TIRANE-Një i dënuar me 9 vite burg për trafik droge, ka kallëzuar në prokurori noterin Lek Vatnikaj, pasi ky i fundit ka lëshuar një deklaratë noteriale në favor të gruas së të dënuarit, në mënyrë që ajo të largohej jashtë vendit së bashku me fëmijën e saj.
 
I dënuari Ded Nimani, ka kallëzuar në prokurori veprimet kriminale të noterit Vanikaj dhe bashkëshortes së tij shtetases M.Nimani.  
 
Sipas të dënuarit, këta dy persona kanë bërë falsifikimin e firmës së tij, duke firmos në një deklaratë noteriale në emër të tij, por ky i fundit nuk ka qenë prezent, pasi ndodhej në burg. Pas kryerjes së hetimeve, prokuroria e Tiranës ka vendosur të marrë të pandehur noterin Lek Vatnikaj dhe ish-gruan e kallëzuesit Ded Nimani, duke i akuzuar atë për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave” kryer kjo në bashkëpunim.
 
Gruaja iku me fëmijën jashtë shtetit
 
Sipas prokurorisë në datën 16 maj 2016,kjo prokurori, mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Ded Nimani,ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Falsifikimi i dokumenteve”,në ngarkim të të pandehurve Lek Vatnikaj dhe shtetases M.Nimani.
 
Nga hetimet e kryera rezulton se kallëzuesi Ded Nimani është i martuar me shtetasen M.Nimani. Aktualisht kallëzuesi vuan dënimin në IEVP Peqin. Ai ka kallëzuar se më datën 15 shkurt 2016 bashkëshortja e tij është larguar për në shtetin italian nga aeroporti i Rinasit, së bashku me vajzën e mitur, pa dijeninë e tij.
 
Kallëzuesi shpjegon se për largimin e vajzës, bashkëshortja e tij ka përdorur një akt noterial, në të cilin nënshkrimi i tij është i falsifikuar. Nga veprimet e kryera rezulton se nga noteri, është hartuar deklarata noteriale datë 11 shkurt 2016 e shtetasve Ded Nimani dhe M.Nimani, në lidhje me udhëtimin jashtë shtetit të vajzës së tyre, deklaratë që është përdorur për udhëtimin jashtë shtetit.
 
Shtetasi Ded Nimani, në deklarimin e tij të marrë pranë IEVP Peqin, ku vuan dënimin, deklaron se nuk ka nënshkruar në deklaratë noteriale dhe nuk ka dijeni se kush ka nënshkruar në të. Ai deklaron se ka marrë dijeni për udhëtimin e bashkëshortes me vajzën, pesë ditë pas largimit të tyre jashtë shtetit.
 
Më pas, nga avokati i tij (mbrojtës në gjykimin për dënimin penal të kallëzuesit), sipas tij ka marrë dijeni se avokati ka autorizuar bashkëshorten e tij për të nënshkruar në emër të tij. Shtetasi N.V, avokat i të dënuarit Ded Nimani, ka deklaruar se ka lëshuar një autorizim në emër të Ded Nimanit, ku ky i fundit autorizonte bashkëshorten të nënshkruante në emër të tij në deklaratën noteriale. Këtë autorizim e ka nënshkruar ai me tagrin e avokatit të Ded Nimanit.
 
Dëshmia e gruas
 
Shtetasja M.Nimani, deklaron se ka shkuar në zyrën e noterit dhe i ka kërkuar hartimin e një deklarate noteriale për të udhëtuar jashtë shtetit, me vajzën e saj. Ajo e ka vënë në dijeni noterin se bashkëshorti ndodhej në burg. Noteri ka përpiluar deklaratën noteriale, në të cilën ka nënshkruar ajo edhe tek emri i saj edhe tek emri i bashkëshortit.
 
Sipas saj,bashkëshorti ka patur dijeni dhe ka autorizuar avokatin për të bërë këtë gjë. Në zyrën e noterit në këtë moment kanë qenë të pranishëm vetëm ajo dhe vajza e saj, e cila në deklarimet e saj ka pohuar të njëjtat fakte. Qëllimi i udhëtimit sipas saj ishte se duhet të shkonte tek djali i saj.
 
Pretendimi i noterit
 
Në deklarimin e tij, noteri pohon se në deklaratë nuk ka nënshkruar kallëzuesi, për faktin se ai ndodhej në burg. Sipas tij, ai i ka dhënë deklaratën noteriale, avokatit të zgjedhur të kallëzuesit, me qëllim që t’ia çonte kallëzuesit në IEVP, ku ai vuante dënimin.
 
Në deklarim noteri shpjegon se avokati nuk kishte mundur të shkonte në IEVP, por kishte dhënë një autorizim në emër të tij, që të nënshkruhej deklarata noteriale. Nga hetimi dhe provat e administruara rezulton se noteri Lek Vatnikaj, në detyrën e noterit, nuk ka verifikuar dhe nuk është bindur për vullnetin e palës pjesëmarrëse në deklaratë (kallëzuesit Ded Nimani).
 
Gjithashtu ai ka lejuar që në këtë akt të hartuar prej tij, të nënshkruajë i njëjti person, i cili ka nënshkruar edhe për veten e tij. Kjo për faktin se rezulton se kallëzuesi është në burg dhe nuk është paraqitur në zyrën e noterit për të nënshkruar. Në emër të tij ka nënshkruar shtetasja M.Nimani, jo si person i autorizuar, por thjesht duke vendosur nënshkrim, poshtë emrit të shtetasit Ded Nimani.
 
Argumenti i përdorur nga të pandehurit se kallëzuesi ka lëshuar një prokurë të posaçme dhe avokati i tij ka autorizuar bashkëshorten për të nënshkruar në emër të tij, nuk justifikon veprimin e noterit, aq më tepër që kjo prokurë është lëshuar rreth dy vjet para hartimit të deklaratës noteriale.
 
Avokati nuk ka kompetenca ligjore të kërkojë prej noterit hartimin e një dokumenti zyrtar. Njëkohësisht ai nuk ka patur tagra të përfaqësojë vullnetin e kallëzuesit në një çështje familjare, por vetëm tagra për përfaqësimin e tij në çështjen penale konkrete, për akuzën penale ndaj të arrestuarit kallëzues.
 
Nga përmbajtja e prokurës rezulton se avokati është emëruar përfaqësues i të pandehurit vetëm në këtë çështje penale për veprën trafikim narkotikësh. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e kryeqytetit dërgoi si të pandehur bashkëshorten e Nimanit, shtetasen M. Nimani dhe noterin Lek Vatnikaj, që të dy nën akuzë për falsifikim dokumentesh.