Tirana, 400 vjet qytet e 94 vjet
kryeqytet,aktivitete gjithë vitin

Tirana, 400 vjet qytet e 94 vjet<br />kryeqytet,aktivitete gjithë vitin
TIRANË- Bashkia e Tiranës ka vendosur që në 400 vjetorin e themelimit të Tiranës të kujtojë dhe nderojë familjet e mëdha dhe të vjetra të këtij qyteti, momente e vende historike.
Duke nisur nga sot e deri në fund të vitit, Bashkia ka planifikuar një sërë aktivitetesh, mes të cilave edhe një konferencë shkencore për të evokuar historinë e qytetit të Tiranës.
Kjo u bë e ditur në një koncert festiv që u zhvillua sot, në 94 vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet dhe në 400 vjetorin e themelimit të saj.

Kryebashkiaku Basha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij kanë ndjekur nga afër këtë koncert, që shënon dhe hapjen e festimeve për 400 vjetorin e themelimit të qytetit të Tiranës. Ansambli Tirana dhe këngëtarët e njohur Nurie Myftari, Bashkim Sinani, Iris Bega, Bujar Çiçi, Pajtim Struga, Valbona Halili dhe Artan Kola sollën muzikën dhe vallen e bukur të Tiranës.

Nderimi dhe mirënjohja u shkoi sot familjeve të shquara dhe patriote të Tiranës, Toptanëve, Gjinalëve, Kalliu, Beshiri, Petrela, Bakiu, Turdiu, Jarani, Preza, Llagami, Fortuzi, Dalliu, Myderizi, Mara, Ndroqi, Hallulli, Këlliçi, Karapici, Stërmasi, Begeja e shumë të tjerë, që bënë të mundur që Tirana të bëhet qyteti i shpresës për çdo shqiptar.

Gazment Bakiu, djali i Ali Bakiut, kryetar i Bashkisë së kryeqytetit në 1945-'46 ka sjellë në vëmendje vepra dhe momente të rëndësishme historike për Tiranën në këtë 400 vjetor.  “Nuk ka si të ketë ndonjë trevë tjetër në Shqipëri që të ketë 10 kala mijëra vjeçare. Një bazilikë që në shekullin V pas Krishtit dhe gjetje të panumërta arkeologjike, ashtu si treva jonë. Si rrallë qytet, Tirana e sotme ka të përcaktuar një vit themelimi, një themelues, një shqiptar, Sulejman Pashë Bargjini-Mulleti. Një personazh sa mitik po aq historik, i cili në atë natën e errët të sundimit osman i dha jetë një qyteti, që sot është kryeqendra e shqiptarëve. Përcaktimi i saktë i vitit 1614 si viti i themelimit u bë për herë të parë nga Sami Frashëri. Në shekujt që pasuan, Tirana u rrit, u zmadhua, u begatua me punën e ndershme të qytetarëve të saj”, vërejti ai.

Sipas tij, “Të gjithë udhëtarët e albanologët e shquar që vizituan qytetin, duke filluar nga Hani, Hekuardi, Degrandi, Suljoti, Aureli e shumë të tjerë shkruajtën fjalët më të mira e folën me superlativa për Tiranën dhe tiranasit. Do t’ju përmend këtu një pasazh të shkurtër nga konsulli austriak Johan George Von Han të shkruar në vitin 1854: Tirana dhe fusha e saj më lanë përshtypjet më të mira dhe më të këndshmet, njerëzit  që banojnë këtu  janë më të zhdërvjellët  dhe më zhbiruesit  e Shqipërisë së mesme, arat dhe kopshtet  janë punuar me kujdes. Edhe në katunde pash shtëpi dykatëshe, askund nuk pashë gjurmë vobektësie dhe mjerimi”.

Duke folur më tej për traditat dhe historikun e Tiranës, Gazment Bakiu, ka thënë veç të tjerave: “Qytetin e gjeta të pastër, të bukur, të shtrirë në një fushë ujëshumtë. Kjo ishte Tirana para dy shekujsh, e cila nxori nga hiri i saj tiranas të mëdhenj, firmëtarë të pavarësisë dhe patriotë e personalitete që nuk kursyen asgjë nga ky vend. Këtu u farkëtua qytetari i vërtetë shqiptarë. E kishte thënë Adbyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni që në vitin 1877 se Tirana duhet të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Kjo u realizua de fakto me 11 shkurt 1920 dhe de jure me 31 janar 1925. Pas kësaj vazhdoi një periudhë e begatë 20 vjeçare kur kryeqyteti ynë mori fytyrë perëndimore”.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)
 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane