Të shantazhosh me gabimet e tua (?!)

     Shumë herët në kohë, pra, edhe atëhere kur marrëdhëniet shoqërore ende nuk kishin filluar të harmonizoheshin me rregulla dhe ligje të veçanta, kërkimet nëpër arkiva dhe biblioteka të vjetra kanë treguar që dominonte në këto marrëdhënie të kuptuarit e natyrës njerëzore. Një natyrë komplekse kjo, që e shtynte njeriun (si edhe sot) të zhvillonte botën me vështrime te e ardhmja dhe veprime të matura, apo që të pengonte (si edhe sot) ritmet e shpejta të këtij zhvillimi me arsyetime të gabuara dhe veprime të mbrapshta të kryera me dashje ose pa dashje, të cilave u vihet sigurisht një çmim.

“Të gabosh nuk është asgjë, përveçse kur e kujton gjithnjë gabimin”–shënohet në filozofinë e Konfucit dhe të mjaft mendimtarëve të mëvonshëm. Me fjalë të tjera, gabimi falet, por përsëritja e tij nëpërmjet mënyrave dhe mjeteve të ndryshme sigurisht që ndëshkohet. Përsëritja që shkaktohet edhe kur nuk ke mundësi të ndryshosh gjërat, përveçse të kritikosh të tjerët me gjuhën e gabimeve, fajeve apo gafave të tua. Të atyre gabimeve, fajeve apo gafave me pasoja negative për vendin, pas të cilave vjen një kohë që meriton braktisjen dhe dënimin.

     Këtë lloj kritike të çartur, si një prirje e pandryshueshme, çdo ditë e më shumë ta zë veshi sidomos kohët e fundit në vendin tonë, veçanërisht nga daljet publike të të zgjedhurve dhe ish ministrave të Partisë Demokratike, pas rënies nga pushteti dhe spostimit të detyrueshëm të tyre në pozicione opozitare dhe përgjithësisht periferike të jetës politike. Opozitare, sepse kanë mbetur një pakicë që nuk mund të ndërmarrë e vetme vendime deçizive për ecurinë e të gjithë vendit. Përgjithësisht periferike, pikërisht sepse nuk janë në gjendje të ngrihen në rolin e oponentit, me opsionet e pranueshme të të cilit të mund të korrigjoheshin vendimet e shumicës qeverisëse dhe të merreshin ato, nëpërmjet një formule të shumë artikuluar në shtetet demokratike: gjithëpërfshirjes.

     Kur përdorëm pak më lart shprehjen: “sidomos kohët e fundit”, le të mos e vrasim shumë mendjen se në cilën javë dhe në cilin muaj dëgjohen këto kritika, që drejtohen ndaj mazhorancës në formën e shantazhit politik. Në të vërtetë, ato janë të përditshme. Dhe që këto rradhë t’i përgjigjen kësaj përditshmërie, fillimisht le të përmendim një deklaratë të së  enjtes (pardje) shprehur prej një deputeti të Partisë Demokratike, i cili me sa kuptohet e ka tashmë jo vetëm detyrë të urdhëruar, por edhe hobi të kultivuar aktivizimin nëpër sherre politike.

Por, kësaj rradhe u paraqit me një model të ri (dhe megjithatë të huazuar si mos më keq) nga përfaqësuesi i një shteti aleat strategjik i Shqipërisë dhe më i fuqishëm i botës. Kështu, pasi nëpër pothuajse të gjitha stacionet televizive të vendit transmetohej intervista e Ambasadorit të ShBA në Tiranë momenteve të daljes së tij nga takimi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, pikërisht kur pritej me kërshëri mundësia e dorëheqjes së këtij të fundit, deputeti demokratikas Halimi shfaqet ekraneve i ulur në një poltron zyre dhe me sa dukej i sigurt se publiku do të zhgënjehej nga vendimi i mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës të BSh, që do të niste pakëz më vonë. Në dukje, ai u përpoq të mos bënte gjë tjetër veçse të përsëriste idenë e shprehur nga Arvizu rreth stabilitetin financiar për vendin, që impononte funksionimin e drejtë ligjor të Bankës Qendrore. Pra, edhe “këshilla” e këtij Halimit ishte që Kuvendi duhej të merrte parasysh vendimet e organit vendimmarrës të BSh.

Por, siç thamë, idenë e Arvizu e huazoi si mos më keq, sepse përkundër asaj çka tha në thelb diplomati amerikan, që me këtë çështjen e Bankës sonë duhej të merrej Parlamenti dhe Prokuroria, “këshilla” e Halimit donte të thoshte që mmazhoranca të mos ndërmarrë nisma rreth ndryshimit të Ligjit për Bankën, çka mund të çonte në shkarkimin e Guvernatorit, të Zëvendësguvernatores dhe të anëtarëve të tjerë të Këshillit Mbikqyrës, shumica e të cilëve të zgjedhur nga Partia Demokratike, së shpejti nuk mund të shmangen dot nga përgjegjësitë e krijimit ndër vite të një terreni të përshtatshëm për të ndodhur ajo që ndodhi. Ndryshe, sipas po këtij Halimi, stabiliteti i vendit rrezikohej. Megjithëse u kujdes që fjalës ‘stabilitet’ të mos i shtonte përemrin ‘financiar’, fare mirë u muar vesh që ai në emër të tij, apo ndoshta edhe të Partisë ku kremtohet, po vinte kujën për kërcënimin që po përgatiskërka mazhoranca qeverisëse ndaj këtij populli të përvuajtur.

Por, në fakt, duke dashur të huazojë, por edhe të retushojë Arvizu-n, i cili nënvizoi gjithashtu që Banka e Shqipërisë ndërvepron me FMN, Bankën Botërore dhe BERZH, demokratikasi Halimi nuk mund të fshihte, por veçse t’u kujtonte (dashur apo pa dashur) atyre që e ndiqnin përpara ekranit që pikërisht pak përpra se sa të publikohej skandali i vjedhjes së Thesarit FMN u kishte dërguar autoriteteve publike shqiptare një letër, ku tërhiqej vëmendja që në veprimtarinë e Bankës Qendrore të shtetit tonë vëreheshin dobësi administrative dhe menaxheriale. Domethënë, jo ashtu sikurse e paraqiste gjendjen deklarata e fundit e Këshillit Mbikqyrës. Nuk mund të konfirmohet, së paku hë për hë, nëse ishte apo jo pikërisht letra e FMN sinjali i alarmit për të denoncuar dhe publikuar grabitjen nga vetë Banka, por kujtesa mprihet vetvetiu, kur pasi mësohen këto lajme të vjen ndërmend përkimi i kohës së nisjes së këtij akti të pashembullt me ndërprerjen që i bëri Qeveria ‘Berisha’ marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Përse kështu? Që të qenë këtu brenda vendit duart e lira, të lira për t’u zhytur edhe atje ku as miza s’duhet të pipëtijë?...E pra, qoftë edhe me një intervistë të vetme dhe sado të kujdesshme, një ish anëtar i asaj Qeverie nuk mund t’i përmbledhë “këshillat” e veta pa i rikujtuar popullit, ose të paktën shumicën së tij, gjendjen e rëndë që lanë si trashëgim dhe çmoset që kanë bërë e bëjnë për destabilizimin e situatave ndaj funksionimit dhe konsolidimit të një shteti modern në Shqipëri.

Ndërkohë, të tillë politikanë të vjetëruar, të vjetëruar edhe në mënyrat e komunikimit me publikun, ashtu sikurse edhe në ato të krijimit në përgjithësi të besimit te ai, nuk rrinë dot pa shantazuar politikisht, por nëpërmjet të kujtuarit pikërisht të  gabimeve, fajeve apo gafave e veta, duke marrë kështu pozicione edhe groteske. Një ndër këto farë shantazhesh lidhet edhe me zgjidhjen më ekonomike dhe më të mundshme që i bëri Qeveria ngërçit me kompaninë çeke të shpërndarjes së denergjisë elektrike CEZ, duke iu shmangur gjykimit në Arbitrazhin ndërkombëtar.

Vetë avokati i huaj, që e kishte pajtuar më parë dhe pa e pagaguar më pas qeveria e Berishës për të zgjidhur këtë ngërç të krijuar nga vetë ajo, kohët e fundit bëri publike një letër drejtuar Ministrit aktual shqiptar të Energjisë, ku paraqiste rreziqet reale të vajtjes së çështjes në Arbitrazh. Ndërsa, nga Partia Demokratike biqefale lëshohen deklarata, duke përsëritur të njëjtin informacion të rremë: Qeveria e Ramës, përveçse i pagoi CEZ – it 95 miljonë euro dëmshpërblim, na i paska falur edhe 3 miljardë euro që mund t’i kishte fituar nga një vendim i Arbitrazhit.

Të gjitha këto “argumente”, në vend që të ndërsejnë popullin kundër qeverisjes së sotme i kujtojnë atij gabimet, jo, fajet e atyre që lëshojnë akuza të tilla, të cilët jo vetëm që tek ishin në pushtet nuk iu drejtuan Arbitrazhit, por edhe thelluan borxhet e mëdha me shtetëzimin e përkohshëm që i bënë asaj kompanie.

Gabimet, fajet apo gafat e tyre, përfaqësuesit e opozitës, përkatësisht të Partisë Demokratike ia kujtojnë popullit në mënyrë të shumëfishtë me garat për deklarime publike të përditshme që organizojnë, për shembull, edhe për reformën në arësim. Japin intervista televizive edhe ish ministra të Arsimit, edhe deputetë, edhe aktivistë partiakë që aspirojnë për ndonjë post fitimprurës në të ardhmen, edhe budallenj me brirë, të cilët të gjithë bashkë dhe veç e veç përsëritin të njëjtin tekst. Madje me letër përpara, ngaqë nuk mund t’i mbajnë mend as ato pak fjali të thëna e të stërthëna në formën e një klisheje. Por, tek e fundit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse u kujtojnë njerëzve të arsyeshëm të këtij vendi, jo, edhe atyre jashtë tij, se sa e domosdoshme është reforma në arësim, se si më përpara regjistroheshin dhe merrnin provimet ata gjoja studentë që kishin emigruar jashtë shtetit, se si faleshin dhe bliheshin diplomat universitare, deri edhe nga të huajt etj, etj.

Prandaj, gazeta e italiane e njohur ‘Corriere della Sera’, së fundi në një numër të saj dhe nën titullin “Furtunë nëpër universitetet e Shqipërisë” rikujtonte rastin e diplomimit në Universitetin ‘Kristal’ të të birit të Umberto Bosit, i cili edhe publikisht ia kishte vënë djalit të vet nofkën “peshk” (kuptohet për trurin “e madh” që kishte ai). Dhe, me deklaratat e përsëritura kundër kësaj reforme, demokratikasit e përvëluar nuk mund të mos të të kujtojnë edhe faktin që, kur kjo demek Shkollë Universitare kishte arritur kulmin e pazareve me diploma, Sali Berisha si kryeministër dhe kryetar i atëhershëm i Partisë Demokratike zhvilloi atje një ceremoni promovimi të sukseseve të Arsimit të Lartë në Shqipëri.

Nuk po zgjatemi këtu me akuzën që po i bëhet prej ish ministrit Pollo etj. një kryinspektoreje të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për mbajtjen legalisht apo jo prej saj të gradës ‘doktore e shkencave’, por mjafton të themi që kjo akuzë na kujton se pikërisht ‘masterin, në letër me fallsitet të pastër apo të ndyrë e bleu prej një shtetasi francez të dënuar nga gjykatat shqiptare Bujar Nishani, të cilin deputetët e mazhorancës së djeshme e zgjodhën President të Republikës. E zgjodhën pra, për në postin më të lartë të shtetit, që t’u shërbente deri në fund të mandatit të tij, veç të tjerash, për konfrontim të vazhdueshëm me mazhorancën e sotme. Nejse, Ka edhe disa çështje të tjera, zhurmërimi i të cilave është kthyer në modë nga Partia Demokratike. Por, këto kërkojnë komente të veçanta, që mbase nuk do të mungojnë në faqet e kësaj të përditshmeje.

Sidoqoftë, për të gjitha trajtesat e tyre lexuesi ka të drejtë të pyesë, deri diku i habitur: Përse vepron opozita, apo më saktë, Partia Demokratike kështu, duke shantazhuar politikisht me gabimet, me fajet apo edhe me gafat e bëra prej asaj vetë më parë? A tregon normalitet, maturi dhe pjekuri kjo formë e përzgjedhur, pa imponim prej përmbysjen nga pushteti, kur zgjedhjet në rende demokratike dihet që zhvillohen periodikisht? Çfarë perspektive i ofrohet asaj në të ardhmen?

Përgjigjet janë të thjeshta, të qarta dhe të shkurtra, që mund të përmblidhen këtu te nevoja për zëvendësimin e forcave politike të vjetëruara me ato të iniciativave të reja të së djathtës apo të qendrës, që mbështeten në vlera reale, në respektim të parimeve dhe në zhvillim të procedurave demokratike. Një nevojë kjo, që vjen nga shumë herët në kohë: “Të gabosh nuk është asgjë, përveçse kur e kujton gjithnjë gabimin”.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kamëz/ Kërcënoi gruan dhe fëmijët se do i digjte me benzinë! Më pas i vuri flakën banesës, arrestohet 54-vjeçari (EMRI)

Kamëz/ Kërcënoi gruan dhe fëmijët se do i digjte me benzinë! Më pas i vuri flakën banesës, arrestohet 54-vjeçari (EMRI)