TIRANË - Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka përfunduar një seancë më shumë se pesë orëshe lidhur me rastin e Sokol Idrizaj dhe familjarëve të tij, të akuzuar për "kontrabandë mallrash", "mosdeklarim të ardhurash", "pastrim parash" dhe "ushtrim pa licencë të aktiviteteve financiare", bën me dije gazetarja Keti Banushi.

Të akuzuarit janë dënuar lidhur me kontrabandën e mallrave dhe pastrimin e parave nga Franca në Shqipëri, përfshirë një shumë të madhe prej 2.1 mln eurosh.

Në maj të vitit të kaluar, Sokol Idrizaj, ish shofer në ministrinë e Brendshme, bashkëshortja e tij dhe dy vajzat e çiftit u vunë nën akuzë nga SPAK, pasi dyshohen si anëtarë të një grupi kriminal. Në kuadër të këtij procedimi u në total u arrestuan 12 persona. Këta shtetas dyshohet se kanë transportuar sende të vjedhura dhe me vlerë të çmuar nga shteti  francez drejt Shqipërisë, ku janë shitur në mënyrë të fshehtë dhe kontrabandë përmes argjendarisë së shtetasit Vangjush Kashara që ka dyqanin qendror në Tiranë. 

Verifikimet e SPAK treguan se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, kanë kaluar drejt Francës 724,386 euro për blerje të sendeve, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, ndërsa shumat në kesh të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme, kapin vlerën e 2.1 milionë eurove dhe 35.000 franga.

Pas shqyrtimit, Gjykata shpalli vendimin, duke dhënë dënime për të akuzuarit si vijon:
Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Florian Baku: 11 vite burg, me gjykim të shkurtuar 7.5 vjet.
Sokol Idrizaj dhe bashkëshortja Elda Idrizaj: 8 vite burg, me gjykim të shkurtuar 5.7 vjet.
Egi Idrizaj (vajza e madhe e Sokol Idrizaj): 7 vite burg, 4.7 vjet me gjykim të shkurtuar, dhe u aplikua pezullimi me shërbim prove.
Bora Idrizaj (vajza e vogël e Sokol Idrizaj): 2 vite burg, dhe u aplikua pezullimi me shërbim prove.
Vangjush Kasharra: U shpall i pafajshëm për "fshehje të të ardhurave".
Tomorr Baruti: 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar 1.4 vjet, dhe u aplikua pezullimi me shërbim prove.

Lajmi ne perditesim...