Tragjedia e fluturimit në
pikturën e Gazmend Lekës

Tragjedia e fluturimit në<br />pikturën e Gazmend Lekës
“Por Ikarusi u mbush me entuziazëm më të madh nga mundësia që iu dha për të fluturuar dhe e harroi paralajmërimin e të atit. Pendët u çngjitën dhe ai ra në det e gjeti vdekjen”, shkruhet në enciklopedinë greke të mitologjisë. Motivi i kësaj legjende dhe fluturimi ka frymëzuar piktorin Gazmend Leka, i cili ka çelur mbrëmë në galerinë “Zeta” ekspozitën personale të titulluar “Ikarus”, përmes së cilës ka prezantuar 9 tablo të mëdha pikture (vaj në kanavacë, 150 me 150). Koncepti metaforik i pikturave të ciklit “Ikarus” përshkruhet në shtatë faza të gjendjes në të cilën kalon njeriu, me të gjithë dështimet dhe sukseset e tij. Piktori këto tablo i prezanton në Tiranë pas një ekspozite të çelur në Poloni. Ngasja ka ardhur nga një cikël aksidentesh ajrore që pasqyrohen në nëntë piktura.

Piktori të gjithë ngjarjen e ka fiksuar sikur të ketë ndodhur në çdo ditë të javës, nga e hëna deri të dielën. Janë fluturimet e ethshme të njerëzimit, që një ditë marrin fund me aksidente tragjike, të cilat nisin që nga ëndrra sfiduese për të ngritur Kulla e Babelit deri tek fluturimet ajrore, detare dhe kozmike. Patosi për qiellin është shoqëruar me admirimin dhe makthin e aksidenteve, që pasqyrohet nëpërmjet ngjyrës së bardhë, grisë dhe të zezës tipike të piktorit Gazmend Leka. Në hyrje të ekspozitës piktori ka kujtuar legjendën e Ikarusit, që donte të fluturonte drejt diellit, por më tej në tablotë e tij krahët prej puplash zogu të Ikarusit i ka zëvendësuar me krahët e çeliktë të avionit, duke treguar përmes pikturës tragjedinë që ka shoqëruar njerëzimin që nga kohët antike e deri më sot. Në ekspozitë prezantohen një cikël pikturash në gri.

Në hyrje të saj është një tabelë me citate, ku Leka ka përmendur Babelin, Përmbytjen e Madhe, Titanikun, etj., e deri në aksidentet e ditëve tona, siç është ai i Senës. Tablotë janë veshur me një gjuhë simbolike, kodin e së cilës piktori nis ta zbërthejë me shprehje që shoqërojnë historinë e aksidenteve. Ja si shkruhet në hyrje të ekspozitës: “TITANIK: E ndërtuam dhe thamë: ta pagëzojmë Titanik, sepse është një anije që nuk mbytet kurrë. Përfundoi në fund të oqeanit”, ose “Challenger”: E thirrën Challenger (Sfidanti), që të sfidonim qiellin. U dogj bashkë me 7 astronautë brenda. Nuk mundi të ishte sfidues”, etj.  


Shkrimi u publikua sot (23.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane