Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj ka reaguar në kanalet e komunikimit pasi u "kryqëzua" nga tifozët pas humbjes 2-1 që Shqipëria pësoi me Italinë në Grupin B të Euro 2024.

Goli i dytë i Barellas u shënua nga distanca, teksa Hysaj u kritikua për qëndrimin dhe uljen e kokës. Në rrjet pati shumë kritika për të, aq sa 24 orët e fundit shkodrani mbylli edhe rrjetet sociale, që mesa duket i ka rihapur.

"Pas ndeshjes me Italinë dhe evenimenteve të fundit, ndjej t’i kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve shqiptar për gabimin teknik dhe instiktiv që shkaktoi golin e dytë që pësuam. Eshtë e tepërt të specifikoj që ishte pikërisht gabim loje dhe vlerësim i rremë i trajektores! Kush më njeh e di mirë që do të jepja çdo forcë që kam dhe do bëja çdo sakrificë për këtë bluzë, siç kam bërë gjithmonë. Më vjen keq për strumentalizimin pa vend nga shumë persona të gabimit përtej vlerësimit teknik.

Nga ana tjetër, falënderoj përzemërsisht të gjithë tifozat e panumërt që më kanë dërguar mesazhe konfortimi në forma të ndryshme, i pranoj me vetëdije kritikat dhe keqardhjen e tifozëve ane e mbarë të cilët pa përjashtim i mbaj në zemër. Tani të përqendrohemi të ndeshjet e radhës dhe forca Shqipëri gjithmonë”, shkruan Hysaj.

Reagimi i Hysaj: