Torturat me hekur të nxehtë
“Trego ku është Jup Azazi”

Torturat me hekur të nxehtë<br />“Trego ku është Jup Azazi”
Vijon nga dje/ Për Jup Kazazin si organizator të kryengritjes së Postribës, shkruhet edhe në një prej “veprave të famshme” të diktatorit.

Megjithatë, këtë kryengritje kryesisht popullore me vlerë të jashtëzakonshme, komunizmit mundohej të mos e kujtonte. Ajo ishte në kundërshtim me teorinë e tyre, pse u ngritën pjesa më e madhe njerëz të thjeshtë, shtresa e varfër.

Oficerët në Shqipëri studionin Kryengritjen e Postribës dhe si organizator e që përpiqej për kryengritje të përgjithshme ishte Jup Kazazi.

Këtë e dinin edhe oficerët e repartit të punës, ku kam pas bërë ushtrinë e më dinin kush isha dhe ndonjë ma kishte thënë. Në një intervistë në gazetën PD ka pas deklaruar më 1992-1993 krimineli Zoi Themeli, shefi i

Sigurimit në Shkodër, se Jupi ishte njeriu më i kërkuar në Shqipëri e kishte urdhër të veçantë prej Koçi Xoxes që ta kapte me çdo kusht. Ata e dinin mirë që po përgatiste kryengritje dhe ishte kundër diktaturës komuniste, që po vriste e priste njerëzit më të mirë të kombit e po shtypte popullin e vet.

Ndërsa shqiptarë të ikur në Perëndim dy vitet e para pas luftës, kanë thënë se Jupi ishte e vetmja shpresë e tyre për t’u kthyer në Shqipëri, nëse realizonte kryengritjen.

Për përgatitjen e kryengritjes së përgjithshme dhe se Jupi kishte drejtimin kryesor e lidhjet për të dhënë sinjalin edhe në krahinat e tjera, del nga dokumentet. Ajo ishte gati të plaste e vazhdonte koordinimi me anët e tjera të Shqipërisë.

Ishte lënë për 16 shtator e do t’u jepte sinjali e kushtrimi për kryengritjen e përgjithshme. Ishte mundësia për sukses e të ndërhynin mbas shumë pak ditëve anglezët. Dhe e di mirë prej njerëzve të mi se Jupi thoshte që Shkodra vetëm nuk mund t’i bëjë ballë një ushtrie tashmë të organizuar, që kishte edhe topa e tanke, e forcat e “mbrojtes së popullit” që vritnin e pritnin pa mëshirë.

Plani ka qenë i përgatitur dhe i studiuar ushtarakisht qysh në fillim të 1945-ës, me hollësira kryesisht Zeneli oficer akademist, Haliti oficer karriere, pra specialistë dhe me ta Jupi e Saiti dhe mbas janarit 1946 modifikuar sipas kushteve të reja prej Jupit.

Këtë ma thoshte Zeneli e për zhvillimet e periudhës së fundit kryesisht Shyqyri Kopliku pas 10 viteve të burgut, vëlla i Rifatit të pushkatuar, te të cilët Jupi ishte fshehur. Mjaft ka ditur edhe Ahmet Kopliku e di i vëllai Sadedini.

Për kryengritjen, role të rëndësishme kanë pasur Abdullah Kazazi dhe Rifat Kopliku me të vëllanë Shyqyriun. Ata si njerëz me influencë do të jepnin kushtrim e të ngrinin shkodranët në këmbë. Kanë qenë edhe persona të tjerë, edhe nga ana katolike, por nuk kujtoj emra, përveç Sulçe Beg Bushatit që ishte pushkatuar.

Po të fillonte kryengritja e përgjithshme, komunistët nuk kishin nga t’ia mbanin më parë e populli do të shtonte radhët e luftëtarëve, mbasi e provoi “lirinë” që fitoi. Në fakt lidhjet ishin shumë të vështira e terrori bënte punën e vet. Janë pushkatuar e torturuar tmerrësisht persona që kishin strehuar Jupin e të tjerë.

Duhet të kuptojme imagjinojmë situatën reale sidomos mbas Kryengritjes së Malësisë së Madhe më 1945, masakra e të quajturit pushtim i veriut prej Armatës III me kriminel Mehmet Shehun në krye. Pushkatuan Arif Selimin në Vukatanë, vetëm për një gotë qumësht që i kishte dhënë Jupit. Futën terrorin dhe dënoheshin rëndë edhe ata që nuk denonconin. Ka shumë njerë që u janë bërë tortura të tmerrshme. Imagjinoni si mund të lëviznin të armatosur e në grup.

Kështu Jupi u detyrua të futej në Shkodër e të strehohej te dajat e tij Rifat e Shyqyri Kopliku. Qe futur i veshur si katundar, i parruar, me gomar të ngarkuar e i shoqëruar me një grua, prej të cilës para postbllokut u nda, për të mos e rrezikuar.

Shkodra ruhej si kufiri. Kam shumë emra e familje për të përmendur që kanë rrezikuar shumë, por emrat i kam të dhënë më vonë prej njerëzve të mi e mund të mos përmend ndonjë që e meriton plotësisht. Nuk mund të mos shkruaj për Shaban Hysen Bibaj prej Boksit, një prej besnikëve të Jupit.

Atë e patën torturuar për vdekje e dënuar me burg, e dinte ku ishte Jupi e nuk tregoi. Duhet të përmend edhe Abaz Et-hem Ibraj prej Linaj-Rrjoll që e dinte dhe e kanë torturuar tmerrësisht e nuk ka treguar. Disa kanë dalë në dosjen e Ministrisë së Brendshme më sipër.

Në mes të terrorit e vështirësive, më 9 shtator 1946, pa dalë drita, pse po merrnin djemt ushtarë, u dha kushtrimi e filloi Kryengritja e Postribës, e Postribës heroike antikomuniste, e Postribës dhe e katundeve përreth, prej ku u nisën edhe të paarmatosur, por me një sëpatë në dorë burra trima, kurajozë, patriotë e gati me dhënë jetën për liri me në krye bajraktarët si Osman Haxhia e bajraktarë e krerë të tjerë.

Rëndësia e madhe është se u çuan popull i thjeshtë e bajraktarë bashkë për të luftuar për lirinë e Ballit e Legalitetit. D.m.th. se edhe katundarit e qytetarit të thjeshtë i kishte ardhur aty sa nuk duronte më, siç e ka pas thënë vetë trimi Osman Haxhia. Edhe për këtë ngjarje të madhe komunizmi shtrembëronte, minimizonte e mashtronte. Para se të fillonte sulmi, një grup pati prerë linjat telefonike.

Trimat postribas, të katundeve të tjera të krahin së Shkodrës e shkodranë zmbrapsën ushtrinë e mbërritën të futen në hyrje të qytetit, kaluan kazermat, erdhën deri në lagjen Rus e një grup në drejtim për te “Dugajet e reja”.

Në Shkodër doli Qazim Rroji i Ballit, që ishte afër luftimeve dhe u përpoq të mblidhte njerëz, por ishte i papërgatitur. Megjithatë ai luftoi dhe u vra heroikisht. Guri i Zi sulmoi, por nuk mundën të mbërrinin qytetin, mbasi pati luftime të forta dhe i bllokuan tek Ura e Kirit.

Qëllimi i parë ishte hapja e burgjeve e marrja e qendrave drejtuese të qytetit. Kjo nuk u mbërrit. Për sulmin komunistët nuk dinin datën e orën, por një farë përgatitje e kishin me ushtri, mbrojtje e sigurim. Kryengritja u shua me terror e pasoja të tmerrshme për trimat që luftuan e për familjet e tyre. U vranë në luftime 12 veta, pushkatuan menjëherë 18 veta e u dogjën 30 shtëpi. Vetëm në lidhje me Postribën janë 64 të pushkatuar dhe u mbushën burgjet e shumta të kriuara në Shkodër.

U burgosën menjëherë në Shkodër 26 veta dhe në katundet 69 veta. Në qarkun e Shkodrës u bënë më se 270 arrestime. Unë nuk kam dhënë emra e hollësi për sulmin e luftimet, mbasi të dhënat mund t’i marr veç prej shkrimeve të të tjerëve e nuk kam dokumente.

Duhet të theksoj e të sqaroj se për këtë ngjarje ndokush ka hapur fjalë se e ka ditur Sigurimi, por e kanë lejuar vetë, që mbrapa të bënin terror, vrasje e arrestime.

Nuk është aspak e vërtetë dhe aslogjike dhe janë dokumentet. Ata nuk do të kishin rrezikuar duke i lënë të hynin deri në qytet. Nuk ishin aq budallenj, sa të mos u bënin pritën së paku para kazermave dhe të rreshtonin ushtrinë e gjithashtu të mbronin me kohë Urën e Kirit.

Për më tepër ndokush ka thënë edhe se kryengritjen e ka organizuar vetë Sigurimi!! Kjo s’ka asnjë mundësi dhe sipas meje, me qëllim ka hapur fjalë për të zhvlerësuar këtë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë.

Atëherë krerët e kryengritjes i paska nxitur Sigurimi e megjithatë rrezikuan dhe e paguan me jetë e mjaft prej tyre e bënë burgje të gjata?! Komunizmi po të donte i fillonte reprezaljet edhe pas disa pushkësh në afërsi të Shkodrës, siç bëri me bombën e ambasadës ruse në Tiranë.

E vërteta është se fillimi i kryengritjes ishte lënë më 16 shtator dhe ishte planifikuar dhënia e alarmit nëpërmjet koordinimit të përgatitur e lidhjeve me krahinat e tjera të Shqipërisë e kryesisht të veriut.

Për fat të keq jam ndër të fundit që di disa hollësi të pathëna ose të pashkruara. Mbas mbledhjes, në datën 7 në katundin Kullaj në Postribë, patën vendosur sulmin në datën 9 shtator, para se të merreshin djemtë ushtarë. Ata e patën thirrue Jupin që të vinte e të vihej në krye, por duhet të kuptojmë situatën.

Nuk ishte e mundur të dilte në rrugë, pse e njihnin të gjithë. Shtëpitë e rrethit të rij ruheshin, në krye të rrugicës rrinte gjithmonë një spiun dhe natën ishte më e pamundur, pse ishte si shtetrrethim. Jupi u pati çuar fjalë që duhej të vinin ta merrnin.

Duhej t’i çonin rreth 5 veta për të dalë nga Shkodra në rast nevoja duke hapur rrugën me armë në dorë. Gjithashtu shumë e rëndësishme është se i pati lajmëruar që nuk duhej të fillonin sulmin, pse ishte lënë data 16 e pse nuk arrihej lidhja me krahinat e tjera deri në datën 9 dhe vetëm një pjesë e zonës së Shkodrës nuk mund të përbalonte forcat e mbrojtjes e një ushtri.

Të nesërmen mbërritëb përforcime me ushtri, topa e ato pak tanke që i kishin të përqendruara në Tiranë me Beqir Ballukun në krye. Në ditën e sulmit nuk kishin njoftim grupet e tjera të armatosura e pritej data 16. Kështu p.sh. nuk sulmoi edhe Rasim Gjyrezi që ishte në Anët e Malit dhe mbas kryengritjes e rrethuan, luftoi dhe nuk u dorëzua i gjallë. Po kështu Mlikajt në Lezhë etj. Këto i di të sigurta prej Shyqyri Koplikut, që ka qenë me Jupin për sa kohë ishte në shtëpinë e tyre deti ditët e fundit.

Bajraktari Osman Haxhia dhe mjaft bajraktarë të tjerë e postribas kanë qenë miq të Jupit të familjes Kazazi. Edhe dokumentet e Sigurimit e provojnë se Jupi ka ndenjur më shunë në zonën e Postribës. Kush e strehonte, rrezikonte edhe jetën. Gjithashtu prej dokumenteve që kam paraqitur del se ai kishte shumë miq, respekt e influencë sidomos në atë zonë.

Për fillimin e kryengritjes e vërteta është se ka qenë Dulo Kali, që u mbushi mendjen të sulmojnë dhe i bindi bajraktarët se qe e mundshme marrja e Shkodrës. Bashkë me Dulin për fillimin, me sa di unë, ka qenë edhe Pjetër Shan Deda, por nuk jam krejt i sigurt.

Akti qe shumë i guximshëm e heroik, por i pastudiuar mirë. Atyre iu dha guxim dëshira e madhe për të fituar lirinë e për të rrëzuar diktaturën. Dulo Kali qe ndër ata që u dënuan me pushkatim. E them me keqardhje se për Pjetër Dedën e sidomos për të shoqen Marijen pothuajse nuk flitet. Ata të dy pas kryengritjes i rrethuan. Edhe ajo nuk pranoi t’u dorëzohej komunistëve e luftuan të dy deri sa u vranë heroikisht. Të luftojnë e të vriten së bashku burrë e grua është akt shumë i rrallë e jo vetëm në Shqipëri.

Mbas Kryengritjes së Postribës e torturave çnjerëzore ndaj të arrestuarve, arritën të zbulojnë se ku ishte Jupi. Patën arrestuar një person prej katundeve të Shkodrës që e akuzonin se kishte takuar Jupin. Me kusht që të sillte informata se ku ndodhej, atë e lirojnë duke i mbajtur peng të nipin që ishte në Sigurim.

Një rast tjetër i tillë del edhe më lart në dosjen e Jupit. Mbërritën te personi që ishin të sigurt se e dinte. Atij i kanë bërë torturat më të tmerrshme që ekzistojnë. Kanë arritur deri t’i shpojnë pulpat e këmbëve anembanë me hekura të skuqur. Ishte i lidhur e fiksuar përtokë, me helmetë në kokë që të mos kishte asnjë mundësi vetëvrasjeje. Tortura të papara ndonjëherë, por vërtet kanë ndodhur.

Më tepër nuk mund të rezistonte edhe njeriu më i fortë. E rrethuan në shtëpinë e dajës së tij Rifat Koplikut, më 17 shtator 1946. Arrestuan menjëherë Rifatin, djemtë e tij Ahmetin 16 vjeç që bëri 7 vite burg e deri Sadedinin 14 vjeç e Shyqyriun.

Ata të Sigurimit që bënë rrethimin me gjithë kreun e tyre Zoi Themeli e si person Dulaq Lekiqi, kërcënonin me automatik në kokë Ahmetin para nënës së tij e i thoshin asaj me fjalë fyese që t’i thoshte Jupit të dorëzohej, përndryshe do t’i vritnin djalin, por ajo grua nuk e hapi gojën.

Ata kishin frikë të afroheshin e mbas dy orësh ndihet zëri që u thotë: “Jup Kazazi nuk ju dorzohet i gjallë komunistave. Rrnoftë Shqipnija e lirë!”. Dhe u dëgjua një krismë arme. Para se të dilnin njerëzit nga shtëpia, u pati thënë që të mos bëheshin merak se nuk do të luftonte e t’i dëmtonte ose t’u digjej shtëpia dhe iu la për nënëm time e ajo ta kishte për mua, orën e vet që e ruaj si kujtimin më të shtrenjtë që kam. Jupi si armatim ka pasur dy revole, njëra naganti i dhuruar prej kolonelit Neel, një gold dhe dy bomba. Ata “trima” kriminelë kishin frikë të afroheshin te vendi ku ishte strehimi i Jupit, vunë përpara Ahmetin 16-vjeçar dhe e detyruan ta nxjerrë të pajetë prej aty. Mbas kësaj e rrethuan në oborr, e masakruan për së vdekuri, hodhën  valle e kënduan!!

Të nesërmen thërrasin nënën në Sigurim në zyrën e Zoi Themelit, gjoja si rregull që t’i komunikonin zyrtarisht vrasjen e burrit. Ajo i tha:

“Ju s’dini çka po bani! Po vritni njerëzit ma të mirë që ka Shqipnia!”. Menjëherë Dul Rrjolli e Dulaq Lekiqi që ishin në zyrë u hodhën dhe e kapën në fyt dhe bërtitën: “Në burg! Në burg menjiherë!”. Pur çuditërisht, ndoshta për herë të parë, kryekrimineli tregoi butësi. Ai u tha: “Lëreni, lëreni, se ajo nuk din çka thotë, pse sa i ka vdekë i shoqi”. Kështu e shpëtoi nga burgu.

Në të njëjtën mënyrë sakrifikoi veten edhe vëllai i katërt Saiti, i zbuluar më 6 tetor 1946. Saiti, doktor në drejtësi, komandant i rinisë së Ballit, luftoi me armë në dorë pushtuesin dhe ai qe në krye të rinisë vullnetare në Kosovë.

Saiti i plagosur qe strehuar te Sadija, e veja e Hafiz Kazazit, motër e Rasim Gjyrezit i vrarë heroikisht në Krebaj. Ai me njerëzit e tij do të sulmonte Shkodrën nga Ana e Malit. Ajo grua burrëreshë qe dënuar me 10 vite burg dhe e patën arrestuar me gjithë vajzën, Syrin 16 vjeçe. Edhe për Saitin “trimat” kishin frikë të ngjiteshin në trapazan ku ishte, dhe ngjitën vajzën e re, që ta tërhiqte e ta ulte poshtë ashtu të pajetë. Kaq trima kanë qenë! Mendoni tmerrin e një vajze!
(Vijon nesër)


 Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Ceremonia e ngritjes së flamurit në Shkodër

112-vjetori i Pavarësisë/ Ceremonia e ngritjes së flamurit në Shkodër