TIRANË- Neglizhenca e qytetarëve, që është reflektuar edhe në shtrim të rasteve ditore, është bërë shkak që Komiteti Teknik i Ekspertëve të marrë masa shtrënguese për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Kështu, kryetarja e këtij Komiteti, Mira Rakacolli ka bërë me dije se do të propozojnë që mësimi në universitet të zhvillohet online, e për pasojë konviktet do të jenë të mbyllura. Duke e konsideruar zonën e ish- Bllokut, si një vatër e rrezikshme, Rakacolli ka sqaruar se po shqyrtohet edhe mbyllja e bareve dhe restoranteve në këtë zonë pas orës 22:00, orë e cila përkon edhe me kohën kur ka grumbullime të mëdha të të rinjve.

"131 raste për 100 mijë banorë. Aktualisht kemi 500 vatra aktive prej të cilave 35% në Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura përkojnë me lehtësimin e masave siç janë hapja e bareve dhe restoranteve dhe të shkollave, por edhe me sezonin vjeshtës që sjell grumbullimin e njerëzve. Situata në spitale paraqitet me një rritje të rasteve, por në dy javët e fundit ka pasur një qëndrueshmëri. nisur nga dinamika e situatës, komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar se është i nevojshëm që të kemi masa shtesë për të frenuar përhapjen më tej të infeksionit. Në këtë kuadër, në mbledhjen e zhvilluar kemi vendosur që të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, për të paktën një muaj. Në këtë kuadër, konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë. Njëkohësisht po vlerësohet edhe mbyllja e bareve dhe kafeneve në zonën e bllokut në Tiranë pas orës 22:00 duke qenë se konstatohet një vatër e rrezikshme, sidomos gjatë orëve të natës", tha Rakacolli.

Ajo ka apeluar mbajtjen e maskës, si një masë që është vërtetuar që ndihmon për parandalimin e përhapjes së COVID.

"Nëse nuk respektojmë rregullat e vendosura do të rrezikojmë mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Mbajtja e maskës është një vendim i drejtë, mbani maskën tani që të evidentoni mbajtjen e maskës së oksigjenit më vonë", përfundoi Rakacolli.