Ende nuk dihet asnjë hollësi lidhur me kushtet e marrëveshjes së shitblerjes, madje as emri i kompanisë që blen aksionet dhe shifra e transaksionit. Ajo që është e qartë duket se është vetëm origjina e kompanisë, që është Azerbajxhani, me të cilin Taçi ka patur marrëdhënie afatgjatë bashkëpunimi ekonomik, duke blerë naftë e nënprodukte e duke i shitur ato më pas në tregun shqiptar. Problemi me furnitorët u shfaq në publik, kur një vendim gjykate sanksionoi bllokimin e pasurive të Taçit deri në masën 75 milionë euro, që ai i kishte marrë nga një bankë shtetërore azere, por nuk i kishte kthyer.
Problemi që del në këtë rast është ai, që Taçit i ndalohet ligjërisht të kryejë transfertën e aksioneve në një dorë të tretë deri pesë vjet pas privatizimit. Duke qenë se marrëveshja e privatizimit është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 18 shtator të vitit 2008 dhe ka hyrë në fuqi 15 ditë më pas, del se ai do të jetë i lirë ta bëjë këtë në fund të shtatorit, kur pushtetin ekzekutiv do ta ketë qeveria e re e koalicionit të majtë. Edhe kjo, duke qenë se është pronare e pjesës tjetër të aksioneve, prej 15 përqindësh, në ARMO, duhet ta thotë patjetër fjalën e vet lidhur me këtë veprim financiar, aq më tepër që fjala është për një sektor jetik për ekonominë, si ai i naftës. Por, të gjitha gjasat janë që qeveria ta miratojë një veprim të tillë, ndërkohë që pala blerëse, sipas disa burimeve, ka deklaruar se do të mbyllë të gjitha “gropat” financiare të Taçit. Ai ka krijuar detyrime ndaj bankave private, ndaj Tatimeve dhe ndaj nënkontraktorëve e punonjësve të ARMO-s, ku vetëm detyrimi ndaj shtetit llogaritet në rreth 70 milionë euro. Në kushtet e një arke të boshatisur të shtetit, çdo qeveri do të jepte OK për të marrë një shifër të tillë.
Kompania ARMO, që është e vetmja në Shqipëri për përpunimin e naftës, u privatizua në muajin shtator 2008 në vlerën prej 128 milionë euro. Përpara privatizimit, rafineria e Ballshit, që është dhe më e madhja në vend kishte një kapacitet prej 1 milion ton në vit, ndërsa ajo e Fierit prej 500 mijë ton dhe përdoret kryesisht për prodhimin e bitumit. Pas investimeve të kryera kapaciteti i rafinimit të naftës në rafinerinë e Ballshit u rrit në 1,5 milion ton në vit dhe kapaciteti i depozitimit në 220 mijë metër kub. Gjatë këtij viti pritet të rritet prodhimi i naftës në vend me 18%.
Këshilli i Ministrave miratoi privatizimin e kompanisë së rafinerive të naftës me vendim të posaçëm në 3 shtator 2008. Sipas Vendimit të Këshilli të Ministrave u parashikua që në kontratën e privatizimit 85 për qind të aksioneve të kalonin nga pronë e shtetit në sektorin privat. Në kohën e nënshkrimit të kontratës vendimi i privatizimit u cilësua si një ndër më të suksesshmit. Por, pas kësaj u pa se Rezart Taçi nuk e kishte për gjë të mbyllte prodhimin, kur më i leverdisshëm për të ishte importi i naftës nga jashtë. Kjo krijoi probleme me naftën bruto, që prodhuesit detyroheshin ta eksportonin, ndërkohë që punonjësit e rafinerive rrinin gjatë pa punë.
DESHTIMI
Në kohën e nënshkrimit të kontratës vendimi i privatizimit u cilësua si një ndër më të suksesshmit. Por, pas kësaj u pa se Rezart Taçi nuk e kishte për gjë të mbyllte prodhimin, kur më i leverdisshëm për të ishte importi i naftës nga jashtë
DYSHIMI PER LAJMIN, BRAÇE KERKON SQARIME NGA QEVERIA NE IKJE
Sipas deputetit të PS Erjon Braçe, lajmi për shitjen e 85% të aksioneve të ARMO-s mund të jetë edhe një sajesë e qëllimshme e Taçit. Kjo, pasi nuk po jepet asnjë hollësi lidhur me emrin e kompanisë blerëse, apo shumën e transaksionit. Tashmë jemi mësuar më lajme që vijnë nga Taçi e që bëjnë fjalë për për shitje apo blerje klubesh futbolli, kompanish me vlera me shumë zero, që në fund, ose dështojnë, ose janë mashtrime. Ai fton qeverinë Berisha të tregojë se si e mbron interesin publik në këtë rast.
VENDIMET, BERISHA, KONCENSIONE TE TJERA PER NAFTEN
Sipas disa burimeve të besueshme, qeveria në ikje duhet të ketë miratuar, në mënyrë aspak transparente, kalimin e disa të drejtave koncensionare në fushën e shfrytëzimit të naftës e gazit, një kompanie krejtësisht të panjohur. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave janë miratuar, por nuk janë njoftuar, nëntë marrëveshje të reja hidrokarbure, në favor të kompanisë Phoenix Petroleum Patos. Bëhet fjalë për vendburimet e naftës Amonicë, Drashovicës, Finiq-Kane, Pekisht-Murriz dhe vendburimet e gazit në Povelçe, Frakull, Panaja, Divjakë dhe Ballaj-Kryevidh.
Ky veprim bie në kundërshtim me tentativën e dështuar për t’i shitur Rezart Taçit kompaninë Albpetrol për 850 milionë euro. Dhënia e këtyre vendburimeve një kompanie private e rrudh së tepërmi aktivitetin e Albpetrolit dhe të shtetit në tërësi në sektorin e naftës. Por venrime të tilla nuk mund të merren nga një qeveri në ikje e sipër, sikurse e ka denoncuar një gjë të tillë tetë vjet më parë Sali Berisha, përballë tentativave të njejta nga ish-kryeministri Fatos Nano. Ajo që besafon më tepër është, si emri i panjohur i koncensionarit, po edhe mungesa e transparencës për dhënien e koncensioneve. VKM-ja përkatëse nuk është bërë publike.
Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt 08.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)