Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi ka marrë pafajësinë edhe në Apelin e GJKKO-së. Tre gjyqtarët Engert Pëllumbi, Igerta Hysi dhe Dhimitër Lara lanë në fuqi vendimin e GJKKO-së, ndërsa ishte SPAK që e kishte ankimuar çështjen në Apel.

Në tetor të vitit 2022, SPAK dërgoi për gjykim çështjen ndaj Selimit për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Sipas SPAK, hetimi nxori të dhëna që tregonin se Selimi kishte pasuri të paluajtshme të pajustifikuara me burime të ligjshme. Për këtë arsye u kërkua dhe u vendos sekuestrimi mbi disa pasuri në zotërim të tij: ½ e një trualli me sipërfaqe 432 m² dhe një objekt 132.25 m², pikë tregtimi karburantesh, me vendndodhje në shëtitoren “Lungomare” në Vlorë; një truall me sipërfaqe 2,400 m² në Jonufër, si dhe një tjetër truall me pikë karburanti në “Rrugën Transballkanike”, po në Vlorë.

Gjykimi i kësaj çështjeje u zhvillua për rreth dy vjet e gjysmë, me rregullat e gjykimit të zakonshëm.

Megjithatë, në përfundim të procesit, gjyqtarja Rudina Palloj vendosi deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Shkëlzen Selimi për fshehje pasurie, me arsyetimin se fakti penal objekt akuze nuk provohet se ekziston.

Shkëlzen Selimi punoi për dy dekada në sistemin e drejtësisë, përpara se të shkarkohej në vitin 2018 nga vetingu për fshehjen e kontakteve me persona të përfshirë në krim të organizuar. Edhe bashkëshortja e tij, ish-gjyqtarja e Apelit Administrativ, Rilinda Selimi, u shkarkua nga Kolegji për shkak të kontakteve të papërshtatshme, megjithëse shumica e trupit gjykues nuk konstatoi probleme për pasurinë e saj.