Telerepublika dhe disa probleme të Kinematografisë sonë

Telerepublika dhe disa probleme të Kinematografisë sonë

Para thuajse tre vjetësh, tentova pa sukses të hap debatin mbi disa probleme, në mendimin tim thelbësore, të kinematografisë dhe audiovizualit shqiptar, përmes botimit të analizës të quajtur “Telerepublika” botuar në “Milosao” në datë 5 Qershor 2016.

Jo vetëm debati nuk u hap, por si reagim të vetëm mora një çarçaf balte mediokrish shpifarake që vegjetojnë rrjeteve “sociale” dhe arrita të ndjej asokohe por edhe aktualisht, një intensifikim të të gjitha praktikave aberrante e jo ligjore, për mendimin tim kriminale ndaj artit kinematografik dhe audiovizualit. Sa për mediokrit e baltës, jo vetëm që nuk më intimidojnë dot, por të jenë të sigurt se do të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit për secilën lopatë balte e shpifjesh.

Të gjitha problemet që listoja në analizën time, sot rezultojnë të jenë përkeqësuar disafish.

Jo vetëm në kinematografi por përgjithsisht në fushën e arteve ku sistemi thjesht nuk egziston dhe inkompetenca dhe abuzivizmi ka zënë rrënjë prej tashmë 18 vitesh.

Për të përmbledhur vetëm disa prej çështjeve që janë përkeqësuar prej 2016;

-          Ka vazhduar dhe është intensifikuar abuzimi apo vjedhja e të drejtës së pronësisë intelektuale.

-          Ka vazhduar dhe është intensifikuar shkelja e ligjit përfshi dhe me akte nënligjore të paligjshme.

-          Ka vazhduar dhe është intensikuar mostaksimi i shfrytëzuesit të produktit kinematografik dhe audiovizual duke sjellë dëm në buxhetin e shtetit.

-          Ka vazhduar dhe është intensifikuar abuzimi me tatimin apo me “taksën” ndaj Producentit dhe Shtëpive Filmike, në mënyrë të paligjshme.

-          Kanë vazhduar dhe janë intensifikuar “pushimet” në grup në festival ndërkombëtare dhe QKK ka vazhduar të uzurpojë funksionet e Distributorit duke u përfaqësuar me stenda në markete festivalesh ku blihet e shitet filmi nga Distributorët dhe Difuzorët.

-          Kanë vazhduar financimet e filmit “Indipendent” (të pamvarur) me para publike dhe QKK ka uzurpuar funksione kualifikuese të sistemit të edukimit dhe ka cënuar cilësinë dhe sigurinë financiare të shpenzimit të parasë publike.

-          Është rritur numri i shoqatave të kineastëve dhe shqipëria ka më shumë shoqata se Franca.

-          Është rritur inflacioni i numrit i producentëve, në raport të ç’drejtë me zhvillimin kinematografik dhe audiovizual të vendit.

-          Nuk janë rregjistruar sallat e kinemave apo shfrytëzuesit e tjerë dhe është toleruar konflikti i interesave mes pronarit të sallës dhe distributorëve të cilët ende sot nuk egzistojnë.

-          Biletaritë nuk janë ende të kontrolluara apo pronë e QKK.

-          Nuk është mbledhur kurrë Komisioni i Vizionimit të çdo produkti kinematografik dhe audiovizual që shfrytëzohet në territorin e Republikës.

Duke qënë se prej një viti ish-Kryetari i QKK-së është pa mandat, dhe se Kryetari i ardhshëm duhet të emërohet këto ditë, por edhe në kuadrin e një fushate pa sens me përballje platformash të tipit “nga fitorja në fitorje” nga ish-kryetari dhe dy prej kandidatëve, besoj se përbën interes për opinionin dhe komunitetin, ribotimi i kësaj analize kritike. Shkrimi ishte ky: 

TELEREPUBLIKA

(dhe problemet thelbësore të 15 viteve keqadministrim të

Kinematografisë dhe Audiovizualit Shqiptar)

Siç dihet tashmë gjerësisht, Shqipëria përbën rastin e vetëm në Europë ku e gjithë pasuria kinematografike u shkatërrua e vazhdon të shkatërrohet pa mëshirë nën thundrën e paaftësisë dhe mediokritetit të veshur me pushtet politik, ekonomik e mediatik të telerepublikës.

Nën këtë frymë u pushtua, shkatërrua, shkri, hangarizua, gardhizua, betonizua, vodh e u brutalizua e gjithë trashëgimia kinematografike e grumbulluar në më tepër se gjysëm shekulli në 70 000 metrat katrorë të Kinostudios. E gjitha kjo skemë vrasatare u vu në jetë përmes firmave të papërgjegjëshme të thuajse (me pak përjashtime) të gjithë ministrave të ekonomisë dhe të kulturës së këtij vendi, dhe kjo në shkelje të plotë të kushtetutës, ligjeve si dhe të konventave ndërkombëtare, sidomos gjatë 15 viteve të fundit, në mënyrë progresive me ngritjen e sistemit mediatik në vendin tonë. Me apo pa qëllim ose dashje.

Gjatë këtyre viteve përveç shkatërrimit të të gjitha sallave të kinemave me gjasme pretendimin se tani kemi të gjithë televizorë nëpër shtëpi dhe kinemaja është luks e do financa të mëdha, dhe pas keqpërdorimit të idesë se kinemaja në shqipëri dhe Europë nuk ka treg, përfitimet u bënë të paimagjinueshme në tregun e shfrytëzimit të filmave në Shqipëri, ashtu si kudo në botë.

Televizionet shqiptare, u themeluan duke marrë, pa kontarata e sigurime shoqërore, të gjithë krahun e kualifikuar të punës të Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe të RTSH-së. Programacionin fillestar e siguruan duke vjedhur barbarisht veprën e kineastëve, artistëve por dhe gazetarëve shqiptarë ndër vite.

Për të qënë më konkret, ligji brilant shqiptar i Kinematografisë, miratuar para 20 vjetësh, krijoi premisat e një sistemi autonom, transparent, të mbështetur nga financat publike, por me të drejtën e vetadministrimit dhe kontrollit fiskal të shfrytëzimit të produktit kinematografik, në përfitim të zërit të veçantë që gëzon kinematografia në buxhetin e shtetit.

I vetmi ligj i këtij lloji në ndryshim total me Teatrin Kombëtar apo Operan, të cilat nuk administrojnë asnjë pjesë të fitimit të tyre se u duhet ta derdhin të plotë në buxhetin e shtetit, duke u detyruar të funksionojnë si produksione kryesisht të centralizuara shtetërore.

Në ndryshim me teatrin, operan, muzikën, Ligji i Kinematografisë, që në 1996 garanton se shfrytëzimi i çfarëdo produkti kinematografik, qoftë seri C (sipas Vizave të shfrytëzimit që harron të shpërndajë QKK que prej 1996; film komercial, seri tv, reportazh, etj) qoftë A (film dokumentar apo film artistik i shkurtër i mesëm dhe i gjatë), një përqindje të çdo fitimi e derdh në fondin kinematografik kombëtar. Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë, nëse një përqindje ligjore e fitimeve nga filmat, seritë dhe reklamat që shfrytëzohen nga TV shqiptare, një përqindje e çdo karte operatori numerik televiziv, një përqindje e çdo fitimi nga reklamat televizive, një përqindje e çdo bilete kinemaje, do të derdhej në respekt të ligjit në buxhetin e QKK dhe të Agjencisë Kombëtare të të Drejtave të Autorit, sot sistemi kinematografik, nuk do të ndodhej në krizë dhe në stagnacion.

Për ta bërë dhe më të thjeshtë kuptimin e dëmit financiar të shkaktuar nga Kyetarët e QKK ndër vite; sikur rreth 370 000 abonentë mujorë të deklaruar të operatorëve të platformave numerike tokësore të cilët paguajnë mesatarisht 1500 lekë/muaj, të derdhnin nga 150 lekë/abonent/muaj në buxhetin e QKK, atëherë në këtë fond do të hynin minimalisht 55 500 000 lekë (420 000 euro) në muaj, pra më shumë se 4 000 000 euro në vit. Dëmi potencial minimal në 20 vjet të moszbatimit të ligjit, është sot 110 milion euro të cilat i mungojnë kinematografisue Shqiptare. Pa llogaritur format e tjera të shfrytëzimit ekonomik të veprave, qofshin këto edhe seri TV në rrjetin publik apo atë privat pa pagesë, salla kinemaje etj. Thënë sa më lart, ne duhet të jemi i vetmi vend në botë ku rrjetet televizive prodhojnë filma duke u njohur nga QKK si producentë. Ligji i sapomiratuar i të drejtës së autorit sjell një lloj rregulli në këtë treg, megjithë dy tre absurditete të cilat sërish shkelin Konventën e Bernës dhe Konvetuen Europiane të Koproduksioneve dhe mbi të gjitha interesat e autorëve krijues. Ligji nuk i referohet realitetit shqiptar, ku pronësia intelektuale ashtu si çdo formë e pronësisë u mohua për gjysëm shekulli, e ku praktikisht dhe literalisht duhet kthyer prona tek i zoti, por e komplikon ende më shumë situatën duke u njohur të drejta pronësie intelektuale, posteve të teknikëve egzekutues dhe interpretuesve. Gjithsesi ky ishte një ligj i domosdoshëm, biles i vonuar, dhe amendimi konform Konvetave ku aderon shqipëria dhe aplikimi i tij duhet të fillojë menjërë me kinematografinë dhe audiovizualin.

Sot artistët shqiptarë, institucionet dhe operatorët e kulturës do të kishin së paku një arsye, për të vazhduar që të merren me atë që dinë të bëjnë më mirë, me krijimtarinë.

Por QKK, që prej 1996, ka zgjedhur strategjinë e një përfitimi personal apo të një grupi njerëzish përmes keqinterpretimit të qëllimshëm të ligjit. Në funksionin e lartë publik, padija nuk është argument por krim. QKK prej 15 vitesh ka zgjedhur politikën e bërthamizimit dhe banalizimit me njohjen e shoqatave të kineastëve në funksion të klaneve të KMP-ve (Këshilla Miratimi të Projekteve të cilat inkompetentët që kanë drejtuar kinematografinë shqiptare prej 15 vitesh i quajnë “borde”) ku në vend të autorëve krijues zgjidhen producentë e gazetarë, në shkelje flagrante të Ligjit të Kinematografisë. QKK ka thelluar dëmin me dhënien abuzive të liçencave të Producentit dhe Distributorit për telerepublikën, duke i njohur televizionet apo grupet mediatike si producentë kinematografikë. Ka zgjedhur që me rregullore të brendshme të QKK-së e në kundërshtim me ligjin e kinematografisë e të ligjeve tregtare, të financojë subjekte fizike me shuma marramendëse, të cilët mes shumë çudirave hapin mbyllin nipte në QKB, çdo 4-5 projekte mediokre të financuara me para publike.

Pa llogaritur paratë marramendëse që merren nga buxheti i produksionit dhe kualifikimit, për udhëtimet apo Pushimet e “Çufos dhe Bubit Kaçurrel” (3 kryetarët e fundit të QKK dhe grupet e tyre të interesave) nëpër festivale të kategorisë A nëpër botë, duke e kthyer QKK praktikisht në një agjenci turistike promovuese nisur nga impakti i munguar, megjithë deklaratat pompoze për suksese hipotetike e fitorje imagjinare që nuk mungojnë në këtë vendin tonë prej 75 vjetësh.

Politika inflacioniste e QKK prej 2005, në shkelje të cilësisë por mbi të gjitha të sigurisë financiare dhe përgjegjshmërisë që duhet të karakterizojë administrimin e financimit me para publike ka shkaktuar dëm themelor, mbi të gjitha, në dëm të sistemit tonë edukativ e kualifikues. Kjo politikë krijoi disa breshëri “producentësh” që lidhin kontrata me para publike me profanë pa eksperiencën e nevojshme por edhe me studentë nga sistemi i rrumpallës universitare shtetërore. Studenti kudo në botë nuk është autor por aspirant, i cili përpara marrjes së përgjegjësive në jetë, duhet të validojë dijet universitare në zanat përmes stazheve profesionale të cilat i lejojnë të materializojë dijen e të kenë oruet e nevojshme të fluturimit që granatojnë cilësi e sukses përpara se të rrëzojnë avionin e të marrin jetë njerëzish. Me teoritë aktuale populiste të QKK, thjesht rrezikojmë thellë që të rinjtë shqiptarë ta nisin karrierën e tyre me disfata e dështime pa llogaritur shpërdorimin e parasë publike.

Ligji i Kinematografisë në Shqipëri është krijuar me mbështetjen dhe ekspertizën e ARP (Auteur Réalisateur Producteur të Francës) dhe disa emrave të mëdhenj të kinematografisë botërore si Claude Chabrol dhe Caude Berri, si dhe me kontributin e Ministrit Kineast të kohës, zotit Dhimitër Anagnosti dhe stafit të tij.

Parimi ligjor i QKK për financimin e përgjegjshëm dhe Kontrollin e Kinematografisë, si detyra kryesore ligjore e saj, duhet të bazohet mbi të gjitha tek taksimi i shfrytëzimit në shërbim të fondit kinematografik kombëtar. Domethënë që çdo shfrytëzim fitimprurës i një vepre kinematografike t’i nënshtrohet taksimit në përqindje progresive me impaktin komercial të produktit.

Më konkretisht, si duhet të ishte nëse zbatohej kuadri ligjor i cili është sot në fuqi:

Nësë çdo biletë e një filmi komercial shqiptar ose të huaj do të taksohej me 30% të çmimit të biletës, shuma e përfituar do të derdhej automatikisht në fondin e QKK dhe shpërndahej administruesve të së drejtës ekonomike pra Producentëve, dhe mbi të gjitha poseduesve të pronësisë intelektuale, pra autorëve. Një biletë filmi A autor, pra jokomercial shqiptar do të taksohej njëlloj, por shuma e përfituar pas pagesës të së drejtës së autorit, do të derdhej në buxhetin e QKK-së me rezervën e përdorimit të fondit për projektin tjetër të regjizorit brenda dy viteve ekonomike. Më pas, në rast mospërdorimi nga autori, fondi duhet të dilte nga rezerva dhe mundet të përdorej për filma të autorëve të tjerë ose për mirëmbajtjen e restaurimin e veprës së autorit që e ka gjeneruar. QKK prej 15 vjetësh ka bërë krejtësisht të kundërtën. Në shkelje flagrante të ligjit QKK ka taksuar Producentin dhe Shtëpinë Filmike me 20% të të ardhura nga qarkullimi, në vend se të taksojë Distributorin, Sallën e Kinemasë, Platformën Numerike Tokësore, Televizionin, Platformën VOD por edhe së fundi bazuar në debatin që ndodh aktualisht në europë mbi zgjerimin e Konventës së pronësisë intelektuale, lidhur me taksimin e shfrytëzimit në Youtube, Vimeo apo Platforma Difuzioni të Operatorëve Telefonikë, pra shfrytëzuesit. E gjitha kjo edhe në shkelje të Kodit Fiskal i cili i ka përjashtuar Shtëpitë Kinematografike dhe Producentët nga tatimi i fitimit dhe jo shfrytëzuesit e listuar më lart.

Përmes sistemit të vizave ose lejeve të shfrytëzimit siç parashikohet në ligj që në 1996, ky problem duhet të zgjidhej. Kinematë do duhej të kishin biletari fiskale të QKK. Videotekat gjithashtu do duhet të shisnin produkte me pulla fiskale të QKK si kudo në botë.

Kjo duhet të përbënte dhe buxhetin e QKK-së, jo vetëm ç’ndan buxheti i shtetit çdo vit. Bile në një vend normal, edhe ato para që ndahen nga buxheti i shtetit për QKK çdo vit, duhet të mbulohen nga përjestimi i TVSH-së në bileta, dhe nga tatim-fitimi mbi shfrytëzimin e produkteve kinematografike.

Thënë këto argumenta e shqetësime mbi një pjesëz nga lista e gjatë e problemeve të mosfunksionimit të sitemit tonë kulturor, ka ardhur koha sot më shumë se kurrë të provojmë të pyesim të gjithë bashkë njerëz të zanateve të artit që punoni në çdo fushë të jetës, se si mundet të egzistojnë sot në këtë vend, një shkrimtar, një kompozitor, një regjizor, një piktor, një aktor, një fotograf, një operator i kameras, një montazhier e shumë të tjerë.

Si akumulohen orët e pensionit? Si funksionojnë këto me zonën e ndërmjetme kur nuk je i punësuar, por individualisht krijon apo pregatit veprën e rradhës? Si përfitohen të drejta nga shfrytëzimi ekonomik i pronësisë intelektuale të veprave? Vetëm si rrogëtar televizionesh? Duke bërë reklama politiko-ekonomike, apo duke komentuar part-time ndeshjet e kampionatit të rradhës?

Një dëm edhe më i madh po i sillet produksionit vendas nga ajo që po e quaj Kinemaja e importit. Financimin e disa produksioneve që QKK i quan produksione minoritare të cilat sjellin në terma afatshkurtër dhe afatgjatë thjesht vrasjen e kinematografisë shqiptare. Po të marrim filma si Honeymoons, Der Albaner, Shok etj filma me më shumë se 2/3 e autorëve të huaj, me financime të plota nga vëndet e tyre të origjinës, erdhën dhe morrën në Shqipëri aktorët dhe elektricistët (interpret dhe egzekutues) të cilët u paguan nga taksapaguesit shqiptarë pa pasur këta filma shtetësinë Shqiptare. Për analogji filmi Cold Mountain i xhirruar në Rumani, punësoi qindra aktorë, figurantë dhe teknike rumunë dhe shpenzoi miliona euro në vend të trefishit po ta kishin xhiruar në SHBA. Shteti rumun thjesht u uli taksat, rriti punësimin dhe investimet e huaja në rajonet ku u xhirua filmi pra pa marrë por duke dhënë lekë në buxhetin e QKK rumune dhe të rajonit ku u xhirrua. Rumunët nuk e shkatërruan Buftean (Kinostudion e tyre), as çekët, as polakët, askush veç nesh dhe telerepublikës tonë. Problemi është se vetëm në Shqipëri këto dëme sistemike nuk ndjellin revoltë, pasi janë mundësi e garantuar për ndonjë selfie social nga pushimet nëpër festivale ndërkombëtare, ku veç nesh, të tjerët shkojnë për punë.

Një njeri i medias së shkruar pyeste para disa kohësh për kë po realizohen filmat shqiptarë? Besoj se vetë shtrimi i kësaj pyetje flet shumë e nuk meriton përgjigje. Është si të pyesësh pse marrim frymë, pse hamë e flemë. Përgjigjen pyetja e ka marrë që në antikitet.

Pyetja e duhur është; si të kemi kinematografi?

Së pari duhen rihapur menjëherë sallat e kinemasë në zbatim të nenit 37 të ligjit të Kinematografisë. Për më tepër kinematografia nuk ka të bëjë me kërkesë ofertën megjithëse ajo në rastin tonë ekziston madje nxjerr fitime, por është mbi të gjitha formë sintetike e të shprehurit artistik dhe si e tillë produkt shpirtëror i kombit që e prodhon.

Së dyti, duhet që QKK veç zbatimit të ligjit, të heqë dorë nga diversioni mes kineastëve. Shpikje shqiptare me filma indipendent me financim shtetëror e debate populiste, shterpë e diskriminuese për të rinj e të vjetër në art, vetëm sa nxisin luftë mes brezave e bëjnë diversion stalinist nga problemet reale të sektorit tonë. Në kinematografi e art nuk ka të rinj e të vjetër, por të aftë dhe të papaftë. Diskriminimi pozitiv ose negativ ndalohet në Kushtetutë. Në radhë të parë duhet që të rinjtë aspirantë kineastë të provojnë se kanë formimin, aftësitë dhe cilësitë që të garantojnë sukses me fondin publik. Kineast nuk bëhesh përmes karameleve në formë paraje publike për filma “indipendent” por vetëm përmes studimeve, stazheve profesionale dhe në kushtet e filmit pa buxhet si kudo në Europë. Aq më tepër sot, në kohët e banalizimit të imazhit nga teknologjia, fondi duhet të jetë selektiv e të granatojë vetëm financimin e studimeve dhe kualifikimin sipas ligjit që prej 1996 kurrë nuk gjeti zbatim. Eksperimente me para publike, siç ka bërë dhe bën ilegalisht QKK prej 15 vitesh, nuk duhet të ketë dhe çfarë ka ndodhur meriton vetëm ndëshkim. E kuptoj se telerepublika paguan e nderon këdo profan që kur ishte në pushtet i siguroi programacion, me pagesa vjetore qesharake e me argumentin kriminal se janë filma propagande të komunizmit e i përkasin popullit. Me CV hajduti bëhesh dhe drejtor produksionesh telerepublike. Me asistentë mosmirënjohës shkon dhe më larg…

Vjedhja e ftohtë e ideve njëlloj me shrytëzimin barbar të veprave kinematografike që vazhdon ende, është përhapur keqas tashmë dhe në komunitetin e kineastëve. Pse ne shqipot e paskëshim kaq të thjeshtë të ngremë të mirën personale në kurriz të aftësive të dikujt tjetër?! 

Maks Velo protestonte para disa kohësh në media se dy kineastë i kishim marrë idenë e filmit të tyre. Maks Velo është ndër të vetmit artistë të këtij vendi i cili përveç dënimit me burg për veprat e tij të cilat ju dogjën para syve barbarisht nga regjimi komunist, duhet të jetojë ende duke ripërjetuar një tjetër formë agresioni intelektual por edhe psiko-fizik. Pa njohur detaje dhe me besimin e plotë se artistët e vërtetë deontologjikisht do të gjejnë një zgjidhje mes tyre. Besoj se prezenca dhe idetë e Velos në titrat e filmit do ti jepnin autenticitet dhe realizëm kujtdo krijimi artistik që lidhet me të kaluarën tonë. Ajo që më shqetëson është se si mundet Ministria e Kulturës, QKK e institucione të tjera rregullatore të mos ndërmjetësojnë për sheshimin e të tilla mosmarrëveshjeve?! Mos reagimi institucional apo mbështetja dhe promovimi i njërës palë, për artistin Maks Velo nuk janë gjë tjetër por ridënim i diktaturës së mediokritetit në demokraci.

Së treti, grabitja e pasurisë kinematografike, dhe si e tillë e shfrytëzuar barbarisht me miratimin e QKK, duhet të ndalë menjëherë dhe ndëshkimi për çka ndodhur duhet të bëhet normë. Për këtë Shqipëria duhet të ketë Prokurori e cila të mos flejë, sa më shpejt aq më mirë.

Një shembull i thjeshtë për absurditetin e shfrytëzimit barbar: negativi (kopja mëmë) i filmit “Ballë për Ballë” (dhe 13 filma të tjerë) po vdes dhe autorët po çajnë e po lypin ku të munden prej vitesh të sigurojnë financimin për restaurim jashtë vendit, e shumë shpejt do duhet që shteti të paguajë shtrenjtë për të shpëtuar veprën. Ndërkohë AQSHF që i ka filmat në ruajtje si pasuri kombëtare dhe QKK si administruese ligjore e të drejtës ekonomike, bëjnë me sikur teatral restaurojnë filma që nuk kanë patur kurrfarë nevoje për restaurim.

Kjo bëhet përmes projektesh pompozo-pretenciozë e përmes njerëzish të keqpërdorur vullnetarisht për aksion propagandistik qeveritar si në rastin e “restaurimit” të filmit “Nëntori i Dytë” për “spektaklin madhështor” të 100 vjetorit të pavarësisë. Sikur të zbatohej ligji i kinematografisë dhe shfrytëzuesi të derdhte një pjesë të fitimit që ka nga shfrytëzimi ekonomik në QKK dhe autorëve, filmi “Ballë për Ballë” dhe 13 filma në rrezik zhdukje, do të restauroheshin me të ardhurat që kanë gjeneruar po vetë, dhe autorët do të merrnin hakun e mohuar nga 1945 e deri më sot, duke lehtësuar për shembull barrën shtetërore të pensioneve speciale. Vetëm në Shqipëri ndodh që Akademia e Filmit Marubi dhe Arkivi Shtetëror i filmit krahë saj, ndahen me një hangar turpi telerepublikan që nuk i vret sytë e veshët askujt. Ashtu si në 2009, nuk i vriste sytë por i kënaqte soditja nga televizori, e sulmit talebano-mafioz të paprecedent në Europë, prej qeverisë autokrate shqiptare të inspiruar nga “kolegë” mediokër, kundër shkollës të parë dhe të vetme të kinematografisë, Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi në Kinostudio.

Më duhet të theksoj gjithashtu se nuk ka në art, dallim mes epokave politike. Nuk ka kinema para dhe pas komunizmit, por ka kinematografi kombëtare. Fillon me Marubët 1895, Manakët 1900, Mihallaq Mone 1930-40, Kinostudion në 1952 e vazhdon fatmirësisht mbijeton ende sot megjithëse ata që kanë marrë përsipër ta drejtojnë së paku në 15 vitet e fundit kanë bërë gjithë çfarë kanë apo nuk kanë ditur që mbijetesa të mos vazhdojë.

Së fundi, por jo nga rëndësia, ndryshimi i konceptit të rritjes së buxhetit kinematografik nga QKK duke zbatuar ligjin aktual, si e vetmja garanci për rritje të sigurt të buxhetit dhe të zhvillimit kinematografik e audiovizual të vendit.

Ka shumë për të shkruar mbi këtë temë, ndaj tentoj sadopak të hap debatin që duket se po rihapet kohët e fundit mbi këto çështje si gjithnjë me vonesë. Duket se kohës së telerepublikës po i vjen fundi.

Nëse jo, atëhere le të mblidhen oligarkët, hajdutët, mediokrit, të paaftët, të fortët e të gjithë kësaj telerepublikës sonë, e të fillojnë të xhirojnë filma, të vënë në skenë opera e teatro, të hapin ekspozita, muze, e t’i japin në televizionet e supermarkatat e tyre. Biles dhe ushqimin propozoj të na e sjellin me serum nëpër shtëpitë tona, që të mos na duhet të lëvizim më fare nga kanapeja, por të shtrëngojmë fort ndër duar telekomandën, në pritje të gjumit të përjetshëm të vdekjes zbavitëse.

*Kineast

Drejtor i Produksioneve

 Akademia e Filmit Marubi

Shënim: Për statistikat e kësaj analize, janë shfrytëzuar burime publike të raporteve të kontrollit dhe auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Qeverisë Shqiptare, burime statistikore të QKK dhe Ministrisë së Kulturës, raporteve të progresit të Komisionit Europian, raporteve vjetore të CNC(QKK) të Francës dhe Rumanisë.

xy/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Elkjana: 07/04/2019 16:08

    Eshte nje analize shume e sakte.

    Përgjigju
  • Niton Petro: 06/04/2019 12:23

    Analize brilante! Mediokriteti dhe padija ne nivelet e larta ka sjelle deme kolosale ne Shqiperi. Kjo duhet te marre fund dhe kundravajtesit te ndeshkohen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Ura e Ibrit, Osmani: Sigurohemi që të mos ketë konflikte! I drejtohet Stanos: Kur kalon në urat e tua s’i kërkon kujt leje

Ura e Ibrit, Osmani: Sigurohemi që të mos ketë konflikte! I drejtohet Stanos: Kur kalon në urat e tua s’i kërkon kujt leje