TIRANE - Historia e doktor Dhimitër Krajës është frymëzuese jo vetëm për çdo mjek, por për çdo njeri që dita ditës përballet me probleme të ndryshme. Kohë më parë ai doli në pension, por duke parë emergjencën e koronavirusit ai e pa të arsyeshme të rikthehej në krye të detyrës. Për fatin e tij jo të mirë doktor Kraja u infektua me koronavirus.

Për këtë ka shkruar sot kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili shprehet se urimet dhe lutjet për shëndetin e doktorrit po burojnë tani nga zemra e çdo shqiptari.

"Asgjë nuk e ndali doktor Dhimitër Krajën të rikthehet pas 48 vitesh në repartin e infektivit për të ndihmuar dhe shpëtuar jetët e pacientëve. Guximi, humanizmi, profesionalizmi dhe solidariteti njerëzor rrëzuan çdo pengesë, dhe e rikthyen atë në krah të kolegëve të tij, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të bashkëqytetarëve nga virusi i rrezikshëm që e preku dhe atë vetë.

I uroj nga zemra doktor Dhimitrit shërim të shpejtë! Urime dhe lutje për shëndetin e tij burojnë nga zemra e çdo shqiptari. Sot si kurrë më parë nderojmë dhe vlerësojmë sakrificat e mjekëve dhe infermierëve tanë që përballen çdo orë me rrezikun dhe sfidat e vështira të shpëtimit të jetëve nga pandemia e COVID-19", shkruan Basha.