Libri i tij “Turizmi Shqiptar” nuk është një guidë e hartuar shpejt e shpejt, nga ato lloj publikimesh që kanë qarkulluar aq shumë vitet e fundit, shpesh të hijshme për nga duku, por pa atë brumin e duhur burimor; përkundrazi ky botim ngërthen më së miri informacionin më të domosdoshëm, veçanërisht monumentet e kulturës, të natyrës etj. Nuk është nga ato libra që iu drejtohet vetëm turistëve, por dhe aktorëve që merren me promovimin e menaxhimin e turizmit, duke filluar nga subjektet shterërore, agjencitë e ndryshme turistike, operatorët turistikë, shoqatat e mjedisit etj. Duket se autori ka pikasur një “tokë” djerr, ku vërtet ka patur shkrime për turizmin, por pa mbërritur te një botim gjithësor, që të ishte si një pikë referimi për sot e nesër, duke mos e parë turizmin me sy amatori.
Albert Zholi, shkrimtari dhe publicisti që ka bërë parathënien e librit, shkruan se “Turizmi Shqiptar” i Xhelal Markut vjen për lexuesin, si një nevojë e domosdoshme e shërbimeve të kompletuara e cilësore për pushuesit, duke sjellë për ta informacione të reja, të plota, të sakta e profesionale, që i duhen një turisti, për të njohur Shqipërinë Turistike… Libri sjell një kontribut të rëndësishëm, në përpjekjet për të rritur shkallën e promocionit e të imazhit turistik të Shqipërisë në opinionin kombëtar e ndërkombëtar. Ai dëshmon se Turizmi Shqiptar nuk është më ai i dikurshmi, i lënë pas dore e në harresë, por është sektori më i rëndësishëm dhe më jetik i ekonomisë së vendit etj.” Bash për këtë ky botim është si një pararëndës i një literature rreth kësaj fushe që me siguri në të ardhmen do të jetë më e begatë.
“Turizmi Shqiptar” ka dhe karakter enciklopedik, por dhe guidistik. Ai ndahet në tre kapituj, ku në parin jepet një panoramë e përgjishme e turizmit, kurse në të dytin autori shtegton drejt mrekullive turistike, siç janë Alpet e Shqipërisë dhe Riviera Shqiptare, njëra në veri e tjetra në jug. Kurse në kreun e tretë ai merret me prirjet, ritmet dhe problematikat e zhvillimit të turizmit shqiptar, përmes shtjellimeve profesionale, intervistave, reportazheve etj. Siç mund të pritet në botime të tilla, libri nis me pak histori nga zhvillimi i turizmit në vendin tonë, që nga fillesat e tij, dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, me potencialet turistike të Shqipërisë, duke u ndalur në atraksionet kryesore turistike, siç janë plazhet, liqenet, vendet malore piktoreske etj. Xhelal Marku njeh gjithçka që ka të bëjë me fushën dhe nuk le t’i kalojë asgjë pa e fokusuar në vendin dhe menyrën e duhur. Ai ndalet dhe te kuzhina shqiptare, të veçantat e saj, duke vënë në dukje se gatimet e traditës janë mjaft të preferuara nga turistët e sotëm, të prirur nga ekzotika etj. Po ashtu evidenton vlerat kryesore folklorike, etnografike, arkeologjike etj. Autori i nxit turistët që të rendin pas trashëgimisë sonë kulturore, duke treguar kalatë kryesore, arkitekturën, parqet kombëtare muzeore apo pyjore, brigjet lumore, llixhat, sportet dimërore etj. Lexuesi e ndjen menjëherë se autorit i janë dashur njohuri nga disa fusha të dijes, por dhe një pune skrupuloze për të shkuar deri te ajo që duhej vënë në libër, si më kryesore e jo dhe diçka që mund të ishte e tepërt. Për këtë autorin e ka ndihmuar profesioni i reporterit televiziv, që e ka në natyrën e tij qëmtimin e faktit, përzgjdhjen dhe dhënien e tij me korrektesë, por në një trajtesë të tillë dhe me ngjyrimet e nevojshme emocionale.
Libri është i larmishëm, me shpalime historike, gjeografike, topografi turistike, preken llojet dhe format e turizmit, panairet e tij në kryeqytet etj., vizitat dhe promocionet e ndryshme turistike, opinone e mbresa nga shtypi i huaj për turizmin në Shqipëri në këto vite, një imazh tjetër nga ai i fillimeve. Ai e tërheq lexuesin duke e shëtitur në kanionet e Osumit, kullat e Gjurrë Reçit në Dibër, brigjeve të Drinit të Zi, apo në bjeshkët e Selitës: shpellat, livadhet, margaritarin e tyre, Kroin e Bardhë, një ujë kurativ i rrallë etj. Pa harruar Lurën mrekulluese dhe thirrjen për rimëkëmbjen e saj pas rrënimit të asaj i bëri tranzicioni. E gjithë lënda është e ilustruar mjeshtërisht me fotografi të zgjedhura nga terreni. Shihet qartë se shtysa e autorit ka qenë dashuria për ta paraqitur vendin e tij sa më denjitoz parë të huajve, por dhe para vetes, pasi nganjëherë i shohim e prekim bukuritë shqiptare, por pa ditur si të sillemi me to. Nuk e gjejmë veten, secili sipas mënyrës së tij, jo vetëm strukturat qeveritare që merren me turizmin, por dhe organet e pushtetit vendor, komunat e bashkitë, institucionet e monumenteve etj.
Autori i këtij botimi të mirëpritur meriton të përgëzohet dhe në një anë tjetër, ai ka treguar se njerëzit që punojnë në sektorë të tillë nuk mund të jenë thjeshtë rrogëtar të shtetit. Si specialist i Agjensisë Kombëtare të Turizmit, ai sikur na thotë se një zyrë shteti merr kuptim kur njerëzit e saj nuk e lënë nëpër syrtare përvojën e tyre, por e publikojnë, siç ndodh në rastin e tij, duke mundësuar një botim cilësor për turizmin, si një kulturë dhe industri e re fitimprurëse në këtë vend. Kemi parë mjaft botime të kësaj natyre të bëra me projekte e para të shumta, por që nuk mbërrijnë te ky libër që nuk ka shpenzuar askënd nga fondacionet, por vetëm xhepin e autorit. E, pra, pikërisht botime të tilla e meritojnë dhe vëmendjen e atyre që kanë buxhete në dispozicion për botime me interes të gjerë publik e promocional të pasurive kombëtare.
Duke lexuar këtë libër lexuesi e ndjen se është një “virgjëri” natyrore shqiptare që po shpalohet përherë e më shumë. Shqipëria turistike është një zbulim. Ajo çka duhet theksuar është se këto perla në radhë të parë duhen “zbuluar” nga shqiptarët, çka do ta pasurojë dhe këtë libër në ribotimet e tij të ardhshme, me të tjera destinacione turistike, të harruara ose pak të njohura nga turistët, si Rana e Hedhun në Lezhë, Laja e Kaçinarit (bjeshkë) në Mirditë, ujëvara e Sotirës në Gramsh etj.
(Shkrimi u publikua më 5 maj në gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)