TIRANË- Grupimi për PD-së ka hedhur akuza në drejtim të kryedemokratiti Lulzim Basha, sipas të cilëve po keqpërdor institucionet drejtuese duke diktuar dhe kufizuar debatin e brendshëm në parti. Reagimi erdhi pas Basha njoftoi mbledhjen e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar ditën e diel, të cilët thonë se ka vendosur vetë për gjithçka, për rendin e ditës, temat dhe çështjet e diskutimit pa u konsultuar me askënd. Në përgjigje të këtij vendimi, grupimi për PD thekson në deklaratën e tij se Anëtarët e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar nuk janë vartës të Bashës.

"Institucionet kryesore vendim marrëse të Partisë Demokratike nuk janë e nuk mund të përdoren si vegla të Kryetarit të Partisë për të diktuar e kufijëzuar ky i fundit drejtimin e debatit te brendshëm. Rendi i ditës, temat dhe çështjet për diskutim në organet më të larta nuk mund të vendosen njëanshmërisht nga një individ i vetëm e aq më pak t'u komunikohen këto vendime anëtarëve të nderuar të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar nëpërmjet sekretareve personal të Kryetarit. Anëtarët e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar nuk janë vartës të kryetarit, por të zgjedhur nga anëtarësia e partisë si përfaqësues të vullnetit të demokrateve dhe jo Kryetarit", thuhet në deklaratë.

Kreu i PD, Lulzim Basha do të mbledhë këtë të diel Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të partisë, takim që vjen pas kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve në 9 qarqe.  Mbledhja me anëtarët e Kryesisë do të zhvillohet në orën  17:00, në selinë blu, ndërsa dy orë më pas kryedemokrati Basha do të takojë edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar.

Në takimin e së dielës pritet të ketë debate pasi do të jetë edhe përballja e parë e Bashës me kritikët e tij, ish-Presidentin Bujat Nishanin dhe anëtarin e Kryesisë, Fatbardh Kadillin. Kujtojmë se që pas humbjes së zgjedhjeve nga ana e Partisë Demokratike, drejtues të rëndësishëm të strukturave të kësaj force politike, kanë kërkuar me ngulm largimin e Bashës nga drejtimi i partisë. I pari që e kërkoi dorëheqjen e Bashës  ishte Kadilli, më pas ish presidenti Bujar Nishani dhe Arben Ristani. Më pas kërkesa për largimin e Bashës u pasua nga një numër shumë i madh demokratësh të tjerë.