Depërtimi i drejtësisë te institucionet e rëndësishme të shtetit, së fundmi edhe në SHISH, është një arritje e rëndësishme, tha Jorida Tabaku në Konferencën Ndërparlamentare, por SPAK është nën presion.
Sipas deputetes së PD, ka përpjekje për ndërhyrje politike në Prokurorinë e Posaçme që pengojnë drejtësinë. Më tej tha se prezumimi i pafajësisë për këdo është i panegociueshëm, po ashtu si kërkesa për përgjegjësi.
Ajo shtoi se integrimi kërkon rezultate bindëse dhe Shqipëria duhet të hyjnë në BE nga “dera e reformave.” Tabaku iu bashkua parafolësve të mazhorancës duke ritheksuar se aspirata europiane është një konsensus politik që vendi e gëzon, përtej të gjitha ndasive.
“Procesi i integrimit matet me mënyrën si funksionon shteti, si shpenzohen paratë publike dhe si zbatohet ligji. Anëtarësimi në BE është aspiratë politike, e mbështetur nga të gjithë shqiptarët. Një Europë më e bashkuar do të thotë edhe një Shqipëri më e drjtë. Pavarësisht ndasive tona politike, Shqipëria duhet patjetër ta përfundojë me sukses anëtarësimin në BE. Ky konsensus është një nga pasuritë më të mëdha që ka Shqipëria. Ne duhet ta shohim këtë proces si mundësi transformimi, shtetformimi, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Hapja e kapitujve, përmbyllja e kapitujve janë arritje të Shqipërisë, por BE do zbatim, rezultate të qëndrueshme dhe bindëse.
Respektimi i prezumimit të pafajësisë nuk na ndalon të kërkojmë përgjegjësi politike e profesonale. Mosndërhyrja te SPAK duhet të jetë zbatim i Kushtetutës, jo si nder që politika ia bën drejtësisë. Sot SPAK është nën presion, qoftë politik, qoftë verbal. Shohim përpjekje shohim avokati politike, provat minimizohen ose parlamenti përdoret për t’i vendosur pengesa drejtësinë. Prezumimi i pafajësisë nuk mund të përdoret për të vendosur prezumimin e fajësisë ndaj prokurorëve. Në procesin e integrimit duhet të kujdesemi që imuniteti parlamentar të mos ofrohet kurrë si mburojë ndaj drejtësisë. Duhet të angazhohemi për emërime në bazë të meritës. Lufta ndaj korrupsionit të mos ndalet vetëm te arrestimet. Një ekonomi konkurrente që lufton paranë e pistë. Duhet të hyjmë nga dera e reformave”, tha Tabaku.
Lajmi kryesor:
Integrimi, Rama: E dashurojmë Evropën, por mos na lini në baltë! Do të ishte dështim madhor! Ambasadorja e BE: 2030 ambicie impenjative, vijoni punën!









