Një ditë pasi doli në ballë të protestës për të shpalosur planin antikushtetues ku kërkohej krijimi i një qeverie teknike jo partiake me mandat një vjeçar, Dritan Goxhaj u shfaq sërish sot para kryeministrisë. Por këtë herë pas podiumit të fjalimeve.

Megjithatë projektin e përforcoi sërish një tjetër organizator i protestës, Edison Lika, i cili theksoi se kërkesat e paraqitura të hënën do të lexohen çdo ditë poshtë zyrës së kryeministrit.

Duke qenë se deklarata e djeshme trembi shumë njerëz përfshirë kryeministrin Edi Rama që u mor personalisht me disa prej nesh, do ta bëjmë të udhës ta lexojmë çdo ditë për ta kuptuar se pse jemi më shesh tash e 24 ditë!”, tha Lika.

Edhe Luçiana Koka, një tjetër organizatore, tha për Report Tv se këto kërkesa tashmë shtyllë e protestës, janë propozim i të gjithë grupit koordinues, por që ende nuk ka lider.  

“Është një numër fleksibël, rreth 40 veta që mundohemi të kujdesemi për mbarëvajtjen e kësaj gjësë. Pikat do të jenë ato, mund të përpunohen. Do të konsultohen me ekspertë të të gjitha fushave”, tha Kokaj.

Në ditën e 24-t të protestave të nisura me Zvërnecin e të kthyera kundër të gjithë klasës politike në vend, grumbullimi në sheshin 'Skënderbej' nga udhëheqësi i marshimit Arben Kola, nuk kaloi pa incidente. Një nënë e re me fëmijën e saj në krah, mori mbështetjen e qytetarëve të tjerë, kur iu shfaq e revoltuar organizatorëve se ata janë përgjegjës pse protesta po bie.

Vajza: Erdhën emigrantët dhe i përzutë!

Arben Kola: Kush i përzunë?

Vajza: I përzutë ju, s’i latë të flisnin! U bë rrëmujë aty! Po bie protesta çdo ditë prej jush! Ne duam të ikim te parlamenti tani, pse na drejtoni te kryeministria! Kush je ti që më drejton mua?

Thirrje në kor: Bravo!

Arben Kola: Ik, e lirë je!

Vajza: Ju të ndaloni, thoni mos!

Për të zbehur thirrjet e saj, Arben Kola ngriti sërish megafonin duke shqiptuar sërish “dorëheqje”, por vajza nuk u spraps. Në mes të kësaj situate Arben Kola nisi marshimin, ndërsa vajza e pyeti: “Pse ikën o zotëri, pse nuk dëgjon?” Marshimi vijoi drejt kryeministrisë, ndërsa Kola bënte thirrjet “bashkohuni me ne” e “Shqipëri e re.”

Ndërsa vajza vijonte të fliste edhe kundër qeverisë Rama, një tjetër qytetare iu bashkua mendimit të saj për aktet e organizatorëve.

Qytetarja: Këta po na mbledhin dhe po na tallin!

Vajza: Sa do të vazhdojë ai? Fillojnë plazhin, zhduken pastaj, s’kanë faj se janë lodhur!

Në fjalimet e qytetarëve në tubim sërish u artikulua largimi nga sheshi i të gjitha palëve politike.

“Të gjithë ne këtu që jemi në shesh nuk jemi për asnjë parti politike, nuk jemi kundër asnjë shteti, nuk jemi as për përkrahje dhe as kundërshti fetare”, tha një qytetare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:49
Vijon marshimi në kryeqytet, protestuesit ndahen mes sheshit ‘Skënderbej’ e bulevardit ‘Zogu I’

 

Marshimi i protestuesve nëpër rrugët e kryeqytetit vijon, por tashmë duket se është ndarë në dy ‘fronte.’

Një pjesë e protestuesve po vazhdojnë rrugën drejt bulevardit “Zogu I”, ndërsa të tjerët po kthehen sërish në sheshin “Skënderbej.”

Ora 22:31
Protestuesit ndalen te ‘9-katëshet’, këndojnë himnin kombëtar

 

Me flamuj në duar dhe duke kënduar himnin kombëtar, protesuesit janë pozicionuar në zonën e '9-katësheve'. Marshimi i tyre ka bërë që qarkullimi i automjeteve të ndërpritet.

Ora 21:49
‘F*ck you too’, protestuesit i kthejnë përgjigje Ramës përmes pankartave

Pankartat e protestuesve ditën e sotme ishin të nxitura nga intervista e kryeministrit Rama për Financial Times ku ai komentoi kërkesat e qytetarëve për dorëheqje apo dhe që të hetohet nga SPAK si i përfshirë në afera korruptive duke u përgjigjur: “Njerëzit thonë se unë jam udhëheqësi i gjithë kësaj. Unë u them: ‘f*ck you’. Kaq e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari, u takon atyre të provojnë se jam Kumbari.”

Protestuesit i janë kthyer me përgjigjen “F*ck you too” apo “who the f*ck is Edi Rama?” Në një tjetër pankartë është ironizuar edhe takimi i kryeministrin me presidentin francez Emmanuel Macron.

Ora 21:32
Mbyllen fjalimet e protestës, çelet marshimi! Thirrje për të vijuar qëndrimin para kryeministrisë

 

Përfundojnë fjalimet para kryeministrisë dhe tashmë protestuesit po nisin marshimin nëpër qytet. Nga podiumi u bë thirrje se kushdo që dëshiron mund të qëndrojë përpara kryeministrisë, siç kanë vepruar prej së shtunës.

Gjithashtu protestuesve iu rikujtua të pastrojnë bulevardin nga mbeturinat.

Ora 21:19
‘Skenë krimi’, protestuesit vendosin sirena policie para kryeministrisë

 

Një sirenë policie dhe një fletë me mbishkrimin “Skenë krimi” është vendosur përpara kryeministrisë. Protestuesit thërrasin “Policia është me ne”, ndërsa një vajzë me megafon në dorë qëndron mes dy efektivëve.

Ora 21:17
Qytetari përlotet në tubimin para Kryeministrisë: Para se të nisnin protestat, isha dorëzuar! Faleminderit që më ngritët nga gjumi

 

Një qytetar i pranishëm në tubimin para Kryeministrisë, ka deklaruar mes lotësh se para se të nisnin protestat kundër investimit në Zvërnec, ai personalisht ishte ‘dorëzuar’.

“Isha dorëzuar personalisht, derisa rinia shqiptare erdhi këtu. Dhe unë i falënderoj përzemërisht që mua më ngritën nga gjumi, nga apatia, nga mosveprimi. U kërkoj falje që nuk kam mundur të jem këtu 2 ditë më parë, pasi nuk kam qenë në Shqipëri. Kur isha me miqtë e mi, nuk shkëmbeja dot as dy fjalë me ta, kur shihja nga ekrani protestën”, tha një qytetar në protestë.

Ora 21:11
Aktivisti nga tubimi para Kryeministrisë: Mes nesh ka avokatë që ndjekin falas ‘këmba këmbës’ çështjet penale të ngritura ndaj protestuesve

 

Aktivisti Edison Lika gjatë fjalës së tij në protestë është shprehur se protestuesit kanë marrë kërcënime të shpeshta për pjesëmarrjen e tyre në tubime.

Gjatë fjalës së tij, Lika tha se ndaj shumë protestuesve janë hapur hetime. Ai shtoi se shumë avokatë po i ndihmojnë protestuesit që janë nën hetim, pa asnjë përfitim monetar.

“Në fakt si këto kërcënimet që morën studentët, që janë bërë modë këto kohë, që marrin me numra privatë njerëzit për të mos marrë pjesë në protestë, ka sa të duash. Madje edhe Policia ka hapur hetime penale ndaj aktivistëve që kanë marrë pjesë në protestë. I them edhe atij studentit që këto kërcënime nuk bëhen nga ambasadat, por nga njerëz që duan të na frikësojnë. Dua t’ju them se mes nesh ka edhe avokatë që kanë ndjekur falas çështjet e protestuesve këmba këmbës. Dhe kur themi avokat, nuk e kemi fjalën për Avokatin e Popullit, sepse ai është avokat i Ramës dhe Berishës”, tha aktivisti Edison Lika.

Ora 21:05
Qytetarja nga protesta para Kryeministrisë: Ikëm në emigrim, pasi mamin tim e hoqën nga puna në arsim

 

Një qytetare gjatë fjalës së saj në protestën para Kryeministrisë, ka deklaruar se kishte ardhur kastile nga Diaspora, për të marrë pjesë në këto tubime.

Më pas ajo tregoi se ishin larguar familjarisht në emigrim, pasi mamanë e saj e kishin hequr nga puna në arsim.

“Jam një vajzë dibrane që kam ardhur enkas në këtë protestë nga diaspora. Kërkoj ndjesë pasi nuk e flas mirë gjuhën shqipe, pasi jam rritur larg. Por zemra ime gjithmonë ka qenë këtu. Për arsye partish, mamin tim e hoqën nga puna në arsim dhe familja ime iku larg në emigrim. Sot jam këtu edhe për të rinjtë dhe brezat që do të vijnë. Zëri ynë ka një rëndësi dhe sëbashku do të sjellim ndryshimin”, tha mes të tjerash një protestuese.

Ora 21:00
Protestuesi thirrje kryeministrit: Tregohu burrë dhe jep dorëheqjen! Duam ndryshim

 

Një protestues i kërkoi kryeministrit Rama “të tregohet burrë dhe të dorëhiqet.” Ai i tha se vendi ka nevojë për ndryshim dhe jo për njerëz që vijnë nga listat e mbyllura.

“Nuk duam më 4 veta, duam ndryshim! Ne mund ta bëjmë këtë gjë! Ata që ke ti në partinë tënde nuk reagojnë se nuk janë zgjedhur nga ne, por nga listat e tua të mbyllura! Shqipërinë po e bëjmë ne! Shqipërinë e bën çdo shqiptar që punon në Europë, në botë, që punon këtu. Ju jeni pengesa më e madhe për zhvillimin e këtij vendi! Duam të drejta dhe liri të barabarta për të gjithë! Jep dorëheqjen, tregohu burrë se e dimë që je burracak!”

Ora 20:57
Flamingot bëjnë paradë mes protestuesve

 

Flamingot, simboli i protestave përpara kryeministrisë, nuk munguan as këtë mbrëmje. Një grup protestuesish parakaluan në paradën e zakonshme mes të tjerëve duke mbajtur flamingot në duar.

Ora 20:32
‘Kryeministri po zvogëlohet i trembur’, protestuesja: Ka ardhur koha për lëvizje mbarëkombëtare

 

Me thirrje kundër qeverisë dhe për një bashkim mes shqiptarëve, një vajzë u tha protestuesve se ka ardhur koha për lëvizje mbarëkombëtare.

“Pas gjimnazit më doli e drejta e studimit në Amerikë me 100% bursë, por vendosa të qëndroj në vendin tim. Vite më vonë, shqiptarët po tregojnë që ka ende shpresë. Sytë po shohin që ka në mesin tonë burra e gra sypatrembur që u vlon gjakun për Shqipërinë! Ka ardhur koha që plagët të shërohen dhe autorët gjakatarë ta paguajnë njëherë e mirë! Le të bjerë zemërimi i shqiptarëve në krye të zuzarëve! Kryeministri po zvogëlohet i trembur! Ka ardhur koha për një lëvizje mbarëkombëtare! Ai kolltuku ku ke hipur është trikëmbëshi që populli varet përditë!”, tha vajza.

Ora 20:32
Lista e kërkesave së paraqitur nga Goxhaj, protestuesi: Do ta lexojmë deklaratën çdo ditë

 

Protestuesit nuk tërhiqen nga kërkesat e paraqitura një ditë më parë që u lexuan nga Dritan Goxhaj. Madje, në mbështetje, një prej anëtarëve të grupit organizator, tha se do t’i lexojnë çdo ditë poshtë zyrës së kryeministrit.

“Duke qenë se deklarata e djeshme trembi shumë njerëz përfshirë kryeministrin Edi Rama që u mor personalisht me disa prej nesh, do ta bëjmë të udhës ta lexojmë çdo ditë për ta kuptuar se pse jemi më shesh tash e 24 ditë!”, tha Edison Lika.

Ora 20:17
‘Hallin s’ta zgjidh kush’- Protestuesi Erlis Sina i përgjigjet sërish kryeministrit Rama: S’mund të bëhem mik me ty, ke tradhtuar shqiptarët

 

Protestuesi Erlis Sina, të cilit Edi Rama iu drejtua me një mesazh mëngjesin e sotëm, i ka kthyer përgjigje nga protesta kryeministrit.

Gjatë fjalës së tij, Sina tha se Rama tentoi mëngjesin e sotëm që ta bënte mik, por shtoi se ai nuk mund të bëhej mik i kryeministrit, pasi sipas tij, Rama ka tradhtuar shqiptarët.

Sina tha gjithashtu se Rama nuk mund të qante hallet e tij, pasi ishte shkaktari i halleve të shqiptarëve.

“Unë jam Erlis Sina, ai i cili Rama u zgjua sot në mëngjes dhe tentoi të bëhej miku im. Por përgjigjen që ia dhashë aty, po ja jap edhe këtu. Unë s’mund të bëhem miku i Ramës, sepse Rama ka tradhtuar Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj Edi Rama unë nuk jam si ti. Ti nuk mund të qash hallet e mia, sepse ti je shkaktari i tyre. 24 ditë je munduar të na përçashë, të na bësh agjentë iranianë, grekë, serbë. Je munduar të na etiketosh. Ne jemi të gjithë shqiptarë. Për ne Shqipëria është e para. Ndaj sot kam ardhur me një pankartë, unë jam në këtë shesh që është plotë, ndërsa ti i ulur vetëm. Dhe kështu i vetëm do të largohesh nga ajo zyrë dhe do të shkosh në burg. Do japësh llogari për çdo qindarkë që u ke vjedhur shqiptarëve. Sot ka ardhur dita të largojmë Ramën nga pushteti. Rama i tha shqiptarëve ‘fuck you’. Ne kemi vetëm një përgjigje për të ‘Rama jepe dorëheqjen’”, tha mes të tjerash Erlis Sina.

Mëngjesin e sotëm, kryeministri Rama, me një mesazh publik drejtuar protestuesit Erlis Sina, theksonte se ai ishte ‘mbërthyer’ nga vorbulla e turmës dhe sinqeriteti e bindjet e tij po keqpërdoreshin për interesa të tjera.

"Nuk të shoh si humbësin e një proteste, po si njeriun e mbetur vetëm me bindjet e tij. Ti i je bashkuar vorbullës thithëse të turmës, sepse beson sinqerisht se po mbron diçka të çmuar. Nuk e di çfarë halli ke tamam. Po di që ke një hall që jo vetëm nuk ta zgjidh askush, po as nuk ta qan kush. Besoje ose jo, po unë e ndjej brengën tënde”, shkruante mes të tjerash Rama.

Ora 20:11
‘Ne kemi fuqinë ta hedhim Edi Ramën’, protestuesja: Kërkesat tona t’i realizojmë me referendum

 

Referendumi ishte thirrja e radhës nga protesta para kryeministrisë. Një qytetare tha se kanë mundësinë që të paraqesin në KQZ kërkesa për ndryshime kushtetuese që të kufizohen mandatet.

“Ne kemi fuqinë si protestë, ta hedhim ne Edi Ramën. Ne jemi në kushtet e një referendumi të pashkruar që mund ta kthejmë në të shkruar. Kemi mundësi që kërkesat tona t’i kalojmë në KQZ për ndryshime kushtetuese, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Amerika, Europa s’kanë mandate të pakufizuara. Ne mund ta realizojmë këtë me referendum. Askush s’mund të marrë vendime në kurriz të shqiptarëve, i vetëm”, tha protestuesja.

Ora 20:07
Protestuesja nga tubimi para Kryeministrisë: S’jemi në shesh për asnjë parti politike! Nuk kemi ‘përplasje’ fetare! Jemi për të mirën e Mëmëdheut

 

Një protestuese e pranishme në tubimin para Kryeministrisë, tha gjatë fjalës së saj se qytetarët që ndodhen në shesh, nuk kanë atje për asnjë parti politike.

Ajo theksoi gjithashtu se protestuesit nuk janë kundër një shteti të caktuar, si dhe nuk kanë kundërshti fetare.

“Të gjithë ne këtu që jemi në shesh nuk jemi për asnjë parti politike, nuk jemi kundër asnjë shteti, nuk jemi as për përkrahje dhe as kundërshti fetare. Kultura na ka treguar se jemi tolerant ndaj feve. Për të drejtën e përbashkët jemi bashkë, pa asnjë kusht dhe kriter. Këtu në shesh jemi për vendin tonë, për atdheun tonë. Për të ardhmen tonë që meritojmë. Kur përmend mëmëdheun, ndjej një mëmë që i ka fëmijët e saj larg. Mos ta lëmë mëmëdheun tonë, të qëndrojmë bashkë, do ja dalim”, tha një protestuese.

Ora 20:03
Dritan Goxhaj i bashkohet protestës, qëndron pas podiumit të fjalimeve

 

Menjëherë pas podiumit ku po mbahen fjalimet përpara kryeministrisë, ndodhet Dritan Goxhaj. Një natë më parë, ai renditi kërkesat kundrejt qeverisë, të paraqitura në emër të grupit të organizatorëve.

Goxhaj është një emër më dritëhije të shumta. Me një të kaluar të veshur me lavdinë e pjesëmarrjes në luftën e UÇK-së në Kosovë, aktualisht ai shfaqet si një ekstremist islamik, antisemit dhe antiamerikan që e quan Izraelin shtet terrorist, duke glorifikuar Iranin dhe Hezbollahun. 

Ora 19:51
‘Këta po na mbledhin e po na tallin!’ Revoltë mes protestuesve për vijimin e protestës: Emigrantit të revoltuar i thonë mos fol

 

Në një deklaratë para kamerave, qytetarja me fëmijë në krahë, e cila iu kundërvu Arben Kolës për mënyrën si organizatorët po vijojnë protestën, foli me lot në sy për sjelljen e tyre.

“Vjen emigranti i revoltuar, del ai tjetri i thotë mos fol? Dua të shpërthej se s’mban më! Si unë ka 1000 të tjerë!”, tha vajza.

Ndërsa ajo vijonte të fliste edhe kundër qeverisë Rama, një tjetër qytetare iu bashkua mendimit të saj për aktet e organizatorëve.

Qytetarja: Këta po na mbledhin dhe po na tallin!

Vajza: Sa do të vazhdojë ai? Fillojnë plazhin, zhduken pastaj, s’kanë faj se janë lodhur! Do të vazhdojnë prapë këta me paqe? Nuk ka paqe këtu!

Ora 19:39
‘Prej jush po bie protesta! Kush je ti që na drejton?’ Qytetarja i kërkon llogari Arben Kolës, nismëtari e shpërfill me thirrje në megafon: Pse ikën o zotëri, pse s’dëgjon? (VIDEO)

Një zë ndryshe mes protestuesve të grumbulluar në sheshin ‘Skënderbej.’ Ndërsa pritej të niste marshimi drejt kryeministrisë dhe aktivisti Arben Kola po u drejtohej me megafon të pranishmëve, një vajzë me një fëmijë në krahë i tha se nevojitej revoltë.

Ajo kritikoi sjelljen e organizatorëve të protestës ndaj emigrantëve dhe i akuzoi si shkak që po zhbëjnë protestën çdo ditë. Më tej, i tha se njerëzit duan të ikin drejt parlamentit (gjë që të pranishmit e brohoritën) dhe jo kryeministrisë, por organizatorët i pengojnë.

Vajza: Duhet revoltë o vëlla! A ke revoltë? Apo vetëm megafonin në dorë?

Arben Kola: Po mos të kisha revoltë, s’do të kisha dalë këtu në shesh!

Vajza: S’është revoltë kjo, me paqe!

Arben Kola: Si është revolta?

Vajza: Unë i dal përballë atij! Unë jam e para që vij!

Thirrje në kor: Bravo!

Vajza: Erdhën emigrantët dhe i përzutë!

Arben Kola: Kush i përzunë?

Vajza: I përzutë ju, s’i latë të flisnin! U bë rrëmujë aty! Po bie protesta çdo ditë prej jush! Ne duam të ikim te parlamenti tani, pse na drejtoni te kryeministria! Kush je ti që më drejton mua?

Thirrje në kor: Bravo!

Arben Kola: Ik, e lirë je!

Vajza: Ju të ndaloni, thoni mos!

Një qytetare: Bravo, ke shumë të drejtë! Edhe unë u habita, gjithë ajo autokolonë!

Për të zbehur thirrjet e saj, Arben Kola ngriti sërish megafonin duke shqiptuar sërish “dorëheqje”, por vajza nuk u spraps.

Vajza: Unë dua ta rris fëmijën këtu! Unë dua ta rris në Shqipëri! S’dua protagonizëm, jam njeri i thjeshtë! Dua drejtësi për jetën time, për fëmijën tim!

Në mes të kësaj situate Arben Kola nis marshimin, ndërsa vajza e pyet: “Pse ikën o zotëri, pse nuk dëgjon?” Marshimi vijon, ndërsa ai bën thirrjet “bashkohuni me ne” e “Shqipëri e re.”

Ora 19:21
Temperaturat e larta sfidojnë protestuesit, një grua shpërndan shishe uji falas

 

Sapo kanë kaluar disa minuta nga ora 19:00 e mbrëmjes, por temperaturat vijojnë të jenë të larta. Në ndihmë të protestuesve që kanë nisur të grumbullohen në sheshin ‘Skënderbej’ në kryeqytet, ka ardhur një grua e cila po shpërndan shishe uji falas.

Kujtojmë që disa ditë më parë, protestuesit njoftuan ndryshimin e orarit të grumbullimit duke e shtyrë me një orë (19:00) për shkak të vapës.

P.J/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • SHKODRANI: 23/06/2026 20:53

    ÇA LYP NE PROTEST AJO GRUJA ME BURKA ???? E MORI VESH TAN BOTA QE PROTESTA NE TIRANE ASHT PROTEST ISLAMIKE PER ME BLLOKU HYMJEN NE EVROPË.

    Përgjigju
    • Dukagjini: 23/06/2026 21:45

      Ju Shkodranet flini gjum, ska gja. Islami ka kohe qe esht ukur ne shesh. Turp per cdo Shqiptar qe perzien fen me fenen

  • Sula: 23/06/2026 20:23

    Me vjen keq per zonjen qe torturon femijen ne gjithe kte vape e midis gjithe atyre njerzve, a mendon ajo nene se sa persona te semure mund te jene aty. Me kto temperatura nuk keshillohen te medhejte te dalin jashte e jo me femijet e vegjel,dendesia midis personave e rrit me shume nxehtesine

    Përgjigju
  • Tironsi: 23/06/2026 20:17

    Sot Duke diskutu per revolten,revolucionin,pelikanin e ku din car ta qujn ne kafe mjes jo Rama do ik jo siken....nji goxha burr plak tha cuna tju them nji gjo....po xhaje fol po mos mu merzisni jo me xhaj fol.... O cuna nigjoni xhajen " nuk Tunet alja Ka Pordhat " besoj shum e Fort ndoshta e kom gabim.

    Përgjigju
  • tel: 23/06/2026 20:17

    Nuk keni asnje lloj fuqie sado qe perpiqeni te zbatoni urdhrat e padroneve tuaj ne Teheran,Beograd e Athine. Tradhetare te qelbet.

    Përgjigju
  • Shqiptari: 23/06/2026 20:12

    Po protestojne talebanet! Duan ta kthejne Shqiperine ne shtet satelit te Iranit! Zhdukuni qelbesira injorante, obskurantiste te ndyre! Shqiperia eshte SHBA&BE! Shkoni jetoni ne shkretetire, shkoni te Ajatollahu!

    Përgjigju
  • Mara emigrante ne Itali: 23/06/2026 19:41

    O taleban nuk dorhiqet qeveria si qen rrugesh mbetshi .Ti hani mutin Rames .Shqiperia 2030

    Përgjigju
  • Zizo: 23/06/2026 19:28

    Ca eshte kjo qe shperndan uje mer???? Nga vjen kjo??? Se prej Shqiperie kjo nuk eshte, le te flasi shqip sa te doje. Ne nuk jemi vend ne shkretetire qe kjo te vishet keshtu dhe ta quaj veten Shqiptare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 19 Qershor, 13:51

    A kanë të drejtë SPAK dhe gjykatat të ndalojnë prezencën e kamerave gjatë seancave publike?