Treni komunist dhe ambulanca socialiste - Finalja e një mentaliteti të mbetur në vagonë të rrënuar

Treni komunist dhe ambulanca socialiste - Finalja e një mentaliteti të mbetur në vagonë të rrënuar

Shqipëri 1992, foto arkive

Protesta e djeshme, me numrin modest të pjesëmarrësve dhe të njëjtat skena groteske gjallesash që klithnin, të molotovëve që shpërthyen në mure të zbrazura institucionesh, kishte një simbolikë të zymtë, të përsëritur. Nga turma dolën ata që ishin aty jo për t’u dëgjuar, por për të thyer – jo për të ndryshuar gjë, por për të shkatërruar. Një ambulancë, që transportonte një pacient të sëmurë rëndë, u bllokua dhe u godit me drunj në mes të kaosit, si viktimë e rastësishme e një shfaqjeje të dhunshme anarkie.

Nuk ishte një ambulancë që i përkiste ndonjë pushteti. Ajo ishte thjesht një mjet që po përpiqej të shpëtonte një jetë – por për këta të verbuar, ajo dukej si një armik i maskuar, ndoshta si "desant socialist" që kërkonte të prishte festën e rrugës.

Fill pas kësaj në rrjetet sociale, mes sharjeve jo dhe me aq filtra të qytetarëve të indinjuar për skenat e dhunës, me kap syri një reagim të hollë të një zotërie i cili kishte postuar këtë foto me diçiturën si më poshtë:

“Shqipëri 1992, duke rrëzuar komunizmin se do vinte ''Çeku i Bardhë'' (asnjë copë xhami nuk kanë vagonat e trenave se ishin ''trena komuniste'' dhe ja thyen të gjitha xhamat me gurë. Me atë rast thyen edhe disa koka njerezish ose i nxorren sytë, i thyen nofullat e dhembet, varet se ku të kapte guri. Ishte kënaqesi e madhe për atë horrin që i gjuante me gurë trenit dhe kishte nishan e guri kapte ndonjë person ne kokë, kulmi i kenaqësisë. Këto që shkruajta nuk janë perralla, i kam parë vetë me sytë e mi dhe i kam dhënë ndihmë disa personave që ishin çapluar nga gurët ose xhamat, se kam punuar mekanik me trenat nga 1988 deri 2006. Foto nga Arkivi i Tom Stoddart.

Paradoksi është se këta që kishin dalë të protestonin për liri dhe demokraci ishin sikur të ishin teleportuar nga vitet 1992, me të njëjtën egërsi, me të njëjtën mani shkatërrimi, me të njëjtën errësirë të pusetës së atyre viteve që mbeti e hapur për dekada të tëra dhe herë pas here kutërbon kur gjallesat e saj dalin në rrugët plot dritë e jetë të Tiranës së shekullit tjetër.

Për këta individë që nuk e kuptuan kurrë as lirinë e as demokracinë por mbi të gjitha për frymëzuesin dhe përdoruesin e tyre në penxheren e katit të 8, ambulanca sot është po aq një armik, thjesht sepse përfaqëson një shërbim publik të cilin nuk e kanë në kontroll.

Nga Treni në Ambulancë: Një Shqiptar që Thyen Gjithçka përveç Mentalitetit

Të ndalemi pak dhe të bëjmë një udhëtim retrospektiv: A i mbani mend trenat në fillim të viteve 90? Trenat e lyer me ngjyra të zbehta, me vagonë që ngjasonin me dollapët e gjyshërve. Xhamat e thyera, të vjedhura nga njerëz që shfrynin frustrimin ndaj sistemit, ndonjëherë pa kuptuar se po godisnin shokun e tyre të udhëtimit. Gurët nuk dallonin mes trenit dhe personit – thyenin gjithçka. Dhe kënaqësia e këtij vandalizmi ishte çuditërisht e madhe për ata që ishin në kërkim të një katarsisi të dhunshëm pas dekadave nën regjimin komunist, ndonëse askush prej të tyreve nuk ju a tha që dhuna nuk çon në katarsis por në më shumë dhunë. Kjo nuk ju tha kurrë sepse ata që i përdorën këta shpirtra të humbur e të fjetur ishte shumë i interesuar t’i konservonte ata në gjendje shtazore, instiktuale dhe të mos i zgjonte, të mos i humanizonte, ashtu siç po vepron dhe sot.

Fast forward në ditët e sotme, dhe çfarë kemi? Ambulancat janë targeti i rradhës. Jo se përfaqësojnë ndonjë ideologji politike, por thjesht sepse janë atje. A thua ndonjë kushëri i largët i asaj turme të viteve '90 vendosi se, tani që trenat kanë kaluar në muze, mund të merret me ambulancat. Ambulancat që nuk shpërndajnë "Çekun e Bardhë", por ndihmojnë njerëzit të mbijetojnë. Por për disa, këto ambulanca janë më shumë një simbol se sa një shërbim – simbol i një shteti të largët, i një sistemi që nuk e kontrollojnë. Dhe në vend që të kërkojnë ndryshim, ata bëjnë atë që dinë më mirë: Thyejnë.

Një ambulancë që shpëton jetë shihet si një armik, sepse përfaqëson një sistem mbi të cilin nuk kanë më asnjë forcë për të ushtruar. I mbani mend ambulancat e kohës së tyre, ishte sikur i rrahnin çdo mëngjes dhe kur ato të shkreta duhej të niseshin vrik për të marrë ndonjë të sëmurë ose mezi ndizeshin ose jepnin shpirt rrugës. Për të mos folur për spitalet ku spitalet e luftës ishin lule krahasuar me ato godinat me harta lagështire nëpër mure dhe ndonjë mjek të lodhur e të keqpaguar që në vend të mjekimit të jepte një shishe me ujë të ngrohtë dhe të thoshte, mbaje te veshka këtë se do të të qetësojë (histori personale kjo).

Shqipëria ka bërë përpara në shumë aspekte që nga vitet '90, por një pjesë e saj duket se nuk ka mundur të shkundë plotësisht mentalitetin e përballjes me dhunë, as të zëvendësojë gurët me dialog. Dikur, trenat u shkatërruan për të simbolizuar fundin e një epoke të vjetër, dhe për disa, bllokimi i ambulancave sot mund të duket si një gjest "revolucioni". Por a është vërtet kështu? Apo është thjesht një përsëritje e vjetër e asaj që Shqipëria e ka vuajtur dekada më parë – një kombinim fatal i dhunës dhe injorancës që nuk ka sjellë asgjë tjetër veç shkatërrimit?

Kultura e dhunës që ka kapluar një pjesë të shqiptarëve është në grahmat e fundit të saj, ashtu siç është dhe vetë frymëzuesi i tyre, biologjikisht dhe politikisht. Kjo është pak po e sigurt. Ambulanca për të shëruar Shqipërinë nuk ndalet më, sado hunj të dalin përpara saj, kthimi është thjesht i pamundur. 

Ka diçka që të verbuart e përdorur keqaz nuk e kuptojnë: Përgjatë gjithë këtij rituali shkatërrimi, ata janë thjesht aktorë të një drame të lodhur dhe të vjetër. Skena është e njëjta, akti ndryshon vetëm në objektivin e vandalizmit.

Gjithsesi, kjo shfaqje nuk zgjat shumë. Askush nuk i beson më, askush nuk i ndjek më. Sepse realiteti është ky: Shqipëria po ecën përpara, dhe shpejt!. Mund të ketë gurë dhe hunj në rrugë, por rrotat e progresit nuk ndalen. Ambulancat, këto simbole të një sistemi që synon të ndihmojë dhe jo të ndëshkojë, janë aty për të shpëtuar jetën e shqiptarëve – përfshirë dhe ata që i godasin. Dhe është e bukur ironia që një ditë, ndoshta, po ata që sot godasin ambulancën, do të kenë nevojë për të.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Deputetja në Kosovë: Në veri mund të ketë sërish provokime nga Serbia

Deputetja në Kosovë: Në veri mund të ketë sërish provokime nga Serbia