Tirana, si kryedueli i zgjedhjeve: Përballja e votës që nga 2009. Pse PD i fshihet sfidës me Veliajn?

Tirana, si kryedueli i zgjedhjeve: Përballja e votës që nga 2009. Pse PD i fshihet sfidës me Veliajn?

Lulzim Basha dhe aleatet

Qarku i Tiranës në çdo zgjedhje është krye sfida politike kombëtare. Në çdo ballafaqim elektoral që kur ka hyrë sistemi elektoral aktual, pra ai proporcional rajonal, rezultati i Tiranës ka qenë përgjithësisht pasqyra e shifrave në nivel kombëtar.

Tirana është realisht Republika në miniaturë në nivelin zgjedhor, si nga numri i banorëve por edhe shtresat e shumta që përfaqëson nga i gjithë vendi. Pra është një kampion real për të parë sjelljen e votuesve në rang vendi.

Ndaj një kalim i rezultateve nga 2009, krijon një panoramë mbi një parashikim të mundshëm të 25 prillit, ku natyrisht përfshihen në analizë edhe sondazhet e zhvilluara deri tani.

Në vitin 2009, ku PD garonte për mandatin e dytë qeverisës, e humbi duelin me PS-në në Tiranë, edhe pse mori një mandate më shumë, si pasojë e aleatëve, që vinin si pjesë e koalicionit “tren”.

Në ato zgjedhje, Partia Socialiste mori 162,757 vota psdhe Partia Demokratike mori 161,332 vota në nivel qarku. Në kryeqytet, fitorja e PS-së ishte më e thellë, por PD rikuperoi në Kamëz, Paskuqan, Kavajë, apo komunat e tjera që ekzistonin më ndarjen e vjetër administrative.

Në vitin 2013, PS mori 198 mijë vota në rang qarku, kurse PD mori 151 mijë vota, pra 47 mijë më pak. LSI e Ilir Metës mori 35 mijë vota në Tiranë.

Në zgjedhjet e vitit 2017, PS rriti më shumë kuotat e mori 200 mijë të tilla në qarkun Tiranë, kurse PD mori 128 mijë vota, pra 72 mijë më pak. LSI mori në 2017-n 55 mijë vota, kur ende ishte në pushtet.

Për të ndihmuar panoramën e analizës krahasuese, natyrisht që shifrat e dy zgjedhjeve lokale të zhvilluara së fundmi e ndihmojnë këtë shikim.

Në vitin 2015, Erion Veliaj mori 160 mijë vota në bashkinë Tiranë, pak më tepër se 50 mijë vota më shumë se kandidati i PD-së, Halim Kosova. Këtë rezultat Veliaj thuajse e konfirmoi në 2019-n, edhe pse nuk pati garë, pasi ishin zgjedhje të pazakonta nga bojkoti i PD-së e LSI-së, ku atmosfera e frikës për trazira përshkoi procesin elektoral. Erion Veliaj mori në vitin 2019, 152 mijë vota që mund të quhen “më besnikët” ndaj tij.

Në këto zgjedhje, qarku Tiranë ka 36 mandate, pra 2 më shumë se më parë, ndaj edhe fuqia potenciale e votës së Tiranës rritet edhe më shumë.

Në këtë panoramë që kemi elektoralisht ndër vite, ku Tirana është një bastion i padiskutueshëm politik i Partisë Socialiste, nga kampi tjetër, pra PD-ja, pritej një përplasje dhe një sfidë e ashpër; emrash, konceptesh, propozimesh dhe një betejë frontale me njeriun që e drejton realisht PS-në e Tiranës që është kryebashkiaku Erion Veliaj.

Edhe pse në qarkun Tiranë PD-ja ka kandiduar dy peshat e rënda të saj: Lulzim Bashën e Sali Berishën, sfida politike e saj përballë kundërshtarëve ishte bishtnimi i saj.

PD-ja, e cila bashkinë e fituar nga Basha vetëm me makinacion, apo manipulim në 2011-n, e humbi pastër në 2015-n, nuk ka tentuar kurrë të sfidojë Erion Veliajn si kryebashkiak, apo drejtues politik të Tiranës.

Oponencën apo kundërshtimin ndaj bashkisë së Tiranës, PD e bën me trolle, qarqe tretësore nëpër rrjetet sociale, duke shmangur vazhdimisht përballjen mbi punën, arritjet, rekordet e kryebashkiakut Veliaj.

Përplasjet që PD nxiti të Unazës së Re dhe Teatrit, nuk i doli asnjëherë në ballë, ndërkaq që politikisht nuk ka listuar apo ushqyer një sfidë politike ndaj trashëgimisë që ka krijuar kryebashkiaku i Tiranës.

Këtë fushë, PD-ja ua ka lënë panelistëve dhe blogerëve që i ka pro saj. Keni parë një përfaqësues të lartë të PD-së që të debatojë për qytetin publikisht, përveç zëdhënëseve që dalin në podiumin e selisë blu pa pyetje? Asnjëherë!

Ndërkaq në këto zgjedhje, Lista e Tiranës është padyshim një sfidë politike e asaj që palët e kanë konceptuar propozimin karshi qytetarëve.

PS-ja ka paraqitur një listë të rinovuar në krye të saj, ku ka vendosur dy personalitete jo politike por shoqërore në krye siç janë Luljeta Bozdo dhe Najada Çomo. Sado që mund të sulmohen, kjo përbën një risi e fuqishme politike. Në radhë janë vendosur një listë e përfaqësuesve politikë të qeverisë dhe të Parlamentit, e në vijën e “zjarrit” ka vendosur “senatorët” si “Pandeli Majko, Mimi Kodheli e Fatmir Xhafaj për të shtyrë betejën. PS ka vendosur edhe një objektiv; minimalin të qëndrojë në kuotat e 2017-s që me mandatet e sotme është numri 19, e maksimali është kalimi i kufirit i 20 mandateve.

Ndërsa PD-ja, në këtë sfidë për Tiranën nuk ka asnjë promovim që ta shikojë nesër si një emër të saj për bashkinë, si një investim politik për qarkun. Në listë është më shumë një parakalim emrash që kryetari i konsideron të duhur për deputetë, ku mbizotërojnë Vangjel Dule, Shpëtim Idrizi, Mesila Doda e Shpëtim Idrizi në vendet fituese, e ku i vetmi përfaqësues nga komuniteti, kapiteni i Tiranës është i 28-I e koordinatori ekonomik i programit të PD-së Dorian Teliti i 23-ti.

PD ka vendosur në numrin 14 Flamur Nokën, i cili është zhvendosur nga Kukësi në Kamëz e Paskuqan, për të tërhequr vota në kufirin ku PD e shikon realisht veten në këto zgjedhje. Ka thënë Jorida Tabaku që do të marrin 20 mandate në Tiranë? Do të jetë interesant që numri 11 e 12 i listës së PD-së ta shpjegojnë këtë gjatë një fushate në tregun çam, pra Vangjel Dule e Mesila Doda…/Shqip

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër