Tregimi: Monologu i bohemit

Tregimi: Monologu i bohemit
Qyteti im gëlon nga zallamahia e festave të Vitit Të Ri, dhe i veshur me drita anë e mbanë të krijon një ngazëllim pështjellimi që të mbush me morrnica. Baret dhe lokalet të tejmushura ding me njerëz, që hyjnë për të gjetur [gjoja] miqtë, por vërtik gjuajnë edhe pren'ë e Fatit.
 
Diku aty do të jem edhe unë, me një re gjigade nga tymi i duhanit, që për një moment më vjen për të qeshur me ligjin anti-duhan [të dhjefsha ligjin] sepse unë nuk jetoj në Stohkolm me pamje nga lumi. Njerzit pijnë hallet, dhe tresin ëndrrat.
 
Por unë nuk di kujt t'i shkruaj ndonjë urim të ngrohtë tradicional? Ngado dëgjohen urimet dashamirëse: "Gëzuar Nga Mot". Dëgjohen nga telefonat, nga takimet ballë për ballë, nga Skype, nga mesazhet. Gëzuar për shumë Vjet Vitin E Ri - një urim ky sa i lashtë, aq edhe i sinqertë. Dhe unë nuk di kujt ti shkruaj dy fjalë, sa për të qënë në kohë, ose sa për tu kujtuar se jam gjallë. Kjo ndodh ngaqë e kam të vështirë t'i përballojë këto larmi të pabarabarta.

Dikush, ose më mirë unë, nuk di nga t'ja nis me pregatitjet e natës së madhe, atë të Vitit Të Ri. Në fillim duhet zbukuruar bredhi, pastaj aroma e portokalleve që mbush gjithë shtëpinë, pastaj pak aromë Vanilje tek shërbeti i bakllavasë, pastaj qymyri që ndezim zgarrën, pastaj një tingull i vjetër i pjatës që thyhet në dhomën e gatimit, pastaj fëmijët e vegjël, që luajnë nëpër këmbë, e fillojnë të qajnë se padashur u ça tullumbacja ... Pastaj Ora 12 me përshëndetjen e superpozuar të Presidentit të Republikës, pastaj ora 12 e 1 minutë, Shqipëria vjen era barut. Ehh sa ngopesh me këto kujtime, aq sa nuk plas dot.
 
Por unë nuk shtroj në tryezën e madhe. Qyshkur gjithçka e pregatis në karrigen e vjetër, në tjetrën përball ulem vet. Të them të drejtën ky fakt më trishton ngaherë, por ngushëllohem se nuk besoj të jem i vetmi, ka edhe të tjerë që shtrohen në shilte.
 
Pastaj mëngjesi i boshatisur. Eshtë e njëjta ndjesi që u ndodh të gjithëve. Disa dalin e gjejnë ndonjë kafene hapur, dikush bën të rëndin, nuk del as pasdite. Të tjerë janë velur nga dhjami dhe alkooli i tepruar. Unë shoh nga matanë rrugës disa fëmijë të veshur trashë, që janë mbledhur kokë më kokë dhe diç çuçurisin. Aha do ndodhë tani. Zë veshët me duar. Ajo plas në koshin e mbeturina fuqishëm. Janë pëllcitëshe të shtrenjta, 50 lekëshe, aq sa kushton një bukë.

Pastaj largohen të gëzuar, duke kërkuar kosha të tjerë. Vizitat dhe ritualet e datës 1 Janar sapo kanë filluar. Ora është afro 11 e paradites. Disa gra kanë ndaluar në ballkonin e katit të tretë, dhe pa rradhë, tregojnë tryezat, ëmbëlsirat, pijet dhe frutat. Dikush nga to, Lirka, e kish bërë bakllavanë me 127 petë, nga ato që tërhollin korçarkat faqe-kuqe. Dhe i lumtë atyre që i kanë shijuar. Pastaj vjen një fuoristradë me targa të Tiranës. Në fillim zbret një grua e gjatë me flokët kapele, me një Peliçe gri me Zebra. Eshtë ajo që jep lajmet në një televizion të njohur, vjen ta festoj me prindërit ...
 
Unë do të shtroj më vonë. Le që nuk kam ç'të shtroj. Ato aty kanë mbetur nga mbrëmë. Në karrige unë do të heq vetëm gazetën që kanë përsipër. Ja kështu ikin dhe vijnë vitet. Edhe me Babagjyshin jam shumë i mërzitur, por ai s'ka për ta marrë vesh kurrë. Dhe unë nuk di kujt t'i shkruaj dy fjalë të ngrohta. Sikur t'i qëndis ndonjë varg të njohur, të ngjashem me kartolinat që na i kthenin menjëherë poshtë derës. Ose thjesht të shkruaja vetëm tre fjalë: "Gëzuar Nga Mot".


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në fshatin Kurqele të Klosit, flakët rrezikuan banesat

Zjarr në fshatin Kurqele të Klosit, flakët rrezikuan banesat