TIRANË- Breshëri kallashnikovi janë regjistruar në mesnatë drejt godinës së Top Channel, afër shtëpisë së Big Brother. Të shtënat me armë i morën jetën rojës së godinës, Pal Kola, 60 vjeç. Report Tv ka mësuar se roja i sigurisë ka qenë duke u ngrohur pranë një ngrohëse që ka pasur brenda kabinës në momentet që është qëlluar me breshëri plumbash. 60-vjeçari ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Dyshohet se kanë qenë mbi tre persona që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndë, të paktën 2 kanë qëlluar me breshëri mbi zyrat e Top Channel, ndërkohë që një tjetër ka qenë drejtuesi i makinës. 

Një makinë e djegur tip ‘Range Rover’ është gjetur në nga policia në Golem të Kavajës, e cila dyshohet se u përket autorëve. Gazetari i Report tv, Sokol Dema ka mësuar se në brendësi të mjetit të djegur janë gjetur 2 kallashnikovë. Mjeti ‘Range Rover’ rezulton e vjedhur në Shkodër. Pasi kanë djegur automjetin, tre autorët janë larguar me një mjet tjetër. Ata dyshohet se kanë shkuar drejt Vlorës, ku po kryhen kontrolle pasi dyshohet të jetë hedhur armë në ferra nga një automjet në lëvizje. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ka disa të shoqëruar në Vlorë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 25 gëzhoja kallashnikovi. Mjaftoi një prej tyre që të linte të vdekur në vend, 60-vjeçarin Pal Kola, i cili mori një plumb në trup. Ende nuk dihet se çfarë motivi mund të fshihet pas këtij sulmi të rëndë ndaj televizionit Top Channel.

1679921893_palkola.jpg

Viktima Pal Kola

Grupi hetimor është fokusuar në dy pista, një prej tyre mund të jetë një mesazh për pronarët e Top Channel, ndërsa një tjetër pistë është edhe një mesazh kundër produksionit të Big Brother. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj. Pritet edhe sekuestrimi i kamerave të sigurisë, për të bërë të mundur sado pak zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:11
Sulmi ndaj Top Channel, burime për Report Tv: Dyshohet se autorët janë larguar drejt Vlorës, dyshohet se hodhën armën në ferra! Disa të shoqëruar në polici

 

Burime për Report Tv bëjnë me dije se autorët që kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt Top Channel dyshohet se kanë ikur në drejtim të Vlorës. Disa persona mësohet të jenë shoqëruar në polici.

Që prej mëngjesit po kontrollohen kamerat e vendosura në hyrje të qytetit që kanë parë një makinë, e cila ka ndaluar dhe ka hedhur diçka në ferra që dyshohet të jetë armë. Efektivët janë në vendngjarje dhe po bëjnë kontrolle për të zbuluar çfarë është hedhur nga makina në lëvizje.

Ora 12:04
Të shtënat me armë në Top Channel, reagon televizioni: Sulm terrorist

1679907704_E613C38173F649B09EF76A44CC31FEC1.jpeg

Televizioni Top Channel i cili ra pre e një sulmi shumë të rëndë gjatë natës me breshëri kallashnikovi e ka cilësuar si sulm terrorist, pa zbardhur asnjë nga motivet që mund të dyshojnë rreth ngjarjes. Si pasojë e ngjarjes tragjike mbeti i vdekur Pal Kola, 60-vjeçari që punonte si roje sigurie.

Reagimi i plotë

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, e hënë 27 mars 2023, Top Channel është goditur nga një sulm terrorist, i pandodhur kurrë më parë në 32 vite ndërtim të shtetit të së drejtës dhe fjalës së lirë.

Pasojë e këtij sulmi ishte humbja e jetës së punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili i ka qenë në krye të detyrës, pjesë e stafit të shoqërisë së sigurisë “Öktapus”. Në orën 00.40, i ndjeri Pal Kola është gjendur në qendër të breshërisë me 25 plumba në drejtim të godinës së Top Channel.

Humbja e jetës së familjarit, të babait e bashkëshortit Pal Kola në krye të detyrës, është tronditja dhe goditja më e madhe për Top Channel. Ngushëllojmë me hidhërim të thellë familjen Kola, duke qëndruar pranë tyre në përballimin e kësaj fatkeqësie. Po ashtu, Top Channel shpreh qartësinë që ky akt terrorist i paprecedent, është kryer për të dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë.

Top Channel, është themeluar, krijuar me frymën e njeriut që ndërtoi jo vetëm idenë e një media shqiptare me vlera perëndimore, por dhe mbi të gjitha e një media që përfaqësohet nga grupi i madh i  profesionistëve të shquar, figurave publike dhe intelektuale, që çdo ditë ne një transmetim të pandalshëm televiziv e jo vetëm, i shërbejnë publikut me dedikim të plotë.

Sulmet terroriste të këtij lloji tregojnë qartazi sa e rëndësishme është fjala e lirë sa shqetësuese për minuesit e demokracisë.

Në emër të detyrës më të lartë të cilës i kemi shërbyer, Top Channel do të vijojë të trashëgojë dhe të kryejë misionin e vet të fjalës së lirë  ndaj publikut e shoqërisë shqiptare.

Në emër të këtij misioni, Top Channel kërkon dhe pret zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet ligjzbatuese.

Zbardhja e këtij akti duhet të jetë prioritet për organet ligjzbatuese, sepse është vrarë një punonjës i Top Channel, por gjithashtu është atentat ndaj televizionit që ka shërbyer në transparencë e mbështetjen e të drejtës duke kontribuar me informacion e ndërgjegjësim dhe fuqizim të institucioneve të së drejtës  për shoqërinë shqiptare.

Ky akt terrorist është i papreçedent ndaj një media kombëtare, e lidhet vetëm me misionin e saj të fjalës së lirë.

Top Channel, aksionerët e tij e familjarët, drejtuesit, gazetarët e autorët, nuk kanë e nuk ka qënë kurrë objektiv i ndonjë sulmi individual që prej themelimit të tij, gjithçka në këtë akt terrorist, lidhet dhe ka të bëjë vetëm me misionin e Top Channel.

Ky krim i paprecedentë e akt terrorist, kërkon menjëherë reagim të përgjegjshëm e të ashpër nga Policia e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë, për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e vrasjes.

Top Channel, është e do të jetë, në shërbim të publikut shqiptar, pavarësisht presioneve të vazhdueshme të minuesve të demokracisë, të cilat i njohin dhe përballojnë të gjitha mediat e lira që adhurojnë e ndërtojnë përkrah vlerave perëndimore për ndërtimin e institucioneve dhe principeve të shoqërisë shqiptare

Ora 11:22
VIDEO e plotë/ Si reaguan të trembur banorët e Big Brother nga breshëria e kallashnikovit! Kristi: Thashë se ishte këtu brenda

1679909028_Screenshot2.jpg

Një orë pas mesnatës së mbrëmshme persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë drejti ambienteve të Top Channel në Tiranë, pranë shtëpisë ku po zhvillohet spektakli Big Brother VIP. Banorët e shtëpisë së BBV e kanë dëgjuar breshërinë e të shtënave dhe kanë reaguar të trembur, pa ditur se ç’po ndodh! Qetsori, Kristi dhe Nita kanë dëgjuar duke parë njeri-tjetrin me pikëpyetje.

Biseda mes tyre

Kristi pyeti: Çfarë ishte kjo???

Qetsori: Kallash!!!

Kristi: Thashë se ishte këtu brenda!!!

Nita: Ishte afër

 

Ora 10:07
Një plumb i mori jetën, video nga kabina ku roja humbi jetën nga të shtënat drejt Top Channel

Një plumb i mori jetë rojës Pal Kola, 60 vjeç nga të shtënat drejt Top Channel. Report Tv sjell video nga kabina në të cilin Kola ishte teksa humbi jetën. Në kabinë duket edhe shenja e plumbit që i mori jetën 60-vjeçarit.

Ora 09:10
VIDEO /Shenjat e plumbave në xhama dhe kangjella, pamjet pas të shtënave drejt Top Channel

 

Report Tv ka siguruar pamjet pranë godinës së Top Channel që u godit me armë dhe për pasojë ndërroi jetë roja i sigurisë Pal Kola, 60 vjeç. Në pamje duken shenjat e plumbave në kangjella dhe xhamat e godinës. Drejt godinës u qëllua me breshëri kallashnikovi dhe në vendngjarje mbetën 25 gëzhoja.