Tensionet në mbledhjen e Kryesisë së PD, Alibeaj: S'pati presion! Gështenja: U kërcënuam! Basha: Berisha nuk e drejton partinë, është përjashtuar

TIRANË- Debatet dhe tensionet brenda Partisë Demokratike, të cilat arritën kulmin në mbledhjen e Kryesisë, u zhvendosën sot në oborrin e parlamentit. Deputetët demokratë u ndalën nga gazetarët për t’iu përgjigjur interesit lidhur me atë çfarë ndodhi në 10 orët e debatit në mbledhjen me dyer të mbyllura, ku pati edhe dhunë verbale mes militantëve të Bashës dhe deputetëve të grupit.

Vetë ish-kryedemokrati Lulzim Basha, i rikthyer në politikën aktive, sot la të hapur mundësinë për të kandiduar sërish për kreun e partisë, ndërsa mban të njëjtin qëndrim për Berishën.

“PD nuk e drejton Berisha. Është përjashtuar”- tha Basha.

Basha vë theksin tek fakti që nuk ishte larguar nga partia, por thjesht kishte bërë një hap pas për të ulur tensionet, ndërsa propozon që militantët që ishin të pranishëm në përplasjen verbale me deputetët e grupit parlamentar të largohen nëse mbajnë funksione brenda partisë.

Pati debat në distancë edhe mes Enkelejd Alibeajt dhe Gazment Bardhi, sa i takon tensioneve në mbledhjen e Kryesisë. Ky i fundit,  mbrëmjen e 6 qershorit, braktisi mbledhjen e Kryesisë, ndërsa Enkelejd Alibeaj i quajti qëndrimet e tij emocionale. Kreu i grupit iu përgjigj se ai ka mbajtur qëndrim parimor, duke thënë se dhunën e ka dënuar si kur e kanë ushtruar grupi i Berishës, ashtu edhe kur u ushtrua dhunë verbale ndaj militantët e Bashës.

Qëndrimin i Bardhit emocional? Alibeaj: Deri diku po.

“S’ka qenë emocional, edhe pse qëndrimet emocionale kur janë të vërteta s’ka asgjë të keqe. Qëndrimi im ka qenë parimor”, tha Bardhi.

I pyetur nëse do e mbështesë Lulzim Bashën, Alibeaj refuzoi të përgjigjet, por tha se ka të drejtë të kandidojë kush të dëshirojë. Sa i takon tensioneve mes militantëve të Lulzim Bashës dhe deputetëve, Alibeaj tha se nuk ka pasur dhunë, ndërsa kërkoi ndjesë për fjalorin e përdorur prej tyre. Alibeaj tha se asnjë nga anëtarët e Kryesisë s’ka qenë në presion.

“Nëse i dhunuan ua kërkoj unë ndjesën personalisht. Modeli ndryshe është të respektojmë lirinë e shprehjes të çdo njeriu. U thatë natën emirë? Sigurisht, natën emirë u them të gjithëve. PD është baza, janë njerëzit,. Nuk ka një ndarje lidhur me atë se ca ka ndodhur gjatë gjithë kësaj kohe. Qëndrimin i Bardhit emocional? Deri diku po.

Në mbledhje për aq sa zgjati asnjë prej kryesisë nuk ka qenë në presion. Unë isha në mbledhje. Asnjëri prej tyre s’ka qenë as në presion, ka pasur qëndrime të ndryshme. Krerët e degëve janë PD, ato njerëz që më 8 janar ishin në mbrojte të deputetëve. Ata njerëz. S’ka pasur dhunë, fjalë ka pasur jam dakord. Nëse secili prej jush është ndjerë i fyer apo në një situatë ju normale, ua kërkoj unë ndjesën. Një gjë, me shumë qetësi ua them secilit prej jush, keni të drejtën tuaj të thoni gjithçka dini. Të nxirrni problemin kryesor në mbledhje, është them në opinioni i secilit për mënyrën se si duhet ët ecë para PD.

Sipas rregullit të statutit, mbledhjet nuk duhet të dalin në publik. Kjo është ruajtje  e privatësisë së mbledhjes. Për sa kohë pranojmë që zhvillimet në PD janë çështje publike. Duhet një orë e më parë që PD të marrë formën e plotë të funksionimit. Zgjatja  e drejtimit të saj me kryetar të komanduar nuk ishte zgjidhja më e mirë. Ka qenë vendim i kryesisë dhe grupit ramë dakord që do vazhdonim me kryetar të komanduar deri pas zgjedhjeve. Ishte e nevojshme që menjëherë të futeshim në proces të riformësimit të PD. Nuk e kuptoj tashmë që edhe pas një zgjatje prej 1 viti të marrim kohë. Rregulli është që të vëmë rregulla në statut që e bëjnë pothuajse jo të domosdoshëm jo dertiminant se cili është kryetari i partisë.

I vetmi që vijon ta mohojë presionin ndaj anëtarëve të kryesisë së PD, është ish kreu i komanduar Enkelejd Alibeaj, i cili nga militantët e Lulzim Bashës në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, u nda me shtrëngim duarsh.

Kryesia e PD vendosi pas një mbledhje gati 10 orëshe mes tensioneve dhe përplasjeve të ashpra hapjen e garës për kryetarin e ri që do të mbahet më 29 korrik, ndërsa deri më 20 Qershor dorëzohen kandidaturat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:54
Takimi me Bashën, Korreshi: Folëm për ofendimet dhe kërcënimet e mbështetësve të tij! Është përgjegjës, por u distancua nga ato sjellje

 

Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi ka deklaruar se është kundër sjelljes së Bashës në krye të PD-së. Ai është po ashtu kundër rikthimit të Berishës dhe Alibeajt në krye të partisë. I pyetur lidhur me takimin, që zhvilloi së bashku me deputetin Sula e Basha, Korreshi u shpreh se Basha kishe kërkuar ndjesë dhe është distancuar nga dhuna nga militantët e tij ndaj deputetëve. Gjithashtu ai sqaroi pozicionin e tij ku tha se ai është pro PD si në vitin 2021. :

“Për ato skena unë i kam thënë dhe vazhdoj t’i them që janë të papranueshme. Diskutuam se kush ishte përgjegjës. Mbështetësit e Bashës ishin përgjegjës. Unë e kam thënë çdo herë, takimi im ishte për këtë pjesë. Unë i qëndroj reagimit tim Basha, Berisha dhe Alibeaj nuk duhet më të jetë në krye të PD-së. Nëse procesi nuk futet në binarë apo në shina, jo nuk do të marr pjesë. Bardhit ja kam thënë: Nëse ju doni të bëni një Parti që do i shërbej vetëm atij që është kryetar, mua nuk më keni. Unë jam për parti demokratike siç ka qenë në vitin 2021. Nëse nuk e prodhojmë një gjë të tillë, nuk kemi pse lodhemi kot.

I kam kërkuar që të sqarojë pozicionin e tij, sqaroi se distancohet dhe se nuk e ka ditur fare. E ka marrë vesh në mëngjes këtë gjë. Nuk jam për një proces që sjell Bashën në krye të PD.”- thotë Korreshi.

Ora 13:24
FOTOLAJM/ Pas tensioneve në Kuvend, Basha bisedë ‘private’ me Sulën dhe Korreshin

1686222998_Capture.JPG

Pasi i thanë gazetarët se Sula dhe Korreshi e kanë kritikuar, ish kryedemokrati Lulzim Basha i ka mbledhur në një takim privat. Dukej se pas tensionit që u duk në Kuvend, Basha ka mbledhur dy deputetët më vete. 

Në këtë foto Basha është përballë deputetit Sula, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe Korreshi dhe Arbi Agalliu, sekretari i grupit parlamentar demokrat.

Për t’i bindur se sulmi i militantëve të tij ndaj deputetëve nuk ka qenë i orkestruar prej tij, Lulzim Basha takoi në një prej sallave të parlamentit deputetët që ranë pre e sulmit. Ndonëse takimi u zhvillua jashtë syrit të mediave, Report Tv siguroi një foto të takimit. Basha mësohet t’i ketë thënë deputetëve se militantët nuk kanë qenë udhëzuar prej tij për të qëndruar jashtë ambienteve të selisë së PD dhe për të ushtruar presion e shantazh mbi deputetët që refuzuan hapjen e garës për kryetar.

Ora 12:20
FOTOLAJM/ Tensionet e mbledhjes së kryesisë edhe në Kuvend, Sula dhe Korreshi kritika nga vendi Bashës

1686223417_greg.JPG

Edhe pse nuk dëgjohen, tensionet mes deputetëve Korreshni e Sula ndaj Lulzim Bashës ishin evidente sot në Kuvend. Dukej se Korreshi dhe Sula patën një lloj ‘ftohjeje’ madje Sula mezi i dha dorën Bashës.

 

Ora 11:36
Përplasjet në kryesi, Basha: Propozimi im është që ata militantë nëse kanë funksione e detyra të mos jenë më

 

Pas përplasjeve në mbledhjen e kryesisë, Lulzim Basha u shpreh se propozimi i tij është që ata militantë nëse kanë funksione e detyra të mos jenë më.

I pyetur nëse ka moral për t’u rikthyer për të garuar për PD-në, Basha tha se këtë e vendosin demokratët.

‘Humbjen më të thellë ua kanë sjellë ato që keni çdo ditë në studiot tuaja (Berisha). Siç ja bëtë për Dan Hutrën. Këtë do të vendosin demokratët.’- tha Basha.

Ora 11:33
Basha: S’kam ikur që të rikthehem, thjesht kisha bërë një hap pas

 

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha tha se ai ka qenë gjithmonë pjesë e PD-së, por kishte thjeshtë ka bërë një hap pas. Madje ai tha se ka marrë pjesë edhe në fushatë por duke mos marrë rolin e protagonizmit.

‘Unë nuk kam ikur. Këtu kam qenë që të rikthehem kam bërë një hap pas! Kam marrë pjesë në fushatë. Kam qenë në kandidatin për Tiranën, por s’doja të bëhesha protagonist.’- tha Basha

Ora 11:26
Basha i prerë: PD nuk e drejton Berisha, është përjashtuar

 

Ish kryedemokrati, Lulzim Basha ka bërë një deklaratë të fortë sa i takon drejtimin e partisë Demokratike. Edhe pse Berisha ende konsiderohet nga disa individë dhe media si kreu i Partisë Demokratike, Basha sot ka qenë i prerë, ndaj pyetjes së gazetarit ku i tha se Berisha është përjashtuar.

“PD nuk e drejton Berisha. Është përjashtuar.”- thotë Basha

Ora 11:23
Basha: Dhuna dhe lufta kundër mendimit ndryshe s’kanë vend në demokraci! Do ta tregoj me vepra e jo me fjalë se u shërbej demokratëve

 

Lulzim Basha thotë se denoncon me forcë kërcënimet dhe ofendimet ndaj deputetëve dhe mediave në mbledhjen në kryesi. Teksa ka mbërritur në Kuvend, ish-kryedemokrati kishte një gjuhë të ashpër ndaj dhunës brenda partisë së PD-së e shtoi se lufta kundër mendimit ndryshe nuk ka vend në një demokraci.

‘Do ta tregoj me vepra dhe jo me fjalë që e marr vendime në interes të demokratëve. Dua tu them demokratëve që edhe në rastin e vendimit që do të marr do të udhëhiqem nga vullneti i tyre i lirë. Si kam parë videot e dhunës! Nuk jemi për debat këtu. Përgjigja ime është që dje e refuzoj dhe distancohem dhe dënoj me forcë fjalën e banalitetin që janë shkëmbyer në një moment tensioni, ku pjesë e tyre kanë qenë edhe gazetarët. Dënoj me forcë çdo sjellje kërcënuese. Ju ftoj të më dëgjoni! Keni mbështetjen time personale dhe politike! Nuk jam i butë jam i vendosur, por nuk mendoj se dhuna dhe lufta kundër mendimit ndryshe kanë vend në një demokraci dhe aq më shumë në një demokraci ku pretendojmë që ta prezantojmë në brezi i ri. E dënoj me forcë dhunën dhe u bën thirrje demokratëve që të përpiqemi që diferencat mes nesh ti sheshojmë në mënyrë civile. ‘- tha Basha.

 

Ora 11:17
Situata në PD, Salianji: Lulzim Basha do tretet bashkë me partinë! Aty s’ka njerëz, vetëm pretendentë për kryetar partie

 

Deputeti Ervin salianji ka komentuar situatën në Partinë Demokratike, pas mbledhjes së Kryesisë. Në një prononcim për gazetarët nga Kuvendi, salianji komentoi rikthimin e Bashës, për të cilin tha se i vjen keq pasi do të tretet bashkë me partinë. Salianji tha se në PD e vulës nuk kanë mbetur më njerëz, por vetëm pretendentë për kryetar, të cilët kanë vetëm interesat e tyre personale. Ai bëri thirrje për rikonceptim të partisë.

Ish-kryetari nuk është dorëhequr, u detyrua të tërhiqej për shkak të presionit. Vazhdon ta mbajë zvarrë partinë. Do tretet bashkë me partinë, logon, më vjen keq për këtë. Më vjen keq që shumë njerëz kanë momentin për të kuptuar që bëhet për interesa private dhe personale. I dhemb çdo demokrati që është sekuestruar vula sigla, para, nuk ka më anëtarë, ka më shumë pretendentë për kryetar partie. Kërkon të rikthehet ish kryetari aty s’ka njerëz, por ka para saqë ato ju interesojnë aq shumë saqë nuk i ndanë as për zgjedhjet. Moment që çdo demokrat duhet të reagojë me forcë. Opozita duhej nisur, rezultati e tregoi, nisur edhe nga rast, të ribëhet, të rikonceptohet si një opozitë e re. PD duhet të rikonceptohet. PD janë njerëzit, nuk është vula sigla, apo një njeri që e mban ë, se e mban ë Edi rama. Në këto kushte skam shkuar në mbledhje për të kërkuar rrugët e komunikimit që opozita të ribëhet. Të heqim idenë e funksioneve që kërkon gjithsecili dhe të bëhemi gjithë bashkë për të qenë konkurrues në zgjedhjet e ardhshme.

Ora 11:17
Tensionet në mbledhjen e Kryesisë së PD, Alibeaj: Bardhi ishte emocional! Kreu i grupit: Mbajta qëndrim parimor

 

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i është përgjigjur Enkelejd Alibeaj, i cili tha se qëndrimi i bardhit në mbledhjen e Kryesisë ishte emocional. Bradhi tha se ai thjesht një qëndrim parimor dhe se dënon dhunën verbale ndaj deputetëve e gazetarëve.

"Të dhunosh verablisht, të shantazhin apo të fyesh deputetët të kuvendit, anëtarë të PD, të kryesisë se kanë mendim ndryshe, është një sjellje prej grupimi paramilitar, jo sjelle një parti demokratike. S’ka qenë emocional, edhe pse qëndrimet emocionale kur janë të vërteta s’ka asgjë të keqe. Qëndrimi im ka qenë parimor, kam dënuar dhunën verbale për shkak të një qëndrimi ndryshe, kur është kryer nga zoti Berisha, do dënoj dhunën verbale, shantazhet, dhunën ndaj gazetarëve edhe kur vijën nga anëtarë të PD apo jo anëtarë, të cilët deri në këtë moment kanë menduar njësoj si unë. Unë nuk asistoj veprime të ndryshëm për faktin se ata ndodhen një palë brenda PD", tha Bardhi.

Ora 11:16
Çfarë tha Açka në mbledhjen e Kryesisë së PD-së? Deputetja kundër bashkimit me Berishën: Ora politike e tij ka përfunduar

1686215870_Capture.JPG

Deputetja e PD-së, Flutura Açka ka publikuar fjalën e saj të plotë në mbledhjen me tensione të Kryesisë së PD-së. Në fjalën e saj, Açka edhe pse nuk e kishte përmendur kurrë, doli kundër Berishës dhe përfshirjes së tij sërish brenda PD. Me këtë frazë, Açka nënkuptoi se nuk ishte pro bashkimit me të.

Fjala e Açkës:

Kur hyra në sallë, dikush prej jush më tha me gëzim se sa mirë që kisha ardhur, sepse po i sillja ca poezi kësaj mbrëmjeje të zymtë. Në të vërtetë, u duk si e zymtë në fillim, por me sa po shoh, është një mbrëmje plot pathos.

Të jem e sinqertë me ju, më ka ndodhur ndonjëherë që kolegë të mi në politikë, madje ka edhe në këtë sallë, të më thonë se unë nuk jam politikane. E vërtetë është. Dikush, emri i të cilit nuk më kujtohet tani, ka thënë diku se “politika është një gjë aq serioze, sa nuk mund t’i lihet në dorë politikanëve”. E shpjeguar kështu, ndihem shumë mirë që nuk jam politikane.

Nuk duhet t’i kthehem sërish çështjes së debatit mbi kandidaturat për kryetarë bashkish në zgjedhjet e 14 majit, pasi e kam shpjeguar disa herë edhe me detaje qasjen time. I mbetem mendimit se ka qenë e gabuar që nuk dolëm me kandidatët tanë kudo, sigurisht shumë kohë përpara, pra në kohën e duhur, në mënyrë që ta kishim më të lehtë të negocionim në fund edhe me Rithemelimin për kandidatë të përbashkët. Kam qenë mes atyre që kam bërë thirrje që në situatën e krijuar para regjistrimit të kandidaturave, demokratët të gjenin zgjidhjen mes tyre, gjë që nuk ndodhi dhe ky është një debat i gjatë. Duke mos nxjerrë kandidatë, ne i treguam shqiptarëve se sa të dobët ishim, dhe pavarësisht arsyeve të drejta, ky ishte perceptimi, dhe rezultati.

Demokratët i shoh shumë të lodhur, aq sa është e vështirë t’u shpjegosh se çfarë do të bëjmë të gjithë bashkë pas humbjes së thellë të 14 majit. Po çfarë bëmë në fakt ne pas humbjes së 14 majit? Në vend që të mblidheshim menjëherë dhe të diskutonin se pse humbëm dhe se ç’do të bëjmë më tej me këtë parti, ne prodhuam ngjarje pas ngjarjesh dhe e çoroditëm opinioni publik, në mënyrë që ai të mos merrej me analizën e humbjes së opozitës, të humbjes që pësoi veçanërisht koalicioni opozitar, pra vetë Berisha. Mund të ishin të gjitha të rastësishme, por ato e akomoduan Berishën.

Pse nxituam aq shumë, nuk prisnim dot ne disa ditë? Filluam qysh të nesërmen të mblidhnim firma lart e poshtë për të hequr Enkelejd Alibeajn si kryetar i grupit parlamentar, i cili do të ikte gjithsesi. Tri ditë u mor media me ne, me firmat tona lart e poshtë. Menjëherë dha dorëheqjen kryetari i komanduar, mbase nën këtë trysni që po them. Unë nuk e di të vërtetën e dorëheqjes së tij, sepse e gjykoj të nxituar, por disa ditë sërish media u mor me këtë ngjarje. Pas saj menjëherë u vendos kryesimi i grupit parlamentar nga z. Bardhi dhe edhe kjo mori disa ditë kohë në media. Të gjitha këto e shfokusuan vëmendjen nga humbja që duhej të diskutohej gjerësisht në publik, por media sërish u mor me ne.

I respektoj kolegët që flasin për bashkim, se nuk duhet të kalojmë në zgjedhje në parti dhe ristrukturimin e partise në të gjitha nivelet pa u bashkuar me parë. Po si do të bashkohemi, na e thoni se si do të ndodhë kjo, dhe  kur do të ndodhë? Ju nuk e doni më shumë se unë Sali Berishën, por unë kam nevojë ta shoh të vërtetën në sy për të gjithe ne. Nuk jam marrë kurrë me Non Grata-n e tij, por jam e bindur në një gjë që e kam thënë publikisht shpesh: ora politike e zotit Berisha ka mbaruar dhe ai nuk mund t’i çojë demokratët në fitore, aq më shumë me këtë frymë që kemi mes nesh. Sikurse shumë prej jush, edhe unë jam ndier shpesh e fyer nga etiketimet e shëmtuara që na janë bërë poshtë e lart. Nuk po qahem, por po shpjegohem për fjalët me të cilat jemi etiketuar: lëvozhga, të shitur, paterica, e gjithfarë. Si mund të bashkohesh me këtë lloj mjedisi që është krijuar?

Siç ju thashë, demokratët janë shumë të lodhur, madje edhe nervozë me ne. Këto ditë u mblodh grupi parlamentar ku unë nuk mora pjesë dot, pasi isha në një shërbim jashtë vendit. Aty është marrë një vendim për të cilin nuk di ç’të them nëse do ta miratoja në të gjithë paragrafët e tij, por meqenëse është vendim shumice, nuk e përjashtoj dot. Në të kanë marrë pjesë edhe dy kolegë të mi të nderuar deputetë të Elbasanit dhe nuk e di nëse jua kanë transmetuar atë ditë në mbledhje propozimin e Kryesisë së Partisë Demokratike të Degës Elbasan të mbledhur para disa ditësh. Ja si është e vërteta:

Për shkak të disa intervistave dhe titujve të portaleve dhe meqenëse ishim para kësaj mbledhjeje të Kryesisë së PD-së, disa prej anëtarëve të Kryesisë së PD-së Dega Elbasan, më telefonuan të shqetësuar dhe kërkuan me këmbëngulje mbledhjen e Kryesisë së Dedës së PD-së Elbasan. Me mirëkuptim të plotë mes anëtarëve, në mbledhje u morën vendime dhe u kërkua me insistim në prani të të tre ne deputetëve ta përcjellim propozimin e tyre për organizimin e Partisë Demokratike këtu.

E lidhur me ta fort në ketë qëndresë të gjatë që kemi bërë bashkë, e kam ndier për detyrim të shënoj me kujdes propozimin e tyre, të cilin kam detyrimin t’jua bëj me dije sot. Dega e PD-së Elbasan kishte ndër rezultatin më të mirë në zgjedhjet e 14 majit, dhe edhe pse mes humbjes së përgjithshme nuk ka vend për ndonjë entuziazëm, këtë rezultatin relativisht të mirë të marrë prej punës dhe qëndreës së tyre, e vlerësoj shumë.

Pas diskutimeve kryesia e Degës Elbasan bëri tre propozime për t’ia sugjeruar Kryesisë e PD-së, arsye edhe pse jam këtu sonte:

-Të kryehet certifikimi i anëtarësisë menjëherë, proces që do të dojë, sipas tyre, 2-3 javë intensive pune.

-Të hapet gara për kryetarin e Partisë Demokratike dhe zgjedhja të bëhet brenda mesin apo fundit të muajit korrik 2023 konform rregullave të përcaktuara në statutin e Partisë Demokratike.

-Gara për zgjedhjen e kryetarit të PD-së të jetë e pastër e të mos përsëritet kurrësesi ngjarjet e shëmtuara që kanë ndodhur në zgjedhjet e verës së vitit 2021 për kryetar partie. Pastërtia e garës duhet të jetë kusht, nëse dëshironi mbështetjen tonë.

Pra, që të konkludoj, duke e lidhur çdo proces në Partinë Demokratike me 2 B-të ku kemi mbetur peng, ne e kemi mbledhur partinë, e kemi zvogëluar shumë. E kam parë zotin Basha që ka dalë këto javët e fundit në takime nëpër Shqipëri. Unë nuk do t’ia kisha këshilluar ta bënte këtë që po bën. Më duket një imitim i asaj që ka bërë dikur zoti Berisha, por zoti Berisha bënte Foltore, zoti Basha po bën Dëgjimore. Mund ta bënte këtë nëse do të hynte në garë, pikërisht atëherë kur të hynte në garë. Por ky është një problem i tij.

Sot po flasim për procesin dhe ai nuk duhet të lidhet me asnjë emër, do të hyjmë apo jo në zgjedhjet për kryetarin e partisë. Pasi nëse nuk e kemi kryetarin e partisë, demokratët nuk vendosin të rrinë me ne apo jo, pasi nuk dinë me kë ta lidhin përfshirjen e tyre, as ata nga jashtë kur të vijë koha për ta hapur partinë, një gjë që duhet ta bëjmë brenda disa muajve dhe me cilësisht të lartë dhe me garë.

Vetëm gara e ndershme, do të na nxjerrë me dinjitet para demokratëve, përndryshe vetëm do të përsëritim veten. Ne nuk duhet të bëjmë një parti antiBerishë, siç shpesh dëgjoj të thuhet e të veprohet. Ne duhet ta ringrejmë, ta bëjmë të besueshme dhe fituese Partinë Demokratike.

 

Ora 11:03
Gështenja zbulon prapaskenat e përplasjeve në mbledhjen e Kryesisë: Jemi kërcënuar, nëse s’do ishin gazetarët do ishte fizike

 

Nëse s’do ishin gazetarët, përplasja mes deputetëve mbrëmjen e 5 qershorit do ishte kthyer në fizike. Kjo ishte deklarata e deputetit të PD-së, Lefter Gështenja i cili bëri me dije se në mbledhjen e Kryesisë është kërcënuar nga disa deputetë.

“Askush nuk duhet të nxitojë për të marrë vendimet e PD. Ajo që kërkoj është që duhet t’i japim frymëmarrje. Do jetë krejt e lexueshme nesër. Ajo që ka ndodhur atë natë ka qenë më shumë sesa e turpshme, krejtësisht e papranueshme dhe nuk duhet të ndodhë më. Më kërcënuan dhe mua dhe kolegë të tjerë. Falë gazetarëve nuk pati përplasje fizike. Unë e fut veten tek njerëzit që kërkoj që demokratët të bashkohen.

Duhet të bashkohen demokratët, s’na bëjnë emrat. Ne duhet të kontribuojmë për një PD më e madhe se e djeshmja dhe e madhe se ajo e 2021. Ne duhet të vrapojmë për ta bërë PD më të madhe. Nëse duam një partiçkë të vogël do vijojë kjo situatë. Këto kryetarët kanë bërë ndonjë shkollë dhe vetëm ata e bëjnë? Unë mendoj se ka kandidatë shumë të mirë brenda PD për njerëz të denjë. Askush s’ka frikë nga gara dhe askush s’ka frikë nga vota.

Nëse nuk rrisim besimin brenda demokratëve se bëjmë dot as te shqiptarët.

Ora 11:01
A do e mbështesë Bashën për kreun e PD-së? Alibeaj: Ka të drejtën të kandidojë kushdo

Enkelejd Alibeaj është pyetur nga gazetarët nëse do të mbështesë Lulzim Bashën, nëse ky i fundit do të rikandidojë për kreun e PD-së. Alibeaj tha ka të drejtën të kandidojë kushdo që dëshiron.

"Diskutim që e refuzoj. Unë mbështes një parti me rregulla statutore demokratike, pushtet të ndara që kontrollojnë kryetarin, me pushtet që delegohen, me pushtet të decentralizuar.  Kërkohet një rindërtim i PD-së, nuk do duhet shfokusuar nga fakti se kush do jetë kryetar. Ka të drejtën të kandidojë kushdo”, tha Alibeaj.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Ish ministri dhe ish kryebashkiaku i Sarandës Stefan Çipa në SPAK

Ish ministri dhe ish kryebashkiaku i Sarandës Stefan Çipa në SPAK