Një sasi tritoli ka shpërthyer në portën e shtëpisë së Altin Balles, vëllai i Julian Ballës në Shijak. Ky i fundit është në kërkim prej një viti nga SPAK pasi ndaj tij ka masë sigurie “arrest me burg” pas operacionit të Prokurorisë që goditi organizatën kriminale të Çopjave e Çelajve në Elbasan.

Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale dhe ngjarja ka ndodhur të shtunën, (17 korrik). Dëmet kanë qenë të vogla. Ende nuk ka një autor nga ana e policisë. Sasia e tritolit është vënë në derën e shtëpisë së Altin Ballës në zonën e Shijakut, e cila ndodhet ngjitur me atë të vëllait, Fadilit. Hetuesit thonë se vendosja e lëndës shpërthyese duket më shumë si një mesazh kërcënues.

Julian Balla është pronar i resortit "Ajman Park", ku përfshihen hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente tregtare, në Xhafzotaj, Durrës, dhe i vilës dykatëshe  “ELYSIAN”, në bregdetin e Dhërmiut, bashkia Himarë (sipërfaqe totale rreth 378.2 m²), me vlerë tregu prej afërsisht 1.000.000 Euro, të cilat janë sekuestruar nga SPAK. Julian Balla është edhe ish-president i skuadrës së “Erzenit”.  

Në operacionin e SPAK në gusht të vitit të shkuar rezultoi se grupi i Çopjave ka trafikuar nga Amerika Latine në Evropë 28 ton kokainë në 2 episode të ndryshme, nga të cilat 17 ton u sekuestruan.

Franc Çopja bashkëpunonte me Ervis Çelën, i cili bashkë me vëllain, siguronin kokainën nga prodhuesit. Droga magazinohej dhe bëhej gati për transport në Paraguai dhe më pas fshihej në produkte të ndryshme. Kontejnerët i sillnin në rrugë detare nga Amerika e Jugut në Belgjikë e Gjermani nga ku më pas shpërndaheshin.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.