/ATSH/.- I tërë Ballkani Perëndimor është duke bërë një lloj "eksperimenti" me reformën e qeverisjes lokale, respektivisht decentralizimin, dhe të gjitha këto vende janë duke u munduar për të gjetur modelin që i shkon për shtat demokratizimit, në të njëjtën kohë edhe shërbimeve më të mira dhe balancimit të fuqive mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale.
Kështu u tha në konferencën rajonale për qeverisjen lokale me temën "Decentralizimi, një mundësi apo sfidë në zhvillimin e vendeve në tranzicion", ku u tha se decentralizimi kontribuon në forcimin e demokratizimit.
Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv i Institutit KLGI, tha se në të gjitha vendet e Ballkanit ekziston ende një "luftë" mes nivelit qendror dhe atij lokal në raport me kompetencat dhe se ato vende ende nuk kanë decentralizim.
Edhe Dushan Janiç, themelues i Forumit për marrëdhënie Etnike në Beograd, tha se në momentin kur një qeveri apo një parlament nuk e ka vizionin e qartë, nuk ka qëllimin e përcaktuar se ku dëshiron të arrijë me reformën e decentralizimit, në atë shtet do të ketë gjithmonë kaos.
Sipas tij, e njëjta situatë është në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa, sa i përket Kosovës, u tha se kryetarët e komunave të këtij shteti janë të fortë në letër, por në praktikë janë shumë të dobët.
Për këtë, kryetarët e komunave kërkuan një decentralizim fiskal, pa të cilin ata janë të pafuqishëm, për shkak se menaxhimi i fondeve vjen nga niveli qendror.
"Decentralizimi në baza etnike nuk është decentralizim, në fakt është centralizim", tha kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Por, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, tha se njëra nga prioritetet e tyre më të rëndësishme është që të bëjnë ndryshimin e ligjit për qeverisje lokale.
Ndërsa Bashkim Fino, deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe bashkëkryetar për reformën administrative-territoriale në Shqipëri, foli për reformën administrative-territoriale në Shqipëri dhe mundësitë për zhvillimin ekonomik lokal. "Aktualisht ndarja e vjetër territoriale e vendit në pjesën më të madhe të saj ka rezultuar me paaftësinë e komunave të vogla për të kryer shërbimet dhe funksionet ndaj banorëve", tha Fino.
"Paaftësia për të kryer shërbimet qytetare dhe pamundësia për të gjeneruar zhvillim për komunitetet lokale ka sjellë flukse të mëdha migrantore brenda vendit, kryesisht nga zonat rurale në ato urbane. Ku rezulton se ka një përqendrim më të madh të shërbimeve publike dhe mundësi më të mëdha për punësim në këto zona urbane", tha Fino.
Tahir Hani, zëvendëssekretar shtetëror dhe ish ministër i Vetëqeverisjes Lokale në Republikën e Maqedonisë, tha se Maqedonia ka pasur probleme të mëdha për sa i përket decentralizimit, për shkak të sistemit politik të trashëguar nga Federata Jugosllave.
"Republika e Maqedonisë si pjesë e Federatës Jugosllave trashëgoi një sistem politik në të cilën pozita e shqiptarëve ishte shumë inferiore dhe në këtë drejtim, ne kishim kundërshtime të fuqishme mes dy iniciativave politike. Njëra ishte iniciativa politike maqedonase dhe pjesa tjetër, shqiptarët që çdo herë e më shumë kërkonin pozitën e tyre meritore në kushtetutën e Republikës së Maqedonisë", tha ai.