Në kryeqytetin amerikan Uashington siguria është rritur ndërsa përgatitjet për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, po shkojnë drejt fundit.
Të shtunën në mbrëmje zoti Trump ishte në klubin e tij të golfit në Stirling të Virxhinias, ku së bashku me bashkëshorten e tij Melania Trump panë një spektakël fishekzjarrësh.
Presidenti i zgjedhur fluturoi nga Palm Beach i Floridës të shtunën drejt Uashingtonit me një avion të Forcave Ajrore amerikane. Ai i tha rrjetit televiziv amerikan Abc se në fjalimin e tij të inaugurimit do të bënte thirrje për unitet, forcë dhe drejtësi.
Këtë të dielë, zoti Trump do të vendosë një kurorë me lule tek Varri i Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare në Arlington, shumë pranë Uashingtonit.
Ai do të mbajë gjithashtu edhe një takim me mbështetësit e tij në Uashington.
Ndërkohë punimet për skenën brenda Kapitolit ku do të mbahet betimi i zotit Trump, janë drejt fundit. Për shkak të temperaturave tejet të ulëta ceremonia e inaugurimit u zhvendos në ambiente të brendshme.
Nëse ceremonia do të mbahej jashtë tek platforma e ndërtuar në atë që njihet si krahu perëndimor i Kapitolit do të vendoseshin rreth 1 mijë persona.
Tashmë në ambientet e brendshme kjo shifër do të reduktohet në rreth 600 të ftuar, që do të thotë se një pjesë e të ftuarve nuk do të mund të marrin pjesë në ceremoni.
Hera e fundit që temperaturat e ftohta zhvendosën ceremoninë në ambiente të mbyllura ishte viti 1985, kur Ronald Reagan bëri betimin për mandatin e tij të dytë.
Pas betimit, presidenti zakonisht përshkon me limuzinën e tij një nga bulevardet kryesore të Uashingtoni e më pas ndalet duke ecur në këmbë e përshëndetur turmat e njerëzve, deri sa mbërrin në Shtëpinë e Bardhë. /VOA/