Mbështetësit e Sali Berishës janë ende të paqartë se çfarë do të ndodhë më 5 janar në selinë e Partisë Demokratike. Nga njëra anë ato i kanë vendosur ultimatum Lulzim Bashës për të liruar zyrën, pasi sipas tyre është shkarkuar në kuvendin e 11 dhjetorit, por nga ana tjetër theksojnë se ndryshimi do të jetë paqësor.

Kështu u shpreh deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në 'Studio Live' në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, ndërsa shtoi se nëse Basha ka sadopak ndërgjegjie le të largohet para Vitit të Ri. E pyetur sesi do të veprohet, nëse Basha refuzon që të lirojë zyrën, Vokshi tha se ai duhet të respektojë vullnetin e shumicës dhe se nuk e mban dot peng PD-në me persona të armatosur dhe të largohet në mënyrë paqësore.

'Komisioni për Rithemelimin e PD-së, ku janë pjesë përbërëse 29 anëtarë, vendosi që t'i jepej një afat 5 janari për reflektim deputetit Basha, ndaj vendimit të 44 mijë demokratëve. Përtej çdo tolerance u vendos data 5. Lulzim Basha nëse i ka mbetur sadopak ndërgjegjie të ndërmarrë një veprim të fundit të tij dhe të justifikoj besimin që unë personalisht e të gjithë demokratët i kemi dhënë për 8 vite me radhë.

Në datën 8 janë ftuar të gjithë demokratët në një tubim protestë në selinë e PD-së, sikurse sovrani vendosi të shkarkojë Bashën. Ka ikur koha e Lulzim Bashës, janë sovrani që do të vendosë. Nuk do të ketë dhunë, e kemi shmangur dhunën, madje kemi shmangur çdo akt dhune edhe kur Basha na ka provokuar duke shpërthyer dyert e duke ndërruar bravat. Basha se mban dot PD-në peng me persona të armatosur. E ftoj të marrë vendimin e fundit dinjitoz para vitit të ri.

Ky vendim për shkarkimin e Bashës, jo vetëm u mor vendimi për shkarkimin i cili edhe u ratifikua. Jemi duke respektuar vendimin e sovranit. Basha para datës 5 të lëshojë selinë në mënyrë të paqshme. Nuk rri dot minoranca në krye të PD-së. Basha të dorëhiqej dhe të hynte në garë.'- tha Vokshi.

Sali Berisha i ka lënë afat Lulzim Bashës deri në 5 janar 2022, për t’u larguar nga selia bashkë me lidershipin e tij. Në të kundërt, Sali Berisha ka sinjalizuar se do të rrethojë me mbështetësit e tij selinë blu, duke nënkuptuar mundësinë e largimit të Bashës me forcë. Nga ana tjetër, Lulzim Basha ka deklaruar se po përgatitet për të përballuar të gjithë skenarët e Sali Berishës, përfshirë edhe një sulm të mundshëm të këtij të fundit, për të marrë me forcë selinë.

Dy grupet, pasi kanë shkarkuar dhe nuk njohin njëri-tjetrin,  kanë nisur edhe një betejë ligjore. Është pikërisht kjo përballje ligjore, e cila në fund do të përcaktojë se kush do ta kontrollojë selinë e Partisë Demokratike. Berisha ka dërguar për konfirmim në gjykatë statutin paralel që miratoi më 11 dhjetor 2021 ku ka shkarkuar Bashën ndërsa ka kaluar PD-në në duart e një të ashtuquajturi Komision për Rithemelimin e partisë. Për konfirmim në gjykatë ka dërguar ndryshimet statutore të korrikut edhe Lulzim Basha, ndonëse 5 muaj me vonesë. Mbi këto ndryshime, Basha nxori jashtë lojë të gjitha vendimet e njëanshme dhe strukturat paralele të ngritura nga Berisha.