Festat e fundvitit janë një moment i shumëpritur nga të gjithë. Mbledhja me njerëzit e dashur pranë një tryeze festive, bën që shpesh herë të harrojmë rrezikun që shkaktohet nga ngrënia me tepricë e ushqimeve plot yndyrë dhe sheqer, por dhe konsumimit të alkoolit. Me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” u ndalëm pikërisht këto pak orë para festave për kujdesin që duhet të tregojnë më së shumti personat që vuajnë nga zemra, diabeti, tensioni apo kolesteroli i lartë. Cilat janë rrisqet që vijnë nga teprimi me ushqimin? Cilat janë ato ushqime, bimë apo erëza që nuk duhet të mungojnë kurrësesi në tryezën festive.
"Një tavolinë e rëndë rrënon shëndetin, aq më tepër kur një njeri ka një pikë të dobët në organizëm, duhet të jetë sa më i kujdesshëm që të mos arrije në një hipertension, rritje të kolesterolit apo diabetit. Por a ka mundësi që një njeri me sëmundje kronike të udhëhiqet mirë këtë natë të Vitit të Ri, të pijë një gotë verë apo të hajë një ëmbëlsirë? Po, sigurisht që ka”, shprehet Ylli Merja në fillim të bisedës.
Sa i takon tensionit të lartë, diabetit apo dhjamosjes së mëlçisë, duhet të përgatitet një menu pa shumë sheqerna, me pak prodhime shtazore dhe me pak kripë. Nëse dëshirojmë të pijmë alkool, mirë është që një përqindje të alkoolit, t’a heqim duke e ngrohur pijen, rekomandon specialisti i mjekësisë alternative Ylli Merja.
“Ata që vuajnë nga hipertensioni mund të bëjnë dolli me një pije rifreskuese dhe energjike të përgatitur me hibiskus, fruta pylli dhe murriz lule. Zgjerohen arteriet dhe venat, janë më elastike dhe personi edhe pas konsumimit të një darke të bollshme nuk do të ketë probleme me tensionin. Tek kjo pije nëse e duam pak të ëmbël shtojmë pak sheqer stevia. Gjithashtu personat që vuajnë nga hipertensioni nuk duhet t’i ndahen hudhrës, fetave të limonit dhe gjethes së luizës, të cilat mund t’i vendosin në një peshk të pjekur apo sallaturina” thekson Merja.
Në rastin e një rritje tensioni të papritur, cili është ai ‘minuti i artë’, si duhet të veprohet?
“Hapi i parë është futja e këmbëve në ujë të nxehtë” këshillon Merja duke vijuar me një tjetër këshillë për personat që kanë predispozitën që të kenë tension të lartë “Shtypni dy thelpinj hudhër, vendosini në këmbë dhe vishni çorapet. Ju garantoj që edhe pas një vakti disi të rëndë tensioni nuk do ju ngrihet”.
Eshtë shumë e rëndësishme që para një dreke apo darke të bollshme, shprehet Merja, ne të konsumojmë një pije detoks pastrimi për organizmin.
“Marrim një kastravec, një limon dhe disa lëkura mandarine, i grijmë së bashku dhe mund të hedhim në të dhe një kokërr domate. Pjesën tjetër e mbushim me ujë, e kullojmë duke shtuar sipas dëshirës dhe pak majdanoz. Kjo pije është e mrekullueshme dhe i bën një detoks trupit duke e parapërgatitur për të mos patur asnjë tendencë për rritje të tensionit apo diabetit”.
Pyetjes së moderatores për personat që vuajnë nga diabeti, çfarë duhet të kenë kujdes dhe ku duhet të fokusohen, Ylli Merja i përgjigjet duke thënë se në tryezën e diabetikëve nuk duhet të mungojë bitermeloni, pasi është i mrekullueshëm për këtë rast. Nëse tendenca do të jetë që glicemia të rritet mbi 200, konsumimi i një lugë çaji bitermelon do të stabilizojë menjëherë diabetin.
Në studion e “Rreze Dielli”, Ylli Merja tregon dhe një menu të darkës së Vitit të Ri për një çift me diabet dhe kolesterol.
- - Parapritja, sallatë lasadori: Lakër kokë, sallatë 4-5 gjethe, rukola, domate qershi, kastravec, arra 4-5 kokrra. Marinojeni me vaj ullliri, vaj rigoni, limon dhe pak konopicë nëse keni
- - Perime të pjekura: Patëllxhanë, speca, kungulleshka, brokoli. Pluhurosini me kafe të papjekur 1 lugë kafe, piper miks, kanellë
- - Pjata të pjekura: Peshk salmon ose troftë me limon, hudhër, rozmarinë, mente / Pulë me arra, dëllinjë, erëza
- - Pjata anësore: Pure patate e ëmbël, vaj liri një lugë çaji, maça, gjethe triboli, gjethe luize
- - Embëlsira: Përzieni 1 gotë kos, 2 avokado, 1 lgj boronica të njoma, 1 lgj manaferra, 1 lç maca, 1 lç moringa, pak vanilje
Në fund të bisedës Merja tregon sesi të përgatisim pulën apo gjelin e detit sa më të shëndetshëm, por dhe të shijshëm. Duke e marinuar me disa erëza ne i japim gjelit të detit disa elemente ndihmues në shkrirjen e yndyrnave dhe kolesterolit. Marinimi bëhet shumë thjesht duke vendour në barkun e pulës apo gjelit një degë dëllinjë të kuqe me pak gjethe dhe një dorë me arra. Ndërsa nga erëzat përdoret nenexhiku dhe mentja, duke e pudrosur në fund pulën pasi të jetë pjekur.