Tekstet shkollore, masakër
mbi mendjet e fëmijëve

Marrëzitë e teksteve shkollore të të gjitha cikleve në Shqipëri janë bërë edhe objekt i vëzhgimit në media. Të gjithë e kujtojnë Abetaren e famshme që diktoi i pari Klosi i ndjerë, në të cilën ishin përzier gafa e budallallëqe nga më të paparat. Po ashtu, të gjithëve u kujtohet se në një tekst të klasave të ciklit të ulët, pyetjes se cilat janë gratë më të famshme në Shqipëri, autori i tekstit i përgjigjej: Nënë Tereza dhe Jozefina Topalli, apo një tekst tjetër i klasës VII të ciklit nëntëvjeçar, që kishte përfshirë një tregim, marrë nga një revistë e një fondacioni të dyshimtë në Shqipëri, ku një anglez vinte e takonte një vajzë jetime nëntë vjeçe dhe e merrte për shëtitje në Liqenin e Shkodrës me anije dhe i jepte edhe një drekë me peshk, pastaj e sillte përsëri në konvikt.

Këto marrëzi janë vetëm maja e ajsbergut të mediokritetit e të mungesës tërësore të aftësisë së atyre që hartojnë, botojnë e shpërndajnë tekste mësimore në sistemin arsimor shqiptar në të gjitha nivelet. Për fat të keq, kjo sipërmarrje gjigante e shoqërisë shqiptare u është lënë në dorë matrapazëve të arsimit, që kanë vite e vite që prodhojnë tekste pa asnjë vlerë dhe që kanë shkatërruar jo vetëm shijet e fëmijëve, por kanë deformuar në mënyrë të pakthyeshme mendjet e tyre dhe formimin në përgjithësi.Çfarë ka ndodhur konkretisht? Nëse hap faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit e Shkencës, në rubrikën “Në varësi”, do të gjesh edhe Institutin e Kurikulës.

Po të klikosh aty do të gjesh edhe tekstin e famshëm “Korniza kurikulare e arsimit parauniversitar”. Pra në vend të fjalës program apo përmbajtje, gjendet fjala “Kurikul”. Por, nëse ti ke durim apo nerva që ta lexosh këtë tekst, do ta ndeshësh mbi njëqind herë këtë fjalë të tmerrshme. Ai që lexon këtë tekst për kornizën kurikulare në Shqipëri nuk merr vesh as edhe një fjalë se çfarë ndodh në arsimin shqiptar. Pse? Sepse gjithçka që thuhet aty rrëfehet në formën e zgjerimit rrjedhës.

Pra ashtu si në tekstet e kohës së pedagogjisë komuniste, nëse do të përdorej kjo kutikulë, nxënësit shqiptarë do të ishin në gjendje të bënin të gjitha punët e mundshme mbi tokë. Ja një frazë tipike e burokracisë që ka mbytur arsimin shqiptar në gjithë këta vjet: “Sistemi ynë arsimor duhet të nxisë edhe në arsimin e përgjithshëm zhvillimin e moduleve profesionale, që synojnë të pajisin nxënësit me grupe aftësish profesionale, për t’u hapur atyre dyert e botës e të tregut të punës.

Sistemi ynë arsimor ka detyrë të zhvillojë aftësi dhe shprehi bazë të larmishme e të qëndrueshme, të cilat lehtësojnë përshtatjen e të rinjve me kërkesat në ndryshim të profesioneve të fushave të veprimtarisë shoqërore”. Me fraza të tilla standarde që nuk thonë asgjë është i mbushur gjithë ky tekst, i cili arrin kulmin e mediokritetit dhe të amatorizmit në një pikë tjetër, përkatësisht atje ku thuhet se pikë e rëndësishme për arsimin tonë parauniversitar janë edhe kompetencat themelore europiane. Unë vetë nuk e kuptoj se çfarë do të thotë “kompetencat themelore europiane”.

Kërkoj në internet dhe gjej një tekst të thjeshtë për sistemin arsimor në Francë dhe aty marr vesh se hartuesit e kësaj kornize (në Francë gjithmonë) kanë zgjedhur dy terma për të paraqitur tërësinë e dijeve që do t’u japin nxënësve, fjalët “socle” dhe “competence”. “Socle” do të thotë piedestal, bazë e një statuje dhe “competence” do të thotë aftësi. Pra, në kuptimin e tyre, formimi i fëmijës është si ndërtimi i një statuje që mbështetet mbi një piedestal të përbashkët që ka shtatë aftësi të mëdha. Këto shtatë aftësi të mëdha janë përcaktuar nga një organizëm i posaçëm në Këshillin e Europës dhe duhet të jenë të njëjta përafërsisht për të gjitha vendet europiane.

Mirëpo, te ne, jo vetëm që janë përkthyer keq, por është shtuar edhe një e është hequr një tjetër. E para është zotërimi i gjuhës shqipe ose frënge. Zotërinjtë tanë e kanë bërë “komunikimi në gjuhën amtare”. Ata nuk e dinë se është tjetër gjë të mësosh një gjuhë dhe tjetër gjë të komunikosh në atë gjuhë. Aftësia e parë që duhet të fitojë nxënësi shqiptar duhet të jetë zotërimi i gjuhës shqipe. Në shqip komunikon edhe një shqiptar që nuk ka bërë asnjë ditë shkollë, madje mund të komunikojë shumë mirë. Por mediokrit tanë, të paaftët që kanë masakruar arsimin në këta tetë vjet e përdorin shenjën “komunikim” pa e ditur se çfarë shenjon ajo shenjë. Ky ngatërrim fatal ka orientuar pastaj programet dhe tekstet. Pra të shmangësh një nga kriteret bazë mbi të cilin ngrihet monumenti i dijes, do të thotë ta shkatërrosh atë që në fillim.

Fjala komunikim përdoret edhe në kriterin e dytë kur thuhet se nxënësi duhet të komunikojë në një gjuhë të huaj. Në tekstin frëng thuhet të zotërojë një gjuhë të huaj të gjallë. Në tekstin frëng, në pikën 5 përmendet si kriter kultura humaniste. Në tekstin shqip, fjala kompetencë përdoret në të gjashtë kriteret e mëpasme dhe kultura humaniste është hequr ose zëvendësuar me kompetencat shoqërore dhe qytetare. Vetëm tani unë e kuptoj pse nga shkollat shqiptare është hequr filozofia dhe letërsia dhe në vend të tyre nxënësit e gjimnazeve mësojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe telenovelat. Ky skandal në përdorimin pa e ditur fare të termit kompetencë, jo vetëm që ka deformuar gjithë përmbajtjen e programeve, por ka orientuar dhe përgatitjen e teksteve mizerabël. Ja si janë dhënë në shqip të plota kriteret europiane mbi të cilat duhet të mbështetet formimi i nxënësit shqiptar:

“Pikë e rëndësishme referimi për arsimin tonë parauniversitar janë edhe kompetencat themelore europiane:

a) komunikimi në gjuhën amtare; b) komunikimi në gjuhë të huaja; c) kompetenca matematikore dhe kompetencat bazë në shkencat dhe teknologjinë; ç) kompetenca dixhitale; d) kompetenca për të nxënë gjatë gjithë jetës; dh) kompetencat shoqërore dhe qytetare; e) kompetenca e iniciativës dhe sipërmarrjes; ë) kompetenca e formimit kulturor dhe e shprehjes.

Dhe ja si janë dhënë në tekstin frëng:

1. la maîtrise de la langue française; 2. la pratique d’une langue vivante étrangère; 3. les principaux éléments de mathématiques et la culture scientifique et technologique; 4. la maîtrise des techniques usuelles de l’information et de la communication; 5. la culture humaniste; 6. les compétences sociales et civiques; 7. l’autonomie et l’initiative. (Përkthimi: 1. zotërimi i gjuhës frënge; 2. praktikimi i një gjuhe të huaj të gjallë; 3. elementet kryesore të matematikës dhe të kulturës shkencore e teknologjike; 4. zotërimi i teknikave të përdorimit të informacionit dhe të komunikimit; 5. kultura humaniste; 6. aftësitë shoqërore dhe qytetare; 7. pavarësia dhe iniciativa.

Në tekstin frëng janë shtatë aftësi që duhet të fitojë nxënësi, në atë shqiptar janë tetë. Është shtuar një kriter në fund që nuk merret vesh se çfarë shenjon. Pra janë të njëjtat kritere, por vini re se si janë dhënë në frëngjisht dhe vini re se si kanë ardhur në shqip. Ajo që bie në sy qysh në fillim është paraqitja mizerabël dhe aspak sipas frymës që ka shqipja. Tani secili nga ne duhet ta marrë me mend vetë se si mund të hartohet një tekst që ka një marrëzi të tillë si kornizë kurikulare.

Ky është vetëm një konstatim i shpejtë që mund të bëhet nga cilido, por në qoftë se do të duhet të riformatojmë shkollën shqiptare, përmbajtjen e saj, kurikulën, programet dhe tekstet, do të duhet që në këtë sipërmarrje të angazhohen ajka e profesoratit shqiptar dhe kjo punë, në mënyrë kategorike, nuk u duhet lënë ca burokratëve të mjerë, mediokër e të pafaj që popullojnë lloj-lloj institucionesh me emra kurikulash apo me emra zhvillimi. Plaga e arsimit është atje dhe shkolla shqiptare duhet të bëhet çështje në radhë të parë e njerëzve të aftë e të ditur, që për fat ky vend, ende i ka.

Marrë nga "Shqip"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri vjen me diell por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 dhjetorin e ditët e para të Janarit

Viti i Ri vjen me diell por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 dhjetorin e ditët e para të Janarit