Pas deklaratës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka reaguar kryebashkiaku Erion Veliaj i cili thotë se u deshën 32 orë që të thuhet se vendimi është sekret shtetëror.

“U deshën 31 orë që më në fund të na thuhet se vendimi është sekret! Pra, jo vetëm që nuk na vihet në dispozicion akti, por synohet të na mohohet edhe mundësia për ta njohur, kundërshtuar dhe ankimuar efektivisht atë”, shprehet kryetari i Tiranës

Ai citon nenin 12 të ligjit për Informacionin e Klasifikuar, ku autoritetet e vetme klasifikuese janë Presidenti dhe kryeministri, ndërsa titullarët e institucioneve të tjera e marrin këtë autorizim vetëm nga kreu i qeverisë.

“Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues”, thotë Veliaj.

Në reagimin e saj, Drejtoria e Burgjeve tha se janë respektuar procedurat ligjore, por arsyeja e kësaj lëvizjeje, është sekret shtetëror.

“Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij”, thuhet në deklaratë.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, komisioni i pranimit e ka dërguar Veliajn në një nga qelitë e paraburgimit.

Burgjet theksojnë se ky urdhër që as Veliaj dhe as mbrojtja e tij nuk e kanë parë, mund të sigurohet sipas kritereve të ligjit “Për informacionin e klasifikuar”, ndërsa për transferimin është njoftuar dhe SPAK.

Më tej, thuhet se transferimi është bërë në kuadër të masave të marra për sigurinë e burgjeve, duke theksuar se nga 16 tetori deri më 27 tetor, pra në 12 ditë, janë bërë 24 transferime.

Por avokati Plarent Ndreca, shprehet se Veliaj vijon të jetë në të njëjtat kushte dhe në sektorin më të vështirë të burgut.

“Kushtet vijojnë të jenë të njëjta, thjesht ka ndryshuar një dhomë që nga pa dritë natyrale, ka kaluar në një dhomë me dritë natyrale, por që në kushte të njëjta, të papërshtatshme, në sektorin më të vështirë të burgut. Nuk ka ujë”, tha Ndreca.

Sipas tij, reagimi i Drejtorisë së Burgjeve nuk është transparent dhe i qartë. 

Deklarata e plotë e Drejtorisë së Burgjeve 

"Nisur nga spekulimet e shumta mediatike, vendosëm të bëjmë këtë njoftim të pazakontë për shtyp lidhur me procedura standarde të brendshme të punës.

Transferimi i shtetasit E.V është kryer në kuadër të masave që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë së fundmi për sigurinë dhe garantimin e mbarëvajtjes së institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.

Në vijim të transferimit e të paraburgosurit E. V. në IEVP Fier, janë zbatuar procedurat e pranimit të parashikuara në nenin 38 të ligjit nr. 81/2020, datë 25.6.2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe në nenin 15 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, miratuar me vendimin nr. 209, datë 06.04.2022, të Këshillit të Ministrave.

Në zbatim të nenit 15, pika 4, të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, më datë 28.10.2026 i paraburgosuri E.V u vendos në seksionin e pranimit (observimit) dhe u trajtua korrektësisht dhe në përputhje me kuadrin ligjor si për të gjitha rastet e tjera.

Më datë 29.10.2026, strukturat përgjegjëse të IEVP Fier kanë zhvilluar takim me të paraburgosurin E.V në ambientet e sektorit të observimit. Gjatë takimit janë dëgjuar pretendimet e tij dhe janë dhënë sqarime mbi të drejtat dhe detyrimet mbi qëndrimin në institucion. Në përfundim, komisioni i pranimit ka vijuar me sistemimin e tij të plotë, në përputhje me vlerësimin individual dhe procedurat përkatëse.

Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

Shtojmë se në rastin e të paraburgosurit E. V., është kryer edhe njoftimi i organit të prokurorisë, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.

Në mbështetje të nenit 78 të ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe të neneve 106–108 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, miratuar me vendimin nr. 209, datë 6.4.2022, të Këshillit të Ministrave, urdhri i transferimit për çdo arsye të përligjur nxirret nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Vlerësimi dhe vendimmarrja për transferimin përfshihen në kompetencën dhe diskrecionin administrativ të Drejtorit të Përgjithshëm, si praktikë normale pune e ushtruar brenda kushteve dhe kritereve ligjore, mbi bazën e dokumentacionit të administruar.

Nga DPB prej datës 16.10.2026 deri më datë 27.10.2026  janë kryer 24 (njëzet e katër) transferime brenda kuadrit ligjor.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon të marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, parandalimin e ngjarjeve dhe mbarëvajtjen e institucioneve, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e personave të burgosur." 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:54
Transferimi në burgun e Fierit, Veliaj: U deshën 31 orë të na thoshin se vendimi është sekret! Drejtoria e Burgjeve të tregojë autorizimin e Kryeministrit

1791281467_erjonveliaj.jpg

Erion Veliaj ka reaguar për transferimin e tij në burgun e Fierit dhe cilësimin “sekret shtetëror” të motivit nga ana e Drejtorisë së Burgjeve. Veliaj ironizon distancën kohore mes transferimit dhe reagimit për arsyen.

Duke u bazuar në ligj, ai shprehet se autoritetet që mund ta klasifikojnë një çështje si sekret janë Presidenti, Kryeministri dhe çdo institucion që autorizohet prej tyre. Thënë këtë, i kërkon autorizimin Drejtorisë së Burgjeve.

Deklarata e plotë:

U deshën 31 orë që më në fund të na thuhet se vendimi është sekret!

Pra, jo vetëm që nuk na vihet në dispozicion akti, por synohet të na mohohet edhe mundësia për ta njohur, kundërshtuar dhe ankimuar efektivisht atë.

Atëherë kalojmë në faqen tjetër të kësaj maskarade: nga arbitrariteti i vendimmarrjes te fshehja e saj pas sekretit shtetëror!

Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues.