Donald Trump konfirmon se Shtetet e Bashkuara do të kryejnë teste të reja bërthamore, “nëse të tjerët do ta bëjnë”, ndërsa CNN zbulon se Pentagoni ka dhënë dritën jeshile për dërgimin e raketave Tomahawk në Ukrainë, edhe pse vendimin përfundimtar do ta marrë vetëm presidenti. Është e vështirë të parashikohet tani se cilat nga këto lëvizje do të zbatohen vërtet në të ardhmen e afërt, por gjithçka duket se synon të rrisë presionin ndaj rivalëve të Uashingtonit — fillimisht Rusisë e më pas Kinës — në mënyrë që ata të heqin dorë si nga gara e armatimeve, ashtu edhe nga planet për të marrë nën kontroll Ukrainën dhe Tajvanin.
Pas njoftimit të papritur në rrjetet sociale, përpara samitit me Xi Jinping në Korenë e Jugut, shumëkush ka nënkuptuar se kreu i Shtëpisë së Bardhë i kishte ngatërruar raketat me shtytje bërthamore të lëshuara ditët e fundit nga rivali i Kremlinit me testet e shpërthimeve atomike. Prandaj dje, gjatë fluturimit drejt Mar-a-Lago, Trump sqaroi: “Do të bëjmë teste, po, dhe vende të tjera po i bëjnë. Nëse i bëjnë ata, do t’i bëjmë edhe ne.” Kur më pas gazetarët e pyetën nëse kishte ndër mend të shkaktonte shpërthime të vërteta, ai nuk u shpreh qartë: “Do ta shihni.”
Sekretari i Këshillit të Sigurisë rus, Serghei Shoigu, u përgjigj se “armët bërthamore testohen rregullisht, por përdoren modele matematikore dhe jo eksperimente fizike”. Megjithatë, nëse Uashingtoni do të vijojë me shpërthime reale, edhe Moska do ta ndjekë. E paraqitur kështu, duket si një lojë e ndërsjellë ku secila palë godet gjoksin për të riafirmuar forcën dhe për të kërcënuar, pa domosdoshmërisht të kalojë në veprime konkrete. Por me Trump-in, nuk mund të jesh kurrë i sigurt. Disa këshilltarë, si ata të Heritage Foundation, e nxisin të zhvillojë testet — pjesërisht për të verifikuar efikasitetin e arsenalit, pjesërisht sepse, sipas tyre, të tjerët tashmë po i kryejnë fshehurazi, dhe pjesërisht për të dërguar një sinjal politik.
Ekspertët e fushës kundërshtojnë duke thënë se nuk ka nevojë për to, pasi arsenali kontrollohet përmes verifikimeve jo fizike dhe ndërtimi i kokave të reja bërthamore ishte nisur tashmë nga Biden, pa qenë nevoja të shpërthehen. Edhe nëse do të ishte e vërtetë që Rusia dhe Kina kanë kryer teste fshehurazi, ato nuk kanë qenë operacione me peshë të madhe, pasi do të ishin vënë re, ndërsa mesazhi politik i një shpërthimi të kryer nga amerikanët do të ishte i dëmshëm për SHBA-të, sepse do të justifikonte dhe do të nxiste të gjithë të tjerët t’i imitonin, duke humbur përparësinë teknologjike që gëzojnë sot.
Pastaj janë problemet praktike, duke filluar nga fakti që Nevada National Security Site nuk është përdorur për këtë qëllim që nga shtatori i vitit 1992 dhe strukturat janë të amortizuara. Të paktën do të duheshin gjashtë muaj për t’i riaktivizuar, ndoshta edhe një vit, sipas fizikanit bërthamor dhe ish-sekretarit të Energjisë, Ernest Moniz. Dhe kostoja do të ishte mbi 100 milionë dollarë.
Kësaj i shtohen edhe pengesat ligjore. Në majin e kaluar, Parlamenti i Nevadës miratoi unanimisht rezolutën AJR 13 për të ruajtur moratoriumin mbi testet në shtet, dhe deputetja Dina Titus paraqiti një ligj për të ndaluar përdorimin e fondeve federale për këtë qëllim. Nuk do të jetë pengesa kryesore për Trumpin, por premton të shkaktojë padi gjyqësore që mund të vonojnë edhe më tej afatet.
Ndërkohë, Financial Times ka zbuluar se samiti i Budapestit – fillimisht i parashikuar për javën e kaluar – ka dështuar për shkak të kërkesave të tepruara të Vladimir Putin, të përfshira në një memorandum përgatitor të dërguar nga Moska në Uashington. E gjithë kjo, e kombinuar me kërcënimin për t’i furnizuar Ukrainës me Tomahawk, mund të ketë si qëllim të parë ta shtyjë “carin” drejt negociatave./La Repubblica
Komente











