'Unë veproj me Kanun, Ramën do e kisha vrarë me snajper'- Sali Berisha dhe botëkuptimi i tij real për liderin e opozitës

'Unë veproj me Kanun, Ramën do e kisha vrarë me snajper'- Sali Berisha dhe botëkuptimi i tij real për liderin e opozitës

Ish-kryeministri Sali Berisha

Lideri i Foltores, Sali Berisha, u përpoq që sulmin fizik të ushtruar ndaj tij ta paraqesë menjëherë si vepër e kryeministrit Edi Rama. Bashkë më Berishën, këtij kori iu bashkua e gjithë shpura e atyre që e ndjekin, po edhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Metaj. Është e pabesueshme se ku arrijnë këto mendje djallëzore që pikërisht në ditën kur kryeministri Rama po i gëzohej një organizimi të shkëlqyer për të mikpritur për herë të parë në historinë e Shqipërisë e të Ballkanit, liderët e Evropës së Bashkuar, pikërisht, sipas këtyre opozitarëve, Edi Rama do duhet të mendonte sesi të organizonte edhe një individ që të grushtonte Sali Berishën e ky pastaj të merrte të gjithë vëmendjen e mediave.

Opozitarët po e akuzojnë Edi Ramën si kriminel, si vrasës e shumë epitete të tjera të rënda. Ata përpiqen me çdo mënyrë që ta paraqesin atë si një djall që bën çmos të likuidojë liderin e opozitës. Por po t’i futemi fakteve, atyre reale e jo atyre të stisura, na rezulton si drita e diellit se ka qenë Sali Berisha ai i cili ka dashur të vrasë liderin e opozitës, sot kryeministër i Shqipërisë. Dhe këtë ai e ka pranuar me zë e figurë më shumë se njëherë dhe jo vetëm që është ndjerë krenar për këtë gjë, por kjo as u ka bërë përshtypje këtyre analistëve që sot i mbajnë iso-n duke i mbështetur shpifjen halucinante se pas atij individi që e grushtoi qëndron Edi Rama.

Është mirë që disa dëshmi autentike të sillen në vëmendjen e publikut, pavarësisht se koha kalon. Aktualizimi i tyre i bën mirë kujtesës kolektive dhe marrin vlerë sepse na bën të kuptojmë se me cilin person kemi të bëjmë, me çfarë mentaliteti, me çfarë kulture është rritur dhe brumosur dhe sa ka ndikuar kjo kulturë primitive e tij në qëndrimet që ka mbajtur ndaj opozitës kur ka qenë pushtetari më i fuqishëm në Shqipëri, po edhe sot kur flet me të njëjtin mllef ndaj “armikut Rama”, siç e etiketon Berisha kundërshtarin e tij politik.

Më poshtë po sjell shkurtimisht 2 intervista që Sali Berisha i ka dhënë gazetarit Sokol Balla në kohë të ndryshme. Aty secili ka mundësinë të lexojë në vetë të parë Sali Berishën dhe fare lehtë kupton se cili është botëkuptimi i tij për opozitën dhe liderin e saj. Intervistat i kam shoqëruar me disa shënime shpjeguese, për të nxjerrë në pah pjesët dredhuese.

Sali Berisha në Top Story - 12 dhjetor 2016

“Pashë më 21 janar [2011] Edi Ramën që ushqente urrejtje dhe armiqësi të pakufishme saqë donte të vinte të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime. (Më 21 janar Edi Rama nuk arriti të kalojë as urën e Lanës, sepse u kthye mbrapsht prej gazit lotsjellës që lëshoi Grada – shën. im). Qëndrimi i tij më 21 janar shënoi një pikë kthese në qëndrimin e jetës sime, sepse unë nuk e kisha konceptuar gjer në atë ditë kurrë si armik, por unë të nesërmen absolutisht ashtu siç kisha këto fjalë, në qoftë se nuk do t’i përmbahej, ai nuk do të ishte më. (E ka fjalën që Rama do ekzekutohej me plumb – shën. im). Kjo ishte. Dhe ky do ishte veprimi më i dëshpëruar i jetës sime, por e imponoi sepse ai u soll si armik.

Ai më rrethoi mua me qëllim që të vinte të mbante një fjalim tek zyra ime, gjë e cila mund të ndodhte për të gjallë timin, kurrë! Kjo ishte tejkalim i çdo lloj kufiri. Të nesërmen u zotua se ashtu dhe të nesërmen mori atë lloj paralajmërimi që meritonte dhe e mori me seriozitetin më të madh. Institucioni nuk dorëzohej kurrë nga Sali Berisha. Ishte bërë zgjedhje e gabuar nga Edi Rama.

Është e paimagjinueshme që mua mund të më shkonte për një të qindën e sekondës mendja që të lëshoja zyrën time, kurrë! Isha në krye të detyrës unë. As 3, as 30, as 300, nuk mund të pushtonin zyrën time, ishte jashtë çdolloj mundësie. Atë zyrë (e ka fjalën për kryeministrinë – shën. im) nuk e ka sulmuar kurrë Sali Berisha, atë zyrë nuk e sulmoj ndonjëherë unë, sepse është institucion.”

Sali Berisha në Real Story - 5 mars 2018

“Më 21 Janar, rrethuar në të katër anët, unë kisha mundësi të mos isha, unë qëndrova në zyrë dhe ata që kanë ardhur në zyrë më kanë gjetur me dosje përpara. (Këtu gënjen sepse vetëm nga pjesa ballore e kryeministrisë kishte protestues – shën. im)

Të pasnesërmen erdhi një i dërguar i qeverisë amerikane, Tom Kantrimen, i dërguar nga sekretarja Klinton për të ndihmuar për këtë problem (e ka fjalën për 21 janarin – shën. im) dhe meqë Edi Rama do mbante mitingun (e ka fjalën për datën 27 janar – shën. im) dhe unë e spostova (e ka fjalën për anti-mitingun që do organizonte Berisha – shën. im) ky më thotë: “a ka mundësi të mos vish nesër në zyrë?”

I them Kantrimen-it absolutisht, se është ditë pune, po edhe të mos ishte, do isha në zyrë. Më tha “nuk bëhet nami se nuk je”. I thashë “a të të jap mesazhin për Edi Ramën? Thuaji: “Po preke gjënë më të vogël do jenë 5 snajper, 4 nga te katër anët dhe unë në dritare dhe në mënyrë absolute do goditet, vetëm po nuk e shpoi plumbi”. (Pra Berisha e ktheu të dërguarin amerikan në një lajmës vdekjeje për liderin e opozitës që nëse ky do tentonte të nxirrte qoftë edhe një fije zë poshtë dritares, Berisha do e ekzekutonte me snajper dhe vetëm anti-plumbi në trup e në kokë do e shpëtonte – shën. im).  

Ti po thua, tha Kantrimen, Shqipëria e shek 19? (Duket qartë nga pyetja që Kantrimen po kuptonte se kishte të bënte jo me një kryeministër por me një kauboj – shën. im). Më vjen keq, i thashë, Shqipëria e shek 21. (Për mentalitetin e Berishës, shek.21 është shekulli kur kryeministri merr armën snajper dhe ekzekuton liderin e opozitës – shën. im). Sepse ky zotëri (e ka fjalën për Ramën – shën. im), ka bërë gjatë periudhës që unë kam qenë kryeministër 1752 protesta të regjistruara. (Një parantezë sqaruese nga ana ime këtu, për të treguar se si Berisha e ka gënjyer sy për sy zyrtarin amerikan. Nga data 09.09.2005 kur hyri për herë të parë në zyrën e kryministrit dhe deri më datë 23 janar 2021 kur takoi zotin Kantrimen, Sali Berishës i bëheshin rreth 1960 ditë në detyrë. Si mundet që lideri i opozitës Edi Rama të kishte organizuar 1752 protesta?! I bie që protestuesit e PS-së të kishin qëndruar në rrugë për 5 vjet, 4 muaj e 14 ditë, nga e hëna në të premte, përjashtuar fundjavën).

Ky u shndërrua në zjarrvënës. Jam patriot dhe unë për zjarrvënës do bëj atë që më takon të bëj. (Këtu Berisha keqinformon Kantrimen-in duke e paraqitur Ramën dhe protestuesit si mbartës dhe hedhës të bombave molotov, ndërkohë që asnjë e tillë nuk disponohej prej tyre – shën. im). I thuaj [Ramës] jo kryeministrinë po dhe një postë policie më të largtën në Shqipëri po e preke, në mënyrë absolute nuk do kthehet në Tiranë i gjallë. (Berisha donte të tregonte se pas 21 janarit Rama kishte marrë arratinë jashtë vendit – shën. im).

Ajo funksionoi. (E ka fjalën për paralajmërimin për ta vrarë që i dërgoi Ramës nëpërmjet Kantrimen-it – shën. im). E ka thënë e zonja e tij (e ka fjalën për Lindën – shën. im) se i thanë shërbimet se atë ditë do ta vrisnin. Nuk do ta vrisnim, po po të lëvizte në atë mënyrë do qëllohej, sepse nuk mund të pranoja zjarrvënës unë.

Më 27 janar u zhduk si ajo e pulës. Nuk ka njëri në Shqipëri që nuk e di se ku ishte ai më 27 janar. (Sërish një parantezë sqaruese  nga ana ime. Vrasjet ndodhën të premten e 21 janarit 2011 dhe nuk kishte asnjë arsye që Rama të mbante homazhet të enjten e 27 janarit ku Berisha pretendon se ai iku nga frika. Rama u shfaq përkrah familjarëve të viktimave dhe popullit që e ndiqte pas në bulevard, të premten e datës 28 janar ku u bënë homazhe në heshtje).

Pse kjo përballje e imja? Vjen nga fëmijëria më e hershme e imja, mund të jetë edhe kanunore. Porosia që na jepnin nga më të parat, mos i ik rrezikut, se rreziku të nxën. Duhet të përballesh me rrezikun. Më i fuqishëm se çdo Kuran dhe çdo Bibël në veri të Shqipërisë, është Leka (e ka fjalën për kanunin e Lekë Dukagjinit – shën. im). Prindërit e mi e kishin Kanunin si diçka hyjnore, nuk e diskutonin Kanunin ata. 

Kjo ishte edukata që na jepej, që nga fëmijëria ime, mos i ik rrezikut. (Sali Berisha në mënyrë të herëpashershme thekson se përse kryeministri Rama largohet nga zyra sa herë ai i proteston në bulevard. Në mentalitetin e Berishës, kryeministri Rama paraqitet si një frikacak, që i shmanget përballjes fizike, Pra Rama duhet të qëndrojë në zyrë dhe kjo për Berishën është një mënyrë e mirë për të ndërsyer turmat që të sulmojnë kryeministrinë, mundësisht ta pushtojnë atë si më 14 shtator 1998, ta zënë të gjallë kryeministrin e pse jo, ta ekzekutojnë – shën. im).

Më vonë, në politikë, e kam parë që rreziku është për t’u përballuar dhe jo për t’iu shmangur. Leksioni para-politik i jetës time ka qenë: “E pësoja sa herë kisha frikë”. Kur isha fëmijë, e shihja që në qoftë se do humbisja, do humbisja po të kisha frikë dhe i thosha vetes: “Mirë t’u bë sepse pate frikë!” Pra unë bëja një lloj vetë trajnimi gjysmë spartan, kurse sot nuk ka asnjë dyshim që unë nuk kam frikë. Nuk jam trim, por nuk trembem.”

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë