TIRANE- Në spitalin e Traumës, fati është i ndarë mes jetës dhe vdekjes. Çdo ditë në ato krevate shtrihen, rënkojnë, sforcohen për të ndjerë sa më pak dhimbje nga dëmtimet që kanë pësuar, fëmijë, të rinj dhe të moshuar.

Familjarët e tyre i sheh gjithmonë të trishtuar pas dyerve, në dhoma për të ofruar përkujdesje ose në kërkim të infermierëve për të marrë një ndihmë. Prej kohësh spitali i Traumës, në koridoret e tij ka një paciente të cilën mund ta shoh çdo kush, por që natyrshëm e harron mes neglizhencës.

Një grua e moshuar rreth të shtatëdhjetave ndodhet prej muajsh koridorin që lidh sallën e reanimacionit me pavionin në të cilin bëhen grafitë dhe ndodhen të shtruarit që kanë fraktura të ndryshme në trup.

E ardhur pas një aksidentit të bërë nga pakujdesia e saj, pasi iu nënshtrua kontrolleve dhe përkujdesjes së mjekëve ajo ndryshe nga çdo pacient tjetër, refuzoi të largohej. E moshuara jetonte e vetme e braktisur nga familjarët e saj.

Për të nuk ishte interesuar askush, dhe ajo nuk donte të shkonte askund. Të qenurit rezidente e Spitalit të Traumës, për të ishte zgjidhja më e mirë, pasi në këtë mënyrë do të kishte të siguruar edhe përkujdesin shëndetësor dhe ushqimin falas. Por e moshurara përpos problemeve shëndetësore që i kishte shkaktuar aksidenti, rezultonte të kishte edhe probleme mendore të cilat e bënin të pamundur qëndrimin e saj në të njëjtat dhoma me pacientët e tjerë. Për të aktualisht është rezervuar cepi i njërit prej koridoreve të spitalit të Traumës, si vendi në të cilin duhet të qëndroj gjatë të gjithë 24 orëve.

Të gjithë e dinë se ajo zonjë që fshihet pas atyre batanijeve të vjetëruara nuk duhet të qëndrojë aty, por askush nuk merr masat për ta rehabilituar në një qëndër specifike mjekësore të shëndetit mendor.

E moshura sheh këdo që kalon në ato koridore, madje nuk rezervohet të japë edhe komente për secilin prej familjarëve që mes problemeve që kanë nuk ngurrojnë ta përshëndesin me një buzëqeshje.

“Ç’keni që më shikoni, nuk po ha bukën tuaj, por të spitalit”, i drejtohet disa grave e moshurara teksa është duke ngrënë një pjatë supë, që iu servir nga një prej infermiereve të spitalit.
 
Të gjithë e shohin çuditshëm por pasi i hedhin një vështrim me keqardhje e harrojnë dhe largohen. “ Këto më vjedhin lekët e pensionit, m’i marrin të gjitha”, thotë me zë të ulët e moshura teksa drejton gishtin drejt infermiereve.  Burime pranë Spitalit të Traumës, tregojnë se gruaja e moshuar, tashmë që ka marë gjithë përkujdesjet e nevojshme shëndetsore mund të largohet nga spitali, por kjo gjë bëhet e pamundur për shkak të refuzimit që ajo bën.

“ Tani gjendja e zonjës, është  stabilizuar dhe nuk është e nevojshme të qëndrojë në ambientet e spitalit, por duke qënë se ajo është e braktisur dhe ka nevojë për përkujdesje specifike vazhdon të jetë nën kujdesin tonë”, tregon njëra prej infermiereve të spitalit të Traumës. Ndërkohë që qëndrat spitalore ende nuk kanë gjetur një zgjidhje për të moshurën, ajo i ngrys ditët e saj në cepin e atij koridori të zhurmshëm.

Shkrimi u publikua sot (13.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)