Pak ditë më parë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Drejtoria e Transportit të Shërbimit Rrugor, prezantuan pajisjet e elektronike që do të rrisin sigurinë rrugore.  Në sitën e inspektimeve do të jenë mjetet e shërbimit publik, taksitë, autobusët, si dhe mjetet e tonazhit  të rëndë. Blendi Gonxhe drejtor i DPSHTRR-së sqaron për Report TV se problemet e mbartura ndër vite në vend në transportin rrugor janë edhe arsyet që çuan në përforcimin e masave, duke pajisur  “Task Forcën” me kamera trupore, tableta peshore rrugore dhe pajisje. Gonxhe shpjegon edhe mënyrën se si do të funksionojë ky aksion në transportin rrugor, i cili do të përqendrohet në dy drejtime.

Pikë së pari që të mos i ngjajmë në asnjë lloj mënyre asaj që dikur ka qenë një histori jo e mirë, një dështim në kontrollin në terren për transportin rrugor, që ka qenë e ashu quajtura policia gri. Çdo përpjekje që ne po bëjmë sot është që kontrolli në terren të jetë objektiv, transparent dhe në kohë reale i monitoruar dhe të jetë i bazuar në sisteme”, tha Gonxhe.

Tashmë në akset rrugore do të vendoset edhe pajisja e lëvizshme e kolaudimit, që sipas Gonxhes është një skaner në automjetet që do të zbulojë në pak minuta nëse mjeti ka probleme teknike, ku kontrollit nuk do t'i shpëtojnë as automjetet e tranportit privat që kanë të bëjnë me automjetet 8+1 apo furgonat që përdoren për transportin e të huajve por jo vetëm. Kontrollet e inspektorëve do të zhvillohen në postbllok dhe rezultatet e para do të jepen në fund të vitit.

Është një kontroll teknik lëvizës, një kontroll teknik i automjeteve të ndyshme duke filluar nga ato civile të cilat kontrollohen me policinë rrugore. Ndryshe qëndron puna për mjetet e transportit të udhëtareve dhe të mallrave. Këta kontrollohen nga “Task-Forca” e transportit rrugor, ndalohen nga policia rrugore futen në kontroll nga “Task-Forca” e transportit rrugor, ku ekspertët kryejnë me shpejtësi dhe me mënyra të informatizuara matjet, peshën për aks etj. Mund të konstatohet një problem që është shkaktuar nga një arsye konkrete ky mjet udhëzohet të shkojë për servis më pas për kolaudim, ndërsa ne mbajmë çdo shënim dhe e bllokojmë mjetin për çdo e drejtë që ka mjeti në shërbimin publik” deklaroi drejtori Gonxhe.

Nëse automjetet konstatohen me probleme teknike atyre do t'i bllokohet e drejta e qarkullimit dhe do të rikthehen pranë SGS-së për të kryer kolaudimit. Aktualisht nga të dhënat zyrtare të DPSHTRR-së, në vend qarkullojnë mbi 10 mijë mjete të cilat nuk kanë kryer kolaudimin, si dhe mbi 100 mijë të tjera nuk paguajnë taksat.  Drejtori i DPSHTRR-së, ngre edhe një shqetësim tjetër përveç dëmtimit të rrugëve, dhe bëhet fjalë për automjetet e transportit të mallrave të cilat kryejnë evazion fiskal. Vendosja e peshores në rrugë që bën të mundur matjen e peshave aksiale të mjeteve për transport mallrash që të mos kalojnë 15 ton për aks dhe inspektimi deri në detaj nga inspektorët, sipas tij i jep fund informalitetit.

Të gjitha pajisjet janë të financuara nga Bashkimi Europian, dhe që prej datës 2 shtatorë janë materiale në dispozicion të inspektorëve, të cilat bëjnë të mundur jo vetëm modernizmin e kësaj strukture por garantojnë edhe një kontroll më të shpejtë.