Në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Shqipëri, Kryetarja e Dhomës së Ulët të Parlamentit Çek, Markéta Pekarová Adamová, zhvilloi një takim edhe me Kryetaren e Komisionit për Çështjet Europiane, deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Takimi u fokusua në angazhimin e përbashkët për procesin e integrimit europian dhe bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Çekisë.
“Adamová vlerësoi marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve, duke theksuar aleancën e tyre brenda NATO-s dhe rëndësinë e luftës kundër ndikimeve të huaja, përfshirë ato ruse. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e Çekisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, duke ofruar asistencë në çdo hap të procesit. Një tjetër aspekt i rëndësishëm që ajo evidentoi ishte përfshirja e të rinjve në procesin e integrimit, si një mënyrë për të siguruar qëndrueshmëri dhe përfshirje më të gjerë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Tabaku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë, duke kujtuar që procesi i integrimit të Shqipërisë nisi pikërisht gjatë Presidencës Çeke në 2013. Ajo ngriti shqetësimin “për emigracionin masiv nga Shqipëria”, duke theksuar se “40% e forcës së punës ka emigruar drejt vendeve të BE-së, një sfidë kritike për të ardhmen e vendit”.
“Në diskutim u prekën edhe sfidat kryesore për demokracinë në Shqipëri, përfshirë dështimin për zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR mbi reformën zgjedhore dhe nevojën për të hapur procesin e integrimit për më shumë aktorë kombëtarë. Tabaku nënvizoi se Komisioni për Çështjet Europiane duhet të bëhet një qendër e informacionit dhe koordinimit për procesin e integrimit”, shprehet Tabaku.
Gjithashtu u diskutua rëndësia e përmirësimit të marrëdhënieve tregtare dhe investimeve mes Shqipërisë dhe Çekisë, duke parë këtë si një mundësi për rritjen ekonomike. Në fokus ishte gjithashtu çështja e Kosovës dhe stabiliteti rajonal, ndërsa u nënvizua “nevoja për zgjidhje konstruktive dhe bashkëpunim më të gjerë në Ballkanin Perëndimor”.
“Gjatë takimit u adresuan edhe çështjet që prekin të rinjtë, përfshirë banesat e përballueshme, rritjen e pagave dhe përmirësimin e standardeve të punës. Të dyja palët ranë dakord se integrimi europian është një mjet i fuqishëm për të trajtuar këto sfida dhe për të krijuar mundësi të reja për brezin e ri”, mbyllet njoftimi i deputetes së PD.