Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin e deputetit Flamur Noka pas kaosit që shkaktoi në seancën e ditës së djeshme (21 dhjetor) ku u votua pro heqjes së imunitetit të deputetit Sali Berisha i cili po hetohet nga SPAK nën akuzën e korrupsionit pasiv për aferën e privatizimit të kompleksit 'Partizani'.

Mësohet se në kërkesën e socialistëve drejtuar sekretariatit të Etikës, është vetëm emri i Flamur Nokës. Ky i fundit në seancën e djeshme përmbysi karriget, fyeu punonjësit e Gardës si dhe ndezi tymuese në sallën e Kuvendit, duke rrezikuar kështu përjashtimin deri në mars nga Kuvendi sipas rregullores së re që ka hyrë në fuqi nga dita e hënë (18 dhjetor).