Shtatë tregje problematike u diskutuan në një seancë që zgjati gati 4 orë në Komisionin e Ekonomisë, ku për të prezantuar raportin vjetor ishte Autoriteti i Konkurrencës. Nga tregu i spitaleve private, tek sigurimet, karburantet, telefonia celulare, tregjet agro-ushqimore, tregu i çimentos e deri tek bankat, të gjithë sektorë me jetikë, për të cilët hetime janë kryer probleme janë konstatuar, e për një pjesë hetimet fillojnë.

Përpara ligjvënësve kryetari i Autoritetit të Konkurrencës Denar Biba, kërkoi më shumë hapësira ligjore për të kryer hetime në këto tregje sensitive, pasi verifikimi i të dhënave për të faktuar se ka abuzime, në shumicën e rasateve është i pamundur, dhe si rezultat edhe masa apo ndëshkime nuk ka.

Përveç kontrolleve, verifikimeve në zyrat e kompanive të ndryshme, apo mbledhjes së dëshmive, Biba sheh si zgjidhje kryerjen e një hetimi të saktë, ndërhyrjen në telefonat e kompanive që janë nën hetim nga Konkurrenca.

“Homologët tanë ju marrin celularët. Ky (celulari) është tradhtari më i madh për çdo lloj gjëje. Nëse do realisht të bësh punë skrupuloze hetimore, kjo është. Edhe ata zotërinjtë e SPAK-ut apo të prokurorisë në Shqipëri shumicën e sukseseve të tyre e kanë pasur nga sky nga Encrochat. Ne nuk e kemi këtë mundësi. Polakët e kanë, turqit e kanë, italianët, gjermane, të gjithë vendet e BE-së i kanë”, tha Denar Biba.

Kjo kërkesë për të pasur akses edhe në telefonat e sipërmarrjeve që janë nën monitorim nga Autoriteti i Konkurrencës, erdhi për shkak se në tregun e grumbullimit të qumështit, të fruta-perimeve dhe atë të spitaleve private, hetimet nuk kanë rezultuar të suksesshme për mungesë të provave.

“Kur flet me ta kështu Of Records, të gjithë nxjerrin shpirtin edhe t'i thonë të gjitha. Kur vjen puna për të ofruar një mesazh ËhatsApp-i që e ka pasur me grumbulluesin përkatës, thotë mos na merrni në qafë. Ju themi nuk do t'ju nxjerrim, ore kemi detyrim ndaj ligji. Nëse ne ju nxjerrim, ju shkojmë për shpërdorim e tyre, nuk pranojnë në asnjë lloj rrethane. Fenomeni nuk është vetëm shqiptar”, tha Biba.

Ndërsa për tregun e fruta-perimeve, Biba paralajmëroi përfundim të hetimit së shpejti, por pa bërë detaje mbi vendimmarrjen, duke kërkuar nga deputetët, “ju lutem mos e paragjykoni këtë hetimin e Fruta Perime”.

Por për deputetin e PS-së Erion Braçe deformimi në bujqësi, ku fermerët po humbasin, e ka gjenezën tek skema e TVSH-së, e cila ka bërë që grumbulluesit tua marrin produktet pa fature bujqve dhe me çmim të ulët.

“Atje në Ministrinë e Bujqësisë dhe në Ministrinë e Financave nuk i kupton kush. S' kupton kush se ka një element atje shumë të rëndësishëm që është fatura që nuk e pret bujku, nuk e pret blegtori, e pret grumbulluesi. Po që ta presë grumbulluesi, duhet të ketë minimumi, minimumi, një TVSH, tatim mbi vlerën e shtuar që të jetë i barabartë në hyrje dhe në ndalje edhe në blerje. në shitje nuk mund të jetë zero në blerje dhe 20% në shitje. Prandaj nuk formalizohet ai tregu dhe prandaj goditja e amortizatorit po bie mbi kurriz të fermerit. Mbi kurriz të fermerit. Nuk po bie mbi kurriz të fabrikës. Nuk po bie mbi kurrize të fabrikës”, tha Braçe.

Kurse tregu i spitaleve private, pas një hetimi 2-vjeçar u mbyll pa masa dhe ndëshkime edhe pse disa nga shërbimet e ofruara nga spitalet private janë ekskluzive dhe tejet të kushtueshme.

“Disa prej shërbimeve shumë të rëndësishme, jepen pothuajse ekskluzivisht nga disa spitale private në vendin tonë me çmime të caktuara, definitivisht jo të përballueshme nga të gjithë qytetarët. Kemi dërguar me dhjetëra pyetje në të gjitha autoritetet homologe në rajon. Nuk na erdhi pothuajse asnjë përgjigje. Filluam të kërkonim të hulumtonim në internet për çmime në spitale të ngjashme në Turqi apo Maqedoni apo Kosovë. Në këtë pikë paradoksale ose jo, ne ju drejtuam vetë të hetuarve dhe i thamë na bëni analizën tuaj të kostos dhe na e sollën. Analiza e tyre e kostos tani unë nuk i paragjykoj ishte që fitimi i tyre ishte diku te 3%. Me fitime me fitime për të qarë për të qeshur, me fitime 3% nuk ka abuzim me pozitën dominuese”, tha Biba.

Një shërbim spitalor e merr më lirë se këtu nëse shkon në Turqi tha deputeti socialist Erion Braçe përfshirë biletën dhe akomodimin atje.

“Ky është shqetësimi dhe shifrat që dëgjohen nga njerëz që shkojnë paguajnë, shkojnë paguajnë, janë marramendëse. Të kushton më lirë të blesh një biletë, të marrësh një hotel dhe të shkosh në Stamboll sesa aty atje. Kushton më lirë”, tha deputeti i PS-së Erion Braçe.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:36
Pse kushton shumë nafta? Konkurrenca e kalon fajin tek taksat! Braçe: Ka 6 muaj, nuk ndryshon çmimi në tabelë dhe pse dollari ka rënë

1761244681_erionbrace.jpg

Durim Kraja dhe Erion Braçe

Diskutime në Komisionin e Ekonomisë ka pasur edhe për çmimin e karburantit, dhe pse nuk hetohet ky treg, edhe pse Shqipëria klasifikohet si vend me çmime ndër më të lartat në Evropë.

Duke ju referuar një hetimi të mëparshëm anëtari i Autoritetit të Konkurrencës Durim Kraja fajin e shikon tek taksat për çmimin e lartë të naftës në treg.

“Ne e kemi marrë në shqyrtim kemi bërë hetim të thelluar të këtij tregu dhe ajo që ka dalë ta quajmë ajo që është relatuar në atë kohë ka të bëjë me faktin që, nëse bëjmë një analizë të çmimit, shikojmë që pjesa më e madhe e çmimit ka të bëjë me taksat që shteti vendos. Një pjesë e madhe e çmimit që po them me përafërsi shkon rreth 1 euro taksa, ka të bëjë me taksën e qarkullimit, ka të bëjë me TVSH-në dhe ka të bëjë me taksën e karbonit. Pra, çmimi i karburanteve, hidrokarbureve, pra në pikën e fundit, në pikën fundore që ne e kemi, aq na shqetëson gjithë ne si konsumatorë duke filluar nga ne dhe gjithë ju, nuk do të ulet asnjëherë në rast se taksat do të mesin të tilla”, tha Durim Kraja anëtari i Komisionit të Konkurrencës.

Por kjo përgjigje, mori një kundërpërgjigje të fortë nga Erion Braçe, i cili tha se edhe në këtë treg operohet në formën e një karteli, ku pavarësisht se çmimi në bursë ka rënë, dhe dollari është zhvlerësuar përsëri ka 6-muaj që në Shqipëri është i fiksuar në vetëm një vlerë.

“Tregu i karburanteve vazhdon të jetë një problem shumë i madh. Po kur më thua kur më thua publikisht hapur fare në nivel individual apo në nivel shoqate që i grumbullon këta edhe ajo shoqata vepron si kartel. Po kur më thua që unë kam në tabelë çmimin ditor të bursës dhe e reflektoj në çast pas dy orësh këtë gjë. Masa e taksave aty nuk më hyn në llogari. Jo, nuk më hyn në llogari zoti Kraja. Se po ju them sot që flasim, sot që flasim Italia, Italia vendi fqinj ka nivel taksash më të lartë sesa ne, por ka një çmim më të ulët sesa ne. Dhe kur për gjashtë muaj rresht çmimi në tabelë nuk ndryshon. Natyrisht që kjo të thotë diçka, nuk ka lidhje me taksën. Dhe kur monedha me të cilën ti kryen transaksionin ka shkuar në nivele fundore dhe bëhet fjalë për dollarin, patjetër që mua nuk më thotë gjë taksa”, tha Braçe.

Në muajin gusht në raportin e politikës monetare, Banka e Shqipërisë theksonte se edhe pse çmimi i naftës në bursë ishte ulur, në Shqipëri nuk ishte reflektuar.

"Çmimet e karburanteve gjatë këtij tremujori, veçanërisht në muajin maj, në vendet e BE-së përjetuan rënie të dukshme, lëvizje kjo që nuk gjeti pasqyrim në tregun vendas.  Çmimi i naftës Brent u kuotua rreth mesatares 67.8$ për fuçi gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, çmim ky rreth 20.1% më i ulët se një vit më parë”, thuhej në atë raport.

Në prill të këtij viti, çmimi i naftës në Shqipëri, shënoi uljen e fundit të riregjistruar, duke zbritur në 173 lekë nga niveli i 175 lekëve, dhe në këto vlera luhatet edhe sot, pavarësisht se çmimi në bursë ka zbritur deri në 60 dollarë fuçia.