TEC në Roskovec në shkelje, piketime pa leje ndërtimi! Report Tv në Suk1, banorët: Na shkatërron! Meta kërkoi kryengritje me armë, pse Berisha hesht

“Kjo është Toskana, kjo është Toskana, këtu bëhet agroturizëm. Këtu është një kryevepër more. Këtu është një mrekulli. Kjo është komplet Toskanë, duhet pak zhvillim në filllim pastaj të vijnë vet” deklaronte Kryeministrit Rama më 10 mars 2019 nga fshati Kurjan në Roskovec, 5 vite më parë përballë, disa kilometra më tutje, kishte zonën që mbulon Dimalin dhe Sukun, që njihet si hapësira me sipërfaqet më të mëdha të serave në Shqipëri.

Por pikërisht në fshatin Suk1, disa vite më vonë, do të ndërtohet një termocentral, në një zonë të konsideruar si pasuri turistike dhe hambar bujqësie, duke shkaktuar shqetësime dhe reagime mes banorëve

Bëhet fjalë për projektin  “FIER THERMOELECTRIC” SHA, bashkëpronësi, e firmës Gener 2 të biznesit Bashkim Ulaj. Projekti është paraqitur si propozim i pakërkuar nga privati dhe synon te zhvillojë projektin e ndërtimit dhe funksionimit te Termocentralit me Turbinë Gazi me Cikli të Kombinuar, me gaz natyror si lëndë djegëse, me kapacitet 170 MË.

21 prillin e kaluar, 2 muaj më parë, në një mbledhje jashtë rendit të ditës, Këshilli Bashkiak i Roskovecit miratoi ndryshimet në planin e përgjithshëm vendor që mes të tjerave i hapte rrugën projektit për ndërtimin e termocentralit në fshatin Suk 1, ndërsa para Bashkisë një grup qytetarësh vijonin protestën e nisur prej muajsh.

Miratimi në Këshill Bashkiak nuk do të thotë marrje e lejes për punimet, pasi këtë duhet ta miratojnë institucionet qendrore në Tiranë, kryesisht Ministria e Mjedisit. Të pyetur në lidhje me këtë zyrtarë nga Bashkia Roskovecit i thanë Report Tv se në këtë bashki nuk ka ardhur asnjë njoftim që është dhënë leja, njoftim i detyruar sipas ligjit që më pas të nisin punimet.  Por në terren ka lëvizje. Piketime dhe shpime të ndodhura, siç Report Tv ka filmuar, pikërisht në pronën private ku parashikohet ndërtimi i TEC-it, ka nxitur sërish reagimin e banorëve.

BANORËT: MOS NA SHKATËRRONI

Report Tv ishte në fshatin SUK1 ku bisedoi me banorët atje, të shqetësuar se termocentrali i parashikuar do t’i shkatërrojë investimin e një jetë të tërë.

 “Nuk do ta lejojmë. Kam pronat në të cilat kam investuar gjithë jetën”, tha një banor.  

Tërmocentrali do të ndërtohet pak kilometra larg qytetit të Fierit dhe 600  metra larg qendrës së fshatit Suk 1, që njihet për serat e tij. Për Report Tv  banorët thonë se nuk janë pyetur fare për projektin, të cilin e konsiderojnë shkatërrues për ekonominë e tyre dhe të rrezikshëm për shëndetin.

Agron Agaçi, fermer: “Të gjithë jemi bashkë këtu, jemi shumë afër me Termocentralin. Unë kam mbjellur bostan, ullinj aty shumë afër. Kam pronat në të cilat kam investuar gjithë jetën. Populli është i ngritur në këmbë. Tani e kanë kuptuar të gjithë. Në fillim e dimë që do ndërtoheshin panele. Nuk jemi kundër investimeve, por duhet të bëhen sa më mirë. Sipas ekspertëve duhet të ishte 6 kilometra nga zonat e banuara. Nuk jemi pyetur dhe asnjë konsulte apo diskutim nuk është bërë me banorët e fshatit për të diskutuar lidhur me kete investim te papranuar nga banore”

Besnik Zota: “Unë nuk merrem me politikë, jam bujk, jam njeri i thjeshtë. Ky TEC na dëmton shumë. Unë e kam mbështetur kryetaren e bashkisë por për këtë i dal kundër. Të paktën duhet të na dëgjojë neve si fshat. Nuk po na ndihmojnë por të paktën të mos na dëmtojnë. Këtu ka interesa, përderisa edhe anëtarët e këshillit ndërruan mendje. Na kishin thënë panele, tani na thonë TEC. Le ta bëjnë në vend të tjera, zona malore. Unë isha në Itali dhe u ktheva, kam bërë sera, kam blerë traktor dhe kam investuar”

Myftar Malaj, banor në Suk1: “Misër bostan, këto gjëra bëjmë ne. Këto ditë po dëgjojmë. Para një javë na thanë. Nuk duam ta bëjnë atë. Të tërat prodhimet shkatërrohen. Kemi fëmijë të vegjël. Është jo më shumë se 500-600 metër nga shtëpitë. Askush s’na ka thënë asgjë, tokë bujqësore e ndarë me ligjin 7501”

Xhemal Dogani, fermer: “Nuk është për politikë por është për të mirën e fëmijëve tanë. S’duam t’ia dimë për politikë” Qumështi i lopës nuk bën më. Nuk e di se kush e e ka dhënë atë mendim. 300-400 metra larg fshatit është shumë afër. Kemi firmosur se jemi kundër, gjynah ta marrin në qafë popullin. Nuk është pyetur asnjë fshatar”. Fillimisht na thanë për panel diellor por jo kështu.

Xhevdet Sina, fermer: “Ne nuk jemi dakord për TEC-in që po bëhet aty, sepse këtë bereqet që po e bëjmë sot bio, ne nesër nuk e hamë. Po na thonë largohuni nga fshati, nga puna, nga të tëra. Zonat jonë merret me sera, me blegtori. Fillimisht na thanë për panele diellore, tani na thonë do të bëhet TEC. Më mirë të na vrasin fare. Nga ky vendi ku unë po ngarkoj grurin është larg vetëm 700 metra”

Për agronomin Tofik Metushi, njëherazi banori i fshatit, më këtë TEC askush nuk do t’i dojë më prodhimet e tyre bujqësore, ndërsa nuk harron të evidentojë se një denoncim është dërguar në SPAK nga të gjithë banorët.

“Jam alarmuar si njeri, që në këtë zonë kaq pjellore, të ndërtohet TEC. Më ka ngjallur neveri dhe irritim. Unë këtu kam ndërtuar jetën time familjare, të fëmijëve dhe të nipër e mbesave. Të gjithë e kanë kuptuar që në një distancë larg nga fshati prej 500 metrash ajo është një gjë shkatërruese. Duke dëgjuar specialistët Në vijë ajrore ajo kontaminon 6 km larg kjo zonë bëhet e papërdorshme. Ne kemi çuar një denoncim në SPAK, i firmosur nga 860 banorë. Të gjithë e kanë firmosur, pa asnjë lidhje me politikën, të majtë e të djathtë”, tha Metushi.

POLITIKA NË KËTË HISTORI

Një detaj që vihet re në qëndrimin e çdo banori është jo politizimi i shqetësimit të tyre. Kjo marrë shkas edhe nga një skenë e para pak ditëve e kreut të Partisë së Lirisë, ish Presidenti Ilir Meta, i cili foli për marrje të armëve me në krye atë vetë me kallashnikov në dorë.

“Merrni varenë, shembni piketat (qe ka vendosur kompania per TEC-in) ti dalë zjarri dhe tymi. Edhe armët duhen marrë, kaq, për të mbrojtur këta kalamaj. Edhe mua këtu do të më keni, me kallash në dorë, di të qëlloj mirë. Nuk më dridhet dora fare. Mobilizoni njerëzit. Vetëm huri i ndanë punët me këta hajdutë", tha ai.

Në kontrast me këto deklarata banorët kërkojnë të dëgjohen dhe vendimi të rishikohet. Një tjetër kontrast që vihet re në këtë histori është ajo e dy aleatëve në opozitë. Ilir Meta gati të marrë armët dhe ish Kryeministri Sali Berisha që nuk ka thënë asnjë fjalë deri më tani. Berisha i cili nuk lë ngjarje pa e shfrytëzuar për të bërë politikë, këtë herë ka ‘harruar’.

HESHTJA E BERISHËS

Një qëndrim i tillë mund të arsyetohet me lidhjet e ish Kryeministrit me biznesmenin përfitues të termocentralit, Bashkim Ulaj, i cili njihet për projektet që janë konsideruar si “bomba ekologjike’, sic është rasti i hidrocentraleve në Valbonë, që janë rrëzuar edhe nga Gjykata e Lartë, hidrocentrale të cilat ia ka dhënë Berisha. Jo vetëm kaq por edhe biznesi i çimentove në Krujë, që shkatërronte mjedisin e zonës.

Bashkim Ulaj njihet për marrëdhënien e ngushtë me Sali Berishën, në qeverisjen e të cilit ka qenë oligarku i preferuar dhe merrte projektet më të majme. Gjatë pushtetit 2005-2013, Sali Berisha i ka dhënë Ulajt koncensione, tendera, ndërtime në Tiranë, gurore, hidrocentrale dhe favore të tjera.

Pallati te Rruga Mustafa Matohiti, e njohur si rrugica e Salës, të cilën ish Kryeministri e ka pagëzuar si “Rruga e Shpresës” pasi qëndron atje i mbyllur në arrest, është ndërtuar nga vëllai i Bashkim Ulajt, Ahmet Ulaj, ndërsa familja Berisha zotëron shumicën e ambienteve. Gjithashtu Berisha ka një zyrë gjigande dhe luksoze në kullën e Ulajt pranë Stadiumit Air Albania, pa e ditur kush i paguan qira dhe sa kushton.

MË SHUMË PËR PROJEKTIN

Shoqëria “ FIER THERMOELECTRIC‘‘ SHA , në pronësi të Bashkim Ulajt me 35% të aksioneve dhe 2 kompani greke, “DEPA COMMERCIAL S.A” dhe “GEK TERNA”,  synon te zhvillojë projektin e ndërtimit dhe funksionimit te Termocentralit me Turbinë Gazi me Cikli të Kombinuar, me gaz natyror si lëndë djegëse, me kapacitet 170 MË. Selia e kompanisë është pranë zyrave të Gener 2, vetem dy katet sipër zyrës së Sali Berishës.

Vendndodhja e impiantit parashikohet të jetë në zonën e Roskovecit dhe pranë Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe pranë Rrjetit Elektrik të Tensionit të Lartë. Vendndodhja e propjektit te propozuar shtrihet ne një zonë rurale , pjese administrative e Bashkise Roskoves, Qarku Fier. Ajo gjendet e distancuar rreth 3 km ne vije ajrore larg qytetit te Roskovecit dhe më pak se 700 metra larg fshatrave Jagodine dhe Suk i Siperm (Suk1).

K.T./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Barazimi me Kroacinë, mendoni se Kombëtarja kalon grupet e Euro 2024



×

Lajmi i fundit

Rishikohet Kuadri Makroekonomik e Fiskal 2025-2027, rriten projeksionet për të ardhurat dhe shpenzimet, ulet borxhi publik

Rishikohet Kuadri Makroekonomik e Fiskal 2025-2027, rriten projeksionet për të ardhurat dhe shpenzimet, ulet borxhi publik