Negociatat mes opozitës dhe maxhorancës futen në ngërç. Një ditë pasi u dakordësuan parimisht për 2 komisione hetimore dhe ngritjen e një nënkomisioni për Reformat, palët nuk arritën t’i vënë vulën në Konferencën e Kryetarëve, e parashikuar për t’u mbajtur mesditën e së mërkurës.
Konferenca e Kryetarëve u shty me kërkesë të të gjitha palëve, ndërsa Gazment Bardhi sqaroi pas mbledhjes së deputetëve të tij se ku ka ngecur puna, duke mos fshehur dilemën se negociatat edhe mund të dështojnë.
'Grupi ka mbështetur mendimi që përfaqësuesit e vetë kanë mbajtur në Konferencën e Kryetarëve. Për ne, normalizimi i jetës parlamentar ka qenë dhe mbetet qëllim i joni. Po sigurisht pa u nënshtruar dhe tejkaluar nevojën që ka Shqipëria për respektimin e Kushtetutës. Kërkesat kanë qenë të qarta. Siç e kam thënë kemi rënë dakord, është duke u punuar për të finalizuar këtë dakordësi. Ne iu qëndrojmë dakordësisë në parim në mbledhje dhe të përkthehet në vendimmarrje. Jemi duke punuar për të gjitha çështjet që ramë dakord. Grupi i PD i qëndron dakordësisë në parim të shprehur edhe dje. Urojmë që të finalizohet me vendimmarrje të Kuvendit.', tha Bardhi.
Pavarësisht sqarimit të Gazment Bardhit, në radhët e Rithemelimit vijon të ketë skeptikë për negociatat me PS për të rikthyer normalitetin në Kuvend.
Ervin Salianji tha se këto bisedime nuk janë respektim i të drejtave të opozitës, por nënshtrim ndaj Ramës.
'Nëse ne kthehemi në normalitet, ne rikthehemi për shkak të vendimarrjes sonë nëse i shërben interesit publik. Sot të drejtat e opozitës janë më të kufizuara. Jemi në kushte kur ka ndryshuar rregullorja e Kuvendit. Jemi në kushte të papranueshme të ligjit të Komisioneve Hetimore që kufizon të drejtën e Hetimit Parlamentar.'- tha Salianji.
Sa i përket deklaratave të Salianjit, Bardhi tha se secili është i lirë të shprehi mendimin e tij.
'Secili është i lirë të shprehi mendimin e tij. Salianji ka shprehur mendimin e tij në liri të plotë edhe ne mbledhje e grupit. Grupi Parlamentar ka mbështetur dakordësinë në parim që anëtari i grpuit të PD ka shprehur dje në mbledhje. Nuk ka asnjë marrëveshje me Edi Ramën. Ka dialog në konferencën për të zgjidhur situatan në Kuvend. Dhe ka një pikënisje se kur ka filluar ky aksion që është data 12 tetor.', shton ai.
Bardhi shton se nuk ka marrëveshje me mazhorancën, por vetëm dialog.
'Nuk ka asnjë marrëveshje. Ka një dialog politik, normal për një vend kandidat për në BE. Sa për hapa pas e ftoj të numëroj hapat nga 3 në 2 në 1 dhe do shkoj ai hapa pas.'
Pse kërkoni ngritje komisionesh kur ligji është antikushtetues?
'Është dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Nuk kam pohuar atë që ju pohoni. Atë që kam thënë që hetimi parlamentar është çështje vullneti politik. Sa i takon hetimit parlamentar nëse kjo dakordësi finalizohet, hetimi parlamentar do të kryhet në përputhje me kushtetutën e Shqipërisë dhe nuk ka tërheqje.'- tha Bardhi.
Deputeti tha se Rama vijon të jetë kundërshtari politik.
'Do të ketë një plan paraprak hetimi. Dhe në varësi të të dhënave që mblidhen nga komisioni paraprakisht caktohet dhe lista e dëshmitarëve. Unë nuk kam dijeni se kush do jetë dëshmitar. Ne do vijojmë ti kërkojmë llogari kryeministrit. Ai do vijohet të hetohet në parlament. Edi Rama vazhdon të jetë kundërshtar politik jo vetëm i opozitës por edhe çdo shqiptari të ndershëm. Jemi në betejë me të deri në ditën kur do ta mundim.
Nuk jemi tërhequr nga asnjë komision hetimor.', shprehet Bardhi.
Ai lajmëroi se nesër do të dorëzojë një kallëzim shtesë në SPAK sa i përket çështjes McGonigal.
'Ditën e nesërme do të dorëzojë një kallëzim shtesë me të dhëna shtesë kundër kryeministrit Edi Rama.'
Së fundmi, për shtyrjen e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të parashikuar sot, Bardhi tha se është dakordësuar.
'Është dakordësuar shtyrja e mbledhjes.', përfundoi Bardhi.
Të martën, në Konferencën e Kryetarëve, krerët e grupeve parlamentare u dakordësuan në parim për ngritjen e dy komisioneve hetimore, për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS dhe koncesioneve në shëndetësi, me kushtin e PS që objekti të jetë konkret.
Po ashtu nënkomisioni për Reformat do të jetë vendi, ku dy anëtarë nga opozita dhe dy nga maxhoranca do të ulen për ligjet që kërkojnë 84 vota, mes të cilave edhe Reformën Zgjedhore.
Kryetari i grupit parlamentar Aleanca për Ndryshim, Fatmir Mediu i cilësoi si pozitive negociatat e PS-së me Rithemelimin.
‘Mendoj se është hap pozitiv. Opozita duhet të veprojë të ketë një plan veprimi parlamentar. Në atë nën komision të ketë parasysh se çfarë kërkon. Reforma Zgjedhore, ka nevojë të jetë gjithë përfshirëse, garanton kushtetutshmërinë e parlamentit. Ajo që është e rëndësishme të hiqen duart nga grabitja e votave. Nuk kemi një komision të Reforma Zgjedhore tjetër, por një nënkomision. Ato që përfaqësojnë opozitën mos të mendojnë se i dinë të gjitha por të kenë një diskutim me gjithë trupën opozitare.’- tha Mediu.
Deputeti Ervin Salianji është shprehu kundër negociatave në Kuvend mes PS-së dhe Rithemelimit. Sipas tij me këto negociata ulet besueshmëria e opozitës në shoqëri.
'Nëse ne kthehemi në normalitet, ne rikthehemi për shkak të vendimarrjes sonë nëse i shërben interesit publik. Sot të drejtat e opozitës janë më të kufizuara. Jemi në kushte kur ka ndryshuar rregullorja e Kuvendit. Jemi në kushte të papranueshme të ligjit të Komisioneve Hetimore që kufizon të drejtën e Hetimit Parlamentar. A ka nja dy tre muaj që Rama thotë me ligjin e ri merrini 8 komisionet hetimore. Nuk mund të bërtas për fitore kur Rama thotë merr 8 dhe ne marrim 2. Kufizimi që bëhet me dy anëtar është prapë një hap prapa. Nëse komisioni kishte gjithë përfshirje tani janë vetëm dy palët.
Nëse themi se ndjekim rruga radikale, ne nuk bëhem lavjerrës siç është bërë gjithnjë. Koha do të na konfirmojë që me Ramën asgjë nuk ndodh. I gjithë faktori ndërkombëtar ka kërkuar normalizimin. Nuk mund t’ja japim si bonus. Ne e kemi patur të drejtën dhe e kemi refuzuar. Çfarë kemi fituar? Kjo marrëveshje na ul besueshmërinë dhe ndikon negativisht në perceptimin e opozitës në shoqëri.
Këtu nuk ka asnjë krisje. Bashkimi i grupit ka tjetër ndikim. Bashkimi i demokratëve solli një protestë. Gjithçka që ka të bëjë me lëvizje në parlament. Ka patur diskutim që ky komision do të jetë për reformat.', tha Salianji.
Deputeti Gazment Bardhi i mandatuar nga Rithemelimi për vijimin e negociatave me PS-së nuk pranoi të fliste për gazetarët por në selinë e Rithemilimit mësohet se ka informuar deputetëve se po punohet për objektet e komisioneve hetimore dhe formulimin ligjor për nënkomisionin ‘Për Reformat’, mëson gazetarja e Report Tv.
Sot në orën 13:30 ishte parashikuar të zhvillohej Konferenca e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Por mbledhja është shtyrë për një moment tjetër. Vetë deputeti Gazment Bardhi nuk ka pranuar të japë arsye për gazetarët që e prisnin tek selia e Rithemelimit por duket që negociatat nuk kanë shkuar siç ishin parashikuar
“Duhet të pyesni kuvendin’ tha ai duke folur për gazetarët teksa po hynte në selinë e Rithemelimit
Nuk iu përgjigj as pyetjes nëse dështuan negociatat?