesëmarrësve në konkurrim, autoriteti përgjegjës urdhëron publikimin e njoftimit të fituesit në faqen zyrtare të Buletinit të Njoftimeve Publike.
 
2. Me përfundimin e afatit për paraqitjen e ankesave, autoriteti përgjegjës fton aplikantin e shpallur fitues për negociimin e kontratës për ndërtimin e sistemit SQMO, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e tij.

VI. MIRËMBAJTJA E SISTEMIT

1. Subjekti i shpallur fitues duhet të parashikojë dhe të realizojë investime për krijimin e Sistemit Qendror të Monitorimit On-line SQMO dhe të ruajtjes së informacionit, me qëllim mundësimin e ofrimit të shërbimit pa ndërprerje dhe parandalimin e humbjes ose shkatërrimit aksidental të të dhënave.
 
2.    Tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit përmban vlerën fikse për çdo pajisje/lojë fati për mirëmbajtjen e sistemit si dhe vlerën në përqindje mbi të ardhurat bruto nga lojërat e fatit për shlyerjen e investimit dhe për ngritjen e përditësimin e sistemit SQMO. Formula, e cila do të shërbejë për llogaritjen e tarifës, do të jetë pjesë e dokumenteve standarde të tenderit. 

3.    Tarifa, që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit, e propozuar nga subjekti i shpallur fitues, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

VII. DISPOZITA TË FUNDIT

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I


EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI

***

 

V E N D I M  

PËR

DHËNIE NDIHME FINANCIARE FAMILJES SË INSPEKTOR ADRIAN HALIL KODRA, ISH-PUNONJËS POLICIE, I VRARË NË KRYE TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 


V E N D O S I:


1.    Dhënien e ndihmës financiare, prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, familjes së inspektor Adrian Halil Kodra, ish-punonjës policie në Repartin e  Ndërhyrjes së Shpejtë, Shkodër, i vrarë në krye të detyrës.

2.    Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

3.    Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

         Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I 


EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI


***

V E N D I M

PËR


SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE”, BASHKIA KORÇË


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave publike”, Bashkia Korçë. 

2.    Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Korçë.

3.    Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë “tokë arë”, me sipërfaqe 13 380 (trembëdhjetë mijë e treqind e tetëdhjetë) m², me vlerë të përgjithshme prej 1 338 044 (një milion e treqind e tridhjetë e tetë mijë e dyzet e katër) lekësh.

4.    Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 338 044 (një milion e treqind e tridhjetë e tetë mijë e dyzet e katër) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Korçë, planifikuar në buxhetin e saj.  

5.    Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Korçë.
 
6.    Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7.    Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë Korçë të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

8.    Regjistrimi i ri i pasurisë prej 13 380 (trembëdhjetë mijë e treqind e tetëdhjetë) m² “tokë arë”, për projektin “Zgjerim i varrezave publike”, të bëhet në favor të Bashkisë Korçë.

9.    Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së tokës në Këshillin e Qarkut Korçë dhe Bashkia Korçë për zbatimin e këtij vendimi.

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri