Tetë vite ka zgjatur presidenca e Gabriele Gravinës në krye të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC). I zgjedhur në këtë post për herë të parë më 22 tetor 2018 (u rizgjodh në shkurt 2025), dështimi i kombëtares italiane të futbollit për të shkuar në Kupën e Botës për herën e tretë radhazi (e dyta nën drejtimin e tij) ka sjellë pasoja; me 72-vjeçarin që ka paraqitur dorëheqjen në mbledhjen e sotme të Bordit të FIGC, duke mos mbyllur mandatin e tij të tretë në këtë detyrë.
Në fillim të mbledhjes e cila nisi sot në orën 14:30, Gravina ka njoftuar dorëheqjen nga posti i presidentit duke i hapur rrugën zgjedhjeve të reja për kreun e FIGC të cilat janë planifikuar për t'u mbajtur më 22 qershorin e këtij viti. Falë 'kulturës së dorëheqjes' pas dështimit, mandati i tij nuk do të përfundojë në fundin e shkurtit 2028, por sot. Ai është edhe një nga zëvendëspresidentët e UEFA-s, njëjtë si kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka, i cili ndryshe nga standardi italian duket se nuk e ka në plan të dorëzojë dorëheqjen pavarësisht se kombëtarja shqiptare nuk e arriti objektivin për kualifikimin në botëror. Në Shqipëri, rrufetë e mallkimet po bien mbi trajnerin Sylvinho. Ndërsa presidentit të Federatës së futbollit, Armando Duka, me 7 mandate radhazi (i fundit në shkurt të këtij viti), nuk i preket as qimja.
Dështimi ka sjellë pasoja dhe Gravina e shprehu edhe pas humbjes në Bosnje Hercegovinë se do mbante përgjegjësi, duke i hapaur rrugën kështu rimëkëmbjes së futbollit italian.
GATTUSO DHE BUFFON - Mediet në Itali bëjnë me dije se pas zyrtarizimt të dorëheqjes së Gravinës, do dorëhiqen edhe trajneri Gennaro Gattuso, si edhe kreu i delegacionit të Italisë në futboll, Gianluigi Buffon. Dyshja kishin kërkuar të largoheshin që pas ndeshjes së humbur me 11 metërsha në Zenica, por Gravina i frenoi.
PËRPLASJET - Pas dështimit të tretë radhazi dhe deklaratave që Gravina bëri pas ndeshjes Bosnje - Itali ("asnjë ndihmë nga politika për futbollin", "futbolli është një sport profesional, të tjerët janë sporte amatore"), tifozët kërkuan dorëheqjen e tij, të cilëve iu bashkuan edhe përfaqësues nga politika dhe bota e sportit.
Ministri i Sporteve Andrea Abodi ishte shumë i ashpër: "Nuk mjafton thjesht t'i hedhim fajin të tjerëve duke thënë se pritej më shumë nga institucionet. Unë besoj se është e padrejtë t'i akuzojmë ata për dështim të supozuar dhe të nënvlerësojmë rëndësinë dhe profesionalizmin e sporteve të tjera. Futbolli duhet të rindërtohet, duke filluar nga lart; do t'i kërkoj Gravinës të japë dorëheqjen."
PASUESI - Kandidatët më të mundshëm për pasardhës të Federatës duket se janë ish-presidenti i CONI-t, Giovanni Malagò dhe favoriti kryesor, Giancarlo Abete (ish-president i FIGC-së nga viti 2007 deri në vitin 2014 dhe tashmë një kandidat potencial për të pasuar Gravinën pas Kampionatit Evropian 2024). Ndoshta ata do të jenë në një garë me Matteo Maranin, presidentin e Lega Pro. Edhe Demetrio Albertini është në garë.
Tani priten dorëheqjet e Gigi Buffon dhe Rino Gattuso, të cilët donin të jepnin dorëheqjen pas ndeshjes “play-off” kundër Bosnje Hercegovinës (vetë Gravina e pengoi). Trajneri do të largohet me një rekord prej gjashtë fitoresh, një barazimi (në Zenicë, para gjuajtjes fatale të penalltive) dhe një humbjeje (kundër Norvegjisë). Por më e rëndësishme se shifrat, të cilat në fund të fundit nuk dhanë rezultatin e dëshiruar, është marrëdhënia që Gattuso ka ndërtuar me lojtarët, të cilët janë po aq të lidhur me fanellën e kaltër sa kanë qenë prej një kohe të gjatë. A do të mbetet kështu edhe pa “Ringhion”? Pritet të shihet.
TRAJNERI I RI - Kushdo që do të jetë pasardhësi i Gravinës pas zgjedhjeve të 22 qershorit, fokusi do të jetë te një trajner me reputacion të lartë që do të përpiqet ta ndryshojë ekipin kombëtar, qoftë Antonio Conte, Roberto Mancini, Simone Inzaghi apo Massimiliano Allegri, duke supozuar se plotësohen kushtet për largimin e tyre nga klubet përkatëse. Sa i përket trajnerit të Napolit, nuk është sekret se ai ka dëshiruar një rikthim në stolin e kombëtares për vite me radhë.

Gabriele Gravina nuk është më kreu i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC). I zgjedhur për herë të parë më 22 tetor 2018 dhe i rizgjedhur pak më shumë se një vit më parë, 72-vjeçari u dorëhoq pas dështimit të kombëtares italiane të futbollit për të marrë pjesë në Botërorin e tretë radhazi (i dyti nën mandatin e tij). Mes keqardhjes e ndjesës për reagimet dhe fjalët pas humbjes në Bosnje Hercegovinë, ai thotë se është gati për të dhënë shpjegime para Dhomës së Deputetëve. Zgjedhjet e reja për kreun e FIGC janë parashikuar për në datën 22 qershor 2026.
Njoftimi i plotë i Federatës Italiane të Futbollit:
Një takim midis Presidentit Gabriele Gravina dhe presidentëve të përfaqësive federale u zhvillua sot në selinë e FIGC në Romë. Në fillim të takimit, Gravina informoi përfaqësuesit kryesorë të Ligës së Futbollit Serie A (Ezio Maria Simonelli), Ligës B (Paolo Bedin), Ligës Pro (Matteo Marani), Ligës Kombëtare Amatore (Giancarlo Abete), Shoqatës Italiane të Futbollistëve (Umberto Calcagno) dhe Shoqatës Italiane të Trajnerëve të Futbollit (Renzo Ulivieri) se kishte dhënë dorëheqjen nga pozicioni që i ishte besuar në shkurt 2025 dhe se kishte thirrur Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore të FIGC për 22 qershor në Romë.
Data u zgjodh në përputhje të plotë me Statutin Federal dhe për të siguruar që qeverisja e re të mund të përfundonte procedurën e regjistrimit për kampionatet e ardhshme profesionale.
Gjatë takimit, Gravina gjithashtu falenderoi anëtarët për mbështetjen, si publikisht ashtu edhe privatisht, të afërsisë dhe mbështetjes së tyre për të dhe informoi presidentët se ishte i gatshëm të merrte pjesë në seancën dëgjimore. Më 8 prill (ora 11:00) në Komitetin e 7-të për Kulturë, Shkencë dhe Arsim të Dhomës së Deputetëve, ai do të raportojë mbi gjendjen e futbollit italian.
Presidenti Gravina do të paraqesë një raport të detajuar dhe të plotë mbi pikat e forta dhe të dobëta të lëvizjes, duke përfshirë disa nga çështjet që ai trajtoi në konferencën për shtyp të mbajtur pas ndeshjes së ekipit kombëtar në Zenicë të martën, më 31 mars.
Në këtë drejtim, Gravina shprehu keqardhje për interpretimin e vërejtjeve të tij në lidhje me ndryshimin midis sporteve amatore dhe profesionale.
Këto vërejtje nuk kishin në asnjë mënyrë për qëllim të ofendonin ndonjë sport të veçantë, por përkundrazi ishin një referencë për rregullat dhe rregulloret e ndryshme të brendshme (për shembull, prania e disa Federatave të Ligave me autonominë e tyre përkatëse në qeverisjen e klubit) dhe ato të jashtme (me referencë specifike për natyrën korporative të klubeve profesionale të futbollit, të cilat duhet të jenë në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar të ndryshëm nga klubet amatore).

Ish-trajneri italian, Fabio Capello, ka reaguar ashpër pas dështimit të Italisë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, duke e cilësuar situatën si një nga momentet më të errëta në historinë e futbollit italian.
Në një prononcim për 'Marca', Capello nuk e fshehu zhgënjimin.
“Nuk munda të flija gjithë natën, ende nuk mund ta besoj atë që ndodhi. Po flasim për një ekip katër herë kampion bote, kjo është një tragjedi sportive, një turp", tha ai fillimisht.
Ai theksoi se situata është e papranueshme për një komb me traditë të madhe si Italia, duke e cilësuar këtë dështim si një nga ngjarjet më negative në historinë e futbollit të vendit.
Capello drejtoi kritika të forta edhe ndaj drejtuesve të Federatës Italiane të Futbollit, duke përmendur drejtpërdrejt presidentin Gabriele Gravina.
“Askush nuk po jep dorëheqjen dhe kjo është gjëja më shqetësuese. Personi i parë që duhet të marrë përgjegjësinë është presidenti, së bashku me të gjithë drejtuesit”, tha 79-vjeçari.
Sipas tij, zgjidhja kërkon një analizë të thellë dhe një rindërtim total.
“Duhet të sjellim ekspertë, të kuptojmë çfarë nuk funksionon dhe të nisim nga baza. Problemi nuk është vetëm rezultati, por është strukturor", vijoi ai.
Në fund, Capello pranoi se rikuperimi do të jetë i vështirë, por shprehu besimin se kjo krizë mund të shërbejë si pikënisje për një rilindje të futbollit italian.
“Italia duhet të rishpikë veten. Për një vend si ky, mungesa për herë të tretë në Botëror është shumë e vështirë për t’u pranuar", mbylli Capello.
Situata te Italia e futbollit vijon të jetë e tensionuar pas dështimit të tretë radhazi për t’u kualifikuar në një Kupë Bote, duke sjellë zhvillime të rëndësishme.
Trajneri aktual, Gennaro Gattuso, është shumë pranë largimit nga drejtimi i kombëtares së kaltër, pasi nuk arriti të përmbushë objektivin kryesor të vendosur nga Federata Italiane e Futbollit.
Në kërkim të një tekniku të ri, drejtuesit italianë kanë nisur të shqyrtojnë disa kandidatura të njohura. Një rikthim i mundshëm është ai i Roberto Mancinit, i cili mbetet një opsion serioz pas eksperiencës së tij jashtë Evropës. Në të njëjtën kohë, në listë qëndron edhe Antonio Conte, i vlerësuar për eksperiencën dhe karakterin e tij fitues, ndërsa e ardhmja e tij te Napoli mbetet e paqartë. Conte e ka kërkuar edhe herë tjetër një rikthim te Italia.
Një alternativë tjetër është Silvio Baldini, aktualisht në krye të përfaqësueses U-21 të Italisë. Po ashtu, mediet në Itali përmendin edhe emrat e Massimiliano Allegrit dhe Simone Inzaghit. Një dëshirë është edhe Pep Guardiola, që më shumë do ishte një ëndërr se realitet sportiv.

Pas ndeshjes hapëse kundër Ganës në Botërorin e vitit 2006 të fituar nga Italia, 'Gazzetta dello Sport' publikoi një foto të një djali bjond me një buzëqeshje të ëmbël, me flokë e faqe të lyera dhe fjalën "Italia" të shkruar në ballë. Ai u bë maskota e Italisë gjatë gjithë Kupës së Botës 2006. Bir i një nëne siciliane dhe një babai gjerman, Christian ishte 10 vjeç në atë kohë.
Sot ai është 30 vjeç, i diplomuar dhe një profesionist i shkëlqyer në Stokholm, ku jeton me të dashurën e tij suedeze, me të cilën do të martohet së shpejti. Të martën, ai ishte në stadium me miqtë për ndeshjen Suedi - Poloni.
"Po e ndiqja ndeshjen Bosnje - Itali në telefonin tim. Suedia avancoi, por ne jo. Edhe këtë herë, fëmijët italianë nuk do ta përjetojnë kurrë emocionin dhe krenarinë që ndjeva unë. Gjermani - Itali, kulmi... Gjuajtja e Del Pieros për golin 2-0 dukej se më goditi në fytyrë, isha menjëherë pas portës. E pamë finalen në Romë dhe pastaj festën në Circus Maximus", tha ai.
Ja kolapsi shoqëror i shkaktuar nga 'Apokalipsi i tretë'. Zakoni. Kupat e Botës '86, '90, '94, '98: Platini, Maradona, Brazili dhe Zidane na eliminuan. Ata ishin konkurrentët tanë. Ne darkuam në tryezën e mbretërve. Tani na kanë eliminuar me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinën. Nuk na lënë më të ulemi në Kupën e Botës.
Fisnikë të rënë, po mësohemi me një mjerim të ri, ushqehemi në mensa supe. Krenaria e përkatësisë është ura që bashkon ata që janë larg atdheut të tyre. Thyerja e saj është krim.
"Ne jemi italianë, të mirë në gatim dhe në futboll", përsërisnin njerëz si Christiani nëpër botë. E tëra çfarë na ka mbetur janë spaghettit. Për krenarinë sportive, duhet të pyesni 'amatorët' e Gravinës./ Gazzeta dello Sport

Kreu i UEFA-s, Aleksander Ceferin i ka dalë në mbrojtje presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, me këtë të fundit që është në qendër të kritikave pas eliminimit të kombëtares së kaltër nga Kupa e Botës 2026.
"Kur isha president i federatës sllovene, gjithmonë i thoja trajnerit: 'Nëse fiton, ti dhe lojtarët do të jeni heronj. Nëse humb, faji do të bjerë mbi ne të dy'. Kjo absolutisht nuk është faji i Gabrieles dhe unë nuk do të guxoja të sulmoja as lojtarët dhe as trajnerin.
Ndoshta janë politikanët italianë ata që duhet të pyesin veten pse Italia ka një nga infrastrukturat më të këqija të futbollit në Evropë...", këto janë fjalët e presidentit të UEFA-s, Ceferin, në lidhje me përgjegjësinë e Gravinës për dështimin e tretë të 'Azzurrëve' në Kupën e Botës.
Një thirrje për dorëheqje? Slloveni shton: "Më zemëron dhe më trishton fakti që ka njerëz që 'fshehurazi' presin që diçka të shkojë keq dhe pastaj hidhen në sulm dhe fillojnë të kritikojnë. Ata nuk po mbështesin Italinë, po mbështesin veten.
Më tregoni cili lojtar italian nuk u thirr dhe duhej të ishte thirrur? Është futboll dhe edhe me lojtarët më të mirë në fushë, kushdo mund të humbasë në një ndeshje. Por humbja më e madhe do të ishte për FIGC-në. Nuk do të jetë e lehtë të gjesh një zotëri që e do aq shumë futbollin dhe Italinë. Por nuk jam aq naiv sa të besoj se njerëzit egoistë, të cilët thjesht presin që diçka të shkojë keq, mendojnë për këtë. Nuk u intereson", tha Ceferin.

"Italia e eliminuar nga Bosnja? Diçka ndodhi në vitin 2006, lodra u thye sepse ata e shkatërruan Juventusin, i cili i kishte dhënë pesë lojtarë ekipit kombëtar italian dhe katër ekipit kombëtar francez dhe po luftonte për titullin. Atmosfera ndryshoi, ata donin ta shkatërronin Juventusin dhe ekipi kombëtar u thye. A e mbani mend çfarë tha Giraudo? 'Po ikim, do ta shihni kush do të vijë'. Që kur erdhi Gravina, ne jemi eliminuar në raundin e parë dhe herë të tjera nuk jemi kualifikuar.
Nëse Bonaparti tha se preferonte gjeneralët me fat sesa ata të mirët, Gravina nuk është asnjëri. Tani ai fshihet pas Këshillit Federal, ku e di se mund të gjejë miq."
Kjo është ajo që Luciano Moggi, ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, i tha 'TuttoMercato' në lidhje me eliminimin e Italisë të martën në mbrëmje kundër Bosnjes. Prandaj, të kaltrit nuk do të marrin pjesë në Kupën e Botës.
"A është e drejtë të pritet largimi i Gravinës?
Duke folur me njerëzit e duhur, thashë: kini kujdes, ai mund të qëndrojë. Megjithatë, për herë të parë, Ministri Abodi ka folur publikisht dhe kjo na jep shpresë.
Drejtor, si mund të fillojmë nga e para?
Nëse lojtarët italianë nuk luajnë në Itali, bëhet e ndërlikuar. Shikoni numrin e të huajve. Nuk ka vend për italianët. Pastaj kemi edhe një problem tjetër, marrim rezerva nga ekipet e tjera dhe u japim titullarë, shikoni Malen. Me sa duket, futbolli ynë është më i dobët. Gjithçka duhet të rregullohet. Kur ndodhin këto gjëra, duhet të rivendosësh gjithçka.
Gattuso?
Ai është i vetmi që e do futbollin. Dhe lotët në TV ishin të vërtetë. Disa mund të thonë se ai nuk është i aftë të stërvitë ekipin kombëtar, por ai është një person i mirë që përfundoi atje rastësisht. Duhen të paktën tre ose katër vjet për t'u rikthyer në rrugën e duhur. Shikoni akademitë e të rinjve, gjithçka duhet të ndryshojë. Ekipet italiane kërkojnë të huaj, nëse dikush del në pah, fiton para. Dhe kjo nuk është mirë për futbollin italian", tha Moggi.
Komente











Italisë i duhet një shkollë e re futbolli. E béri këtë Franca, spanja, portugalia dhe ja ku janë.
PërgjigjuPërse nuk marin Dukën e drogës këta italianët..
PërgjigjuGatusso do te behet trajner i shqiperise me shume mundesi
Përgjigju