Tavo: Po të duan PD dhe PS
mbyllin reformën në një orë

Tavo: Po të duan PD dhe PS <br />mbyllin reformën në një orë
TIRANE - Depueti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo në një intervistë për “A1Report” ka folur mbi komisionin e Reformës Zgjedhore dhe rimandatimin e tij. Tavo vë theksin tek përgjegjësia e dy forcave politike të cilat ende nuk po i japin fund Reformës Zgjedhore për dy çështje, që sipas tij nuk janë aq shumë të rëndësishme. Tavo pretendon se vendosja e vetos nga PS dhe PD po pengojnë procesin për përmbylljen e Reformës Zgjedhore.

Po afrohet mbyllja e këtij sesioni parlamentar, ndërkohë që ende nuk kemi të përfunduar Reformën Zgjedhore, ku qëndron ngërçi?
Kemi dëgjuar deklarata si nga PD dhe nga PS për fajësimin e njëra-tjetrës, por realisht të dyja kanë faje, dhe janë fajtore për pengesën që po i bëjnë Reformës Zgjedhore. Ky komision do të mundte ta përfundonte punën e tij brenda kohës së parë të mandatuar nga Kuvendi. Partia Demokratike dhe Partia Socialsite le të diskutonin dhe të miratonin nenet përkatësë të Kodit Elektoral brenda afateve, ka pas kohë të mjaftueshme. Por ekspertët e mandatuar për këtë çështje takoheshin një herë në 2 javë, ndaj dhe komisioni filloi të zvarritej.

Kush është pengesa reale?
Problemi kryesor është se mes dy forcave politike ekziston mosbesimi. Secila prej tyre kërkon të drejtën e vetos, por nuk mundet në këtë mënyrë të gjendet një zgjidhje. Pra dëshira për të vënë veton mbi gjithçka ka sjellë edhe bllokimin e Reformës Zgjedhore. Ndaj dua të përdor një shprehje “Drejtësia vonon, por nuk harron”, dhe ja ku erdhëm që nga dëshira për të vënë veton, përfunduam në bllokim të komisionit. Të ndalem pak tek ato dy pika që konsiderohen si pengesë. PD dhe PS nuk po bie dakord për mënyrën se do të zgjidhet anëtari i shtatë i KQZ, si dhe mënyra që do të ndiqet për të ankimuar kutitë e materialeve zgjedhore. Këto të dyja kanë bërë pengesë për përmbylljen e Reformës Zgjedhore. Nëse të dyja këto forca politike do të shprehin vullnetin politik, ata mund ta mbyllin Reformën Zgjedhore brenda një ore.

Po qëndrimi i LSI kush është për zgjedhjen e anëtarit të shtatë?
LSI e ka thënë edhe më parë. Problemi nuk qëndron në KQZ, as në gjykatë, nuk janë këto që të japin rezultatin në tavolinë. Për ne, pra për LSI duhet të jetë jopolitik, pra anëtari i shtatë të jetë nga radhët e gjyqësorit, pasi ata janë përgjegjës edhe të interpretimit të ligjit.

Partia Socialiste ka kërkuar një rimandatim të komisionit të Reformës Zgjedhore, mendoni se kjo të do të bëhet në këtë seancë plenare?
Ekzistojnë dy mundësi realisht. Ose të mandatohet edhe një herë komisioni, ose të çohen të gjitha nenet e miratuara në Kuvend për t’u votuar, dhe më pas do të sillen edhe vendimet e tjera për pikat që po mbajnë peng reformën. Por sigurisht që Kuvendi mund të miratojë edhe propozime që nuk janë pjesë të rekomandimeve të ODIHR. LSI ka kërkuar që të zgjidhet mënyra se si do të votojnë emigrantët në vendin ku jetojnë, për të mos marrë përsipër koston për të votuar në Shqipëri. Njëkohësisht ne kemi propozuar që edhe ata të përfaqësohen me një deputetet në sallën e parlamentit për të mbrojtur interesat e tyre. Por po përsëris që Reforma Zgjedhore kërkon vetëm vullnet politik, konsensus.

Në politikën tonë është e vështirë të gjendet konsensusi, kemi rastin e zgjedhjes së Presidentit?
Ajo është një çështje tjetër. Ne kemi kërkuar bashkëpunimin e opozitës që nga raundi i parë deri në raundin e katërt. Ajo nuk ofroj konsensus. Konsensus do të thotë që opozita të vinte me kandidatë, dhe më pas të vendosej për një. Por opozita nuk e bëri këtë hap. Ndaj edhe ne shkuam drejt një kandidati politik.

Konsensusi nuk mund të ofrohej me kandidat politik...
E kam thënë dhe herë të tjera, përse nuk duhet që deputeti të jetë President? Ai zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Unë jam pro, dhe e kam lançuar më herët, që Presidenti duhet të jetë një figurë politike.

Po Topalli ka qenë në listë?
Ndoshta media e fryu këtë pjesë. Por në oborrin e politikës tonë, nuk është diskutuar fare kandidatura e Topallit.

Kishit frikën e zgjedhjeve të parakohshme?
Unë do të bëja një pyetje. A na interesonin zgjedhjet e parakohshme? Sigurisht që jo, duke analizuar edhe situatën në rajon. Ndaj nëse ne nuk do e zgjidhnim tek raundi i katër, tek i pesti do të ishim sërish pa kandidat.

Si janë marrëdhëniet PD-LSI, dhe kush do të jetë vendimi në 2013, sa i përket aleancës?
Mendoj, ashtu siç është shprehur edhe zoti Ilir Meta, që të respektojmë një herë marrëveshjen katër vjeçare të firmosur në 2009. Zgjedhjet e 2013 janë larg. Unë ju siguroj që marrëdhëniet midis PD-LSI janë kohërente.

Moratoriumi i skafeve do të kaloj në komisionet parlamentare, apo do të votohet në Parlament?
Mund të kalohet edhe në komisionet parlamentare, por mund që të votohet edhe në seancën plenare ditën e sotme, pasi amendimi i mazhorancës përmbush dhe kënaq ato që ka propozuar opozita. Pra zgjidh dy çështje edhe atë të turizmit, edhe çështjen e trafikkut të qenieve njerëzore.

(fc/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Ja 3 shkaqet pse pjesëmarrja e emigrantëve do jetë deri në 70 mijë votues! Nuk janë pak, përkthehen në 7 mandate deputeti

Spahiu: Ja 3 shkaqet pse pjesëmarrja e emigrantëve do jetë deri në 70 mijë votues! Nuk janë pak, përkthehen në 7 mandate deputeti