Kryetari i partisë ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, ka kritikuar aksionin politik të kryedemokratit Sali Berisha, për bojkotimin e Komisionit për Reformën Territoriale.
Teksa ishte i ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, Lapaj tha se PD nuk duhet të dalë nga institucionet, pasi sipas tij, në këtë mënyrë favorizon kryeministrin Edi Rama, siç ndodhi pas bojkotimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2019.
Lapaj shtoi se opozita duhet ta zhvillojë betejën e saj si brenda institucioneve, por edhe në sheshin para Kryeministrisë përmes protestave.
“Unë mendoj që gabimi më i madh është që kur ka dalë që herën e parë. Nuk mund të dilet nga institucionet. Duhet luftuar në çdo front dhe duhet luftuar për të mos lejuar që institucionet të mos delegjitimohen. Në 2019 dolën këta nga zgjedhjet bashkiake, i bënë zgjedhjet vetëm ata, morën bashkitë, morën 20 mijë vende pune, reformën territoriale e bënë vetë. Kur ti e ndan mendjen që do luftosh politikisht me kundërshtarin, nuk luftohet duke i dhënë atij çdo mekanizëm juridik në tavolinë. Luftohet duke qëndruar fortë aty dhe nga ana tjetër duke e rrethuar dhe duke e luftuar në shesh”, tha mes të tjerash Lapaj.
Po ashtu Lapaj foli edhe për protestat e opozitës, për të cilat tha se në situatën e sotme politike, janë e vetmja mënyrë për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama dhe ngritjen e një qeverie tranzitore e cila sipas tij do ta përgatiste vendin për zgjedhje të parakohshme.
Lapaj vijoi më tej duke thënë se nëse opozita nuk do të protestojë dhe nëse gjithçka në politikën shqiptare do të vijojë në mënyrën siç aktualisht po zhvillohet, kryeministri Edi Rama ka për t’i fituar më thellë zgjedhjet e vitit 2029.
“Pa opozitë nuk ka organizim në çdo vend. Nuk është e lehtë që qeveria të bjerë nga protestat. Ne jemi duke folur për qeveri tranzitore, e cila duhet ta vendosë vendin në kushtet e administrimit të përkohshëm 12 mujor për ta përgatitur vendin për zgjedhje. Sepse është fakt që në Shqipëri nuk ka zgjedhje. Fakti është që sot Shqipëria nuk është në kushte normale. Në 2029 po shkoi kështu si jemi, Edi Rama do të shkojë shumë më i fortë sesa ka ardhur deri më sot. Ajo që nuk të vret, të bën më të fortë. Ajo që po ndodh tani, do i kthehet në vaksinë të një imuniteti politik që do ta mbrojë totalisht”, shtoi Lapaj.
Komente










