Tirana, oazi i mandateve që
shkon gjithnjë me fituesit

Tirana, oazi i mandateve që<br />shkon gjithnjë me fituesit
TIRANE - Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe Qarku i Tiranës është qarku më i madh në vend. Sipas INSTAT (2013) popullsia e Tiranës është 765,813 banorë, nga të cilat shumica ose 525 mijë jetojnë në zonat urbane dhe pjesa tjetër prej 212 mijë jeton në zonat rurale. Në ndarjen administrative të vendit Tirana ka 5 bashki dhe 24 komuna, por ka edhe 11 mini-bashi, të cilat gjithashtu zgjidhen me votim nga qytetarët. Ndaj Tirana është qyteti i vetëm në vend ku më zgjedhjet vendore votohet në dy nivele, qendror për kryetar bashkie dhe horizontal për minibashkitë.
 
Bashkia Tiranë zë peshën kryesore të votuesve me pjesëmarrës aktivë prej 256, 507 zgjedhësish (2011) ose 53% e listës totale të zgjedhësve. Pas saj vijnë bashkia Kamëz me 54 mijë, Kavajë me 29 mijë, Vorë me 13.5 mijë dhe Rrogozhinë me vetëm 8.1 mijë zgjedhës. Nga komunat njësitë më të mëdha janë Paskuqani me 27 mijë zgjedhës ndjekur nga Kashari me 15 mijë.

Me përjashtim të Bashkisë Kavajë të gjitha njësitë e mësipërme drejtohen nga kandidatë fitues të PD-së. Ekzistenca e Kavajës apo e Rrogozhinës në strukturën e qarkut Tiranë më shumë duket se ka të bëjë me vendim pragmatist sesa më lidhje të forta midis këtyre qendrave. Gjithsesi politikisht vendimi ende konsiderohet i arsyeshëm për të dy palët kryesore politike.
 
Qarku Tiranë ka në parlamentin shqiptar 32 përfaqësues, më shumë se çdo qark tjetër, dy herë më shumë sesa qarku i dytë më i madh Fieri, si dhe katër herë më shumë sesa qarku bastion i të majtës, Berati. Në Tiranë e kanë selinë e tyre 66 partitë politike dhe në garë për deputetë janë shumica e kryetarëve të partive politike.

Më 2009 pas Kukësit Tirana ka përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes në votime me 53%. Në zgjedhjet e vitit 2009 votuan 390 mijë zgjedhës, nga 725 mijë me të drejtë vote. Në zgjedhjet vendore 2011 në qarkun e Tiranës votuan 403 mijë zgjedhës, ose 13 mijë më shumë sesa në zgjedhjet parlamentare.
 
NGA QYTET – BASTION TEK BALANCIMI POLITIK
 
Zgjedhjet në Tiranë gjithnjë kanë vëmendje dhe rëndësi primare. Ndaj edhe palët i lexojnë ato si treguesin kryesor të kahjes politike në vend. Po kur rezultati është i njëjtë? Atëherë mesazhi është se palët do të duhet të ndajnë pushtetin apo të kërkojnë vota të qarqeve periferike për të siguruar të drejtën formale të drejtimit në 4 vitet e ardhshme?

Tek ne ka ndodhur gjithnjë skenari i dytë. Tirana nuk ka qenë përcaktuese për koalicionet politike, por përcaktuese për kahjen politike. Vetëm më 1991 Tirana u fitua nga një palë tjetër dhe u qeveris nga një palë tjetër, pjesën tjetër të kohës rezultati dhe mandati qeverisës janë përputhur.
 
Në zgjedhjet e vitit 1991 Tirana ishte qendra kryesore e dominuar de facto nga demokratët. Aty ndodhën protestat, u bënë mitingjet e mëdha, u ndjenë ndryshimet e shpejta dhe pritej të kishte edhe një votë politike anti-regjim. Referuar të dhënave zyrtare demokratët fituan shumicën e zonave elektorale në Tiranë, por humbën shumicën e periferisë së saj.

Rezultati dominues demokrat më shumë se vlerë numerike pati vlerë politike në leximin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve. Vota e kryeqytetit kundër ishte investimi kryesor kundër regjimit në ikje.Ndaj më 1992 demokratët nuk patën vështirësi të fitonin të gjitha mandatet mazhoritare, gjë që u konfirmua edhe më 1996. Më 1997 kriza politike përmbysi raportet e përfaqësimit në favor të PS, për të ardhur më 2001 tek një dominim i lehtë i socialistëve.
 
Më 2005 në zgjedhjet e rotacionit politik demokratët fituan në raportet 3:1 në qarkun e Tiranës, kryesisht edhe falë ndihmës së LSI në të paktën 4 mandate parlamentare. Më 2009 palët dolën me rezultat të njëjtë 15 me 15. Dy mandatet shtesë iu ndanë dy partive të tjera, LSI dhe PR, secila me shumë me bekimin e përbashkët të dy partive të mëdha sesa me votën e rregullt qytetare.

Vetë fakti se mesatarja e mandateve është e përafërt, 9 me 13, dhe se në zgjedhjet e fundit parlamentare e lokale palët politike u ndanë me diferenca të vogla votash është tregues se Tirana në tërësi është e balancuar politikisht, me dallime të vogla në mandatet parlamentare.
 
NË 22 VJET NDRYSHIM DRASTIK I PËRFAQËSIMIT PARLAMENTAR
 
Zgjedhjet e vitit 1991 ishin më shumë test politik sesa garë elektorale programore. Demokratët iu gëzuan faktit se konkurruan në 250 zonat zgjedhore, ndaj rezultati final ishte i pritshëm të kishte probleme legjitimiteti dhe jetëgjatësie. Kryeqyteti në tërësi votoi për opoziutën e re antikomuniste.

Nga kandidatët demokratë siguruan mandate parlamentare T.Shehu, Y.Vejsiu, N.Roshi, R.Golemi, M.Çela, A.Imami, R.Peshkëpia, B.Mustafaj, A.Karriqi, T.Keko, T.Malasi, G.Ruli, F.Kroqi, Dh.Anagnosti, M.Konomi, Gj.Ndrenika, A.Meksi, E.Heba, R.Uka kurse nga PPSH fituan mandate parlamentare F.Nano, Z.Sinani, L.Xhuveli, B.Xhabrahimi, M.Loci, L.Çuçi, Sh.Korbeci, P.Rama, B.Shehu, I.Lleshi, L.Rexha.

Vetë Berisha e siguroi mandatin në Kavajë në përballje me kandidatin e PPSH Dobjani. Pas 22 vitesh janë ende në politikë me mandat të sigurt parlamentar Berisha, Imami, Ruli dhe me mandat të diskutueshëm ose të pamundur Xhuveli dhe dy mbiemrat Shehu, tashmë të gjithë në listën e PD-së.

Vlen të theksohet se më 1991 demokratët fituan në mazhoritar edhe në zona bastione historike të kupolës komuniste, siç ishte fitorja e në zonën 218 e inxhinierit Franko Kroqi përballë udhëheqësit komunist Ramiz Alia me mbi 2.4 mijë vota diferencë.
 
Në zgjedhjet e vitit 1992 u konfirmuan demokratët Vejsiu, Imami, Malasi, Konomi, Meksi, Heba, Berisha (Kavajë) si dhe fituan deputetë emrat e rinj parlamentar D.Vrioni, S.Shkupi, D.Shehi, Sh.Memia, P.Kalakula, F.Petrela, H.Shamata e L.Skuqi. nga socialistët 9 nga sfidantët e humbur të Tiranës u shpërblyen me mandate në proporcional duke siguruar hyrjen gjithashtu në parlament.

Ndër këta emra bën pjesë edhe kryesuesi i tanishëm i PS në qarkun e Tiranës Pandeli Majko. Në zgjedhjet e radhës më 1997 situata e rëndë politike u reflektua edhe në zgjedhje, ku për demokratët u bë thuajse e pamundur garantimi i një mandati parlamentar brenda rrethit të Tiranës.

Të gjithë kandidat e djathtë humbën dhe fituan socialistët: L.Përpali, S.Kuqi, H.Hoxha, Z.Pepa, A.Angjeli, L.Gjiknuri, A.Stefani, L.Hajdaraga, K.Blushi, S.Poçi, L.Ahmetaj, A.Fagu, P.Zeri, E.Meksi, L.Gjata, M.Ulqini, E.Ruka, L.Dizdari, E.Tabaku, I.Togu, E.Reçi. Nga socialistët fitues të vitit 1997 janë ende në parlamentin e ardhshëm Angjeli dhe Ulqini.

Mandat të sigurt ka edhe D.Gjinkuri, djali i ish deputetit Lekë Gjiknuri. I vetmi kandidat fitues në nivel qarku nga demokratët ishte M. Murrizi fitues në zonën elektorale që bashkonte disa komuna të Kavajës me të Lushnjes. Më 2013 Murrizi është përsëri kandidat me nr. 6 i PD-së në qarkun e Fierit.

Vlen të theksohet se më 1997 kryetari i atëhershëm i PD-së, Tritan Shehu humbi në zonën e Berishës në Kavajë përballa kandidatit të së Djathtës së Bashkuar, Fatbardh Hushi, mbështetur indirekt edhe nga e majta.
 
Në zgjedhjet e vitit 2001 me dy raundet e debatuara 10 deputetët e PS-së ishin Z.Pepa, N.Selimaj, A.Angjeli, S.Poçi, E.Ruka, M.Ulqini, M.Kryemadhi, H.Hoxha, E.Tabaku, M.Xhani. Shtatë kandidatët fitues të PD-së ishin S.Berisha, Sh.Memia, B.Topi, E.Paloka, B.Mustafaj dhe I.Bruka.

Siç shihet nga lista fituese, socialistët ruajtën dy mandate në Kavajë, si dhe ekipi politik in Tiranës sidomos nga ana e mazhorancës, ishte ekip “rezervë” pa personalitete të spikatura politike dhe pjesë e hierarkisë qendrore politike. Në zonën e B.Topit konkurroi përballë edhe ish kryetari demokrat T.Shehu, tashmë me PDr dhe mori një të dhjetën e votave të kandidatit fitues, rreth 640 vota.
 
Në zgjedhjet për rotacionin politik më 2005 demokratët përfituan nga përçarja e të majtës për të siguruar mandate parlamentare sidomos në zona të njohura të së majtës, siç janë kombinati dhe Pezë-Rrogozhinë. Konkretisht demokratët morën 15 mandate në qarkun Tiranë: B.Topi, B.Mustafaj, B.Nishani, L.Basha, Y.Pango, M.Bregu, G.Karapici, S.Ngjela, S.Sula, A.Patozi, L.Demi, B.Shehu, S.Berisha, E.Cara dhe L.Skuqi, ndërsa socialistët vetëm pesë mandate: E.Meksi, A.Harasani, Sh.Idrizi, M.Ulqini, D.Lamaj.

Nga demokratët fitues janë ende në politikë aktive shumica e këtyre politikanëve, të cilët përbëjnë prurjen e dytë pozitive pas vitit 1992. Nga socialistët fitues i vetmi ende në garën politike është M.Ulqini, ndërkohë që Idrizi, ashtu si Ngjela, janë tashmë kandidatë në krahun e kundërt politik me vitin 2005. Nga socialistët humbës më 2005 janë ende në garë disa emra të njohur, si Angjeli, Kodheli, Lame, Ahmetaj, Peza. Në këto zgjedhje D.Shehi konkurroi dhe mori 829 vota ose 6%, një rënie nga 1189 ose 8% e votave që fitoi më 2001.

Mesatarja e deputetëve për Qarkun e Tiranës nga zgjedhjet e vitit 1992 deri në 2009
(Në foto mesatarja e deputetëve për Qarkun e Tiranës nga zgjedhjet e vitit 1992 deri në 2009)

2009 DHE DY MANDATET E MINUTËS SË FUNDIT
 
Zgjedhjet e vitit 2009 janë një rast unikal votimi në kryeqytet. Rezultati në vota midis palëve ishte shumë i përafërt. Nga 379 mijë zgjedhës që votuan, PS fitoi 162 mijë vota ndaj 161 mijë votave të PD-së. Megjithatë demokratët përfituan 16 mijë vota nga partitë aleate ndaj 11 mijë të socialistëve, duke e thelluar diferencën në vota në emër të koalicionit.

Për pasojë në llogaritjen e mandateve PD mori 16 mandate bashkë me PR, kurse PS mbeti në kuotën e 15 mandateve. Mandati i fundit u mor nga LSI në një pakt të minutës së fundit trepolar, midis LSI-PD-PS, secila nga këto të fundit me shpresë se mandatet e kësaj partie do ti kalonin koalicionit të tij politik.

Partia e katërt politiken rezultoi të ishte PR me 6 mijë vota, gjysma e të cilave u morën në Kavajë, zonë ku kryesoi fushatën dhe kërkoi vota ish emri i njohur i sportit, Dashnor Bajaziti. Falë votave të tij të siguruara në momentin e fundit me ndërhyrjen e PD-së Mediu i PR siguroi mandat parlamentar, dhe Bajaziti u emërua për 4 vjet zv/ministër i Kulturës dhe Sporteve.
 
Nga partitë e tjera politike numrin më të madh të votave e mori Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, e cila në atë periudhë drejtohej në fushatë nga ish kryeministri Aleksander Meksi. LZHK mori 4.4 mijë vota në qark, ndjekur nga PSD me 3.9 mijë vota, PBDNJ me 2.9 mijë, G99 me 2.5 mijë, PDK me 1.8 mijë, PLL me 1.7 mijë rreth 100 vota më shumë se PDIU dhe 200 më shumë sesa PDS.

Me nga rreth 1 mijë vota ishin disa parti politike: PAA, PAD, PBK apo PSV91. Rezultatin më të ulët e mori Partia Konservatore me 47 vota, ndërkohë që edhe tre parti të tjera politike morën më pak sesa 100 vota. Jashtë koalicioneve Ngjela fitoi 809 vota dhe kandidati i pavarur Omuri me 53 vota më pak.
 
Prurjet politike në listat proporcionale të vitit 2009 ndikuan edhe në fushatën elektorale dhe mënyrën e tërheqjes së votave. Demokratët u drejtuan nga kryetari Berisha, ndërkohë që pala tjetër, socialistët hynë në garën elektorale pa kryetarin e partisë – kandidat. Ai preferoi postin e kryetarit të Bashkisë dhe nuk u regjistrua si kandidat në zgjedhjet parlamentare.

Tek demokratët prurje të reja ishin aktorja Bulku, drejtuesit e rinisë Bogdani e Strazimiri, emra të njohur në angazhimet ekzekutive si Mima e Tafaj, juristi i ri Gumi, si dhe emra të rinj në politikën demokrate si Pernaska. Nga garda e vjetër hyri në listën fituese vetëm Imami, Rusmajli, Shehu, si dhe prurjet e vitit 2005 Bumçi, Bregu dhe Nishani.

Tek socialistët lista u kryesua nga emri surprizë i shoqërisë civile Vasilika Hysi, ndjekur nga politikanë të traditës në PS Islami, Baraj, Xhafaj, Dokle, Gjoni, Harasani, si dhe nga prurjet e reja politike Tahiri, Bushati, Gjermeni, Shkreli, Shalsi, Qefalia, Peza dhe Gaçi.

Përvoja dhe pushteti fituan garën me prurjet e reja dhe mungesën e përvojës shtetërore, duke ndikuar në disbalancën e mobilizimit elektoral dhe administrimit të procesit zgjedhor. Për pasojë, zgjedhjet u balancuan, gjë që shkon në favor të demokratëve të cilët në kulmin e pushtetit më 2007 u ndëshkuan në Tiranë me rreth 20 mijë vota kundër në garën për kreun e bashkisë.
 
Harta e Qarkut të Tiranës
(Në foto harta e Qarkut të Tiranës)

VOTAT PËR NJË MANDAT NË TIRANË, BRENDA DHE JASHTË KOALICIONEVE
 
Formula e zgjedhjeve për ndarjen e mandateve midis koalicioneve dhe subjekteve zgjedhore konkurruese dhe më pas edhe midis vetë partive të koalicioneve, paraqet një tabelë numrash të komplikuar në rastin e Tiranës. Numërimi i mandateve nisi nga koalicioni kryesor dominues që ishte ai i drejtuar nga PD me 177 mijë vota, ndjekur nga koalicioni i majtë me 173 mijë vota.

Diferenca prej katër mijë votash ishte e mjaftueshme për të bërë diferencën në ndarjen e mandatit çift të 31-të, pasi një mandat shkoi direkt për LSI-në dhe koalicionin e saj të tretë politik. LSI fitoi 17.5 mijë vota si subjekt dhe 19.9 mijë si koalicion, rreth 850 vota më shumë sesa minimumi që i duhej për të fituar një mandat parlamentar.

Grupimi Poli i Qendrës nuk arriti të kalojë pragun elektoral ndaj 6.9 mijë votat e tij mbeten pa përfaqësim parlamentar. PR me 800 vota më pak siguroi mandat parlamentar duke treguar edhe njëherë se nuk janë votat, por sistemi i përllogaritjes ai që bën diferencën në vota e mandate në zgjedhje të tilla politike.
 
Nga tabela shihet se kufiri minimal për mandatet parlamentare në leximin e garës midis koalicioneve është 11,117 vota. Kjo do të thotë se nëse ruhet e njëjta pjesëmarrje në zgjedhjet 2013 ashtu si në zgjedhjet e vitit 2009, atëherë për subjektet konkurruese jashtë koalicioneve PD-PS, siç janë Fryma e Re Demokratike apo Aleanca Kuq e Zi do të duhen minimumi 11.5 mijë vota për të fituar mandatin e parë parlamentar.
 
Nga partitë e tjera politike vetëm PR arriti një mandat, ndërkohë që partia më e përafërt me vota brenda koalicioneve ishte PSD me 3.6 mijë vota. Asaj do ti duheshin edhe 2.1 mijë vota për të siguruar mandatin e 15-të brenda koalicionit të majtë. E njëjta logjikë vjen edhe për partitë e tjera politike që vijnë pas tyre, por duke rritur numrin e votave të nevojshme.
 
Në zgjedhjet e vitit 2013 konkurrojnë disa parti politike me pretendime të mëdha në mbledhjen e  votave në Tiranë. Një ndër to është edhe PSD apo PDS me dy kryetarët respektivë, Gjinushi e Milo, politikanë me karrierë dhe përvojë të gjatë politike. Të dy ata do të mund të përfitojnë mandat parlamentar vetëm nëse fitojnë të paktën 2.5-3 mijë vota më shumë, gjë është përbën një sfidë të vështirë.
 
ZGJEDHJET LOKALE, RËNIA E BASTIONEVE NË TIRANË E KAVAJË
 
Ecuria e zgjedhjeve lokale në qark flet për tendencën e balancimit politik, ashtu si në të gjitha qarqet e Shqipërisë së Mesme. Mesatarja e katër zgjedhjeve të fundit është 24-18 njësi, por nëse përfshijmë në llogari edhe rezultatet e gjysmës së parë të viteve 90 kur PD ishte dominuese, atëherë shkohet drejt balancimit të plotë politik.

Gjithsesi njësitë nuk maten thjesht me numër, por edhe me rëndësinë e secilës prej tyre në politikë dhe zhvillimet ekonomike në vend. P.sh, Tirana e Rrogozhina nuk janë thjesht dy bashki, por kanë domethënie të ndryshme mandatet e drejtimit në secilën prej tyre. Bazuar në këtë analizë cilësore në zgjedhjet e vitit 2011 në Tiranë, në votën për partitë politike diferenca midis PS dhe PD ishte e ndjeshme. PS mori 104 mijë vota ndaj 77 mijë të PD-së.

Si koalicion fitoi koalicioni qeveritar me 1 mijë vota diferencë, 122 me 121 mijë) për shkak se parti si LSI morën 21 mijë, PDIU 7.2 mijë apo PLL 3.1 mijë. Nga të majtët vetëm PDS kaloi numrin e 3 mijë votave. Në ndarjen e mandateve 25 këshilltarë mori PS, 19 PD, 5 LSI, 2 PDIU etj. Fillimisht PD-LSI patën shumicën e duhur në qeverisjen e Tiranës, por pas ikjes së LSI veprimi i parë ishte shkarkimi dhe zëvendësimi i kreut të këshillit bashkia, tashmë me shumicë të majtë.
 
Analiza e detajuar e votimeve nominale për njësitë vendore nxjerr në pah tipare, aktualitetin dhe tendencat e votimit. Bashkia Tiranë u fitua nga Rama në vitin 2000, dhe u rikonfirmua më 2003 dhe 2007 me diferenca të thella votash nga 22-25 mijë vota. Kjo diferencë nuk u ndryshua as pas rritjes së numrit të zgjedhësve. P.sh, më 2003 Rama fitoi me 24 mijë vota ndaj Ngjelës, (67-43 mijë), kurse më 2007 me 22 mijë vota ndaj Olldashit (98-76 mijë).

Më zgjedhjet e vitit 2011 kur Rama rikandidoi për herë të katërt tashmë duke qenë edhe kryetar i PS-së, situata ndryshoi. Beteja për Tiranën u kthye në garën kryesore politike dhe elektorale. Me një fushatë gjithëpërfshirëse dhe falë “ndihmës” së PKSH që mori 1.3 mijë vota, Rama fitoi garën me vetëm 10 vota diferencë. Dihet tashmë ecuria.

Mazhoranca ndërhyri në procedura dhe e ndryshoi rezultatin me rreth 90 vota në favor të kryebashkiakut aktual Basha. Pavarësisht legjitimitetit të procesit, rëndësi ka vota për palët dhe dallimi me zgjedhjet e mëparshme. Basha dhe Rama morën nga 125 mijë vota, shumë më tepër se në çdo zgjedhje tjetër, madje secili më vete pothuajse të njëjtën shifër votash që morën së bashku Rama dhe Ngjela më 2003. Pjesëmarrja zyrtare në votim ishte 53% dhe vota të pavlefshme ishte shifra rekord prej 8.9% të votuesve.
 
Në Bashkinë Kamëz vetëm një mandat kanë qeverisur të majtët (2000-2003), pjesën tjetër të tranzicionit është qeverisur nga e djathta. Deri më 2000 kryetar bashkie ishte R.Keçi, pas 2003 fitues ishte Agim Cani me diferencë vetëm disa qindra vota, më 2007 Xhelal Mziu fitoi me 1.4 mijë, kurse në zgjedhjet e fundit 2011, ai e ruajti mandatin me rreth 3 mijë vota diferencë.

Përjashtim bëjnë bashkitë Kavajë dhe Vorë, e para për shkak se ra miti i zonës bastion për të djathtën dhe e dyta sesa i njëjti kryetar vijon prej 10 vitesh. Në Kavajë Refik Rrugeja fitoi mandatin e parë më 2003 me diferencë të thellë 2.7 mijë nga PS, madje duke pasur rival kryesor kandidatin e të djathtës Haveriku.

Më 2007 e vijoi mandatin me 6 mijë vota diferencë, kurse më 2011 ai humbi përballë Elvis Roshit me diferencë 900 vota. Pjesëmarrja e fundit në votime ishte 40% një tregues tjetër zhgënjimi i pjesës së djathtë votuese në Kavajë. Ndryshe nga Kavaja në Vlorë Fiqiri Ismaili, politikan e biznesmen, vijon të drejtojë prej tre mandatesh me diferenca që shkojnë nga 900 në 4 mijë vota.

Në bashkinë Rrogozhinë e djathta arriti më në fund që më 2011 të marrë drejtimin e qytetit duke fituar rreth 400 vota më shumë sesa ish kryetari i bashkisë Tosku. Ashtu si Kavaja edhe Rrogozhina ka pjesëmarrje të ulët në votim në krahasim me Tiranën, Vorën dhe Kamzën.
 
Bazuar në të dhënat e minibashkive në Tiranë me përjashtim të njësisë 10 të gjitha njësitë e tjera kanë më shumë zgjedhës sesa bashkia Kavajë. Dy prej tyre, njësia 5 dhe 2 kanë banorë më shumë se bashkia Kamëz, çfarë tregon peshën e madhe të votimit që zënë këto njësi në përfaqësimin politik në Tiranë.

Njësia më me shumë banorë është njësia 5 me 62 mijë, ndjekur nga njësia 2 me 58 mijë, njësia 7 me 51 mijë, njësia 4 me 47 mijë, njësia 6 me 46 mijë, njësia 11 me 45 mijë, njësia 9 me 44 mijë, njësia 1 me 38 mijë, njësia 3 me 34 mijë, njësia 8 me 31 mijë dhe në fund njësia 10 me 22 mijë zgjedhës. Nga këto njësi e majta, falë edhe kalimit të LSI majtas, drejton në gjashtë njësi, katër prej të cilave bëjnë pjesë në krye të listës me më shumë zgjedhës. Pjesa tjetër drejtohet nga kandidatët e PD-së.
 
Njësitë bashkiake të Tiranës janë dominuar nga e majta: më 2003 e majta i fitoi 9 nga 11 njësitë: vetëm Tafaj e Mustafa, zona e Tiranës së vjetër dhe ajo e Laprakës vijuan të jenë votuese për demokratët. Më 2007 demokratët morën një njësi më shumë, atë me numër 9, të tjerat vijuan të jenë nën drejtimin e PS-së. Në zgjedhjet e fundit lokale 2011, falë koalicionit midis PD e LSI, u rrit numri i njësive bashkiake të fituara nga qeveria, por që tashmë kanë kaluar me opozitën parlamentare. Kështu, më 2011 qeveria fitoi 7 njësi, kurse socialistët vetëm katër njësi.

Në një rast (Kokona) i njëjti kryetar njësie kandidoi për palën tjetër dhe vijoi mandatin, kryetarët e disa njësive, si Seitaj, Tafaj e Mustafa vijojnë të jenë në postet drejtuese prej 10-12 vitesh, kurse të tjerë të rinj hynë në garë dhe fituan më 2011. Një prej këtyre njësive (njësia 1) është gjithashtu në zgjedhje të parakohshme me 23 qershor, për shkak se kryetarja me dy mandate, Nikolli, është përfshirë në listën e deputetëve të sigurt të PS-së.
 
PËR CILËT DEPUTETË VOTOHET ME 23 QERSHOR NË TIRANË?
 
Nga 32 deputetë të Tiranës janë zgjedhur tashmë minimalisht 27 prej tyre, nga 13-14 tek PD-PS. Konkretisht kanë siguruar tashmë mandat parlamentar Berisha, Tafaj, Bregu, Kosova, Mima, Bogdani, Shehi, Tabaku, Paloka, Kruja, Islami, Dogjani dhe ministri i ri i kulturës, Visar Zhiti. Nga socialistët kanë siguruar tashmë mandat Majko, Tahiri, Hysi, Bushati, Xhafaj, Nikolla, Baraj, Qefalia, Abazi, Cara, Braho, Gaçi, Ndreu e Suli.

Nëse PS e rrit prezencën e saj në Tiranë me 16-17 mandate siç ajo pretendon, atëherë në garën për deputet mbeten edhe Harito (15), Peza (16) apo Shkreli (17). Nga demokratët, nëse ruhet rezultati i vitit 2009 janë ende në garë për deputet Qirjako (14), Deliallisi (15) dhe Shehu (16). Gjithsesi treguesit e votave 2009 dhe 2011 janë të tilla që e afrojnë shansin që e majta të marrë edhe një mandat më shumë sesa më 2009, me probabilitet nëntë herë më të madh sesa pritshmëria që PD të fitojë një mandat më shumë.
 
Jashtë koalicioneve të mëdha çdo sondazh tregon se të paktën një mandat i shkon FRD-së, e cila ka pretendime dy ose trefishe në Tiranë dhe e konsideron atë qarkun kryesor për mbledhjen e votave mbështetëse. Elektorati kryesor i ish Presidentit Topi, i cili do jetë deputet në Tiranë, bazuar në listën e kandidatëve, duket se është përllogaritur se mund të jetë pjesa e banorëve të vjetër të metropolit, pjesa kryesore e pronarëve, një pjesë e ish përndjekurve politikë, demokratë të zhgënjyer nga keqqeverisja, si edhe pjesë nga votuesit e rinj. Përballja me PD-në pikërisht në këto grupime, përbën garën e tretë paralele në Tiranë. Jashtë koalicioneve është edhe Aleanca Kuq e Zi, e cila pretendon, por asnjë sondazh paraprak nuk i njeh shanset reale për një mandat parlamentar.
 
Brenda koalicioneve gara është edhe më e ashpër. Në krahun e majtë pretendojnë mandat, madje të dyfishtë, LSI me dy kandidatët kryesorë, Meta dhe Gjosha. Nëse PS ruan votat e vitit 2009 e ka të lehtë ta arrijë këtë objektiv, por rrethanat e sotme, ashtu si edhe LSI e sotme, janë shumë më të ndryshme nga 2009. Për pasojë do të jetë sukses për të nëse arrin të sigurojë disa vota mbi mandatin e kryetarit të saj Meta.

Tej LSI pretendojnë mandate parlamentare në Tiranë edhe kundërshtarët e tij politik brenda të majtës, Milo dhe sidomos Gjinushi, por me shanse vetëm teorike. Nga partitë e mbetura të së majtës, pretendojnë garë për mandat edhe disa parti më të vogla, si AP, ADK, PK, por realisht pa shanse teorike dhe praktike.
 
Tek koalicioni i djathtë gara është gjithashtu e dukshme. Pretenduesi kryesor për mandat është kandidati kryesor i PR në Kamëz, Ylli Shehu. I ardhur nga jashtë politikës dhe i bazuar kryesisht tek komunitetet periferike, shanset e tij për mandat janë më të mëdha sesa të disa partive tradicionale, edhe për shkak të akuzës që I bëhet për përdorim të ndjenjave fetare në fushatë apo mbështetjes financiare.

Mbi bazën e mbështetjes racionale tek grupet krahinore dhe votuesit e periferisë pretendojnë mandat edhe PDK, PDIU, LDK, etj. Vlen të theksohet se LZHK, pas sigurimit të mandatit nga Shehi ka paraqitur një listë kandidatësh pa asnjë emër publik ose me background politik gjatë tranzicionit, duke paralajmëruar pritshmëri të pakta votash.
 
PD-PS, GARA PËR VOTAT E AUTOKTONËVE DHE TË ARDHURVE
 
Në listën propozuar nga PD për qarkun në Tiranë bien në sy disa veçori thelbësore: së pari kemi hyrje me mandate të sigurta të dy deputetëve të PS-së, Islami e Dogjani. Së dyti PD i dhuron mandat të sigurt kryetarit të LZHK Shehi. Së treti frika rrjedhja e votave autoktone drejt FRD e ka detyruar kryeministrin të vendosë në vende relativisht të sigurta disa pinjollë politikë të kësaj zone (Kosova, Mima, Bogdani, Shehi, Tabaku, Kruja) duke lënë jashtë listës prioritare politikanë karriere si Rusmajli, Gjana, Beja, Demi apo Shehu, të cilët në periudha të ndryshme kanë qenë deputetë në Tiranë.

Elementi i fundit është përpjekja për të përdorur emrat e rinj qeveritarë Kosova e Zhiti në fushatën elektorale, si imazh i ri për Tiranën. Duket e tepërt dhe pa ndikim renditja në vendin e dytë e ministrit Tafaj, e Palokës apo e Qirjakos, të cilët nuk kanë lënë ndonjë gjurmë politike në jetën e gjatë të aktivitetit politik apo janë të njohur vetëm për lidhjet e afërta me kupolën drejtuese të PD-së. I njëjti argument vlen edhe për prefektin Kruja, pa ndonjë lidhje elektorale personale me Tiranën dhe demokratët, por me lidhje të forta politike.
 
Në listën e PS-së Tiranë evidentohen disa veçori. Ikja e Ramës drejt Vlorës dhe zëvendësimi me Majkon e dha efektin e vet pozitiv, dhe nuk përbën më temë elektorale. Ndryshe nga PD, e cila kryetarin ne Tiranës e dërgoi kandidat në Lezhë, PS e ka kandiduar në Tiranë gjithë strukturën lokale, përfshirë kryetarin Tahiri.

Pjesë e kandidimit janë ndonjë emër  radhë nga garda e vjetër e PS-së (Xhafaj), si prurjet e Ramës më 2009 Hysi, Baraj, Qefalia, Bushati, Gaçi. Në listë janë katër politikanë të zonave veriore me ndikim edhe në zonat e periferisë së Tiranës, ku PS u ndëshkua më 2009, konkretisht Nikolla, Abazi, Ndreu dhe Suli.

Pjesë e listës është dhurata për LSI për S.Brahon, si dhe prurjet e reja Cara në Kavajë e Harito në Tiranë. Pra nëse PD ka ndërtuar një skemë për mbledhjen e votave të banorëve autoktonë, PS ka ndërtuar një listë përfaqësuese që mbledh votat e të ardhurve në qarkun Tiranë.

PS i ka dhënë dy vende prioritare kandidatit të Kavajës Cara në raport me PD-në, e cila me futjen e një emri të ri nga Kavaja mënjanoi tërësisht figurat politike të këtij qyteti që e kanë përfaqësuar prej vitesh dhe që tashmë janë të konsumuara politikisht.
 
Si për të vërtetuar këto strategji, PD e plotëson aktivitetin elektoral duke mbajtur një retorikë të ashpër kundër raporteve të PS-së me të ardhurit dhje çështjet e tyre më të prekshme, siç janë legalizimi, integrimi dhe fundi i diskriminimit krahinor. Nga ana e vet PS i është rikthyer temës së Tiranës dhe familjeve të vjetra, duke futur në fushatë edhe bashkëshorten e kryetarit të PS-së, si pjesë e këtij komuniteti.
 
TIRANA DHE VARËSIA NGA PERIFERIA
 
Tirana është një qytet me popullsi në lëvizje dhe shtim të përhershëm. Pas zgjerimit të parë në vitet 92 dhe valës së dytë pas vitit 97 është vendosur tashmë një raport përkatësie i përbërjes së Tiranës. Pjesa autoktone mbetet minorancë, ndërkohë që banorët e ardhur nga qytetet e rrethet veriore zënë pjesën kryesore në disa minibashki si dhe sidomos në bashkinë e dytë më të madhe Kamëz, në komunat më të mëdha të zonës, përfshirë Paskuqanin etj.

Ky kontigjent votuesish është përdorur në çdo fushatë elektorale me premtime që lidhen me problemet jetike të një qytetari: pronësia mbi tokën, mbi banesën dhe fundi i paragjykimeve. Për shkak se pjesëmarrja në votime është më e lartë në këto zona sesa në pjesën e zhvilluar tregtare të qytetit, palët politike janë përqendruar pikërisht në tërheqjen e elektoratit të këtyre zonave. Më 2009 PS fitoi shumicën e votave në Tiranë, por humbi garën kur u mblodhën votat e Kavajës, Kamzës, Paskuqanit dhe Vorës. Ndaj periferia e qarkut shpesh mund të jetë përcaktuese.
 
Për ta dëshmuar prioritetin që kanë këto zona secili nga kandidatët për kryeministër kanë udhëtuar më shumë këto kohë në Kamëz dhe zonat e periferisë sesa në zonat tradicionale të qytetit. P.sh, Berisha e Rama kanë pasur nga 5-7 takime të mëdha elektorale në Kamëz dhe 2-3 në Paskuqan ndërkohë që kanë bërë vetëm nga një takim në lagjet e qytetit “Studenti”, në zonën e ish Bllokut, në zonën e “Ali Demit”, të pjesës autoktone të Tiranës, etj.
 
Pjesë e konceptit të periferisë mund të konsiderohet edhe përfshirja e biznesit që ndodhet në zonën e Kasharit në garën elektorale. Janë pothuajse 10 biznese të mëdha, mjaft të njohura, që kanë hyrë direkt në garë me kandidatë presidentët e firmave apo familjarët e tyre.

Duke pasur suport të fortë financiar dhe duke pasur lidhje të forta mediatike dhe politike, ata shpresojnë të sigurojnë 6 mijë votat e nevojshme që falë qenies në koalicione, ua mundësojnë mandatin parlamentar. Ky është një zhvillim tjetër që ndryshon nga tradita dhe shpreh tendencën që biznesi nuk kërkon më avokatë në parlament, por tenton të bëhet vetë protagonist politik dhe financiar.
 
Dallimi tjetër gjendet në elementët e zhvillimit të fushatës. Në Tiranë nuk ka shumë vend për retorikë politike, fushata bëhet kryesisht përmes daljeve publike nëpër lagjet e banuara, dhe bën pjesë të saj edhe kryebashkiakun Basha. Palët politike kryesore tentojnë qytetarët e pavendosur, kurse ato klienteliste tentojnë grupet sociale në nevojë, komunitetet e pakicave dhe ata që kanë nevojë për ndihmën e shtetit për integrim dhe jetë normale.

Një natyre tjetër fushate zhvillohet në zonat e periferisë, ku rolin kryesor e luajnë grupet e mëdha komunitare sipas krahinave, lidhjet personale, takimet në shtëpi dhe lobingu financiar apo klientelist. Kjo është arsyeja që në pjesën e periferisë debati politik është më aktiv, pjesëmarrja në zgjedhje është më e madhe dhe palët politike dërgojnë më shumë ekipe politike sesa në zonat e supërbanuara të qyteteve.
 
TIPARE TË VEÇANTA TË SJELLJES ELEKTORALE NË TIRANË
 
Nëse Durrësi bën përzgjedhje të maturuar, nëse Shkodra e Vlora e kanë të paracaktuar përzgjedhjen, nëse Elbasani e Berati vetëm në raste të veçanta ofrojnë surpriza të kufizuara, Tirana mund të përshkruhet si vota mendohet mirë, dhe ku reagimi është pragmatist.

Në gjuhën politike do të thotë se asnjëherë Tirana nuk ka mbajtur ekuilibër politik në votën e saj politike, por përkundrazi, është prirur të votojë për palën që fiton të drejtën të qeverisë. Me përjashtim të vitit 1991 në çdo zgjedhje kjo sjellje votimi ka funksionuar. Duke pasur parasysh se më 1991 në Tiranë kishte rreth 200 mijë banorë në moshë madhore dhe tashmë është 4-5 fishuar numri i banorëve sjellja zgjedhore i është përshtatur prurjeve të reja.

Ka zona specifike ku nuk ndodh asgjë prej 20 vitesh, thjesht votohet për palën e njëjta, siç është njësia bashkiake 5 apo 11 në Tiranë, siç ka zona që kanë bërë diferencën në zgjedhje përmes votës masive dhe cilësore, siç janë disa njësi bashkiake në Tiranë apo Kavaja.
 
Në dallim nga qarqet e tjera presioni politik në Tiranë është relativ: këtu ndryshimi politik nuk ndryshon administratën tërësisht siç ndodh në periferi, secili njeh secilin dhe qenia e qytetit edhe si kryeqytet administrativ ofron më shumë shanse e siguri për punë, integrim dhe karrierë.

Nga ana tjetër këtu çdokush njeh politikanë e ministra, deputetë e zyrtarë, u njeh jetën private dhe familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët, ndaj edhe nuk ka rendje pas kultit të individit dhe as pjesëmarrje masive në mitingje. Shumica e mitingjeve që bëhen në Tiranë bazohen në prurjet nga rrethet jo nga banorët e kryeqytetit.

Nëse do ishte ndryshe atëherë në mbi 760 mijë banorë secila parti do të kishte të paktën 100 mijë mbështetës aktiv, por asnjëherë në këto vite asnjë miting nuk ka qenë më i madh sesa 50 mijë veta, nga të cilët në rastin më të mirë gjysma kanë ardhur nga rrethet fqinje me Tiranën ose zonat e periferisë.
 
Një faktor tjetër interesant i Tiranës është tendenca e ikjes nga qëndrimet ekstremiste dhe refuzimi i atyre kur imponohen. Mjafton një detaj: sa herë janë zhvilluar mitingje të dhunshme ose përleshje më policinë, qytetarët tentojnë të largohen, të shmangen dhe refuzojnë të bëhen pjesë e tyre, - jo për shkak të natyrës konformiste, por për shkak se ata për shumë arsye janë më të mirinformuara për kërcënimet e politikës dhe pasojat e situatave të tilla, ndaj asnjë reagim sado të arsyeshëm nuk e përjetojnë si ditën e fundit, por si diçka të përkohshme, emocionale, që duhet evituar sa më shpejt.

Në përgjithësi qytetarët e Tiranës kërkojnë dhe e shprehin këtë përmes shumë mënyrave publike, politikë moderatore, akte konkrete të politikës, projekte konkrete, politikanë më shumë pragmatistë dhe teknikë sesa udhëheqës populiste që nuk bëjnë asgjë përveç se prodhojnë fjalime patetike.

Ndaj edhe gjithnjë e më shumë ata ndjehen të shmangur nga politika, madje p.sh, më 2011 në fushatën e Bashës për bashkinë e Tiranës u diktua qëndrimi jashtë i kryeministrit populist, siç edhe u refuzua nga të njëjtit qytetarë përshkallëzimi i situatës politike para e pas 21 janarit apo në kohën e grevës së urisë.
 
FAKTORË PRO QEVERISË
 
● Referuar të gjithë analizës qeveria e mbështet avantazhin e saj në tiranë në tre faktorë: në aktivizimin me sukses të saj të zonave militante bastione, sidomos ato të periferisë. Në përdorimin deri në ekstrem të administratës publike dhe burimeve shtetërore të personelit, përmes formave të njohura, të cilat nëse funksionojnë sigurojnë 2-3% vota apriori pro siglës së saj elektorale. Në aftësinë e qeverisë për të mbajtur të karikuar opinionin publik me lajme, reklama, propagandë elektorale, shumë më të tepërta sesa mundësitë e opozitës.
 
● Një aset i qeverisë në këto zgjedhje është rënia e mitit reformator të kreut të PS në raport me dy mandatet e para në Tiranë dhe renditja e tij tek politikanët që kërkojnë të njëjtën gjë, pushtetin, përmes të njëjtave forma, kompromiseve politike të momentit me këdo e me çdo çmim. Nga ana tjetër kjo lidhet edhe me mbetjen ende me kredenciale pozitive të sfidantit të tij në Bashkinë Tiranë, L.Basha, i cili edhe pse nuk ka asnjë projekt madhor publik të realizuar, duket se publiku nuk pret të ketë patjetër një bilanc dhe ia rezervon këtë kohë më vonë kur të vijnë zgjedhjet lokale.
 
● Një faktor i tretë i qeverisë është burimi informal i saj në ndikimin mbi disa grupe sociale në nevojë, të cilat pranojnë edhe publikisht dhënien e votës në shkëmbim të disa privilegjeve të momentit. Bashkuar kjo edhe me lidhjet e ndërvarësisë së një numri të madh biznesesh, të cilat i druhen ndryshimit dhe frikës për humbjen e kontakteve të duhura në zyrat ku jepen tenderë dhe paratë publike, mund të ketë efekt pro qeveritar, siç pati edhe më 2009.
 
● Elementi i tretë mbështetës për qeverinë është pjesa e rinisë, sidomos ajo që nuk e ka përjetuar tranzicionin në gjithë ashpërsinë e tij dhe që është e prirur të bjerë pre e reklamave dhe ofertave kulturore, sociale, spektakolare, etj të ofruara nga qeveria dhe institucionet e saj në fushatë, dhe në çdo eveniment publik. Për të rinjtë pa formim politik, por të dhënë pas imazhit, kjo është oferta e duhur. Dhe në qarkun Tiranë kjo kategori nuk mungon.
 
FAKTORË PRO OPOZITËS
 
● Nëse qeveria ka pasur dështime të mëdha gjatë mandatit të saj, sidomos gjatë viteve të fundit, pakënaqësitë më të mëdha ndjehen aty ku lajmet qarkullojnë më shpejt dhe më në cilësi, - në Tiranë. Në çdo sondazh dhe formë tjetër të mbledhjes së opinioneve publike vijon të ruhet tendenca e kritikës dhe skepticizmit të shumicës së banorëve të kryeqytetit ndaj kryeministrit Berisha dhe stafit të tij politik. Ajo që përbën politikë populiste dhe batutë elektorale në ndonjë rreth tjetër, në Tiranë rrallë funksionon, sidomos tek shtresa e të pavendosurve, të cilët janë përcaktues për fituesin e garës elektorale.
 
● Faktori i dytë është prirja e ndryshimit politik, e konstatuar në Tiranë dhe e theksuar gjithnjë e më shumë edhe nga zëra me ndikim publik. Për shkak se çdoherë Tirana ka ecur mbi bazën e kësaj tendence, është edhe tani rasti për ta marrë në konsideratë, sidomos në kohën kur mazhoranca ndodhet e konsumuar, e lodhur, gjaknxehtë dhe pa një vizion të qartë për projektet e të ardhmes. Të paktën në Tiranë apo Kavajë mazhoranca nuk ka asnjë arritje të dukshme publike, as në infrastrukturë dhe as në projekte të tjera madhore që mund të kishin ndikim elektoral.
 
● Rënia e bastionit demokrat të Kavajës dhe përafrimi nga 7-8 mijë në 2-3 mijë vota e diferencës politike në Kamëz e Paskuqan, e bën votën e majtë shumë më pretendente dhe me shanse të mëdha dominimi edhe në mandate. Demokratët kanë vendosur në Tiranë figura kandidimi shumë problematike në opinion, pa mbështetje tek të djathtët, madje edhe demotivuese siç janë deputet Islami e Dogjani, ndërkohë që nga lista e saj ka preferuar një rreth të ngushtë besnikësh të paprovuar në mbështetjen publike dhe aftësinë e menaxhimit elektoral. Këto dobësi u vërtetuan edhe në fushatën e tyre të vakët dhe formale elektorale. E gjithë kjo natyrisht që ka kosto elektorale dhe kjo kosto, llogaritet me votë.
 
● Faktori tjetër specifik ka të bëjë me hyrjen në garë të Frymës së Re Demokratike. Premtimi i saj për nxjerrjen në pension të kryeministrit aktual, por një raport më i maturuar me disa nga politikanët e dytë moderatorë të mazhorancës është një mesazh i qartë drejtuar të djathtëve, se për koston e votave të FRD faturën duhet ta paguajë vetë kryeministri. FRD merr mandat dhe votat e saj me siguri do të jenë përcaktuese në thellimin e diferencës midis koalicionit të majtë dhe koalicionit qeveritar në këto zgjedhje, në rang qarku.
 
● Faktori i radhës ka të bëjë me rivalitetin aktiv midis PS e LSI, rivalitet që në fazën e parë mund të prodhojë më shumë vota për opozitën, pavarësisht sesi ato vota do të përkthehen në mandate për njërën apo tjetrën parti. Me përqindjet e larta të të punësuarve në poste drejtuese dhe me njësitë vendore që drejton LSI gjatë viteve të fundit, natyrisht ajo krijuar një sistem horizontal klientele, e cila do të prodhojë vota kundër koalicionit qeveritar. Edhe përçarja e komunitetit çam në dy parti, apo kritikat publike të partive nacionaliste, sidomos Ballit Kombëtar, kundër listës së PD-së me Islamin brenda saj, do të kenë efekt elektoral.
 
 Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë