Edhe të miturit mund të mbajnë përgjegjësi penale nëse përfshihen në akte dhune. Këtë e sqaroi sot Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu përmes një videoje informuese në rrjete sociale, ku sqarohet se sipas ligjit shqiptar, përgjegjësia penale nuk fillon në moshën 18 vjeç, siç mund të mendohet, por që në moshën 14 vjeç për krimet dhe 16 vjeç për kundërvajtjet penale.

“Përgjegjësia penale nuk fillon në moshën 18 vjeç. Sipas legjislacionit shqiptar, të miturit mbajnë përgjegjësi penale: nga mosha 14 vjeç për kryerjen e krimeve dhe nga mosha 16 vjeç për kryerjen e kundërvajtjeve penale”, u shpreh ministri, duke paralajmëruar i se përfshirja në dhunë mund të sjellë pasoja penale edhe për të miturit,

Të njëjtin sqarim e jep në video edhe Burgela Allgjata, oficere e sigurisë në shkolla 

Allgjata shpjegoi se këto kufij moshe përcaktohen nga Kodi Penal, por çdo rast duhet të shqyrtohet më vete, duke respektuar të drejtat e të miturit dhe garancitë që i njeh ligji.

“Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, përgjegjësia penale fillon në moshën 14 vjeç për krimet dhe në moshën 16 vjeç për kundërvajtjet penale. Çdo rast i përgjegjësisë penale duhet të shqyrtohet individualisht, duke respektuar garancitë ligjore dhe të drejtat e të miturit”, shprehet Allgjata.